Tajfuni i fuqishëm në Filipine ka vrarë mbi 200 njerëz.
Zyrtarët thanë se 52 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, teksa tajfuni Rai –që është stuhia më e fuqishme që ka goditur Filipinet gjatë këtij viti – ka shkatërruar linjat e komunikimit në disa qytete dhe provinca të vendit.
Sipas policisë kombëtare, të paktën 208 persona kanë vdekur dhe 239 janë lënduar. Numri i viktimave pritet të rritet pasi ekipet e shpëtimit po kanë vështirësi që të arrijnë në zonat e thella në Filipine.
Kryqi i Kuq në Filipine ka raportuar për “shkatërrim të plotë” në zonat bregdetare pasi tajfuni Rai shkatërroi shtëpi, spitale dhe shkolla.
Tajfuni Rai goditi Filipinet më 17 dhjetor dhe erërat arritën deri në 195 kilometra në orë. Shumica e viktimave kanë vdekur për shkak se janë goditur nga pemët dhe muret që janë rrëzuar, janë mbytur në vërshime apo janë bllokuar nën gërmadha pas rrëshqitjeve të dheut. Numri i viktimave mund të ishte më i madh, por mijëra persona u evakuuan pak para se tajfuni të godiste Filipinet.