Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXVII) – Lëpusha – perla e alpeve shqiptare

Në rrugën e re panoramike Hani i Hotit – Plavë, ndodhen disa fshatra turistike, siç është Tamara, Selca, Lëpusha e Vermoshi. Lëpusha është një fshat i vogël turistik i krahinës së Kelmendit, Bashkia e Malësisë së Madhe (Koplikut), Qarku dhe Prefektura e Shkodrës. Është njëri nga dy fshatrat më veriore të R. së Shqipërisë, që ndahet me Gucinë vetëm nga një mal. Shtrihet në një fushëgropë të butë, e rrethuar me male të larta në lartësinë mbidetare mbi 1260 metra. Ndodhet rreth 90 km nga Shkodra, 70 km nga qendra e bashkisë, Kopliku, 24 km nga Tamara dhe 12 km nga Vermoshi. Qyteti më i afërm i Lëpushës është Gucia (përtej vijës kufitare), 18 km larg saj. Emri Lëpushë rrjedh nga një lule, e quajtur Lëpushtra, Lepusha, që rritet me shumicë në këtë fshat.
Banorët e Lëpushës janë të ardhur në fillim të shek. XX nga fshatrat Vukël dhe Nikç. Vendi më parë ishte bjeshkë me stane, por është kthyer në vendbanim kur njërin nga barinjtë e zuri dimri në stan dhe mbeti aty deri në pranverë. Kur panë të tjerët se bariu mundi t’i mbijetojë dimrit në stan, filluan ta popullojnë fshatin. Në vitin 1945 Lëpusha kishte 18 familje, kurse në vitin 1998 – rreth 500 banorë. Fshati ndahet në tri lagje me rreth 60 familje, që kanë shtëpi karakteristike prej guri.
Lëpushasit janë marrë me blegtori, kurse nga bujqësia kultivohet patatja. Tjetër drejtim ekonomik është përpunimi i drurit (sharrat e drurit), grumbullimi i bimëve mjekësore e viteve të fundit po zhvillohet turizmi. Lëpusha ka shkollë 9-vjeçare, qendër shëndetësore, disa lokale tregtare e hoteliere, duke përfshirë dhjetra bujtina e një hotel.
Klima e fshatit gjatë dimrit është shumë e ftohtë kurse verës, e freskët. Dimri është me borë e acar, që mund të zgjasë deri vonë në pranverë. Lëpusha, realisht, ka dy stinë, verën e dimrin. Është fshati me reshjet më të mëdha të borës, trashësia e të cilës ka arritur deri 425 cm. Ujërat e fshatit ndahen në dy pellgje detare; Pellgun e Detit Adriatik dhe të Detit të Zi. Nëpër fshat kalon përroi i quajtur Sheu i Lëpushës.
Zona e Kelmendit është e njohur për tradita atdhetare, për pasuri natyrore e kulturore, për legjendat dhe për Eposin e Kreshnikëve. Nga ngjarjet kulturore është festivali i përvitshëm “Logu i Bjeshkëve”, që paraqet për çdo verë një garë bukurie të vajzave malësore, ku shpalosen veshjet tradicionale të grave e vajzave të zonës dhe ku jehojnë këngët e vallet e Kelmendit. Në këtë fshat ishte xhiruar filmi shqiptar “Kur hapen dyert e jetës”. Për pasuritë e Lëpushës ka shkruar albanologu hungarez, Franc Nopça, i cili ka thënë: “Njeriu mund të besonte që gjendej në pyllin e Vjenës sikur të mos gjendej aty maja kërcënuese e Trojanit”.
Pasi është zgjidhur problemi i rrugës me ndërtimin e rrugës së re Hani i Hotit – Vermosh, që kalon sipër Lëpushës, një problem tjetër i madh i fshatit është me tensionin e dobët të energjisë elektrike, me rrjetin e vjetëruar shpërndarës dhe me ndërprerjet e gjata të energjisë, duke u shkaktuar humbje e kokëçarje banorëve e turistëve. Problemi tjetër vjen me mungesën e valëve të telefonisë celulare, si dhe me bllokimin e rrugëve nga bora gjatë dimrit.
Fshati ka florë e faunë të pasur e të larmishme; bimë mjekësore, boronicë, balsam, sanzë, dëllinjë, lulen e quajtur lëpushë, pastaj shqiponjën, shkabën etj. Edhe Lëpusha, me mundësi të mëdha të zhvillimit të turizmit e të bujqësisë e blegtorisë, është zgjedhur në programin qeveritar “100 fshatrat e Shqipërisë”.
Natyra e paprekur mahnitëse e Lëpushës konsiderohet si vendi më i bukur i Kelmendit dhe si perla e Alpeve Shqiptare, e krahasueshme me natyrën e fshatrave të Alpeve Zvicerane. Lëpusha paraqet natyrë të mrekullueshme, freski e ajër të pastër, qetësi absolute, pamje të papërshkrueshme drejt madhështisë së Alpeve. Ofron dhe pyje të dendura, maje e kreshta shkëmbore, guva e shpella interesante, përroje e ujë të mirë të burimit, ara e lëndina të gjera dhe… ushqime bio tradicionale. Rruga e mirë, deri në afërsi të fshatit dhe peisazhi madhështor, si dhe banorët bujarë e ushqimet vendore, si djathi, mjalti, çaji shërues, reçeli (i boronicave dhe i dredhëzave), qumështi e mishi janë faktorët që të organizohen guida turistike nga Tirana, Shkodra e qytete tjera me turistë nga të gjitha anët, madje edhe me turistë të huaj të shumë vendeve të Evropës e të Amerikës. Si vend i mrekullueshëm, Lëpusha e ka zhvilluar e po e zhvillon turizmin malor, sportin e alpinizmit, sportet dimërore, gjuetinë etj. Turisti ka mundësi ta vizitojë ujëvaren e Lëpushës, shumë maja malesh mbi 2000 metra lartësi, ecje në fshat dhe nëpër shtigjet e Alpeve. Pyjet e larta të ahut, të pishës e të bredhit, burimet e shumta të ujit, klima e freskët i thërret vizitorët për pak pushim të këndshëm e të qetë.

Postimet e fundit !