Opinion

Shemsie Elshani: Koha për një elitë tjetër intelektuale

(Këtë shkrim e kam bërë në vitin 2016. E plotësova pak, që të vlejë edhe për këta të zgjedhurit e sotëm, s’ e mos po kujtojnë që këta janë më të mirë.)

Shoqërisë kosovare i duhet një elitë e vërtetë intelektuale, kulturore, artistike dhe mediale. Këto shtylla janë me rëndësi sepse, nëpërmes një elite të shëndoshë intelektuale, artistike, kulturore dhe mediale, do të mund të emancipohej shoqëria dhe si e tillë do të lëvizte përpara, me çka do të detyronte edhe klasën politike të lëvizte përpara gjithashtu. Personalisht gjithmonë kam qenë ithtare e ngritjes së vetëdijes, por sa herë e kam përmendur këtë, edhe gjatë aktiviteteve te mia për lirinë e Kosovës, dilte dikush që thoshte, së pari liria, pastaj vetëdija. Njësoj është gjendja dhe sot. Sa herë e përmend vetëdijen, del dikush që më thotë, së pari ekonomia dhe vetëdija ngritet vetë. Por a nuk është vetëdija, ajo që shpie te liria edhe te ekonomia?! Prandaj e shoh të pamundur që të kemi shoqëri me ekonomi të zhvilluar pa ngritje të vetëdijes. Për ngritjen e shkallës së vetëdijes ka një kusht, ai është aktivizmi qytetar, përtej organizimeve profesionale politike, me kërkesën e vendosur për jetë me dinjitet. Për një vetëdije të tillë që e prodhon aktvizmi qytetar, nevojiten njerëz të vetëdijshëm të kulturës, artit, mediave, arsimit etj. Këtu qëndron arsyeja kyesore që kemi ngecur në vend, duke jetuar në mënyrë simbiotike, popull-klasë politike, pa hapa cilësor para. Çdo kolonizator para se t’a lëshojë koloninë e vet, ka instaluar nëpër të gjitha strukturat e asaj shoqërie, njerëzit e vet, të cilët përbëjnë dhe sistemin bazë të vlerave, në atë vend, ka thënë Fanoni.E vetëkuptueshme, sa më të thella instalimet në këto struktura, aq më gjatë këta njerëz do të dominojnë jetën shoqërore dhe politike në Kosovë, pasi si çdo kolonizator tjetër, edhe Serbia s’do mend që me shërbimet e veta ka vepruar njësoj siç ka vepruar Franca kolonizatore në Algjerinë e Fanonit. Ajo nuk e fsheh fare qëllimin që ka për synim ta rikthejë prapa sërish koloninë e humbur – Kosovën. Janë pikërisht këto media, kjo elitë intelektuale dhe kulturore, që e dominuan skenën tonë tërë këto vite e që me mjete të ndryshme u vunë në shërbim të klasës politike, duke i mbytur kështu vlerat e mirëfillta të shoqërisë, duke i sabotuar dhe bojkotuar njerëzit e dinjitetshëm, duke mos iu dhënë atyre kurrë hapësirën e merituar, e shpeshherë duke i lënë edhe pa bukën e gojës! Ndërsa në vend të tyre shtynin dhe promovonin deri në faktorizim antivlerat. Është koha e fundit që gjithë këta të cilët deri më tani kanë dominuar jetën shoqërore dhe politike në Kosovë, të reflektojnë. Deri tash është dashur ta shohin që aktviteti i tyre publik i frymëzuar vetëm nga interesi personal apo grupor, ka prodhuar deformime shoqërore që vazhdojnë të pengojnë dhe të vonojnë progresin e vendit! Besoj nuk janë kaq budallenj sa të mendojnë që vërtetë janë të aftë t’i tërheqin të gjithë penjtë e një shoqërie për levërdi të tyre, gjithmonë. Kjo mënyrë e të menduarit vetëm sa rrezikon edhe vetë ata dhe punën e tyre. Duke mos vendosur kushte të ndershme pune dhe gare gjithmonë do të favorizohen po ata individë dhe po ato grupe të cilat do të kenë afërsi me po ata njerëz që gjithmonë kanë qenë nëpër zyrat e shtetit.Përvoja 22 vjeçare e organizmimit shoqëror te ne, dhe ndërrimet nëpër zyra të shtetit, pa ndryshuar aspak mënyra e trajtimit të problemeve shoqërore, duhet të ketë dhënë shembuj të mjaftueshëm për ta parë rëndësinë e vendosjes dhe mirëmbajtjes së kuadrit të përbashkët publik, të rregulluar dhe të mbrojtur nga të gjithë dhe në interes të të gjithëve. Vetëm kështu arrijmë ti neutralizojmë dhe tejkalojmë edhe ato reminishenca të instaluara nga ish kolonizatori për nevojat dhe planet e tij.Kjo është rruga e vetme që garanton të ardhme dhe zhvillim për të gjithë.