Kulturë\Letërsi

Përvjetori i premierës së baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Më 13 janar 1963 u vu në skenë baleti i parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”.

Ky balet u farkëtua prej subjektit të dramës që mban të njëjtit titull, shkruar në vitin 1949, nga Kolë Jakova. Himnizimi i bëmave të luftëtarëve të Malësisë së Madhe ndaj zgjedhës turke (në shekullin e 18-të) do të frymëzonte Tish Dainë për kompozimin e vijës melodike. Shprehitë koreografike të Panajot Kanaçit, u interpretuan nga trupa e balerinëve të Teatrit të Operas dhe të Baletit (TOB).

Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries, Ganimet Vendresha e Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj.

Shfaqja korri sukses të paprecedentë dhe përgjatë viteve, u shfaq me qindra herë në skenën e TOB-së për spektaktorët vendas. “Halili dhe Hajria” është shfaqur edhe jashtë vendit, në Kosovë (1979), në Francë (1980), në Greqi (1983) dhe në Itali (1991).

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto të vendimit të ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për dërgimin e trupës së baletit jashtë vendit (në Kosovë dhe në Greqi), për vënien në skenë të baletit “Halili dhe Hajria”. /j.p/