BETEJA E 30 MARSIT 1999 NË GURI TË KUQ ISHTE NDËR PËRBALLJET MË TË BUJSHME TË BATALIONIT TË TRETË TË BRIGADËS 124 “GANI PAÇARIZI”
Me urdhër të komandatit Tahir Sinani, tani hero i kombit, në fillim të marsit ’99, Batalioni i Tretë i Brigadës 124 “Gani Paçarizi” u vendos në Guri të Kuq. Ishte një zonë strategjike, me mbrojtje natyrore dhe me një pozitë shumë të rëndësishme në afërsi të fshatrave që shtrohen në bregun e Drinit të Bardhë. Baza e batalionit u vendos në shtëpinë e Kadri Fetahut, që ndonëse ishte e djegur dhe e shkatërruar, i përmbushte nevojat minimale për të vepruar batalioni i tretë. Duke qenë në një pozitë shumë të rëndësishme strategjike, forcat serbe ndërmorën një operacion të ashpër për të larguar çlirimtarët nga pozicionet e tyre mbrojtëse. Operacioni nisi në mëngjesin e hershëm të 30 marsit. Ushtria serbe e pajisur me artileri të rëndë; tanke, praga, kundërajrorë, minahedhës dhe mjete të tjera luftarake, filloi vrullshëm me bombardimin e pozicioneve të UÇK-së. Vija e parë e mbrojtjes ishte e vendosur në vendin e quajtur “Boka e Kramovikut”, vija e dytë ishte në hyrje të fshatit Guri i Kuq, ndërsa vija e tretë ishte në majën e quajtur “Gradina”, aty ku ishte i vendosur edhe njësiti ynë me mitraloz të rëndë kundërarjor “Golinov” 12.7 mm. Gjithë ai arsenal ushtarak serb kundër 34 ushtarëve të UÇK-së! Heroizmi i ushtarëve tanë ishte i pashoq. Në vijën e parë qëndroi Visar Hoti, me Safet Latifin, tani dëshmorë të kombit, me disa ushtarë të tjerë. Aty pamë me sytë tanë aktin heroik të Visarit, i cili me kundërtank krahu paaftësoi një tank armik. Sulmi frontal u ndërpre, mirëpo serbët mësynë nga zona e Llapçevës dhe në anën e majtë të lufëtarëve tanë kah Polluzha, duke synuar marrjen e krahëve. Aq shumë ushtarë serb ishin angazhuar, saqë të krijohej përshtypja se kjo do të ishte beteja e tyre e fundit dhe vendimtare. Serbët zunë të marshojnë nga të dy krahët, njëkohësisht duke granatuar vijën e dytë mbrojtëse të UÇK-së. Aty qëndroi heroikisht me mitralozin e tij 12.7 mm Selajdin Mazreku me disa shokë, ndërsa nga maja e Gradinës hapte zjarr pa u ndalur Zeqir Mazreku, duke pamundësuar depërtimin e forcave të mëdha serbe. Predhat e artilerisë serbe binin pa pushim mbi pozicionet tona. Si pasojë u plagos lehtë luftëtari Kasum Bytyçi dhe trondijte nga predha armike pësoi zëvendës komandanti i Batalionit Agim Thaçi.
Visar Hoti mbeti nën rrethim deri orët e vona të mbrëmjes, pa u vërejtur nga forcat serbe, që e kërkonin, edhe me emër, mirëpo ai u tregua i zgjuar dhe ua hodhi. Diku pas mesnatës Visari, për të cilin mendonim se kishte mbetur në istikame, u shfaq befas shumë i lumtur. Të gjithë u gëzuan pa masë dhe e përqafuan me radhë. Ai ishte heroi i asaj beteje.
Rezistenca jonë nuk pushoi tërë ditën, ndonëse të rrethuar nga të gjitha anët nga forca të shumta armike. Për luftëtarët e Batalionit të III-të sikur ishte dita vendimtare për të treguar veten, për të nderuar armët dhe për të dëshmuar se sa e shtrenjtë ishte liria. Ata qenë gati të vdesin atë ditë, por s’qe e thënë që të mbetet asnjë ushtar i vrarë. Aq shumë predha armike ranë mbi kokat e ushtarëve tanë, saqë fshatarët në afërsi kishin menduar se asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte. Për të dalë me sa më pak pasoja në njerëz u kujdesën luftëtarët dhe banorët e fshatit Guri i Kuq, të cilët i dinin shtigjet dhe i udhëhoqën lufëtarët e lirisë kah Maja e Bajrakut skaj fshatit Kaznik për të dalë në bjeshkën e Zatriqit. Në këtë betejë spikati edhe luftëtari Qerim Morina nga Dejni, tashmë i ndjerë.
Nder kësaj beteje i bënë edhe luftëtarët e sprovuar të lirisë, bashkëlufëtarët e ndjerë: Zenel Berisha nga Baboci dhe Bajram Popaj nga Fortesa.
Të nesërmën serbët kishin hyrë në fshatin Rudinë (Pastasel) ku vranë e i masakruan 106 fshatarë të pafajshëm e të pambrojtur: fëmijë, djem të rinj, burra e pleq të shtyrë në moshë, e ne nuk ishim në dijeni se çfarë po ndodhte në Pastasel, ngase njësia jonë ishte futur thellë në male, përtej Zatriqit, mbi malet e fshatit Panorc të Malishevës.
…
Batalioni i III-të e vazhdoi rrugëtimin e lirisë në Zatriq, ku më 18 prill ’99, ranë heroikisht Visar Hoti e Safet Latifi. Më pas lufëtarët e lirisë u vendosën në Celinë, ku në fund të majit pati përleshje të ashpra edhe nga afërsia me ushtrinë armike. Në fushë të nderit mbetën më 27 maj ’99 shokët tanë Milaim Morina e Xhevdet Krasniqi. Beteja e Celinës qe përballja e fundit me forcat armike, por qe ndër betejat më të ashpra dhe më të përgjakshme ku morën pjesë edhe lufëtarët e Batalionit të III-të të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”.
Në 22 vjetorin e betejës, shpreh nderimin dhe mirënjohjen për bashkëluftëtarët e mi që ranë dëshmorë, si dhe për ata që ende janë gjallë e ishin pjesë e kësaj beteje të lavdishme, si: Smajl Latifi, Agim Thaçi, Qemajl Krasniqi, Bahtjar Hoti, Milaim Latifi, Blerim Çadraku, Tahir Hoti, Manush Xhemaj, Nuhi Osmani, Sinan Popaj, Milazim Osmani, Feriz Thaçi, Enver Berisha, Osman Morina, Qamil Kabashi, Zeçir Mazreku, Selajdin Mazreku, Murat Fetahu, Tahir Latifi, Rexhep Hoti, Hamdi Sadrijaj, Agim Morina, Milaim Hoti, Ilir Popaj, Kasum Bytyçi, Qazim Morina, Bashkim Bytyçi, Luan Bytyçi, Binak Kryeziu, Çaush Hoti…
Ps. (Nëse e kam harruar ndonjërin prej pjesëmarrësve, kërkoj ndjesë)
add a comment