Shoqëria LËVIZJA: Institucioneve të Republikës, partive politike, mediave dhe shoqatave autoktone
R E A G I M
(Kundër përdorimit të flamurit dhe të logove partiake në institucionin e Kryetarit të Republikës dhe në të gjitha institucionet tjera shtetërore e komunale)
Vendosja dhe përdorimi i flamurit dhe logove partiake në institucionin e Kryetarit të Republikës nga Kryetarja Vjosa Osmani ka shkaktuar pakënaqësi dhe indinjatë të ligjshme te anëtarët dhe simpatizantët e Shoqërisë LËVIZJA në gjithë gjeografinë shqiptare: në Republikën e Kosovës, në Maqedoninë e Veriore, në Republikën e Shqipërisë, në Malin e Zi, në Kosovën Lindore dhe në mërgatën tonë. Sipas raportimit të mediave të pakënaqur e të indinjuar nga paraqitja, sjellja dhe veprimi i Kryetares së Republikës janë qytetarët e Kosovës pa dallim partie. Shoqëria LËVIZJA e konsideron të patolerueshëm dhe fyes për ndjenjat liridashëse e republikane të popullit të Kosovës, por edhe në kundërshtim me funksionin e Kryetarit të Republikës, përdorimin e flamurit dhe të logove partiake nga Kryetarja e tashme, zonja Osmani. Lëvizja Kombëtare për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare udhëhiqejë me Flamurin kuq e zi. Lufta më e madhe dhe më e organizuar për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, e organizuar nga LPK – ja dhe e mbështetur nga mbarë kombi shqiptar në Atdhe dhe jashtë tij, u bë me Flamurin tonë kuq e zi. Shqiptari edhe në trojet e pushtuara dekë e dasmë i bënte me Flamurin e tij kuq e zi. Lufta Çlirimtare e LPK – UÇK -së fitoi edhe përkrahjen ushtarake të NATO – s dhe të botës demokratike e përparimtare. Megjithatë, raporti i forcave në rajon dhe në botë diktoi një zgjidhje kompromisi në dëm të zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptare. Kosova shqiptare u pengua të bashkohet me Trungun e saj. Krahina tjera shqiptare mbetën të pushtuara nga shtetet shoviniste fqinje. Kosovës, pa viset e saj, iu imponua statusi i një shteti sui generis, duke i imponuar edhe “zgjidhje” të brendshme territoriale e kushtetuese të papranueshme. Republikës së Kosovës iu imponuan edhe flamuri dhe himni i llojit të Bosnjes !! Mirëpo, populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saj kurrë nuk hoqi dorë dhe nuk do të heq nga Flamuri i tij kuq e zi. Flamurin e imponuar multietnik për Kosovën shqiptare e konsideron të përkohëshëm dhe protokollar.
Prandaj, Shoqëria LËVIZJA kërkon nga Kryetarja Osmani që ta respektojë institucionin e Kryetarit të Republikës dhe funksionin e tij unifikues, ekuilibrues dhe gjithmonë mbi palët. Shoqëria LËVIZJA dhe, besojmë i gjithë populli shqiptar, përkrah flamurit të imponuar shtetëror e multietnik do të donte ta shikonte Flamurin kuq e zi në institucionin e Kryetarit të Republikës, në të gjitha institucionet qendrore e lokale dhe në vende publike për raste e data të shënuara.
Shoqëria LËVIZJA kërkon nga partitë parlamentare (pa dallim) që të mbajnë qëndrim për sjelljen dhe veprimin përçarës e partiak të Kryetares së Republikës. Kuvendi i Republikës duhet të debatojë dhe ta detyrojë Kryetaren e Republikës që t’i përmbahet detyrimeve kushtetuese, ligjore e protokollare dhe, mbi të gjitha, të respektojë ndjenjat kombëtare, liridashëse dhe shtetërore të popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve pa dallim.
Shoqëria Lëvizja kërkon që Republika e Kosovës me protokollin e saj dhe krerët e institucioneve republikane kurrë të mos i ndajnë dhe “shartojnë” me të tjerë dy Ademat: Atin e Qëndresës shqiptare dhe të pavarësisë – shkëputjes nga Serbia, Përfaqësuesin e Përgjithshëm Politik të UÇK – së, Adem Demaçin, dhe Atin e Luftës së armatosur çlirimtare, Atin e trimërisë dhe heroizmit shqiptar, Komandantin Legjendar, Adem Jasharin.
Shoqëria Lëvizja inkurajon Kryetaren e Republikës, Kuvendin, Qeverinë dhe partitë politike që të angazhohen, të organizohen, të bashkëpunojnë dhe t’i sinkronizojnë të gjitha energjitë e tyre, edhe me Tiranën dhe miqtë tanë, për pavarësimin dhe shkëputjen e plotë të Kosovës shqiptare nga Serbia dhe ndërhyrjet e saj kërcënuese për lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe demokracinë.