Shqipëria/Aktualitet

Kamberi fton qytetarët të mbështesin nismën për ngritjen e Qendrës Memoriale në Batajnicë

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes llogarisë së tij në facebook ka bërë thirrje për qytetarët që të nënshkruajnë peticionin për ngritjen e Qendrës Memoriale në Batajnicë në kujtim të viktimave shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Batajnica është lokalitet në periferi të Beogradit në të cilin gjatë luftës në Kosovë forcat ushtarako-policore serbe kanë varrosur në një varrezë masive eshtrat e mbi 700 shqiptarëve të vrarë në mesin e të cilëve 75 fëmijë. Në këtë lokacion ishte paraparë që të  ngritët një Qendër Memoriale në përkujtim të këtyre viktimave.

Deputeti Kamberi, në publikimin e tij ka bërë me dije se ai vet e ka nënshkruar këtë peticion dhe  ka theksuar se ngritja e kësaj Qendre në këtë lokacion do të jetë dëshmi e krimit serb në Kosovë.

 “Ju ftojë të solidarizoheni me firmosjen e këtij peticioni qytetar për ta krijuar Qendrën Memoriale në Batajnicë, të cilin sapo e firmosa. Siç e dini, Batajnica është një nga varrezat masive në Serbi, ku janë hedhur trupat e qindra civilëve të pafajshëm, edhe të moshuar, gra dhe fëmijë” ka shkruar Kamberi.

Deputeti Kamberi më tej ka theksuar se hapësira në të cilën janë gjetur varrezat masive të shqiptarëve të vrarë, sot shfrytëzohet nga pjesëtaret e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

“Me qëllim të zhdukjes së gjurmëve dhe të ikjes nga drejtësia, pas vrasjes në mënyrë monstruoze, kufomat e viktimave janë bartur mbi 400 km nga vendi i krimit, nga ana e urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve, që ishin edhe zyrtarë shtetërorë të Republikës së Serbisë. Kjo hapësirë, ku janë varrezat masive shfrytëzohet ende sot nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë” ka shkruar Kamberi. 

Lugina e Preshevës

Flakronë Rexhepi