Histori

Prof. asoc. dr. Sabit Syla: Dokumente nga Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura të Republikes së Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes Popullore (Drejtoria e Zbulimit), për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Në arkivat e shtetit shqiptar ekzistojnë dokumente relevante arkivore si burime me vlerë historike të dorës së parë, të cilat ndihmojnë që analizat dhe përfundimet shkencore të jenë sa më të besueshme e më të qëndrueshme përballë kohës dhe kritikes së mirëfilltë historiografike. Duke u mbështetur në dokumentet e këtyre fondeve, Tirana zyrtare ishte në dijeni për shumë zhvillime politike që ndodhnin në atë kohë në Jugosllavi dhe Kosovë.

                Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve, por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Kjo, u prit me zemërim në qarqet jugosllave, e cila akuzoi Shqipërinë se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë, që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së. Në Jugosllavi edhe mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe.

                  Nga këto dokumente vërehen  segmente të shumta të hulumtimeve e studimit të rrethanave të përgjithshme të vitit 1981. Nga ky angazhim i jashtëzakonshëm i shtetit dhe institucioneve të Mbrojtjes kuptojmë se Republika e Shqipërisë kishte përcjellë me shumë vëmendje, të gjitha zhvillimet në Kosovë, dhe kishte siguruar të dhëna sekrete nga të gjitha burimet e mundshme…!

          Këto dokumente, sipas gjykimit tonë, janë faktografi shumë të rëndësishme historike, të cilat do t’u shërbejnë studiuesve të Lëvizjes sonë Kombëtare në përgjithësi dhe të Demonstratave të vitit 1981 në veçanti, për të mbushur boshllëqet e ndjeshme që ka historiografia jonë, sidomos në dokumentet e këtij karakteri.

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

                                                                                                       Tiranë, më 13. 4. 1981            

                             MINISTRISË SË PUNËVE  TË BRENDSHME

 (Drejtorisë së III)

Lënda: Mbi të dhëna me karakter ushtarak për ngjarjet në Kosovë.

Shtabit të Përgjithshëm i interesojnë të dijë të dhëna me karakter ushtarak rreth zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë:

1. Sasia e forcave dhe dislokimi i tyre në territorin e Kosovës para fillimit të demonstratave (11. 03. 1981).

2. Sa forca u dërguan në Kosovë (të ushtrisë dhe policisë) dhe nga cilat rajone të Jugosllavisë u hoqën. Konkretisht cilat njësi apo reparte u dërguan.

3. A u bë mobilizimi i efektivit rezervist për repartet që u dërguan në Kosovë dhe cilat reparte e njësi kaluan në gatishmëri luftarake (të Zonës 2-të Ushtarake të Nishit, Zonës 3-të Ushtarake të Shkupit, Rrethit Ushtarak Autonom të Titogradit, etj.).

4. Drejtimet e lëvizjes së forcave dhe mënyra e transportimit te tyre (me makina, helikopterë, aeroplanë transporti etj.).

5. Brenda sa kohëve erdhën forcat e ushtrisë dhe policisë në Kosovë dhe si bashkëvepruan midis tyre për shtypjen e demonstratave.

6. Në cilat rajone konkrete u dislokuan forcat e reja të dislokuara dhe si u përdoren konkretisht.

7. Çfarë masa u morën për përforcimin e kufirit në vendin tonë. Në cilat drejtime u përqendrua më tepër vëmendja dhe cilat drejtime u lanë më të zbuluara.

8.    Masat konkrete që u morën gjatë shpalljes së gjendjeve së jashtëzakonshme (përveç masave të tilla si bllokimi i hyrjeve të qyteteve me tanke e transportues të blinduar, vendosjes së mitralozëve në kryqëzimet e rrugëve në qytete etj.).

             9.        Sa dhe cilat forca u përdoren për përshtypjen direkte të demonstratave.

10.       Kush i drejtonte veprimet e reparteve të ushtrisë (atyre të dislokuara në territorin e Kosovës dhe atyre të sjella në këto rajone në kohen e demonstratave).

11.       Duke u nisur nga të gjitha masat e marra nga udhëheqja jugosllave për të shtypur demonstratat në Kosovë, a rezulton të jetë i përgatitur dhe i planëzuar që më parë ndonjë plan për ndërhyrje në situata të tilla në Kosovë.

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHEM TË USHTRISË

VELI   LLAKAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

                                                     Drejtoria e Zbulimit                 Tiranë, më 16. 4. 1981    

INFORMACION

               Në shifrogramin e datës 11.11.1980 që komanda e Grupit të 52 Operativ në Prishtinë ia drejton komandës së Armatës 2-të në Nish thuhet:

              Komanda e grupit 52 Operativ, Nr. 18-536   

                                    Njoftim mbi lëvizjen e makinave ushtarake

Për komandën e Armatës së 2-të (Qendrës Operative)

Për datën 12.11.1980 planifikohet lëvizja e makinave ushtarake si më poshtë:

A. Jashtë garnizonit:

– Në repartet e Grupit 52 operativ: 4 makina në drejtimin Prishtinë-Uroshevac nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

1 makinë në drejtimin Prishtinë nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

1 makinë nga Qendra e 47 e Zbulimit në drejtimin Prishtinë-Nish nga ora 07:00 dhe nuk kthehet.

B. Brenda garnizonit:

– Nga 15 PPBr (Brigada e 15 e Këmbësorisë) – 4 makina.

– Nga  prapavija e garnizonit të Prishtinës – 3 makina.

– Nga  549 PP (Regjimenti  549 i Këmbësorisë) – 5 makina.

– Nga 2/549 PP (Batalioni i 2-të i Regjimentit 549 Këmbësorisë) – 3 makina.

– Nga 26 dhe 27 GO (Detashmenti i 26 dhe 27 i Ndjekjes) nga 2 makina secili.

– Nga 28 GO (Detashmenti  i 28 i Ndjekjes) – 5 makina.

– Nga  prapavija e garnizonit të Mitrovicës 5 – makina.

– Nga 3 TSK (Baza e 3- të e furnizimit materialo-teknik) – 1 makinë.

– Nga ambulanca e garnizonit të Mitrovicës – 2 makina.

Oficeri operativ

Nënkolonel Urosh Llakiç

  Shënim:                            

Sipas përmbajtjes se këtij shifrogrami nga grupi i 52 Operativ në Prishtinë varen:

– Brigada e 15 e Këmbësorisë;

– Regjimenti i 549 i Këmbësorisë;

– Qendra e 47 e Zbulimit;

 – Detashmenti 26, 27, 28, i ndjekjes;

– Baza e 3-të e Furnizimit materialo teknik.

Në shifrogramin e datës 07. 04.1981 qe komanda e Korpusit 52 në Prishtinë ia drejton disa njësive, thuhet:

Komanda e Korpusit 52, Nr. 20-7, datë 7.4.1981

Mbledhje në komandën e Korpusit 52

            Komandantit të Brigadës se L5 të Këmbësorisë, Brigadës se 243 Tankiste, Regjimentit 549 të Këmbësorisë, Brigadës 592 të Motorizuar, Regjimenti 102 i Artilerisë Kundërtanke i Motorizuar, Regjimenti 2-të Parashutist (mundësisht), Brigada e 211 Tankiste, 20 PPGP (i papërcaktuar, mundësisht regjiment i kufirit), 3, 4, 6 KZR (të papërcaktuar), Brigada 125 e Këmbësorisë Malore.

Në  orën  07:00 do të mbahet mbledhja në Komandën e Korpusit 52- të.

             Në mbledhje do të vlerësohet plotësimi i detyrave të deritanishme të emërtuar “AKACIJA – 81” (Aksioni – 81), dhe do të përcaktohet detyrat e mëtejme.

Në mbledhje do të marrin pjesë: komandantët dhe zëvendës komandantët të edukimit politik: të Brigadës 15 Këmbësorisë, Brigadës 243 Tankiste, Brigadës 592 Motorizuar, Regjimenti 549 të Këmbësorisë, Regjimentit 102 të Artilerisë Kundërtanke të Motorizuar, Regjimentit 2-të Parashutist (mundësisht), 20PPGP (i papërcaktuar, mundësisht regjiment kufiri), Brigadës 211 Tankiste.

–  Gjeneral majori Ali Muhagjiri

– Komandantet e 3, 4, 6 KZR (të papërcaktuar), Brigadës 125 së Këmbësorisë Malore, Drejtorët e Bazës 202 Teknike dhe të Bazës 418 të Prapavijës, shefi i UVO (i papërcaktuar).

Nga  komanda e Korpusit:

– Zëvendës komandantët dhe shefat e llojeve të armëve të shërbimeve.

– Komandantët e regjimenteve dhe brigadave do të raportojnë për rreth 15 minuta për: vlerësimin e kryerjes së detyrave sipas planit “AKCIJA-81”, (Aksioni-81) dhe gjendjen moralo-politike.

Shënim:

Sipas përmbajtjes se këtij shifrogrami mendohet që Grupi i 52 Operativ në Prishtinë të jetë ngritur në shkallë Korpusi me rastin e ngjarjeve në Kosovë, në vartësi të të cilit mund të kenë kaluar njësitë e mëposhtme:

–  Brigada e 15 e Këmbësorisë në Prishtinë (ekzistuese);

– Brigada e 243 Tankiste (sipas të dhënave të deritanishme kjo brigadë dislokohej në Shkup në vartësi të Zonës së 3-të  Ushtarake);

– Brigada e 211 Tankiste (sipas të dhënave të deritanishme kjo brigadë dislokohej në Nish, në vartësi të Armatës së 2-të);

– Regjimenti i 549 i Këmbësorisë (ekzistues);

– Brigada e 592 e Këmbësorisë së Motorizuar (e pa njohur nga ne deri tani);

– Regjimenti i 2-të (mundësisht parashutist); (deri tani i pa njohur);

– Regjimenti 102 i Artilerisë kundërtanke i motorizuar (i pa njohur deri tani nga ana e jonë);

– Brigada e 125 Këmbësorisë Malore (e panjohur deri tani nga ana e jonë);

– Regjimenti 20 i Kufirit (mundësisht);

– Baza 202 e Teknikes;

– Baza 418 e Prapavijës;

Të dhënat e këtyre shifrogrameve po i studiojmë me kujdes.

DREJTORI I DREJTORISE SE ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

                                       DREJTORIA E ZBULIMIT     Tiranë, më 18. 4. 1981         

INFORMACION

Mbi gjendjen e Forcave Ushtarake, para dhe pas ngjarjeve në Kosovë

            1. Sipas të dhënave të zbulimit, përpara ngjarjeve, në Kosovë dislokoheshin: Grupi i 52-të Operativ me shtab në Prishtinë në vartësi të armatës së 2-të në Nish. Në përbërje të tij hynin: 2 Brigada Këmbësorie (e 15-ta në Prishtinë dhe Brigada e Këmbësorisë Malore në Pejë); 1 Regjiment i Këmbësorisë autonom në Prishtinë; 3 Batalione të ndjekjes.

2. Sipas të dhënave del se gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në Kosovë kanë ardhur edhe këto forca: 2 Brigada tankiste (Nr. 211 e 243 ardhur përkatësisht nga Nishi dhe Shkupi); 1 Brigadë e Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102); 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20).

3.Tani sqarohet më mirë se në vend të Grupit 52 Operativ vepron Korpusi 52 me shtab në Prishtinë, në vartësi të Armatës 2-të, në Nish, në përbërje të të cilit hyjnë:5 Brigada (2 tankiste, 1 këmbësorie, 1 këmbësorie morale dhe 1 e motorizuar);1 Regjiment Këmbësorie, autonom; Regjiment Parashutist; 1 Regjiment i Artilerisë kundërtanke; 1 Regjiment Kufitar;3 batalione të ndjekjes.

Në  Prishtinë (Golesh) ka qenë dhe është e dislokuar edhe një Brigadë Ajrore, në vartësi të Korpusit I-rë Ajror në Nish. Problemin e kemi në ndjekje për saktësim e verifikim të mëtejshëm.

DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

                      REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

                                                                                              Tiranë, më 24. 4. 1981

INFORMACION MBI NGJARJET NË KOSOVË

Sipas burimeve sekrete jugosllave rezultojnë këto të dhëna:

1.         Mbi përhapjen e pjesëmarrjen në demonstrata.

Më datën 1, 2, 3, 4 prill në Kosovë u zhvilluan demonstrata të mëdha. Demonstratat përfshinë 14 komuna (nga 22 që ka Kosova), kryesisht: Prishtinën, Mitrovicën, Podujevën, Ferizajn, Vuçitërnën, Pejën, Deçanin, Kamenicën, Suharekën, Istogun, Lipjanin, Vitinë etj.

Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nxënës e studentë, ndërsa në Mitrovicë, më 3 prill, u përleshen me forcat e policisë rreth 3 000-3 500 punëtorë të Fabrikës së Elektrolizës të Xingut, të Fabrikës së Akumulatorëve etj. Në Vuçitërnë demonstruesit sulmuan shkollën e Milicisë dhe u përleshen me forcat e policisë. Bëhet fjalë për karakterin e ashpër të demonstratave dhe për gjakderdhje.

Demonstruesit hodhën parullën “Duam republikën me hir ose me pahir”.

2.         Mbi masat e marra nga udhëheqja jugosllave.

Më datën 22 mars, rezulton se komanda ushtarake jugosllave intensifikoi masat e gatishmërisë në sistemin e radiokomunikimit midis forcave ushtarake të Armatës 2-të në Nish me njësit e dislokuara në Prishtinë, ndërsa më 26 mars kaluan në gatishmëri të plotë luftarake forcat ushtarake në Kosovë, të Armatës 2-të në Nish dhe disa njësi të Armatës 3-të në Shkup. Menjëherë u dërguan në Kosovë, forcat e policisë e milicisë nga republika e Serbisë, kryesisht nga Beogradi, Nishi dhe Sadi.

Më datën 1 prill u shpall gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Kosovës ku u përfshinë këto masa kryesore:

 – komandat e njësive e të reparteve të dislokuara në Kosovë dolën në vëndkomanda, për drejtimin e veprimeve luftarake dhe në çdo njësi e repart u krijuan grupe operative për ndjekjen e situatës së krijuar:

– grupi 52-të operativ me qendër në Prishtinë, mbante lidhje direkte me Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes dhe me komandën e Armatës 2-të në Nish, kurse sistemi i radiokomunikimit i Armatës 2-të në Nish dhe i disa njësive të Armatës 3-të në Shkup kaloi në përgjim të vazhdueshëm;

– u ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizjet e mjeteve të ushtrisë, policisë e milicisë, dhe këto të kontrolluara.

Më datën 1 prill, mendohet të kenë ardhur në rajonet e veprimeve luftarake forcat e përforcimit nga thellësia (të dhëna të sakta nuk disponohen).

3.         Mbi riorganizimin e forcave ushtarake në Kosovë.

Më datën 06. 04. 1981 vërtetohet se në Kosovë dislokoheshin këto forca ushtarake: 2 Brigada Këmbësorie, 2 Brigada Tankiste, 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar, 1 Regjiment Këmbësorie, 1 Regjimenti Parashutist, 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke, 1 Regjiment Kufitar dhe 3 batalione të ndjekjes. Nga këto erdhën  në përforcim: 2 brigada tankiste (Nr. 211 e 243), përkatësisht nga Nishi e Shkupi; 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102) dhe 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20). (Shih skemën bashkangjitur). Me këto forca u krijua Korpusi 52-të në Prishtinë në përbërje të Armatës 2-të në Nish. Në dorë të komandës të Korpusit 52-të është mbajtur një forcë e transportueshme me helikopter, me përbërje deri batalion, për ta përdorur në ato rajone ku nuk janë dislokuar forca të mjaftueshme të ushtrisë. Këto forca, nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (si të republikave të tjera).

Forcat pjesëmarrëse, të ushtrisë e të policisë, ndërmorën veprime konkrete në bazë të operacionit “Akacija-81” (Aksioni-81), analiza e të cilit u bë më 08. 04. 1981 në komandën e Korpusit 52-të në Prishtinë, me pjesëmarrjen e komandanteve e zëvendësve për punë politike të të gjitha njësive. Për zbatimin e operacionit nuk disponohen hollësi, por nga sa dimë deri tani rezulton se:

– forcat e këmbësorisë            realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara;

– helikopterët u përdoren për transportimin e shpejt të trupave nga një rajon në tjetrin ku situata paraqitej më e rrezikshme. Në të njëjtën  kohë helikopterët gjeten përdorim për lëvizjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë brenda territorit të Kosovës. Mendojmë që regjimenti parashutist është sjellë me helikopterë (meqenëse në rajonin e Mitrovicës u ulen forcat e një batalioni me helikopter).

– forca të ushtrisë e të kufirit përforcuan postat e pikat kufitare, sidomos në drejtim të Qafë-Morinës, Qafë-Prushit (Tropojë) dhe Morinës (Kukës). Komanda e Armatës 2-të në Nish dhe Sekretari i Mbrojtjes gjatë ngjarjeve në Kosovë, interesoheshin posaçërisht mbi gjendjen në kufirin me vendin tonë.

Konkluzion:

1.         Demonstratat e fundit në Kosovë përfshinë mbi 2/3 e territorit (rreth 14 komuna nga 22 që ka Kosova).

2.         Forcat ushtarake të dislokuara aktualisht në Kosovë, për nga sasia janë të barabarta  me forcat e një armate (të republikave të tjera), që shënon një rritje në masën 3 herë nga koha para fillimit të demonstratave.

Duke u nisur nga situata e shqetësimit shumë i madh i udhëheqjes jugosllave, mendojmë se këto forca do të qëndrojnë në Kosovë përgjithmonë ose për një periudhë shumë të gjatë.

3.         Forcat ushtarake të përforcimit, u tërhoqën nga Armata e 2-të dhe e 3-të, përkatësisht në Nish e Shkup, që mbrojnë drejtimet më të rëndësishme (sipas tyre) nga rreziku bullgar dhe i Traktatit të Varshavës.

Duke u nisur nga situata duhet pritur edhe ridislokim forcash ushtarake në federatë, por sidomos në Armatën e 2-të në Nish dhe Armatën e 3-të në Shkup.

Në skemën shpjeguese paraqitet dislokimi aktual i forcave ushtarake në Kosovë, i cili kërkon verifikim të mëtejshëm.

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË

VELI LLAKAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORIA E KUFIRIT

                                                                                        Tiranë, më 25. 4. 1981

Lënda: Mbi disa konstatime në ruajtjen e kufirit nga ana e palës jugosllave mbas ngjarjeve në Kosovë.        

MINISTRIT TË MBROJTJES POPULLORE

SHOKUT KADRI HAZBIU

              Konstatojmë se deri më datën 24. 04. 1981 në postat kufitare jugosllave përballë vendit tonë, forcat e ardhura në përforcim pas ngjarjeve në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç ishin më datën 13. 04. 1981. Çdo postë vazhdon të jetë e përforcuar me 10-15 ushtarë (posta përballë pikës sonë Stoberdë-Tropojë, edhe me dy topa). Të gjitha përforcimet arrijnë deri në një brigadë kufitare.

           Ndryshime në forca e mjete janë bërë vetëm përballë sektorëve të pikave tona kufitare të Padesh, Kamenicë, Stoberdë e Qafë-Prush (Tropojë) nga ku dy kompanitë kufitare të ardhura në përforcim janë tërhequr nga kufiri e janë përqendruar në qytetin e Gjakovës.

            Gjatë gjithë kufirit në drejtim të vendit tonë jugosllavët vazhdojnë të kryejnë rikonicion e vrojtim të organizuar edhe me kuadro oficerë; shërbimin e kufirit e kryejnë të përforcuar me grupe 3-5 veta; bëjnë kontrolle më të shpeshta të vijës së kufirit dhe kanë forcuar kontrollin ndaj banorëve, të cilët nuk i lejojnë të afrohen për punime të ndryshme në afërsi të vijës së kufirit.

             Automjeteve tona që hyjnë e dalin nëpërmjet PKKK Morinë për transportimin e mallrave të ndryshme jugosllavët u kanë caktuar orar kalimi nga ora 7-8:00 dhe 14-15:00, gjë kjo që nuk ka qenë më parë.

             Nga 52 vizitorët tanë që ndodhen në Kosovë, në Mal të Zi e Maqedoni, jugosllavët kanë kthyer pa mbushur kohën e caktuar 1 vizitor dhe nuk kanë pranuar të shkojnë si vizitorë në Kosovë, 3 shtetas tanë, duke thënë “nuk ju pranojmë”. Pas ngjarjeve në Kosovë, prej andej nuk ka ardhur asnjë vizitor, ndërsa nga Mali i Zi e Maqedonia kanë ardhur 23 vizitorë (shqiptarë).

Shkelje të territorit tonë dhe incidente e provokacione nga ana e jugosllavëve gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur.

Ne vazhdojmë ta ruajmë kufirin në gjithë sektorin me Jugosllavinë në mënyrë të përforcuar, duke kryer shërbim me vigjilencë e korrektësi.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

FEҪOR SHEHU

        REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM                                                                                               

                                                      Tiranë, më 29. 04. 1981

INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

Sipas disa bisedave të kapura në radio-komunikimin e Komandës së Korpusit 52- të, në Prishtinë me Komandën e Armatës 2-të në Nish, rezulton se forcat ushtarake të dislokuara në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri luftarake.

Nga bisedat del se “më datën 22. 04. 1981, në Prishtinë është bërë rrëmujë e madhe”, “forcat e punëve të brendshme e të ushtrisë vazhdojnë ndjekjen për zbulimin e demonstrueseve. Për të kontrolluar gjendjen ushtria ka vënë në përdorim avionë, të cilët bëjnë patrullim në rajonet: Drenicë, Kaçanik, Ferizaj, Prizren e Gjakovë”. Nga bisedat disa oficerëve del se “nuk ka vend ku të mos patrullohet nga ushtria”.

Në një bisedë të zhvilluar më datën 22. 04. 1981, me kërkesë urgjente të gjeneral nënkolonel Eugen Lebariç (komandant i Armatës se 2-të në Nish), gjeneral majori Andon Lukeziç (në komandën e Korpusit 52 në Prishtinë), raportoi se të “gjithë flamujt e njësive ushtarake të dislokuara në Kosovë janë jugosllavë, vetëm njësia në kazermat “Marshall Tito” në Prishtinë ka flamur me mbishkrimin “Brigada 1-rë maqedonase-kosovare”. Nga ana tjetër janë marrë masa të rrepta për funksionimin e sistemit të radio-komunikimit dhe ruajtjen e sekretit gjatë bisedave. Kohët e fundit centralistët ushtarë janë zëvendësuar me oficerë.

 Jemi në ndjekje të situatës.

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË

VELI LLAKAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

DREJTORIA E ZBULIMIT

                                                                                                   Tiranë, më 8. 5. 1981

INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

1) Komandanti i Korpusit 52 në Prishtinë, lidhur me propozimet e bëra për forcimin e gatishmërisë luftarake, u jep reparteve e njësive udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe Komandës së Armatës 2-të në Nish.

Më poshtë japim tekstin e plotë origjinal të udhëzimeve:

Komanda e Korpusit 52

Telegram ditor 20-183

04.05.1981

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UPJ dhe komandanti i Z2U (Armatës) u njohën me propozimet tuaja lidhur me forcimin e gatishmërisë luftarake dhe urdhërojnë:

1. Aprovohen masat tuaja të deritanishme për gatishmërinë e përforcuar dhe ruajtjen e objekteve, në radhë të parë të depove të armatimit, të municionit dhe të eksplozivit. Kjo mbetet edhe për të ardhmen një nga detyrat tuaja më të rëndësishme.

2. Stërvitjet t’i zhvilloni sipas planit tuaj dhe programit të stërvitjes të njësive tuaja vartëse dhe të atyre që ju janë dhënë në përforcim. Në këto raste të keni parasysh që njësit të jenë sa më kompakte. Për këtë, stërvitjet të zhvillohen me efektiva të mëdha (kompani-batalion).

3. Lëvizjet e njësive – patrullimi me qëllim demonstrim force të mos kryhet pa aprovim të veçantë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes (Shtabit të Përgjithshëm të UPJ). Kjo vlen edhe për ç‘vendosjen eventuale të çdo njësie.

4. Të zotërohet situata në terren, të bëhet gjithmonë vlerësimi politiko-sigurues i situatës të vlerësohet se çfarë do të ndodhi ditën e nesërme dhe për periudhën e ardhshme dhe të propozoni masa për aktivitetin e reparteve.

Njësitë duhet jenë vazhdimisht të gatshme për ndërhyrje të shpejtë, por vetëm me miratim të komandantit të Korpusit.

5. Informacionet që na dërgoni, duhet të jenë sa më objektive. Nuk ka asnjë arsye që t’i zvogëloni ose t’i zmadhoni gjërat.

    Komandanti

                                                                           Gjeneral – Major

                                                                          Anton Lukeziç d.v

Nëbisedat e kryera në linjën radiorele Prishtinë-Nish, ndërmjet të tjerave thuhet se “Prishtina është plot me policë nga gjithë Jugosllavia. Tani këtu tek ne është qetësi por nuk kalon ndonjë makinë qe nuk ka targën e Prishtinës, menjëherë mblidhen fëmijët 15-18 vjeç dhe qëllojnë me gurë. Kështu edhe mua më goditen në kokë. Është muaji i tretë që nuk ka dalje të lirë në qytet e jo më me leje në shtëpi. Policë civilë gjenden në çdo hap. Kam hall se mos më mbajnë si rezervist, mbasi ata të tjerët i kanë mbajtur 8-15 ditë”.

Nga një bisedë midis dy nënkolonelëve (nga Nishi dhe Prishtina) del se në zyrën e gjeneral majorit Anton Lukeziç (komandanti i K52 Prishtinë) është gjetur një bombë 900 gramë.

Sipas një të dhëne të datës 27. 04. 1981, e cila kërkon verifikim të mëtejshëm, del se një pjesë e forcave të dërguara në Mitrovicë në kohën e demonstratave, janë dislokuar në Gjakovë. Mobilizimi i ushtarëve të rinj është kryer, ndërsa çmobilizimi është shtyrë për një kohë të papërcaktuar.

DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM                                                                                               

DREJTORIA E ZBULIMIT

                                                                                  Tiranë, më 21. 5. 1981

INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

Japim një radiogram origjinal të zbërthyer nga reparti i sulmit.

Komanda 211 e Br. T

11. 5.1981

Seksioni i Mbrojtjes

Komandës së Korpusit 52

Personalisht komandantit gjeneral LUKEZIÇ

Më datën 11.05.1981, shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të njohur komandantit të Brigadës urdhrin e gjeneral Fadil Quranollit se, deri më 20. 05. 1981, materialet, armatimi dhe teknika luftarake të kalojnë nga depot e armatimit në Podujevë për në magazinën  “Marshall Tito” në Prishtinë.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale theksoi se për këto lëvizje duhet të njoftohet Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës. Për sa sipër komandanti i brigadës kërkoi që t’i jepej urdhri me shkrim. Por shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të ditur atij se urdhri i mësipërm është i transmetuar me telefon personalisht nga gjeneral Quranolli. Mbasi erdhi komandanti i Mbrojtjes Territoriale, ranë dakord që, kur të fillojë lëvizja e kolonës, të njoftohet edhe Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës. U propozua që transporti të kryhet me kamionë “Kosova -Trans” dhe të sigurohet nga efektivi i një toge të Br. 211T.

Komandanti i brigadës dhe komandanti i Mbrojtjes Territoriale ranë dakord që:

– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale të bëjë llogaritë për sasinë e kamionëve që do të nevojiten për transportimin dhe për tërheqjen e teknikes. Për këtë qëllim do të angazhohen njerëz dhe mjete nga efektivi i brigadës. Brigada do të sigurojë edhe karburantin.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale do të bëjë plumbosjen e vulosjen e materialeve.

Ngarkimi i teknikës dhe i armatimit do të kryhet me ushtarë natën. Krahas sigurimit optimal, do të transportohet njëherësh për në kazermën “Marshall Tito” në Prishtinë.           

Shënim: Nga përmbajtja e radiogramit rezulton:

– Vërtetohet se Br. 211T është  e dislokuar në rajonin e Podujevës (Kjo njësi erdhi në përforcim nga Nishi me fillimin e demonstratave);

– garnizoni i Prishtinës përforcohet me armatime e municione nga depot në Podujevë, që mbahen nën ruajtje nga Br. 211T.

DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

.