Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CXLII) – BUNA – LUMI I VEÇANTË E FENOMENAL I ILIRIKUT

Lumi Buna, i quajtur në antikë Barbana, është lumi më i veçantë në Gadishullin Ilirik, mbase edhe më gjerë. Buna del nga Liqeni i Shkodrës, pranë qytetit të Shkodrës, mes kodrës së Kalasë Rozafa dhe malit të Taraboshit, duke gjarpëruar drejt jugut nëpër një fushë të ulët e të butë, për t’u derdhur në Detin Adriatik. Nëpër pjesën më të madhe të lumit përshkon vija kufitare mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, edhe pse në të dy anët e kufirit jeton popullsi e pastër shqiptare. Është lumë i shkurtër, vetëm 44 km, por është shumë i madh për prurjet e tij, lumi më i madh në Mesdhe për volumin e ujit pas Nilit, Ronës e lumit Po. Të kujtojmë se dikur, nga mesi i shek. XIX dhe deri në vitet 50-ta të shek. XX, lumi Buna ka qenë i lundrueshëm. Madje, nëpër këtë lumë, në pjesën më të madhe, edhe sot mund të lundrohet. Përmes këtij lumi Shkodra dikur ka bërë tregti me Italinë, Egjiptin e vende tjera. Si pasojë e prurjeve të materialeve inerte nga Drini, shtrati i Bunës është mbushur, duke pamundësuar lundrimin nëpër të, sepse, ka rreth 70 vjet që lumi nuk është pastruar dhe thelluar.

Vetëm rreth 1 km të rrugëtimit pas daljes nga Liqeni i Shkodrës, Bunës i bashkohet lumi më i madh se ajo vet, lumi Drin. Prurjet e lumit Drin janë dy herë më të mëdha se të lumit Buna, megjithatë, pas bashkimit, lumi ka vazhduar me emrin Buna. Për shkak se Drini i bie Bunës përanash, gjatë vërshimeve, kur prurjet janë të mëdha e të vrullshme, rrjedha e Bunës pengohet, ajo fryhet bashkë me liqenin dhe e vërshon edhe Shkodrën.

Buna është lumë tërësisht fushor, që lidhë Liqenin e Shkodrës me Detin Adriatik. Është kufi ndarës mes krahinës së Anamalit, në të djathtë, dhe fushave të Trushit e të Velipojës, në anën e majtë. Buna është lumi i vetëm në Shqipëri që ka deltë natyrore; ishulli Ada e ndanë Bunën në dy degë para se të derdhet në det. Në grykëderdhjen e saj ndodhet ishulli i vogël Franc Jozef.

Një fenomen natyror është vet shtrati i lumit Buna, fundi i të cilit është dy deri pesë metra nën nivelin e detit. Meqenëse uji i detit depërton thellë në lumë, në shtratin e tij kemi lumin me ujin e njelmët të detit dhe ujin e ëmbël të lumit, njëkohësisht. Uji i detit është më i rëndë dhe depërton nëpër fundin e shtratit në një gjatësi të konsiderueshme. Fenomen tjetër është lumi nëntokësor nën shtratin e Bunës. Përpara shtrati i lumit ishte rreth 40 metra më poshtë nga niveli që e ka sot Buna. Kështu, shtrati vazhdimisht është mbushur me rërë e sendimente argjilore, duke krijuar dy rrjedha, njëra mbi tjetrën, në drejtimin kah deti. Njëra rrjedhë përshkon në sipërfaqe e tjetra është rrjedhë nëntokësore 10 – 15 metra në thellësi. Fenomeni i tretë është delta e Bunës ose formimi i ishullit Ada. Në pjesën e poshtme të rrjedhës Buna ndahet në dy degë, të cilat të ndara derdhen në det. Sipas legjendës, në rrjedhën e lumit në vitin 1858 është fundosur një velanije, pronë e një personi nga Trogiri. Kjo anije dhe dy ishuj të vegjël, që ndodheshin në rrjedhën e lumit, ishin bërë shkaktarë për formimin e ishullit Ada dhe ndarjen e lumit në dy pjesë. Ishulli Ada, me sipërfaqe prej rreth 600 hektarëve dhe me plazh në gjatësi prej rreth 4 km, sot është një destinacion i rëndësishëm turistik i Malit të Zi.

Edhe pse lumë fushor, Buna mbledhë ujëra nga një territor shumë i gjerë malor. Pellgu ujor i Bunës është shumë i gjerë dhe kompleks, është i shtrirë në shtetet Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Greqi, gati në 1/5 e tërë territorit të Gadishullit Ilirik.

Zona e Shkodrës, lumi Buna dhe grykëderdhja e tij, kompleksi ligatinor rreth lumit dhe Rezervati i Velipojës, këneta e Domnit, laguna e Vilunit, Liqeni i Shasit, kriporja e Ulqinit etj., përbën një njësi gjeografike dhe një sistem ekologjik me veçori të theksuara ujore e tokësore. Pjesa e poshtme e lumit Buna është shpallur peisazhi i mbrojtur “Lumi Buna – Velipojë”. Kjo zonë është e pasur me florë e faunë, me bimësi të pasur ujore e pyjore, me biodiversitet të vlerave të larta natyrore. Zona e lumit Buna njihet veçanërisht për peshqit dhe shpendët. Në Bunë ka 30 lloje peshqish, nga të cilët 13 lloje migrojnë përmes Bunës nga deti në liqenin e Shkodrës dhe anasjelltas. Kurse, në grykëderdhjen e Bunës ka 143 lloje e nënlloje të peshqëve. Gjithashtu, zona është një stacion i rrugëve migruese të shpendëve shtegtarë.

Përgjatë brigjeve të Bunës ndodhen 20 fshatra me popullsi prej rreth 15 mijë banorë. Vendbanimet në këtë zonë kanë një vjetërsi prej rreth 2000-vjeçare. Popullsia, krahas bujqësisë e blegtorisë, tradicionalisht është marrë edhe me peshkim.

Fatkeqësisht, Buna i ka sjellë probleme dhe situata kritike qytetit të Shkodrës dhe fushës së Nënshkodrës. Nga reshjet e dendura të shiut disa herë është rritur niveli i Bunës e i Drinit, i cili e vërshon qytetin dhe fushën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Kurse grumbuj të zhavorit dhe derdhja e ujërave të zeza e kanë lënduar këtë lumë me bukuri fenomenale.

Të përkujtojmë se Buna, në vitet ’90-ta të shek. të kaluar, ka shërbyer për kalimin ilegal të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri. Gjithashtu, lumi Buna është përdorë edhe si rrugë për kontrabandimin e naftës nga Shqipëria në ish-Jugosllavi. Disa herë nafta dhe mazuti është derdhur në lumë, duke dëmtuar rëndë ekosistemin. Si pasojë, u zhduk nga Buna peshku i rrallë dhe i bukur, ngjala e kristaltë.

Lumi Buna përbën një mrekulli të vërtetë të natyrës, një fenomen natyror i jashtëzakonshëm. Buna me Shkodrën dhe detin, si dhe pasuritë natyrore të tyre krijojnë mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e turizmit; turizmit mjedisor, turizmit aeronautik, turizmit historik e kulturor, peshkimit sportiv, gjuetisë sportive, etj.