Histori

Prof. Pëllumb Xhufi: Nga çështja çame te Ligji i Luftës, Enver Hoxha dhe ditari “grek” i njërit prej dinozaurëve të diplomacisë shqiptare të socializmit

Botuar në DITA

Në veprimtarinë shumëplanëshe të një shteti, politika e jashtme e diplomacia, si instrument i saj, është ajo që më shumë se çdo veprimtari tjetër është e detyruar t’i qëndrojë besnike “skemave të vjetra”. Nuk ndodh, e nuk mund të ndodh kështu me veprimtaritë e tjera, si ato në fushën e ekonomisë, financave, tregtisë, artit, kulturës, arsimit, shkencës, ku progresi matet me aftësinë për t’u ndryshuar, për t’u përshtatur, për t’u reformuar e madje për t’u riorganizuar nga e para.

Për sa kohë kujdesi parësor i politikës së jashtme është t’i sigurojë vendit e qytetarëve të vet një mjedis të qetë, paqësor e të favorshëm ekzistence e zhvillimi, një shtet është i detyruar që në atë fushë të ndjekë rrugë historikisht të provuara e të certifikuara. Diplomacia ka, pra, një vokacion “konservator”, pavarësisht ndryshimit të dinamikave e të sistemeve politike.

Në këtë kuptim, ditari “grek” i njërit prej dinozaurëve të diplomacisë shqiptare të periudhës së socializmit, Ambasador Ksenofon Nushit, nuk është thjesht një rrëfim autentik për historinë e diplomacisë shqiptare të periudhës 1944-1990.

Nga ditari i mbajtur prej tij si Ambasador i Shqipërisë në Greqi në vitet 1982-1988, lexuesi mund të konstatojë elementët e vazhdimësisë që karakterizojnë politikën e jashtme të shtetit shqiptar ndaj një fqinji krejt të veçantë, e problematik, siç është Greqia. Elementë, që ndjekin trajektoren e hequr qysh në shek. XIX nga ideuesit e krijuesit e shtetit shqiptar, Pashko Vasa, Abdyl e Sami Frashëri dhe Ismail Qemali.

Në kohën kur K. Nushi mori detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Greqi, më 1982, kishin kaluar 10 vjet nga koha kur mes dy vendeve ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike. E megjithatë, në ata dhjetë vjet pothuaj asgjë nuk kishte lëvizur. Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, kulturës, shkencës, turizmit, transporteve ishte fare i papërfillshëm për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e Athinës për të nënshkruar marrëveshjet përkatëse.

Në sfondin e marrëdhënieve shqiptaro-greke qëndronte “Ligji i Luftës” me Shqipërinë i dekretuar në vitin 1940 dhe që pala greke këmbëngulte ta mbante në fuqi. Ky ligj, që ishte dëshmi e pretendimeve tokësore të shovinizmit grek, ishte kthyer në një katalizator të qëndrimeve antishqiptare dhe veprimtarive shoviniste të sponsorizuara nga vetë shteti dhe kisha greke, ku shquheshin organizatat (sillogjet) e ashtuquajtura “vorio-epirote”.

Me mbajtjen në fuqi të atij ligji, qeveritë greke përligjnin spastrimin etnik të popullsisë çame në verën e vitit 1940, pezullimin (sekuestron konservative) të pasurive të qytetarëve shqiptarë në shtetin helen, mosnjohjen de jure të kufijve duke refuzuar nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse dypalëshe.

Duke ruajtur “Ligjin e Luftës”, politika greke mbante gjallë shpresën për aneksimin, një ditë, të “Vorio-Epirit”, ushqente me racionin e përditshëm oreksin nacio-shovinist të politikës e të opinionit grek, duke e kthyer ëndrrën e çmendur të gllabërimit të trojeve të tjera shqiptare në një faktor të kohezionit të brendshëm politik e social.

Problemet tepër të rënda në marrëdhëniet me Greqinë përbënin thelbin e misionit të Ksenofon Nushit si ambasadori i ri i Shqipërisë në Athinë dhe jo më kot ato iu parashtruan atij si sfidë personale nga vetë Enver Hoxha në një takim të posaçëm në çastin e nisjes me detyrë. Ambasadori i Shqipërisë në Greqi duhet të punonte për të krijuar një frymë të re në marrëdhëniet me shtetin fqinj, por kjo frymë e re parakuptonte kapërcimin e ngërçeve historike të shkaktuara nga projeksioni “megaloideist” i politikës së jashtme greke.

Për këtë duhej shfrytëzuar çdo element pozitiv në gjirin e klasës politike, të inteligjencës e të shoqërisë greke, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e brendshme te shtetit helenik, por edhe marrëdhëniet e tij me faktorët e rëndësishëm të skenës botërore e ballkanike, si me SHBA, BRSS, me BE, me Italinë, Gjermaninë, Jugosllavinë e veçanërisht me Turqinë.

Në atë moment, Ksenofon Nushi ishte diplomati i lartë që gëzonte autoritetin, përgatitjen e kompetencën e duhur për të kryer detyrën e vështirë të ambasadorit të Shqipërisë në Athinë.

Faqja e parë, DITA

Njiheshin miqësia dhe lidhjet e ngushta që familja Nushi dhe ai vetë kishin me liderin komunist. Lidhje të mbrujtura në vitet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, kur Ksenofoni, ashtu si e gjithë familja e tij, u angazhuan në radhët e para të rezistencës antifashiste e të formacioneve partizane. Arsimimi në Francë, ku familja e tij kishte emigruar në vitin 1930, dhe përvoja e gjatë si diplomat e ambasador i Shqipërisë në Egjypt, Francë e Itali, dhe si drejtues i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme, e kishin bërë Ksenofon Nushin një nga kuadrot kryesore të shërbimit të jashtëm.

Shumë e rëndësishme për misionin e titullarit të ambasadës së Shqipërisë në Athinë ishte edhe përvoja e tij e dikurshme si kuadër i rëndësishëm i Zbulimit të Ushtrisë. Kjo, si dhe origjina e tij nga fshati Vuno i Bregut, e ndihmuan ambasadorin Ksenofon Nushi të orientohej në mjedisin e komplikuar grek, ku krahas miqve të shumtë e të sinqertë të Shqipërisë, krahas emigrantëve të shumtë patriotë nga Shqipëria, kishte edhe elementë ekstremistë me veprimtari të hapur antishqiptare, kishte edhe elementë të manipuluar të emigracionit, të cilët kryenin akte provokative e deri akte terroriste ndaj personelit të ambasadës shqiptare.

Ambasador Nushi ishte personi i duhur për të trajtuar edhe këtë aspekt specifik, delikat e të rrezikshëm, me të cilin ishte pashmangshmërisht e lidhur veprimtaria e përfaqësisë shqiptare në Athinë.

Kompetenca e ambasador Ksenofon Nushit shtrihej, pra, në të gjithë gamën e aktivitetit normal të një ambasade, posaçërisht të një ambasade në një vend plot probleme, siç vazhdonte të ishte për Shqipërinë Greqia e viteve ’80 të shekullit XX. Nuk qe aq pozita zyrtare, sa ç’qenë historia e shkëlqyer personale e familjare, aftësitë dhe përvoja e rrallë dhe e gjithanshme që mbante mbi supe, ato që i siguruan ambasador Nushit autoritetin e respektin e menjëhershëm të personelit të ambasadës të përfaqësuar kryesisht nga djem të rinj, të aftë e të motivuar.

Lexuesi i këtij ditari njihet nga njëra anë me një drejtues serioz, kërkues e të rreptë në marrëdhëniet e punës, por nga ana tjetër edhe me një natyrë thellësisht humane. Ksenofon Nushi ishte padyshim një ambasador hijerëndë, përfaqësues i gjeneratës së diplomatëve që vinin nga betejat e Luftës Antifashiste, të cilët injektuan në shërbimin e jashtëm shqiptar frymën e idealizmit, patriotizmit, përgjegjshmërisë e përkushtimit, virtyte këto, që mjerisht ndeshen gjithnjë e më rrallë në institucionet tona.

Kjo klasë diplomatësh, ku bashkë me Ksenofon Nushin bënin pjesë edhe personalitete të tjera të shërbimit të jashtëm, si Behar Shtylla, Reis Malile, Halim Budo, Javer Malo, Misto Treska, Sokrat Plaka, Mihal Prifti, Gac Mazi, Skënder Konica e të tjerë, ka bërë historinë e diplomacisë shqiptare të pasluftës.

Misioni në Greqi në vitet 1982-1988, ishte më i rëndësishmi dhe më i vështiri që Ksenofon Nushi përballoi në karrierën e tij të gjatë diplomatike. Në një kohë të vështirë, kur vendi po përjetonte një krizë të rëndë e pa kthim të sistemit, kur pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën e me Jugosllavinë izolimi i Shqipërisë ishte thelluar më tej, Tirana synoi të ndërtonte një marrëdhënie të re me fqinjin e jugut.

Fitorja e zgjedhjeve nga socialistët e Papandreut, më 1981, jepte shpresë të hiqeshin pengesat serioze që frenonin normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë. Në radhë të parë duhej hequr Ligji absurd i Luftës me Shqipërinë, të cilin qeveritë greke vazhdonin ta mbanin në fuqi. Ky ligj, që ushqente frymën dhe veprimet antishqiptare, brenda dhe jashtë institucioneve shtetërore greke, konsiderohej nga qeveria e Tiranës një conditio sine qua non për t’i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve.

Kështu, abrogimi pa kusht i Ligjit të Luftës nga pala greke u bë kryefjala e çdo bisede formale e informale që ambasador Nushi pati me qeveritarët e lartë grekë, nga Harallambopulos, tek Papulias e deri tek vetë kryeministri Papandreu.

Ligji i Luftës me Shqipërinë, që qeveria greke ishte munduar ta mbante mbyllur në sirtar, u bë temë e shtypit dhe e rretheve diplomatike të Athinës, duke e vënë në pozitë të vështirë politikën zyrtare greke. Ndërkohë, takim pas takimi, ambasadori i ri i Shqipërisë shpalosi në tryezën e bisedimeve edhe problemet e tjera të hapura të marrëdhënieve shqiptaro-greke, si ai i marrëveshjes së kufirit, problemi i pronave dhe pasurive të qytetarëve shqiptarë në Greqi, ai i shfrytëzimit të ujërave të brendshme, posaçërisht i ujërave të Vjosës, etj.

Ai denoncoi pranë Ministrisë së Jashtme të Athinës veprimtarinë antishqiptare të silogjeve “vorio-epirote”, demonstratat dhe sulmet me eksploziv kundër ambasadës, që rrezikonin deri jetën e antarëve të personelit e të familjeve të tyre. Tashmë për opinionin e gjerë brenda dhe jashtë Greqisë ishte fare e qartë se kush ishin nxitësit e përgjegjësit për klimën e luftës që tentohej të krijohej me Shqipërinë.

Megjithatë, përtej këtij kuadri aspak inkurajues, Ambasador Nushi dhe bashkëpunëtorët e tij u përpoqën, dhe ia arritën, të vendosin lidhje me personalitete të politikës, të mediave, të artit, të kulturës e të jetës akademike, me organizma të ndryshme të shoqërisë civile.

Në këtë mënyrë, rrethi i miqve dhe i dashamirësve të Shqipërisë, u rrit në mënyrë të dukshme. Nga ana tjetër, gjeografia e lëvizjeve dhe e vizitave zyrtare e private të Ambasadorit, ishte shumë e gjerë dhe përfshinte me përparësi vendet ku kishte prani popullsish shqiptare e arbëreshe. Gjithnjë e më shpesh, vizitat e Ambasadorit dhe e bashkëpunëtorëve të tjerë të tij në Çamëri, Atikë, Beoci, Korfuz, Korinth, Follorinë, Peloponez e në ishuj u shoqëruan me ardhjen e grupeve dhe asambleve artistike nga Shqipëria, të cilët u pritën me dashuri dhe entuziazëm nga spektatorët e shumtë, duke u kthyer në një moment takimi miqësor me Shqipërinë, me artin e kulturën e saj.

U shpeshtuan shkëmbimet në fushën e arsimit e të shkencës, posaçërisht të albanologjisë, dhe me interesimin e drejtpërdrejtë të Ambasadorit, filloi dhe u intensifikua dërgimi në Shqipëri i grupeve turistike nga Janina dhe Çamëria, duke kapërcyer pengesat që vinin nga presioni i egër i rretheve antishqiptare, e ndonjëherë edhe nga qëndrimet e ngurta të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë.

Si rezultat i interesimit të Ambasador Nushit, u lejuan edhe vizita private në Shqipëri. Por në mënyrë domethënëse u përjashtuan nga e drejta për të kryer vizita të tilla funksionarë të lartë e ushtarakë grekë, për sa kohë qeveria helenike mbante në fuqi famëkeqin Ligj të Luftës. Si rrjedhojë e kësaj politike të mirëmenduar e të koordinuar me Ministrinë e Jashtme në Tiranë, në Greqi u krijuan grupe presioni që kërkonin abrogimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë.

Shënimet e mbajtura me skrupulozitet të veçantë nga Ambasador Nushi, ilustrojnë besnikërisht ndryshimin e klimës lidhur me këtë çështje kardinale. Qeveria greke, e cila deri atëhere e justifikonte mbajtjen e Ligjit të Luftës me “ndjeshmërinë” e madhe të opinionit e të opozitës greke ndaj kësaj çështje, u detyrua më në fund të pranojë kotësinë, dëmin dhe domosdoshmërinë e abrogimit të Ligjit të Luftës me Shqipërinë.

Pas shtyrjesh e vonesash të qëllimshme, në prag të largimit të Ambasador Nushit nga Greqia, më 1987, qeveria Papandreu, me një vendim të saj, shpalli heqjen e Ligjit të Luftës. Megjithatë, një akt i tillë nuk u pasua edhe me çlirimin e pasurive të qytetarëve shqiptarë në Greqi, të mbajtura peng pikërisht nga ai ligj. Ç’është më e keqja, vendimi i qeverisë greke për abrogimin e “Ligjit të Luftës me Shqipërinë” nuk i kaloi për ratifikim Parlamentit dhe për rrjedhojë ai mbetet sot e kësaj dite në fuqi.

Kështu, pas rreth 40 vjetësh, ky ligj vazhdon të kushtëzojë marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës duke gjeneruar tensione e energji negative.
Misioni i diplomacisë është ndërtimi i urave të komunikimit e të paqes. Në gjashtë vitet e shërbimit të tij si Ambasador i Shqipërisë në Greqi, Ksenofon Nushi bëri gjithshka për të hedhur bazat e një marrëdhënie të re me Greqinë fqinje. Mjedisi ku ai veproi ishte i vështirë, në segmentë të caktuar ishte deri armiqësor.

Selia e ambasadës disa herë u rrethua nga turma të egërsuara antishqiptarësh, të prira e të ndërsyera nga klerikë të zinj e të toleruara nga autoritetet. “Himarioti tradhëtar”, siç ata e thërrisnin Ambasadorin Nushi, ishte objekti kryesor i stigmës dhe i urrejtjes së tyre. Nuk munguan sulmet me dinamit ndaj ndërtesës dhe ndaj automjeteve të ambasadës.

Megjithatë, personeli me në krye Ambasadorin Nushi i përballuan me gjakftohtësi, kurajo e dinjitet të tilla situata, me bindjen se përtej tyre ekzistonte një opinion i tërë që i neveriste e i refuzonte sjelljet e një Greqie të vogël, të venitur, intolerante e incivile.

Ditari i ambasadorit Ksenofon Nushi është, në një farë kuptimi, një rrëfim historik imediat, i saktë e i vërtetë i marrëdhënieve shqiptaro-greke në vitet e vështira 1982-1988. Është periudha, kur u nda nga jeta lideri i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, kur situata situata ekonomike e shoqërore u përkeqësua edhe më tej dhe kur në politikën e jashtme, ngërçeve ekzistuese me Greqinë e Jugosllavinë fqinje, iu shtuan edhe ngërçe të reja në marrëdhëniet me shtete të rëndësishme, si Italia, Franca e Gjermania.

Tashmë regjimi në Tiranë ishte në tërheqje në të gjitha frontet, edhe në atë të politikës së jashtme. Po tentohej të rivendoseshin lidhjet me Gjermaninë Perëndimore, me Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Shtetet e Bashkuara, të intensifikoheshin ato me Italinë, Francën e Turqinë.

Me librin e tij “Dy popuj miq”, Enver Hoxha dha sinjalin se dëshironte të inaugurohej një epokë e re edhe në marrëdhëniet shqiptaro-greke, por kjo pa hequr dorë nga çështje parimore e jetësore të axhendës kombëtare, siç ishte ajo e abrogimit të “Ligjit të Luftës” dhe e pasojave të tij dhe njohja nga ana e Athinës e integritetit territorial dhe e sovranitetit të shtetit shqiptar, ashtu siç ato ishin vendosur e njohur në Konferencat Ndërkombëtare të Londrës (1913) e Parisit (1921).

Ky ditar diplomatik tregon se Ambasador Ksenofon Nushi ishte jo thjesht një përçues, por edhe një aktor protagonist i kësaj politike parimore e kombëtare në raport me Greqinë fqinje.

Ditari i Ksenofon Nushit është historia e një fragmenti dramatik të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Por njëherësh është edhe një copëz e historisë personale të autorit. Është historia e një ish-partizani dhe e një komunisti patriot e idealist, nga ata që punuan me ndershmëri e me bindjen se i shërbenin interesave të shtetit, të vendit e të popullit të tyre.

Një lexues i sotëm mund të gjejë në faqet e këtij ditari edhe pasazhe të veçanta ku Ambasador Nushi shfaq botëkuptimin dhe bindjet e veta ideologjike, që lexuesi në fjalë mund të mos t’i ndajë e t’i miratojë. Por ato janë çështje intime të autorit, e për rrjedhojë meritojnë, të paktën, mirëkuptim. Gjithsesi, një lexues i interesuar, aq më tepër një historian do të gjejë me siguri në këtë ditar të ambasadorit Ksenofon Nushi lëndë të pasur dhe origjinale për të shkruar historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në fragmentin kohor 1982-1988.

Ditari i Ambasadorit Ksenofon Nushi është veçanërisht për punonjësit e shërbimit të jashtën shqiptar një shkollë e madhe formimi dhe edukimi. Leximi i tij i trondit bindjet e atyre që i hyjnë lehtshëm profesionit të diplomatit, duke menduar se diplomacia është një “ars elegantiarum” (punë për t’u kënaqur), që përkthehet në udhëtime me avion, pritje luksoze, dreka e darka me verë të shtrenjtë e me biseda “intelektuale”.

Aq më shumë, ditari i këtij ambasadori trim e patriot, tregon se sa i vogël dhe i mjerë është portreti i ndonjë apatridi të sotëm, që profesionin e diplomatit e konsideron si një mundësi për të promovuar interesat dhe mirëqënien personale, deri edhe si një katapultë për të braktisur përgjithmonë vendin. “Ditari grek” i Ksenofon Nushit mëson se për të qenë një diplomat i realizuar nuk mjafton kultura, nuk mjaftojnë gjuhët e huaja dhe nuk mjaftojnë “sjelljet evropiane”.

Duhet njohur e duhet dashuruar pafundësisht vendi yt, duhen kuruar, mbrojtur e promovuar interesat kombëtare, ato dhe vetëm ato, me pasion e me vetmohim. Dhe në fund, ditari i Ambasador Ksenofon Nushit i viteve 1982-1988, vite kur ai drejtoi ambasadën shqiptare në Athinë, ruan një vlerë të jashtëzakonshme aktuale.

Lexuesi, e në mënyrë të veçantë lexuesi i specializuar politikan e diplomat, do të gjejë përgjigjen e shumë pikëpyetjeve që rëndojnë ende sot, pas rreth 40 vjetësh, në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin e jugut.