Lëvizja\UÇK

Prof. asoc. dr. Sabit Syla: Fjala e mbajtur në Therandë për Pranverën Shqiptare ’81

Demonstratat e vitit 1981

I nderuar kryetar i Komunës së Therandes, z. Bali Muharremi,

I nderuar ish-kryeministër i Republikës Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

I nderuar ish-zv.kryeministër i Republikës Kosovës, z. Enver Hoxhaj,

E nderuar familja Vata,

I nderuar kryetar i Këshillit Organizativ të 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, z. Hydajet Hyseni,

Të nderuar veprimtarë e gjithë ju të pranishëm!

Sot po shënojmë dy ngjarje, përvjetorin e demonstratave të vitit 1981 dhe përvjetorin e veprimtarit dhe heroit Fadil Vata.

Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Demonstratat fillimisht shpërthyen, në mbrëmjen e 11 marsit në qendrën e studentëve në Prishtinë. Ndërsa, më 26 mars studentët nga qendra studentore u vërshuan në rrugët e Prishtinës. Me ta u bashkuan edhe nxënësit e shkollave të mesme, punëtorë e qytetarë. Kërkesat e datës 11 mars kishin qenë: “Duam bukë, duam kushte”, e më 26 mars e 1 prill parullat evoluan në: “Poshtë borgjezia”, “Rroftë vëllazërimi i popullit shqiptar”, “Bashkim i të gjitha viseve shqiptare”, “Jemi shqiptarë e jo jugosllavë”, “Mjaft me shfrytëzimin e Trepçës”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”. Në këtë larmi kërkesash qëndronte në themel – Kosova Republikë! Me këto kërkesa u solidarizua i gjithë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve tjera në Jugosllavi, sepse demonstratat u zhvilluan kundër shtypjes dhe padrejtësive të pushtetit jugosllav. Numri i demonstruesve arriti në mijëra vetë, pasi në datat 1-2 prill demonstrata shpërthyen edhe në qendra tjera të Kosovës. Ndërkohë, studentët vazhduan të manifestonin në rrugët e Prishtinës, e ndaj tyre u përdorën armët e zjarrit. Pati të vrarë e të plagosur dhe shumë demonstrues u burgosën.

Qeveria jugosllave më 2 prill 1981, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. U ndërpre mësimi në gjitha nivelet, kurse studentët u dëbuan nga konviktet e tyre. Pas demonstratave, autoritetet serbe ushtruan dhunë e terror ndaj shqiptarëve. Burgosen mijëra vetë, në mesin e tyre edhe nxënës. Izoluan shumë intelektualë, duke i mbajtur në arrest shtëpie për qëllime frikësimi etj. U ndërprenë marrëdhëniet kulturore dhe arsimore ndërmjet Universitetit të Prishtinës e atij të Tiranës. Ngjarjet e pranverës së vitit 1981 tërhoqën vëmendjen edhe të qarqeve politike dhe të opinionit publik në shtetet e Evropës Perëndimore, Lindore, SHBA-së dhe shteteve tjera në botë. Vendi më i zëshëm për pasqyrimin e demonstratave të shqiptarëve më 1981 ishte Shqipëria, e cila i përkrahi demonstruesit dhe kërkesën e tyre për Kosovën Republikë. Shqipëria, jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve e përkrahi  kërkesën e tyre për Kosovën Republikë, por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Ngjela goditje të fortë Metës: U la jashtë Samitit të Berlinit për shkak të  korrupsionit dhe lidhjeve me rusët, me Ivano

Udhëheqja politike jugosllave dhe ajo e Kosovës i denoncoi ngjarjet si kundërrevolucionare, nacionaliste, irredentiste etj., të drejtuara kundër shtetit dhe bashkëjetesës me popujt tjerë jugosllavë. Filloi të zbatoj diferencimin ideopolitik, që kishte për qëllim ndjekjen dhe spastrimin e inteligjencës dhe kuadrove shqiptare. Nga federata sinjali ishte i qartë, duhej të fillonte procesi i diferencimit politik i cili ishte i egër. Universiteti i Prishtinës u etiketua si kështjellë e nacionalizmit shqiptar. Mbi 300 intelektualë të shquar u izoluan. Demonstratat e mars-prillit 1981 u mbytën me dhunë dhe patën kosto shumë të lartë. Përdorimi i tankeve i armëve të zjarrit kundër demonstruesve që kërkuan Republikën e Kosovës zbuluan para botës se fasada demokratike e Jugosllavisë ishte e rreme.  

Kush e organizoi kryengritjen paqësore të shqiptarëve me 1981?

Ka patur dhe ka përpjekje që shpërthimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë ta lidhin me këtë e atë shërbim të huaj. Në vend që politika zyrtare e Jugosllavisë arsyen e shpërthimin revolucionar të shqiptarëve ta kërkoj të politika shtypëse e shfrytëzuese serbe e jugosllave, të shfrytëzimi ekonomik i krahut të punës, të shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore të Kosovës, të papunësia e prapambeturia ekonomike, të padrejtësia historike e shoqërore, të ndjekjet e burgosjet që i bëheshin shqiptarëve në Kosovë, në Serbi, në Maqedoni e në Mal të Zi, ata e kërkonin armikun në Bashkimin Sovjetik, Shqipëri, Bullgari, SHBA etj.

Arsyet e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 ishin krahas atyre ekonomike e politike, me karakter të thellë kombëtar ku dominonte kërkesa kombëtare për Kosovën Republikë. Kërkesat e shqiptarëve shkonin edhe përtej kërkesës së shtruar politike për Republikë të Kosovës. Kishte kërkesa edhe për bashkimin e shqiptarëve, ndonëse kjo thuhej me një kujdes dhe shpesh mbulohej me kërkesën e bashkimit në demonstrata. Siç del nga shtypi i kohës, qoftë ai i politikës zyrtare në Kosovë, ai i politikës kombëtare të ilegales apo ai i politikës zyrtare të Shqipërisë, askund s’mund t’i mohohet karakteri i organizimit të demonstratave të vitit 1981, por, sigurisht organizimi nuk ishte ashtu si deklaronte politika zyrtare e Jugosllavisë. Në këtë rrafsh kemi dy lloje të vlerësimit, një është ai i politikës zyrtare të Kosovës e të Jugosllavisë dhe tjetri ai i politikës kombëtare të klandestines (ilegales) që kishte përputhje në plotni me atë të politikës zyrtare të Shqipërisë. Por, ishte frika dhe lakmia që i kishte bërë gjithë udhëheqjen e Kosovës të kishin qëndrim qyqar e kapitullues, krejt armiqësor e antishqiptar, sepse e mbrojtën interesin e armikut të kombit, kurse të drejtat legjitime të popullit i vlerësuan “armiqësore” e rininë shqiptare ndërkaq e quajtën  rini “rrugaçe”, e “reaksionare” etj. Nuk ishte rinia e Kosovës ajo që e kishte damkosur kombin shqiptar, ata nuk ishin as “huliganë” e as “agjent të huaj”, por, huliganë, agjent e “pleh i Kosovës”, ishin ata që i shërbenin  politikës serbe e jugosllave.

Demonstratat e vitit 1981 ishin hapi i parë drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Ne jemi duke ndjekur me vëmendje e shqetësim debatin e fundit në Kosovë, të manifestuar përmes emisioneve të veçanta në televizionet nacionale dhe shtypin ditor, mbi demonstratat e vitit 1981. Instituti i Historisë vlerëson se kompetencat profesionale të trajtimit shkencor të kësaj ngjarjeje, i takojnë punonjësve përgjegjës të tij, që vazhdimisht hulumtojnë dhe realizojnë kërkime në institucione arkivore brenda e jashtë Kosovës. Në këtë kontekst, është grumbulluar dokumentacion i rëndësishëm (në gjuhën shqipe dhe të huaj), për të trajtuar më gjerësisht e më thellësisht demonstratat e vitit 1981.

Andaj, lusim dhe kërkojmë, që të vijnë në organizime tona shkencore dhe të materializojmë e unifikojmë qëndrimet mbi personalitete dhe ngjarjet, në formë dokumentare e memorialistike, duke ndihmuar kështu ndriçimin dhe trajtimin profesional të kësaj periudhe historike si një nga periudhat me të rëndësishme të vendit tonë.

Ju faleminderit!