Histori

Pëllumb Xhufi: Dy grupimet politiko – ushtarake gjatë viteve të Luftës së Dytë në Shqipërinë londineze

Po të mund të dallonim dy grupime kryesore politike e ushtarake në Shqipërinë e viteve të luftës. Në grupimin e parë bënin pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë së vjetër, me të mirat e të këqijat që ky term nënkupton. Kishte mes tyre veteranë të Rilindjes Kombëtare e të luftërave për pavarësi e për shtet kombëtar, si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Qazim Koculi, Mehdi Frashëri, Bahri Omari etj. Ishin personalitete me formim liberal e konservator, që bërjen e Shqipërisë e kishin parë më shumë si rezultat të tratativave e të ujdive politike e diplomatike. Një linjë e tillë, edhe në fillimet e shek. XX, ishte kundërshtuar nga të tjera personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare, përfaqësues të krahut “revolucionar”, me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Ibrahim Temon, Hilë Mosin, të cilët çlirimin nga sundimi osman e kishin parë si rezultat të një shkundjeje të madhe popullore, të një kryengritjeje të përgjithshme. Përveç personaliteteve të tilla, në grupimin e parë bënin pjesë edhe përfaqësues të klasës së vjetër të bejlerëve, të bajraktarëve e të krerëve të fiseve, që i kishin mbijetuar kohës dhe që ishin dëshmia e gjallë e stanjacionit politik e shoqëror të Shqipërisë. Të tillë ishin Shefqet Verlaci, Eqerem Libohova, Eqerem bej Vlora, Fuat Dibra, Ali bej Këlcyra, Abaz Kupi, Selim e Dan Kaloshi, Muharrem Bajraktari, Mustafa Kruja, Gjon Marka Gjoni etj. Kush më shumë e kush më pak, personazhet e këtij grupimi formuan klasën e kuislingëve dhe të kolaboracionistëve, të cilët nëpërmjet një politike anakronike e miope, gjykuan se mund t’i fitonin të gjitha, edhe pushtetin, edhe privilegjet për veten, edhe “Shqipërinë etnike”, edhe luftën me “të kuqtë”, duke u bërë njësh me pushtuesit. Nëse fundi i luftës do të kishte gjetur në pushtet këtë klasë politikanësh, pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë me siguri do të ishin cenuar rëndë.
Grupimi tjetër, ai që e kuptoi frymën e kohës dhe që u hodh në luftë kundër pushtuesit, duke u shkrirë me frontin e madh antifashist botëror, përfaqësohej nga intelektualë, ushtarakë, klerikë, nëpunës e krerë patriotë, të dalluar në betejat për krijimin, forcimin e demokratizimin e shtetit shqiptar, si Mujo Ulqinaku, Omer Nishani, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Moisiu, Ismail Strazimiri, Shefqet Peçi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Riza Kodheli etj. Por, ky grupim u përfaqësua para së gjithash nga rinia e qyteteve dhe e shkollave, e cila me një idealizëm e patriotizëm të pashembullt, zgjodhi pa mëdyshje luftën pa kompromis me pushtuesin italian e gjerman. Me rënien e tyre heroike, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Margarita e Kristaq Tutulani, Manush Alimani, Perlat Rexhepi e plot të tjerë përfaqësues të brezit më të ri e më të përparuar të Shqipërisë, elektrizuan të gjithë rininë shqiptare, të fshatit e të qytetit, duke i dhënë jetë një rezistence që Shqipëria nuk e kishte njohur kurrë. Një qëndresë, që për herë të parë theu kufijtë krahinorë dhe përfshiu të gjitha krahinat e vendit dhe që si asnjëherë më parë tërhoqi në mënyrë masive femrën shqiptare. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte njëherësh e para ngjarje e madhe e kombit, që e vuri femrën shqiptare në piedestalin e historisë.