Lëvizja\UÇK

Shemsi Reçica: Pranvera Shqiptare ’81 (Në kujtim të 26 marsit 1981)

PRISHTINA ISHTE E NDARË NË DY EPIQENDRA Me RICILËSIMET (të shpifura prej tyre) “MARKSISTË-LENINISTË”, për studentët-protestues të ’81-shit, dhe “Republikë MARKSISTE-LENINISTE”, për kërkesën e tyre KOSOVA-REPUBLIKË, MBETURINAT politike-mediale të komunizmit serb, në Kosovën paskomuniste, po përpiqen ta FALSIFIKOJNË historinë më të re të Kosovës dhe, kështu, ta “ARSYETOJNË” qëndrimin e TURPSHËM të tyre, të NJËJTË me qëndrimin e komunistëve shovinistë serbë, kundrejt demonstratave të ’81-shit. Këto RICILËSIME, të shpifura, janë tregues i qartë, krahas treguesve të tjerë të shumtë, i PRANISË së GJALLË e të FORTË të Nomenklaturës komuniste politike-mediale serbe, në shoqëri dhe në media, në Kosovën e pasluftës. *****Demonstratat e studentëve të UP-së, të filluara më 11 Marsit 1981, vazhduan me vrull të madh dhe furishëm më 26 Mars të po atij viti. Atë ditë Prishtina, si kurrë më parë në historinë e Kosovës, ishte e ndarë, hapur, në dy epiqendra të mëdha: Njëra, në sheshin para Teatrit (atëherë) Krahinor të Kosovës; Tjetra, në sheshin e konvikteve të studentëve të UP-së. Në epiqendrën para Teatrit, ishte tubuar elita politike komuniste, e asaj kohe, shqiptarë dhe serbë, me përkrahësit e saj, në pritje dhe përcjellje, siç thuhej në atë kohë, madhështore të Stafetës së Kuqe të diktatorit komunist Tito, kryetar i përjetshëm i Jugosllavisë. Komunistët shqiptarë dhe serbë, bashkë, përmes altoparlantëve të vendosur rrugëve përreth Teatrit, i folnin masës në atë Tubim, për “BARAZINË e plotë të kombësisë shqiptare me popujt e tjerë të Jugosllavisë….”.Në epiqendrën tjetër, para konvikteve, ishin tubuar studentet dhe studentët shqiptarë dhe brohoritnin kërkesën e tyre “Kosova-Republikë, d.m.th. ata kërkonin “BARAZI të plotë të shqiptarëve me popujt e Jugosllavisë…”. Pra, në njërën epiqendër, komunistët shqiptarë dhe serbë, bashkërisht, propagandonin Barazinë e PLOTË të shqiptarëve me popujt e tjerë në Jugosllavi; Në anën tjetër, studentët-demonstrues të UP-së kërkonin Barazinë e MUNGUAR të shqiptarëve me pupujt e tjerë në Jugosllavi. Me brohoritjet, pa ja da, “Kosova-Republikë”, studentet dhe studentët e UP-së e patën filluar marshin e tyre demonstrues në drejtim të qendrës së qytetit.Në rrugëkryqin poshtë Mensës së studentëve, ne, një grup fare i vogël mësimdhënësish të Fakultetit Filozofik: Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Shaqir Shaqiri, Idriz Rexha, unë dhe dikush nga referentët, iu bashkuam studentëve demonstrues. Pas pak minutash, në rrugëkryqin poshtë Mensës së studentëve, arritën milicët serbë (kështu quheshin policët, në atë kohë) të armatosur deri në dhëmbë, dhe intervenuan brutalisht, me shkopinj, kundër demonstruesve. Të parin e goditën profesorin e filozofisë, Idriz Rexha, i cili paraprakisht po iu thoshte milicëve se ne ishim profesorë, dhe ia lënduan krahun e majtë. Si duket, milicët kishin urdhër të prerë të mos i lejonin demonstruesit të delnin poshtë, në qendër të qytet, te Teatri, ku po mbahej Manifestimi solemn për pritjen dhe përcjelljen e Stafetës së diktatorit Tito, për të mos e PRISHUR solemnitetin e atij manifestimi. Ata, prandaj, intervenuan aq brutalisht kundër demonstruesve të 26 marsit 1981. Pas shpërndarjes me dhunë policore të demonstruesve, ne u kthyem në sallën e arsimtarëve në Fakultetin Filozofik. Asnjëri nga kolegët tanë nuk ishte ulur. Të gjithë qëndronin në këmbë, me shikim përtej dritareve, kah demonstruesit e shpërndarë. Ukshini, sapo hyri në sallën e arsimtarëve, më zë të lartë iu drejtua kolegëve tanë: “URIME REPUBLIKA”! Të gjithë arsimtarët e pranishëm në sallë, e aprovuam urimin e Ukshin Hotit. Të gjithë ishim me disponim të mirë, përveç profesorit të filozofisë, Idriz Rexha, që mezi e lëvizte krahun, dhe profesorit të sociologjisë, Hajredin Hoxha, i cili e kundërshtoi urimin e Ukshinit. “Kjo osht punë qi s’bohet”, tha profesori Hoxha. Pastaj filloi një debat i ashpër, me zë të lartë, me “Bëhet e s’bëhet Republika”, pastaj, “Për dhe kundër Republikës”, mes Hotit dhe Hoxhës, sa gati përfundoi në kacafyetje fizike midis tyre, sikur të mos ndërhynte profesori Idriz Rexha, që ishte afër tyre. “S’e pata ndërmend me të ra”, i tha Ukshini Haradinajt. E, ky i fundit, ia ktheu: “Ti je ma i ri, mundesh edhe me m’rreh, po mos harro se shtrejt ki me i pagu kto fjalë”.Atë ditë, pra më 26 mars ‘81, të gjithë mësimdhënësit e pranishëm në sallë ishim unikë, në përkrahje të Republikës, përveç profesorit Hoxha. Më vonë, në ditët, javët dhe muajt në vijim, numri i mësimdhënësve-përkrahësve të Republikës, reduktohej vazhdimisht. Në fund, pas mbledhjeve serike DIFERENCUESE, në UP, mësimdhënësit-përkrahës të Republikës, mbetën aq pak, sa mund të numëroheshin në gishtat e duarve dhe, në Nëntor të vitit 1981, ata përfunduan në burgjet serbe, në Kosovë dhe jashtë saj. *****Ato ditë, Nomenklatura KOMUNISTE POLITIKE, SHQIPTARË dhe SERBË, që ishte tubuar në epiqendrën para Teatrit, në Prishtinë, për pritje-përcjelljen e Stafetës së diktatorit Tito, më 26 mars 1981, – Studentët demonstrues të UP-së, i cilësoi NACIONALISTË, IRREDENTISTË e SEPARATISTË, ndërsa kërkesën e studentëve “Kosova-Republikë” e cilësoi, poashtu, kërkesë NACIONALISTE, IRREDENTISTE e SEPARATISTE. Pas tyre, edhe mediat e kohës, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate, (gjuhë serbo-kroate quheshin, bashkë, kroatishtja e serbishtja, në atë kohë), studentët demonstrues i cilësuan NACIONALISTË, IRREDENTISTË e SEPARATISTË dhe kërkesën e tyre “Kosova-Republikë”, ato e cilësuan kërkesë NACIONALISTE, IRREDENTISTE e SEPARATISTE.Në gjithë ndërkohën, pas përmbysjes së komunizmit, në Kosovë e më gjerë, gjatë viteve ’90-a, dhe pas çlirimit të Kosovës, nga viti 1999 e deri sot e gjithë ditën, MBETURINAT e Nomenklaturës komuniste shqiptare, politike dhe mediale, të asaj kohe, e NDRYSHUAN cilësimin e tyre për studentët demonstrues të ’81-shit dhe për kërkesën e tyre Kosova Republikë. MBETURINAT politike-mediale të komunizmit, në Kosovën paskomuniste, cilësimin NACIONALISTË, IRREDENTISTË e SEPARATISTË, për studentët-demonstrues të ’81-shit, e kanë ZËVENDËSUAR me RICILËSIMIN (e tyre të shpifur) MARKSISTË-LENINISTË; Edhe cilësimin NACIONALISTE, IRREDENTISTE e SEPARATISTE të kërkesës së studentëve-protestues, KOSOVA-REPUBLIKË, MBETURINAT politike-mediale të komunizmit, në Kosovën paskomuniste, e kanë ZËVENDËSUAR me RICILËSIMIN (e tyre të shpifur) “Republikë MARKSISTE-LENINISTE”(!!!). Me RICILËSIMET (të shpifura prej tyre) “Marksistë-leninistë”, për studentët-protestues të ’81-shit dhe “Republikë marksiste-leniniste”, për kërkesën e tyre “Kosova-Republikë, MBETURINAT politike-mediale të komunizmit serb, në Kosovën paskomuniste, po përpiqen ta FALSIFIKOJNË historinë më të re të Kosovës dhe, kështu, ta “ARSYETOJNË” qëndrimin e TURPSHËM të tyre, të NJËJTË me qëndrimin e komunistëve shovinistë serbë, kundrejt demonstratave të ’81-shit. Këto RICILËSIME, të shpifura, janë tregues i qartë, krahas treguesve të tjerë të shumtë, i PRANISË së GJALLË e të FORTË të Nomenklaturës komuniste politike-mediale serbe, në shoqëri dhe në media, në Kosovën e pasluftës.