Shqipëria/Aktualitet

Shoqëria LËVIZJA: Lojës së Serbisë me zjarrin duhet t’i jepet fund

Shoqëria LËVIZJA

             – Për Qendrat e vendosjes – Fuqitë Perëndimore
              – Për praninë ndërkombëtare në Kosovë dhe ambasadat
             – Për opinionin publik dhe për mediat

Lojës së Serbisë me zjarrin duhet t’i jepet fund

    Shoqëria LËVIZJA dhe forcat atdhetare e demokratike shqiptare ua kanë tërhequr vrejtjen shumë herë Fuqive të Mëdha perëndimore për qëllimet dhe për veprimtarinë destabilizuese dhe luftënxitëse të Serbisë së Vuçiçit në Kosovë dhe rajon. Sulmi terrorist ndaj Republikës së Kosovës, i organizuar dhe orkestruar nga Serbia, e demaskoi Vuçiçin dhe shtetin e tij para botës demokratike si përgjegjës dhe shkaktar të tensioneve në Kosovën Veriore dhe në rajon. Sulmi i fundit ndaj lirisë, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, i përgatitur dhe organizuar nga organet e specializuara shtetërore të Serbisë, e bindi pjesërisht botën demokratike se Serbia e Vuçiçit “po luan me zjarrin”, siç e tha sot një eurodeputet holandez.
    Shoqëria LËVIZJA kërkon nga SHBA – ja, NATO – ja, BE – ja, OKB – ja dhe nga të gjitha vendet, që janë përcaktuar dhe angazhohen për paqe, siguri e qëndrueshmëri në Kosovë, që të veprojnë pa humbur kohë me masa konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë shoviniste e luftënxitëse. Sulmi i fundit terrorist ndaj Republikës së Kosovës tregoi më së miri se të gjitha përpjekjet dhe investimet e Fuqive të Mëdha perëndimore për ta bindur dhe kthyer Serbinë në rrugën demokratike dhe euroatlantike, duke e përkrahur, duke e joshur dhe duke e përkdhelur, ishin humbje kohe dhe të dështuara.
Fuqitë e Mëdha do të duhejë ta kishin “ulur” Serbinë menjëherë pas luftës shqiptaro – serbe. Shteti që ishte shkaktari i të gjitha konflikteve, luftërave, gjakderdhjeve, shkatërrimeve dhe gjenocidit në Iliri (Ballkan) shpëtoi pa një ferrë në këmbë! Madje, u përkrah dhe u ledhatua në përpjekjet e tij për zhvillim ekonomik dhe për t’u rimëkëmbur ushtarakisht, aq sa u bë kërcënim për vendet fqinje, sidomos për Republikën e Kosovës shqiptare dhe për Bosnjën, ku Fuqitë e Mëdha krijuan një shtet në shtet (Republika Sebe), kurse në Republikën e Kosovës kërkonin të krijohejë një entitet – minishtet serb nën petkun e “bashkësisë së komunave serbe/asociacionit”!! Në vend se Serbia të dënohejë dhe të shtrëngohejë që të hiqte dorë nga pretendimet e sajë shoviniste ndaj popujve fqinj, ajo u “rehabilitua” dhe u inkurajua deri aty sa të përgatiste dhe ndërmerrte sulme konkrete paraushtarake në Republikën e Kosovës me qëllime destabilizimi dhe aneksimi të Kosovës Veriore!
   Bota demokratike dhe miqtë tanë, duke këmbëngulur për krijimin e Gjykatës Speciale, u treguan të padrejtë dhe të ashpër me shqiptarët dhe me Luftën e tyre Çlirimtare! Me Gjykatën, që duhej krijuar për Serbinë dhe krimet – gjenocidin që ka kryer ajo ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve, e jo për Kosovën, po të shprehemi me gjuhën popullore, po kërkojnë ta dënojnë qingjin që i ka turbulluar ujin ujkut me “dëshmi” dhe “fakte” të mbledhura kryesisht nga Serbia pushtuese! Kjo Gjykatë, e krijuar me votën e Kuvendit të Republikës (!!), po këmbëngul të shtrijë juridiksionin e saj edhe në Republikën e Shqipërisë!! Në Tiranë është arrestuar dhe po mbahet në burg për t’u ekstraduar (me kërkesë të Gjykatës Speciale të Kosovës!?), Veterani i Luftës Çlirimtare, Dritan Goxhaj, i cili e paska “tronditur” këtë Gjykatë, duke përmendur emrat e 5 – 6 dëshmitarëve të saj të mbrojtur (tinëzarë)!!?
   Sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës shqiptare e detyroi kreun e Serbisë shoviniste të deklarohet qartë dhe hapur se ishte dhe mbetet në krah të Rusisë putinistebnhhjm, nga njëra anë, dhe kundër Fuqive Perëndimore demokratike, në anën tjetër. Prandaj, SHBA – ja, NATO – ja, BE – ja, OKB – ja dhe të gjitha vendet që duan paqen e rajonit dhe të Europës, si dhe të gjitha vendet që kanë njohur Çlirimin – Pavarësinë e Kosovës nga Serbia, do të duhejë të ishin të prera përballë kërcënimeve ushtarake, destabilizuese e luftënxitëse të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës e më gjerë. Zjarri që kërkon të ndezë Serbia në Kosovën shqiptare do ta digjte rajonin. Flakëve të këtij zjarri nuk do t’u shpëtonte as Europa. Një lufë e Serbisë me Kosovën në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht nuk mund të mbetet luftë e izoluar…
   Me neutralizimin profesional të grupit terrorist serb, Policia e Kosovës tregoi se është e zonja dhe e përgatitur të jetë partnere serioze e pranisë ndërkombëtare dhe e forcave të saj të armatosura. Prandaj, Shoqëria LËVIZJA u kërkon miqve tanë dhe qendrave të vendosjes që në mbrojtje të kufirit të Republikës së Kosovës me Serbinë të angazhohet dhe aftësohet edhe Ushtria e Republikës së Kosovës – FSK -ja, deri sa Serbia ta njoh Pavarësinë e Kosovës. Angazhimi i drejtëpërdrejtë i trupave të FSK – së, përkrah trupave të KFOR – it (NATO – s), në ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror Kosovë – Serbi do ta dekurajonte përfundimisht Serbinë dhe oreksin e saj për agresion të ri ndaj Kosovës.
   Shoqëria LËVIZJA kërkon nga miqtë tanë që ta përkrahin dhe ndihmojnë Republikën e Kosovës dhe Ushtrinë e saj (FSK – në) me të gjitha llojet e armëve mbrojtëse. Kjo, jo vetëm që do t’i frenonte ambiciet dhe apetitet shoviniste të Serbisë ndaj Kosovës shqiptare, por kjo do të ishte zgjidhje dhe garanci afatgjate për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Aftësimi i Republikës së Kosovës për ta mbrojtur dhe siguruar territorin e saj do të ishte lehtësim i madh edhe për praninë ndërkombëtare dhe për taksapaguesit e vendeve nga vjen prania e armatosur ndërkombëtare në Kosovë. Kështu do të plotësoheshin edhe kushtet për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për integrimet e saj në rajon dhe Europë.
   Bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe bashkërendimi i Republikës së Kosovës me shtetin tonë AMË dhe me miqtë tanë euroatlantikë është kusht i domosdoshëm për zhvillimin dhe fuqizimin e aftësive mbrojtëse të vendit. Vetëm përgatitja dhe aftësimi i vendit dhe i kombit për t’u vetëmbrojtur do ta qetësonte përgjithmonë Serbinë shoviniste dhe do ta shndërronte në një vend fqinj normal, me të cilin mund të ndërtohen dhe zhvillohen marrëdhënie të mira në të gjitha fushat me interesa të përbashkëta në të ardhmen.
   Institucionet e Republikës së Kosovës dhe krerët e saj në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk guxojnë të heqin dorë nga prania e forcave tona të armatosura dhe e shtetit tonë në Kosovën Veriore, pjesë e pandashme e Republikës. Në mirëkuptim dhe bashkëpunim të ngushtë me praninë ndërkombëatare dhe me miqtë tanë duhet të gjenden rrugët dhe mënyrat e shtimit të pranisë së institucioneve dhe të forcave të Republikës së Kosovës në atë rajon të lakmuar nga Serbia shoviniste.
   Çështja e të drejtave të pakicës serbe në Republikën e Kosovës (Asociacioni, etj.) mund të diskutohet dhe të normëzohet, konform Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, vetëm pasi që Serbia ta ketë njohur Republikën e Kosovës. Të drejtat e pakicës serbe janë njohur, garantuar dhe respektohen, si për asnjë pakicë tjetër në Europë, nga Republika e Kosovës. Shoqëria LËVIZJA insiston që Tirana, Prishtina e Shkupi të këmbëngulin dhe të angazhohen që Serbia t’ia njoh dhe garantojë të njëjtat të drejta popullit shqiptar në Kosovën Lindore. Nuk duhet të harrohet as populli shqiptar në Sanxhak, të cilit i është mohuar dhe tjetërsuar gjuha dhe çdo e drejtë kombëtare.
    Shoqëria LËVIZJA shpreh mendimin dhe bindjen e saj se marrëdhëniet me shtetin tonë AMË, Republikën e Shqipërisë dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve, nuk ka të drejtë t’i vë në diskutim asnjë qeveri e zgjedhur në Prishtinë, Tiranë ose në Shkup. Marrëdhëniet midis pjesëve të një kombi e të një Atdheu janë marrëdhënie që nuk mund t’i luhat dhe nuk duhet të tentojë t’i luhat asnjë qeveri, parti, fe, grup apo krahinë. Uniteti politik dhe kombëtar janë garancia, siguria dhe stabiliteti i shoqërisë shqiptare në marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe me miqtë tanë strategjikë. Bashkimi i Mërgatës shqiptare pa dallim partie, feje e krahine do të ishte mbështetje e fuqishme për Atdheun e copëtuar dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
   Mbështetja e Tiranës zyrtare për Kosovën dhe për shqiptarët e mbetur pa vullnetin e tyre jashtë kufijve të shtetit shqiptar, si gjithmonë, edhe sot është substanciale dhe jetike për shkallën e mbështetjes nga miqtë tanë. Prandaj, Shoqëria LËVIZJA insiston që Tirana zyrtare të jetë edhe më e angazhuar dhe më e përkushtuar në rolin e saj për botën shqiptare. Krerët e Republikës së Shqipërisë duhet ta kenë të qartë se populli shqiptar i Kosovës nuk është në konflikt (as nuk ishte kurrë) me pakicën serbe, por me shtetin pushtues serb dhe me qeveritë e tij shoviniste – hegjemoniste. Kërkesa e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë që “KFORI – NATO ta merr nën kontroll Kosovën Veriore”, siç e paska quajtur ai “tokë të askujt”(!?), do të duhejë t’u shpjegohejë shqiptarëve qartë dhe me terma të saktë. Sepse, nëse kjo kërkesë do të nënkuptonte largimin e forcave policore të Republikës dhe të institucioneve tona nga ai rajon i pandashëm nga Kosova, jo vetëm që do të ishte kërkesë e gabuar, por do të ishte kërkesë e dënueshme.
   Republika e Shqipërisë, – shteti AMË i gjithë shqiptarëve, – do ta ndihmonte Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar, të mbetur dhunshëm jashtë kufijve të tij, duke zhvilluar dhe ngritur ekonominë dhe forcat e armatosura në një shkallë të mjaftueshme për t’u dalë zot shqiptarëve dhe tokave të tyre stërgjyshore në ditë të zeza, siç do të ishte lufta, që ende kërcënon trojet shqiptare dhe rajonin. Bota është e stërmbushur me mosmarrëveshje, konflike e luftëra të përgjakshme si asnjëherë tjetër pas LDB! Prandaj, qeveritë, forcat politike dhe mediat e shoqërisë shqiptare nuk mund t’i ndjekin këto zhvillime me gjakftohtësi dhe moskokëçarje. Përjetësisht për paqe e fqinjësi të mirë, por edhe pushkën plot e barotin të thatë për mbrojtjen e tokës dhe jetës sonë…
Prishtinë, më 4 tetor 2023                                                                                Shoqëria LËVIZJA
                                                                                                                 Kryetari i Shoqërisë, Xhevat Bislimi