Shqipëria/Aktualitet

RRËSHENI – QYTETI I RI I KRAHINËS SË VJETËR

Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (LXXXVII)

Legjenda thotë se ishin tre vëllezër, të cilët një ditë vendosën të ndahen. Krejt çka kishin për të ndarë, ishin një shalë e një shoshë. I madhi prej tyre e mori shalën, i dyti shoshën dhe i treti, që s’kishte çka të merrte, tha: – E mirë dita kjoftë për mue. Nga këta tre vëllezër u krijuan fiset Shalë, Shosh dhe Mirditë.
Si krahinë gjeografike, historike e etnografike, me sipërfaqe prej 1715 km2, Mirdita ka një vazhdimësi të banimit që nga periudha ilirike e fisit të Pirustëve. Janë zbuluar gjetje arkeologjike, mes të cilave edhe përkrenare ilire, që vërtetojnë se Pirustët ishin luftëtarë me famë. Gjithashtu, janë gjetur fakte, një mbishkrim epigrafik dhe një shqiponjë njëkrenore (stema e Arbërit), që vërtetojnë ekzistimin e shtetit të parë të Arbërit – Principatës së Arbërit (1190 – 1216) në fshatin Gëziq, afër Rrëshenit, që shtrihej nga Drini, në veri deri në Shkumbin, në jug.
Mirdita dikur ndahej në 12 bajraqe, kurse sot Bashkia e Mirditës ndahet në shtatë njësi administrative me gjithësej 81 fshatra. Në këtë bashki bëjnë pjesë katër qytete të vogla minatorësh; Rrësheni, Rubiku, Kurbneshi dhe Repsi, të krijuara mbi bazën e pasurive të mëdha nëntokësore. Nga krahina e Mirditës ka pjesë që, sipas ndarjes administrative, janë në përbërje edhe të rretheve tjera; Lezhës, Shkodrës, Matit dhe Pukës. Mirëdita është një zonë bujqësore dhe blegtorale, me traditë të vjetër edhe në vëreshtari. Ka synime për zhvillimin e pemtarisë dhe agroturizmit. Territori i bashkisë është i pasur me pyje; fondi i pyjeve është 10 herë më i madh se fondi i tokave bujqësore, që ka mundësuar përpunimin e drurit, mbledhjen e frytave të malit, gjuetinë. Mirëpo, një vend me rëndësi në ekonominë mirditore ka zënë xehetaria, veçanërisht ajo e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit.
Në vitin 1938 është hapur miniera e parë e bakrit në Derven, kurse në vitin 1983 edhe fabrika e pasurimit të bakrit. Pjesa më e madhe e industrisë nxjerrëse, sikurse edhe e ndërmarrjeve tjera ekonomike, siç janë ato tregtare, ndërtuese, bujqësore, pyjore e të përpunimit të drurit etj., tashmë është mbyllur, duke krijuar probleme sociale dhe papunësi të madhe, si dhe migrim të brendshëm dhe emigrim në shtetet e jashtme. Mbyllja e minierave ka krijuar edhe një problem tjetër, problemin e mbetjeve teknologjike minerale, siç janë ujërat që dalin nga galeritë, “lëngjet e verdha” kancerogjene, shirat ma acide etj. Pos anës ekonomike, ky territor shquhet edhe për pasuri të trashëgimisë kulturore dhe etnografike.
Mirëdita, pra edhe Rrësheni, në vitin 1989 ishte lidhur edhe me hekurudhë, por që sot nuk e ka. Shinat e hekurudhës janë vjedhur dhe janë shitur për skrap. Gjurmë të kësaj hekurudhe sot është vetëm një urë e hekurtë, Ura e Tarazhit, në afërsi të Rrëshenit. Është interesant se stacioni i trenit, i përuruar në vitin 1989, asnjëherë nuk priti e përcjelli udhëtarë, sepse hekurudha dhe stacioni shpejt doli nga përdorimi dhe u shkatërrua!
Rrësheni, si qytet, ka lindur në prill të vitit 1949, i vendosur në afërsi të fshatit Fushë-Lumth, aty ku më parë nuk kishte shtëpi, në lartësi mbidetare vetëm 86 metra. Rrësheni apo Fushë-Lumthi dikur ishte një fshat i vogël me tre – katër dyqane, me një shkollë fillore nga viti 1906 dhe me një zyrë postale nga viti 1910. Qyteti themelohet me propozimin e Bardhok Bibës, tash Hero i Popullit dhe me dekret të Kuvendit Popullor të Shqipërisë për t’u bërë qendër administrative e krahinës së Mirditës. Njëra nga pesë familjet e para, të vendosura në Rrëshen, menjëherë pas dekretit, ishte edhe familja e Bardhok Bibës. Në Rrëshen u vendos një barakë, e bartur nga Shpali, deri atëherë qendër e nënprefekturës, për t’u vendosur administrata e Bashkisë së Mirditës. Bashkë me barakën në Rrëshen erdhi edhe ekipi i nënprefekturës për ta filluar punën në një mjedis të ri. Pastaj erdhën edhe banorë nga fshatrat për t’u vendosur të jetojnë aty, në qytetin e ri. Po atë vit u hap edhe shkolla 7-vjeçare, kurse në vitin 1960 edhe shkolla e mesme.
Qyteti u ndërtua hap pas hapi, fillimisht me punë vullnetare, duke filluar nga objektet administrative, sociale e kulturore, ndërtesat e banimit, rrugët, sheshet, parqet, ndërmarrjet ekonomike… Kështu, kah viti 1965 Rrësheni mori pamjen e një qyteti të urbanizuar me të gjitha institucionet që i duhen një qyteti. U ndërtuan Pallati i Kulturës, Pallati i Sporteve, pallate banimi, kinemaja, spitali, muzeu historik, stadiumi i futbollit, stacioni meteorologjik etj.
Qyteti i Rrëshenit, me rreth 8000 banorë, është kryeqendër e Mirditës dhe njëra nga 61 bashkitë e 36 rrethet e Republikës. Ndodhet në pellgun e Ndërfanës, rreth një kilometër nga “Udha e Kombit” dhe nga bashkimi i dy lumenjve, Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël. Nëpër Mirditë dhe pranë Rrëshenit kalon “Rruga e Kombit”, e cila nga këtu e deri në Morin merr trajtën e një autoudhe, si rrugë kalimi dhe portë hyrëse për verilindje e për Kosovë. Tiranën e ka larg 73 km e qytetin e Milotit – 27 km.
Të theksojmë se Rrësheni sot është një qytet bashkëkohor, ku janë përqendruar institucionet e bashkisë dhe të rrethit. Ansambli folklorik “Mirdita”, me Gjokë Becin, në krye, në vitin 1978 zuri vendin e parë dhe mori flamurin kombëtar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Nga viti 1975 në Rrëshen zhvillon veprimtari të suksesshme sportive ekipi i vajzave në volejboll, i cili ka bërë histori. Në qendër të qytetit janë ngritur bustet e Pal Mëlyshit, Ndrec Ndue Gjokës, Bardhok Bibës dhe monumenti i katër heroinave mirditore, për çka Rrësheni u quajtë si “Qyteti busteve”. Qyteti është i mirëmbajtur dhe lavdërohet për pastërtinë, gjelbërimin e rregullin që ka. Veçojmë sidomos sheshin qendror, i rregulluar bukur kohëve të fundit nga projekti i Rilindjes Urbane, por edhe unazën e qytetit e projekte tjera.