Bilaj është një fshat fushor në bashkinë e Fushë-Krujës dhe në rrethin e Krujës. Shtrihet në rrjedhën e mesme të lumit Ishëm, rreth 3 km nga rruga Fushë-Krujë – Vorë dhe vetëm 6 km nga Fushë-Kruja, 14 km nga Vora dhe 26 km nga Tirana. Duke qenë terren fushor me tokë të begatshme, popullsia e fshatit Bilaj merret me bujqësi e më pak me blegtori. Nga prodhimet bujqësore është gruri, misri, bimët foragjere, por janë edhe ullishtat, vreshtat e pemët. Pranë fshatit ndodhen burimet e ujrave termale – Llixha Bilaj. Fshati Bilaj ndodhet pranë lumit Ishëm, por ka rreth 30 vjet që vuan për ujë të pijes. Puset nuk kanë ujë cilësor për pije, edhe pse nëntoka e fshatit është e pasur me ujë. Nga uji i nëntokës së Bilajt furnizohen Durrësi, Kavaja e Rrogozhina, ndërsa banorët e fshatit detyrohen të udhëtojnë me kilometra për t’u furnizuar me ujë të pijes apo ujin ta blejnë në bidona. Burimi më i afërt i ujit të pijes për fshatin ndodhet disa kilometra larg. Para vitit 1990 Bilaj kishte rreth 6000 banorë, kurse tash numri i popullsisë ka rënë nën 2000 banorë. Atëherë fshati kishte shkollë të mesme, qendër shëndetësore etj.Pothuaj çdo vit e ndonjëherë nga dy e tri herë në vit Bilaj ka qenë e prekur nga vërshimet e lumit Ishëm, me pasoja të rënda në bujqësi, në objektet e banimit dhe në urën që lidhë fshatin me pjesët tjera. Dëme të mëdha krijohen nga përmbytjet, sepse nuk janë pastruar kanalet kulluese të fushave, të ndërtuara dikur. Fshati ka disa kilometra kanale kulluese, të cilat nuk janë mirëmbajtur qe një kohë të gjatë. Tërmeti i 26 Nëntorit 2019, në shkallë Righteri 6.4, sikur e kishte gjunjëzuar edhe fshatin Bilaj dhe fshatrat tjerë përreth tij. Për një kohë të gjatë qindra familje të fshatit kanë jetuar dhe e kanë kaluar dimrin në çadra, në kontejnerë, te të afërmit apo edhe nëpër shtëpitë e dëmtuara. Ministria e Bujqësisë … në Bilaj ka ngritur një karantinë për kafshë dhe shpendë të gjalla që vijnë nga importi, në vlerë prej 1 milion eurosh. Është kjo karantina e parë në Shqipëri e këtij lloji, e ndërtuar sipas standardeve evropiane, që ka kapacitet për 250 krerë gjedhe, 400 gjedhe të imëta, 400 derra, 4000 shpendë. Sipas ligjit, të gjitha kafshët dhe shpendët që vijnë nga importi do ta kalojnë një kohë të detyrueshme në karantinë, me qëllim të mbrojtjes dhe parandalimit të epidemive e të sëmundjeve tjera ngjitëse.Turizmi shëndetësor në Shqipëri viteve të fundit po zhvillohet me shpejtësi edhe në bazë të klientëve që vijnë për shërim nga R. e Kosovës, R. e Maqedonisë Veriore etj. Qendrat kurative apo banjat në Shqipëri ende nuk i kanë arritur standardet bashkëkohore të kurimit dhe të vendosjes, ku kryesisht zbatohet terapi klasike të vaskës dhe të baltës shëruese. Meqenëse ndodhen në vende tërheqëse, me bukuri të rralla natyrore, këto llixha mund të përdoren edhe për pushim e këndellje shëndetësore. Njëra nga qendrat e ujërave termale është ajo në fshatin Bilaj, afër Fushë-Krujës. Uji termal apo mineral del në sipërfaqe nga thellësia rreth 3000 metra. Fillimi i punës në vendin e burimit ishte bërë para disa dekadave, kur bëhej shpim i thellë në kërkim të naftës. Për çudi, në vend të naftës kishte dalë ujë i nxehtë me ngjyrë të kaltër dhe në temperaturë rreth 55 gradë celsius. Kështu, pasuan punimet që në fshatin Bilaj të luginës së lumit Ishëm të ngritet një banjë apo llixhë, e njohur për vlerat e ujit termal, i pasur me sulfur e minerale tjera. Në saje të këtij burimi të fuqishëm të ujit mineral nëntokësor edhe sot funksionon llixha apo banja apo qendra kurative e privatizuar nga një shqiptar i ardhur nga SHBA-të. Uji mineral i Bilajt ka efekte shëndetësore për problemet e reumës, të lëkurës dhe të sistemit nervor.
add a comment