Lëvizja\UÇK

Shaban Çupi: Rafi Halili – Heroi të cilit historia i vjen prapa

Tanimë ishim mësuar me janarin e acartë, që burra kombi merr. Gjatë historisë, kishte marrë Gjergjin, kishte marrë Jusufin, Kadrin, Bardhin, kishte marrë Rexhën, Nuhin… e kësaj radhe na e mori edhe Rafiun.
Arkmorti i mbuluar me flamur, ecte në ballë të vargut të gjatë të njerzëve që me Rafi Halilin, në një mënyrë apo tjetër, kishin bashkëndjerë me atë. Ecte dhe Rafiu,… por tanimë në krah të bijëve të këtij trolli,… ecte pa këmbë… se shpirti nuk ishte më në trupin e tij, ai kishte vezulluar hapësirave të kozmosit të pafund. Mjaft kishte ecur për 72 vite me radhë, maleve dhe fushave të këtij Atdheu që e deshi aq shumë.
Ecnin, dhe secili në mënyrën e vet fliste për trimërinë, guximin dhe qëndresën epike të këtij kolosi, i cili që nga mosha 17 vjeçare e deri sa ndërroi jetë në janarin e këtij viti, ishte në luftë me të padrejtën, në luftë me shtypjen, pushtimin, copëtimin e poshtrimin… dhe që nga atëherë kur e ngriti Flamurin me shkabë, mu në zemër të Tetovës, në shpirtin e tij, ai Flamur nuk u ulë më kurrë…
Vargu i gjatë i shokëve, miqëve dhe i dashamirëve, çuditërisht i përngjante një demonstrate të heshtur. Në supet e tyre qëndronte trupi i pajetë i Rafi Halilit, i cili kishte përjetuar torturat më çnjerëzore serbosllave, trup i cili mbi 16 vite kishte qëndruar në burg, një trup i cili shpesh herë kishte mbetur i mpirë, i shtangur, i palëvizshëm, kishte mbetur i vdekur, por ishte ringjallur sërish si feniksi. Edhe kësaj radhe, ringjallja vazhdon, por në një dimension tjetër; nga kjo botë në një botë të amshueshme, duke lënë mbrapa një histori gjallëruese që do të flet me shekuj.
Nder e Lavdi jetës dhe veprës së Rafi Halili!