TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Rruga e Lumit të Vlorës është një tjetër vepër e rëndësishme në infrastrukturën rrugore të vendit, që ka marrë formë duke u kthyer në një prej akseve turistike më panoramike të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama uroi sot pasdite të mbarë me pamje nga rruga e Lumit të Vlorës, ndërsa ndau në rrjetet sociale një video me momente udhëtimi në këtë aks të rëndësishëm infrastrukturor.
Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhjen e më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40 mijë banorë me qytetin e Vlorës.
Ky aks i rëndësishëm mundëson lidhjen e dy rrugëve nacionale si dhe përfshin edhe një degëzim që mundëson lidhjen me qytetin e Vlorës.
Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, kjo rrugë lidh Vlorën me Himarën dhe krijon akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut.
Njëkohësisht kjo rrugë gjeneron përfitime sociale dhe ekonomike përfshirë aksesin në tregjet rajonale dhe lokale për bujqët, reduktimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë lokale, përmes intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese, si dhe nxitjen e zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikleta, të cilat eventualisht do të sjellin transformimin e të gjithë luginës në një atraksion turistik. /m.m/j.p/