Histori

Prof. dr. Lulëzim Lajçi: Në 554 – vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

NË 554 -VJETORIN E VDEKJES SË SKËNDERBEUT
FRAGMENTE TË LETËRKËMBIMIT TË SKËNDERBEUT ME SULLTAN MURATIN II DHE SULLTAN MEHMETIN II-PUSHTUESIN
15 qershor 1444
“Unë, Murati, mbret i turqve e perandor i Orientit, të përshëndes ty, o bukëshkalë i mbrapsht, që të kam rritur e ushqyer ne oborrin tim, me përkujdesje e dashuri atërore. Nderet dhe favoret që kishe gjatë gjithë kohës që ke jetuar pranë meje, nuk të kanë munguar kurrë, o djalë bukëshkalë e sofërpërmbysur…
O Skënderbe, ti tashmë e njeh forcën time, ushtrinë time dhe urrejtjen time, para vetes ke si dëshmi fatkeqësinë e hungarezëve, prandaj nuk kam dëshirë të të preferoj këshilla të tjera, si dëshmi të armës sime të pamposhtur…”
Qofsh me shëndet të mirë!
Murati II, mbreti i turqve dhe perandor i Orientit
Në Kështjellën tonë, në Arbëri, më 14 gusht 1444.
“I nderuar prijës i Osmanëve, dikur, siç shkruan, më paskëshit bërë shumë borxhli me gjithfarë nderimesh e privilegjesh. Unë sot do t’i shlyej me urtësinë dhe gjuhën time të peshuar mirë, sepse mendoj se asgjë nuk është aq e ulët si mospërmbajtja e vetvetes nga një ligjërim aq i shëmtuar dhe nga fjalë tepër të ulëta, si ato Tuajat, qoftë edhe kundrejt një armiku nga më të pamëshirshmit…
Ne, o Murati i madh, nuk kërkojmë këshilla e as mëshirë nga armiku për veprimet dhe qëndrimet tona, e as që kërkojmë paqe prej Jush, por, me ndihmën e Perëndive, fitoren e mbrojmë vetë, me Gjakun tonë…”
Shumë i përuluri,
Me nderime-Qofshi shëndoshë!
Gjergj Kastrioti, i quajtur edhe Skënderbe.
Nga Konstandinopoja, qyteti ynë mbretëror, 7 maj 1463
“… Besën dhe ndershmërinë tënde, o princ fort bujar Skënderbe, unë e kam nderuar gjithmonë. Për këtë arsye nuk mund ta besoja, që ti, princ shpirtmadh e fisnik, t’i shkelje aq lehtë dhe pa menduar shumë, besën e paqen që kishe prej kohësh me mua. Me të vërtet ti, siç marrë vesh, pasi kalove me ushtri të shumtë në tokat e mia, more ç’andej me vete një plaçkë me të vërtet fort të madhe, duke shkretëruar gjithçka me zjarr e hekur…
Po çfarë rëndësie kanë këto për mua, o Skënderbe? Të pafundme dhe shumë të mëdha janë zotërimet e mia. Mos pandehe se i sjell ndonjë humbje të rëndë perandorisë sime
Prandaj, o Skënderbe, më tepër të këshilloj që ne, duke përtëritur kushtet e mëparshme të paqes sonë, ta vazhdojmë përsëri duke e forcuar atë me be(së)…
Përndryshe, besomë mua, do të pendohesh shumë shpejt. Ti i di tashmë fuqitë e mia dhe mendohu a mund t’u bësh ballë me sukses. As mbretërit, fqinjë të tu, as venedikasit mendjemëdhenj e mashtrues, nuk mundin të të shpëtojnë nga dora dhe tërbimi im.
Dëgjo pra, o Skënderbe, këshillën time, qëndroju zotimeve, sepse, për Herkulin, s’do të gabosh!…”
Qofshi me shëndet të mirë e jetë të gjatë.
Mehmeti II, mbret i turqve dhe perandor i Lindjes dhe Perëndimit
Në Kështjellën tonë, në Arbëri, më 25 qershor 1463
“… Kërcënimet e tua, o prijësi i madh Mehmet, që po i shfaq këtu, kundër meje, sipas zakonit barbar, nuk më trembin sepse, edhe të pësosh kur e do puna, edhe të bësh trimërira, është veti arbërore kjo. Nuk ke për të më frikësuar, mua një mbret të vogël…
Pastaj mos kujto se duhet dyshuar, o i ndrituri perandori im Mehmet, që vetë perëndia e ndihmon çështjen më të drejtë? Për këtë arsye mua nuk më mungon guximi, o prijës i madh otoman, që jo vetëm të dal përpara ty, një sundimtari kaq të madh, kur më sulmon, por edhe të të sfidoj i pari pa frikë dhe tërë zemër në fushë dhe të shpresoj se do t’ia arrij, me ndihmën e Zotit, një fitoreje të shënuar kundër teje. Edhe ne kemi ushtarë që dinë të qëllojnë, të marshojnë përpara, të hidhen në mes të betejës dhe të vdesin për liri”.
Gjergj Kastrioti, i quajtur edhe Skënderbe.