Vështrim/Analizë

Prend Buzhala: Herodotët e të sotmes dhe ana e errët e historisë

HERODËT E TË SOTMES DHE ANA E ERRËT E HISTORISË
(Këndi meditues), 1
Janë dy-tri fakte që rëndojnë mbi ndërgjegjen e njerëzimit: vrasja e fëmijëve në luftë dhe vdekja e tyre prej urisë. Nga lajmet prej luftës në Ukrainë, thuhet se janë vrarë mbi 200 fëmijë nga ushtria e Putinit. Këto ditë, kur po përkujtohen ngjarjet e vitit 1999, në kujtesë rëndojnë faktet e vrasjes së mbi dymijë fëmijëve shqiptarë nga paramilitarët e soldateska serbe. Dëgjuam mjaft edhe për përcaktimet (kush qenka në anën e duhur e kush në anën e errët të historisë) tash pas 78 vjetësh pro e anti fashizmit ndër shqiptarë dhe keqpërdorimet e manipulimet e sotme që bëhen me këta terma përcaktues ideologjikë.
1.
Do të na kujtohet nga historia haraçi në gjak: rrëmbimi i fëmijëve nga gjiri familjar (siç e rrëmbyen dhe e morën peng Gjergjin e Gjon Kastriotit).
Fjalori i shqipes kështu e përkufizon fjalën jeniçer: “JENIÇER m. sh. hist. Ushtar këmbësor i trupave të zgjedhura osmane, që ishte marrë zakonisht nga të krishterët e vendeve të pushtuara prej Turqisë ose ishte zënë rob dhe që në vogëli ishte stërvitur e përgatitur për luftë.” Perandoria otomane, dikur, nëpërmes jeniçerëve (fëmijëve të rrëmbyer nga gjiri familjar, kryesisht i familjeve të krishtera), synonte që FËMIJA TA HARROJË PRINDIN E VET, besimin e vet fetar, kombin e vet dhe gjuhën e vet. Tragjedi e shumëfishtë! Fëmijët e rrëmbyer dhunshëm, edukoheshin në thertoret otomane, bëheshin ushtarakë e mandej i quanin jeniçerë, mbasi ua kanë ndërruar Shpirtin e Arbrit dhe mandej pajisen me Urrejtjen si masë të Jetës. E mandej, me tërbim, ky JENIÇER i shkombëtarizuar, të shkonte në luftëra pushtuese, së pari të shkonte e ta vriste familjen e vet, ta shkrumbonte, dhunonte e përgjakte Atdheun e vet…
Jeniçerët ishin ushtarët më të fortë, më trimat, më të egjër se vetë otomanët. Arritën të bëhen deri edhe pashallarë, vezirë etj. I kishin shtënë në dorë forcën ekonomike, ushtarake, politike e kulturore. Të tjerët ishin skllevër. Fituan statusin e Diskriminatorit të Privilegjuar ndaj Të tjerëve me Shpirt Tjetër, arbëror a evropian, s’ka rëndësi: një mendësi tipike e zemaneve otomane.
Dhe ata shtegtuan nëpër shekuj…
2.
Edhe sot, depërtojnë nga muret e errëta, ushtarët e Herodit për të vrarë fëmijë. Të strukur nga grushti vdekjeprurës i skllevërve të lirë, ata përgjojnë. Ata edhe sot te secili fëmijë shohin rrezikun e pushtetit të vet. Prandaj, në vend të vrasjes së fëmijëve, shpikën të tjera mbytje, më të sofistikuara: abortimin e dhunshëm, vullnetar, ose mbytjen e foshnjës në bark me ilaçe speciale. Ende Rakelat moderne vajtojnë për fëmijët e tyre. Rakela çmeritet edhe më shumë: si paska nëna që duan vrasjen e fëmijës së tyre?!
Dhe vajtojnë.
Kurse Herodi vret edhe Salomën, edhe sot… dhe merret në tepsi edhe Koka e Pagëzorit të Ri, si Kokë e Kundërshtarit.
Gratë i vrasin sipas masës së lirisë me armën e demokracisë.
Të ligun, satanain e maskuar, arrijnë ta shohin vetëm fëmijët, ashtu si e shohin edhe Dorën e Shpuar tërë plagë të Shpëtimtarit.
Dora qëndron e hapur.
Në mos, gjithçka ishte një Lojë nga Betlehemi. Por Loja përtallëse e Historisë me fatin tonë ekzistencial, a nuk është provë e drejtpërdrejtë e së vërtetës, për të sulmuar gjithçka të mirë te njerëzimi?!
Dikush e tha se ky është rrëfimi publik i shqetësimit dhe ankthit.
3.
Anët e errëta i japin ndriçim dritës sonë. “Ju nuk mund ta shihni lavdinë e jetës nëse nuk keni parë anën e errët të jetës” thotë psikiatri, studiuesi dhe edukatori nga Bostoni i SHBA.
Paqja ka vetëm anën e saj të ndritshme, mu ashtu siç e kanë këtë faqe edhe dashuria e humanizmi. Te e fundit, secili njeri sprovohet e tërhiqet kah ana e tij e errët. Kah gabimet, të metat apo lëshimet që ka mundur t’i bëjë. Individualisht e kolektivisht. Mu si te Hamleti, kur njeriu depërton në këtë errësirë të shpirtit të tij, kur arrin ta kapërcejë atë, atëherë ai do të gjejë forca të shumëfishuara për të dalë prej asaj terratisjeje, ligësie, errësimi të mendjes dhe të shpirtit. Meqë muaji prill është i mbushur edhe me ditë të shënuara të historisë sonë të luftës, apo ato të përkujtimit të pranverës së vitit 1981, nga njëra anë: dhe meqë sivjet ky muaj ka edhe ditët e veta të shënuara fetare, atëherë, nga kjo pjesë e historisë dhe nga kjo pjesë e besimeve, na vjen feta për t’u përballur me këto pjesë të errëta.
August Wilson, dramaturg amerikan, do të na këshillonte: “Përballuni me pjesët e errëta të vetvetes dhe punoni për t’i dëbuar ato me ndriçim dhe falje. Gatishmëria juaj për të luftuar me demonët tuaj do t’i bëjë engjëjt tuaj të këndojnë.”
(1 prill 2022)