Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Zëri që nuk dëgjohet

(Tregim me pak fjalë)
Po e kërkoj kohën e përshtatshme: kur mund ta kem zërin tim? Kur mund ta ngre zërin? Në këso çastesh arrij vetëm të bërtas ndonjë fjalë pa lidhje, bërtas në shenjë pakënaqësie, pasi pakënaqësinë time nuk mund ta shpreh ndryshe. Ndiej dhembushuri për pamjet në rrugë dhe s’kam si ta çoj zërin, vetëm bërtas. Në kafene dëgjoj gënjeshtra, thashetheme, dhe zë e bërtas po ashtu krejt pa lidhje. Posa shkoj në mbledhjen e administratës ku punoj, e vërej se bëhen shumë padrejtësi dhe… kot… vetëm hungëroj, auuuu… E zgjoj ashtu vëmendjen e të tjerëve, edhe kur bërtas në rrugë, në kafene, në shtëpi a në takime të tjera. Shpesh më gjendet një shoku im afër, dhe ai zë e më bërtet:
– Çka dreqin ke?! Çka të gjet? Mos të kapën dreqnit përpara?!
Në të gjitha këto raste arrij ta tërheq vëmendjen e të tjerëve, zë ta bëj një gjest teatral, me gishta i shpupurit flokët përpjetë, shikoj anash me kokën lart. Dhe nuk e them asnjë fjalë. Në heshtje i them vetes: eheeeej, o frikacak, të marrtë djalli. Kur do ta ngresh zërin tënd për ndershmëri, për të vërtetën, zërin kundër padrejtësisë, gënjeshtrës e lakmisë? Kur isha i ri, kur bërtisja kështu, gjyshi më thoshte:
– Nuk ke nevojë të flasësh me zë të lartë. Fol i qetë, me fjalë që peshojnë e që zënë vend.
As këtë prirje nuk e kam.
E kam shprehi që, kur marr të lexoj libra, t’i nënvizoj pjesët a thëniet interesante. Rastësisht mora një libër i Foknerit që e kisha lexuar para shumë kohësh, ku thoshte se nuk duhet të frikësohemi për ta ngritur zërin kundër së keqes: ti në këtë dhomë e mijëra të tjerë në mijëra dhoma të tilla, sot e nesër e pasnesër, do ta ngrini zërin, do ta ndryshoni botën.
Eh, bota ime është e përbërë prej frikacakësh. Frikacakët e kanë shumëzuar hapësirën ku po jetojmë.
Pasi më ishte bërë shprehi të lëshoja thirrje koti, edhe kur flisja, nuk e merrnin seriozisht.
Ashtu, në kotullim, së brendshmi më shpërtheu zëri im: heeej, tashmë ti e kë zërin tënd. Thuaje dhe ngrite! Ngrite drejt qiellit!
E përse ta ngre ashtu, kur andej nuk marr përgjigje asnjëherë?
“Përgjigjen gjeje brenda vetes”, më replikoi zëri im.
Më kaploi përsëri një sëkëlldi e fortë: si të sillem, kur askush zërin tim nuk e dëgjon, as kur bërtas, as kur flas të vogël e me fjalë me peshë, as kur hesht?
Isha njeri i parëndësishëm.
(11 gusht 2021)