Ai e konsideroi reformën si një nga “aktet më madhore të korrupsionit ndëkombëtar”.
“Reformimi i sistemit të drejtësisë, nxjerrja e tij jashtë reformës së Xhorxh Sorosit, që e kam cilësuar se është një nga aktet më madhore të korrupsionit ndërkombëtar, ajo do ndodhë. Nuk ka deklaratë që mund të maskojë dështimin e plotë të kësaj reforme. ”, u shpreh sot Berisha.
Berisha ka kërkuar madje “referendum popullor” për të shpëtuar drejtësinë nga “mafia ndërkombëtare”.
“Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, do të ndërhyhet në reformë të thellë në këtë sistem, që t’ia kthejmë drejtësinë ligjit, që ajo të jetë e pavarur nga guvernatorë dhe mafia ndërkombëtare”, tha Berisha.
Deklaratat ekstreme vijnë në një kohë kur SPAK ka rihapur “Gërdecin”, ka marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, ka marrë në pyetje Shkëlzen Berishën dhe Aldo Bumçin.
Gjithashtu, kjo prokurori vijon hetimet për tjetërsimin e pronës shtetërore ish-Klubi Partizani, me vendim të Berishës dhe me përfitues dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Nga ana tjetër, Prokuroria mund të rihapë dosjen e 21 Janarit, pas provave të reja dhe një kallzimi, ku në qendër të akuzave për urdhrin verbal për 4 vrasjet dhe 6 plagosjet është Berisha.
I hapur rezulton dhe një procedim penal për aferën CEZ-DIA, për të cilën Sali Berisha ka akuzuar Ilir Metën si orkestrues i skemës së korrupsionit.
Tre procedime të tjera janë regjistruar në SPAK për aleatin e Berishës, ish-presidentin Meta, për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasurie.
Disa javë më parë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka urdhëruar SPAK të verifikojë pasurinë e Berishës e Metës dhe nëse kanë lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit në vitin 1997 dhe vitin 1999.
Por megjithë numrin e lartë të dosjeve të hapura, përvoja e të shkuarës e ka bërë opinionin publik në Shqipëri skeptik, kur bëhet fjalë për ndëshkimin ligjor të Berishës.
Do gjendet më në fund kurajoja brenda Drejtësisë së re për të vepruar me forcën e ligjit edhe mbi këtë individ? Apo do presin që ai t’i bëjë reformën, reformës?
—-
Foto shoqëruese: Meme që qarkullon prej vitesh në rrjete sociale
m.b./dita