Lëvizja\UÇK

Shpëtim Golemi: “Ka ardh Shqipëria në luftë”! (Lufta për çlirimin e Kosovës shqiptare – rrëfim i rrallë i oficerit gjirokastrit – Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së)

Oficeri shqiptar, Dilaver Goxhaj, ish-Zëvendësshef Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pohon se shkuarja e bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së në Gjykatën speciale, i ka rikrijuar ndjenjat ngjethëse kur ishin të detyruar t’u mbyllnin sytë shokëve që i merrte plumbi.

Kolonel Goxhaj thekson në intervistën dhënë për Abcnews.al se Serbia po trajtohet si viktimë e asaj lufte dhe, natyrisht që diçka e keqe paralajmërohet për Kosovën.

Intervista e plotë e Dilaver Goxhajt, dhënë gazetares Linda Karadaku:

Si ndihmuan oficerët shqiptarë në luftën për çlirimin e Kosoves?

Oficerët e Republikës së Shqipërisë që ndihmuan në Luftën çlirimtare të Kosovës ndahen në dy grupe: grupi i parë janë ata që ndihmuan në ngritjen e qendrave stërvitore në Shqipëri dhe përgatitën (stërvitën) vullnetarët që vinin nga Kosova dhe mërgata për të shkuar në atë luftë. Ky grup ka filluar herët, qysh në fillim të viteve ’90-të.

Profesioni i oficerit, ndoshta në pamje të përgjithshme kuptohet se ai vetëm urdhëron dhe ushtarët zbatojnë. Por jo, nuk është ashtu.

Oficeri është një mësues shumë më ndryshe nga profesioni i mësuesit. Mësuesit e çdo niveli shkollor bëjnë diferencimin e nxënësve në fund të vitit mësimor, dikë e vlerësojnë shkëlqyeshëm, dikë mesatar, dikë mjaftueshëm e dikë e lënë përsëritës të vitit mësimor.

Ndërsa oficeri duhet t’i mësoj e t’i përgatisë praktikisht të gjithë ushtarët njësoj, sepse të gjithë do të hidhen njëherësh në sulm, apo të gjithë së bashku do të veprojnë për të mbrojtur pozicionin dhe rajonin e mbrojtjes, dhe kur ta lypi nevoja të dinë të tërhiqen në rregull, por ama të gjithë së bashku e me rregull, duke mbrojtur njeri-tjetrin.

Kështu që oficeri është i detyruar të udhëhiqet nga parimi: Shihni si bëj unë, dhe ejani ta bëjmë së bashku, pasi njeriu mëson më mirë duke vepruar. Këtë detyrë e kryen oficerët që përgatitën vullnetarët e UÇK-së në qendrat stërvitore për në luftë, duke zhvilluar stërvitje një mujore, dy mujore… Ka pas raste edhe më shumë por, edhe më pak, në varësi nga situata në Kosovë.

Kur u angazhua NATO në luftë, atëherë në përgatitjen e vullnetarëve që vinin me shumicë nga Perëndimi, përfshi edhe SHBA, u angazhua e gjithë shkolla e Bashkuar e Oficerave, duke i stërvitur vullnetarët e lirisë në Feken (Mali me Gropa) dhe në Burrel.

Grupi tjetër i oficerëve ishim ne, që u futëm brenda në Kosovë para se të angazhohej NATO-ja, por ishim shumë pak, vetëm 5 veta. Dy prej oficerëve kanë rënë dëshmorë: Indrit Cara nga Kavaja dhe Tahir Sinani nga Tropoja.

Dëshmori nga Tropoja, Tahir Sinani, ishte Komandant i Zonës së Dytë Operative “Pashtriku”, Dëshmori tjetër, Indrit Cara, nga Kavaja, ishte komandant i kompanisë autonome të ruajtjes së SHP të UÇK, kurse Adem Shehi – komandant i Br.153, Zona Operative e Llapit, Bardhyl Tahiri shefi i xhenjos (inxhinierisë) në SHP të UÇK, dhe unë, që detyrë kryesore pata mbajtjen e bashkëveprimit të UÇK me aviacionin e NATO-s si dhe Zëvendës i Shefit të Shtabit.

Por, pati edhe vullnetarë ushtarë të thjeshtë që patën shkuar shumë më herët para nesh në Kosovë, disa prej të cilëve kanë rënë dëshmorë.

Ne, oficerët dhe vullnetarët e tjerë nga Shqipëria, që shkuamë vullnetarë në atë Luftë çlirimtare, nuk bëmë asgjë të veçantë, veçse detyrën tonë si ushtarë të kombit. “Të luftosh për kombin jashtë çdo strukture shtetërore, – ka thënë Faik Konica – është një virtyt i lartë që mund të vjen vetëm nga një vetëdije e lartë”.

Si ju kujtohet juve ajo luftë, si ishte të luftoje bashke me shqiptarët e Kosovës kundër makinerisë vrastare serbe?

Ne, atje gjetëm kolegë shqiptarë, që kishin mbaruar shkollat ushtarake të Federatës Jugosllave dhe shumë shpejt u bëmë njësoj.

Lufta, flas se si e kam konceptuar unë, e kthen oficerin në gjysmë perëndi, pasi të gjithë vartësit që ti komandon e që janë me dhjetra, qindra e mijëra, sytë i kanë tek komandanti, tek oficeri, atij i kanë besuar drejtimin dhe jetën e tyre, tek ai e kanë mbështetur fatin, si dhe te mësimet që ai u ka mësuar ÇFARË të bëjnë në çdo situatë, KUR ta bëjnë, kurse se SI do ta bëjnë, varet po nga aftësitë profesionale që ua ka kultivuar po ai oficer.

Lufta është luftë, ajo nuk është lojë shahu, ku ke kohë të mendohesh për të bërë lëvizjen e duhur, por përkundrazi, vlerësimin e situatës dhe marrjen e vendimit duhet t’i realizosh brenda pak sekondash, ndryshe je i vrarë ti, si epror në radhë të parë, dhe gjithë vartësit e tu.

Kështu që lufta kërkon të dish si të luftosh, të njohësh temperamentin dhe karakterin e çdo vartësi, të njohësh armët që ke në përdorim dhe taktikën e tyre, të njohësh mirë armikun që e ke përballë, pasi po nuk e njohte armikun siç njeh forcat që ti komadon, fitoria është gjysëm për gjysëm, s’dihet se cila palë fiton.

Në luftë, pas mënçurisë, guximi dhe trimëria, janë thelbësore. Në luftë sakrifikohen që nga ushtari më i thjeshtë e deri të komandanti më i lartë i ushtrisë për të mbijetuar populli dhe për t’u mbrojtur atdheu.

Ju keni të drejtë kur shprehni kuriozitetin tuaj se “si ishte të luftoje bashkë me shqiptarët e Kosovës”?

Ndoshta nuk do të ma merrni për propagandë, por sa herë më ka rënë rasti të ndodhesha në vijë të parë të frontit së bashku me kolegët kosovarë oficerë dhe atje, në transhe, kur më duhej të udhëzoja apo të plotësoja ndonjë koleg se si duhej vepruar në këtë apo atë rast, dhe luftëtarët e thjeshtë nga dialekti e kuptonin menjëherë që unë isha nga Shqipëria dhe aq më shumë që flisja me dialektin e Toskërisë, pyesnin kolegët kosovarë se nga është ky oficeri, dhe kur ata u thoshnin se është nga Gjirokastra, ata harronin që u vinin plumbat përballë, dhe shtyheshin kush e kush të më prekte qoftë edhe pak me dorë.

U ngrihej morali në një mënyrë që nuk di se si ta shpjegoj, pasi ka gjasa të mos besoni. Ata thoshnin: Ka ardhur Shqipëria në luftë!, dhe nuk e peshonin fare rrezikun. Kur u përsërit për herë të dytë kjo pyetje në një front tjetër, pyeta kolegët e Kosovës se pse ky lloj reagimi? Dhe u befasova kur më treguan se në Kosovë ishte bërë propagandë nga shumë intelektualë, por edhe parti, se Jugu i Shqipërisë nuk e do Kosovën, janë me Greqinë. Nuk po zgjatem shumë në këtë pikë se do të thonë sikur bëj propagandë, por kjo është e vërteta.

Çfarë patë në fushat dhe malet e Kosovës në atë kohë, masakrat, vrasjet, shkatërrimet?

Kur hyra unë në Kosovë, ditët e para të muajit mars 1999, duke kaluar në këmbë nga malet e Sharrit, rrethinat e Kaçanikut, malet e Jezercës, Topillë, Budakovë, Pagarushë, malet e Berishës, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, shumicën e fshatrave i pashë të djegura, thuajse të rrafshuara dhe sa më shumë shihja, aq më shumë më shtohej urrejtja kundër armikut. Armikun po nuk e urreve, nuk e lufton dot.

Masakra nuk më ka rënë rasti të shoh, por varre masive – po. Po do të thoni jua se në luftë shkohet për të vrarë ose të vritesh. Nuk është plotësisht ashtu. Në luftë shkohet me bindjen se do e çlirosh atdheun dhe do kthehesh i gjallë. Po mendove vdekjen, nuk të bëjnë këmbët të shkosh në luftë.

Është e vërtetë që vetëm në luftë lejohet të vrasësh, sepse në luftë asksh nuk vret nga urrejtja për X apo Y, nga zilia apo për të larë hesapet e veta, por të gjithë e bëjnë sepse kërkohet nga bashkësia, nga kombi yt.

Si e përjetuat çlirimin e Kosovës dhe largimin e trupave serbe?

Përgjigje: Atë përjetim e ndjeva kur lufta u ndërpre dhe luftëtarët fluturonin nga gëzimi që forcat serbe po largoheshin dhe Kosova u çlirua. Ata nuk gjenin mënyrë se si ta shprehnin dhe unë rrija dhe i shikoja me ngazëllim, por nuk merrja dot pjesë në euforinë e tyre.

M’u afrua një koleg dhe më pyeti: Shpëtim (emri i luftës), pse rri si i habitur dhe nuk përzihesh në këtë ngazëllim? Dhe unë i thashë: Tashti, këto momente ndoshta po e kuptoj se sa e rëndësishme dhe ëndërrore qenka LIRIA. Unë kam lindur në liri dhe vij nga liria, prandaj e kam të vështirë ta kuptoj këtë lloj ngazëllimi dhe po befasohem.

Si e gjykoni dërgimin e krereve të UÇK-së në Hage? Sa e dëmshme është për luftën e Kosovës për liri dhe pavarësim nga Serbia?

Unë gjatë luftës katër mujore, mars-qershor 1999, nuk kam pasur kohë as të flija e jo më të më shkonte mendja se mund të ndodhnin ngjarje të tilla që i kam dëgjuar veç një a dy vjet pas lufte! Shkuarja e bashkëluftëtarëve të UÇK-së në atë gjykatë speciale, më rikrijoi ndjenjat ngjethëse kur ishim të detyruar t’u mbyllnim sytë shokëve që na i merrte plumbi.

Bazuar në aktakuzën e asaj Gjykate Spciale, ku thuhet se e gjithë hierarkia komanduese e UÇK-së, prej komandantit të Shtabit të Përgjitshëm dhe deri te ai i togës së fundit sipas rreshtimit organik të UÇK-së, do të merren në pyetje si të akuzuar apo dëshmitarë, për gjoja krimet që kanë bërë në luftë ata apo vartësit e tyre, ndërkohë që pala, e cila vrau dhe dogji gjithë Kosovën, e cila vrau 11.840 shqiptarë të pafajshëm, prej të cilëve 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, 1.739 femra, 1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare dhe 5081 të moshave 19-64 vjeçë, prej të cilëve 1.450 ende janë të pagjetur, dhe të gjithë këta të vrarë u groposën në mbi 530 varreza masive, për të cilat Presidenti Bill Klinton më 12 prill 1999 tha: “Historitë që po dëgjojmë janë vërtetë të tmerrshme: forcat serbe mbledhin fshatarët shqiptarë në grupe, i vrasin ata me armë automatike dhe u vënë zjarrin”; u dhunuan 20.400 femra shqiptare; u dogjën dhe shkatërruan 100.589 shtëpi, banesa e objekte të ngjashme; u dogjën 358 shkolla; u dogjën 71 zyra institucionesh; u dogjën 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka publike, 123 objekte shëndetësore; u dogjën 215 objekte fetare të besimit myslyman (xhami, teqe, tyrbe); u dogjën Arkivin e Bashkësisë Islame ku ishin dokumente prej shekullit XV; u dogjën 5 kisha katolike; u- dogjën 88.101 objekte ekonomike shtetërore e private ndihmëse; u therrën dhe dërguan në Serbi 70 % të të gjithë gjesë së gjallë (lopë, dhi, kafshë ngarkese) etj., dhe Serbia trajtohet si viktimë e asaj lufte, natyrisht që diçka e keqe paralajmërohet për Kosovën.

Më vjen keq që ka edhe shumë shqiptarë që ngazëllehen dhe deklarojnë pa pikë përgjegjësie se kinse janë vrarë nga UÇK-ja dhe komandantët e saj 100 shqiptarë anëtarë apo kuadro të LDK-së pa dhënë asnjë dëshmi publikisht, por fshehtas, përmes Serbisë, e cila ka çuar 50 mijë faqe me shpfjet e kësaj kategorie shqiptarësh dhe serbesh, gjë që për mua janë shantazistë. A e dini ju se çështë shantazhi?

Po u kujtoj çfarë thotë Balzaku: “Shantazhi është një nga vrasjet më të poshtra; ajo është një krim sumë më i neveritshëm se vrasja; vrasësi ka nevojë për një kurajo të tmerrshme, ndërsa shantazhisti – jo”.

Çfarë është Kosova për ju?

Kosova është Shqipëri. Shumë intelektualë e politikanë shqiptarë në Kosovë dhe shumë të tjerë kosovarë që kanë lindur e jetuar në Republikën e Shqipërisë, deklarohen shpesh se “Enveri, me demek Shqipëria, e shiti Kusovën”. Unë u shtroj atyre pyetjen: Pse nuk erdhët t’ia merrnit Serbisë atë që i kishte “shitur” me pa të drejtë dikur Shqipëria?

Dyshoj se një pjesë e tyre ka gjasa të jenë dëshmitarë shantazhistë të fshehur për ato gjoja vrasje nga UÇK-ja. Nuk mendoj se duhet shtuar diçka më shumë thënies së Konicës që ua theksova më lartë.

Por, të jeni të sigurtë, se gjithkush që shkon në luftë çlirimtare, shkon për vlera shpirtërore, do të ketë gjithnjë kundër patriotët e “flaktë” si dhe ata që janë patriotë për hir të portofolit, por që shpesh njëri dhe tjetri janë të mishëruar tek i njëjti person.

Si ishte bashkepunimi me NATO-n?

Bashkpunimi me NATO-n filloi në mbasditen e 23 marsit 1999 dhe përfundoi në 20 Qershor 1999, kur përfunduam bisedimet me Gjeneralin Xhekson, i cili ishte caktuar Komandant i forvave të KFOR-it. Për fatin e keq tonin, deri në datën 18 prill vetëm dy herë aviacioni i NATOs mundi të godiste forcat serbe që bvepronin në terren dhe ndesheshin me forcat tona, që ne ua jepnim regullisht ndodhta edhe 10 herë në ditë.

Kjo për shkak të kushteve shumë të këqia meteorologjike, binte shi e borë parreshtur dhe retë ishin shumë të ulta, aviacioni (piloti) nuk mund t’i shihte e t’i godiste forcat serbe në terren, por megjithatë godiste objektet statike ku ishin fshehur municionet, karburantet, kazermat dhe qendrat drejtuese të ushtrisë serbe që ne ua jepnim përmes faksit satelitor, të cilët nuk mundej t’i bllokente Serbia, me përiashtim të disa rasteve.

Atëherë ne i kalonim përmes lidhjeve në Tiranë, por kuptohet që edhe ka pas ndonjë rast që vjetëroheshin të dhënat. Në të gjitha ditët e tjera prej 18 prillit e deri në fund të luftës komunikimi ka qene prefekt midis të dy palëve. /abcnews.al