“Populli ua ka taksur tashmë këtyre myteberëve gjykimin e vet moral. Rëndësi ka fakti, që modele çnjerëzore jete, kulture e morali si ato që ka servirur me shumicë politika në këto vite, të neveriten e të refuzohen nga fëmijët tanë dhe nga fëmijët e fëmijve tanë. Dhe kjo nuk është pak” – thotë në këtë intervistë për DITA, profesor Pëllumb Xhufi.
Për historianin e njohur (më i miri që kemi – siç shprehet akademiku Rexhep Qosja) sot një si Berisha bën azganin dhe e trash zërin, sepse është rrethuar nga të katër anët prej “berishkave”, qofshin blu, e qofshin rozë.
Me z.Xhufi bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:
– Profesor Xhufi! Ditët e fundit kanë ndodhur disa zhvillime dramatike në skenën e politikës shqiptare. Thonë se njeriu më i paprekshëm në Shqipëri, Sali Berisha, do të paraqitet para togave të zeza. A ju duket normale kjo?
-Shikoni, i paprekshëm politikani mund të jetë vetëm në një sistem tiranik. Në demokraci, të gjithë janë “të prekshëm”. Për të bërë disa shembuj, po kujtoj se para togave të zeza janë thirrur, janë paraqitur kokulur dhe janë dorëzuar presidentë e kryeministra të gjithëfuqishëm e plot merita për vendin e tyre dhe për mbarë botën: Nixon, Kohl, Chirac, Andreotti, Klinton, Sarkozi, Trump, Biden…
Nuk po përmend “pluri-mëkatarin” Berluskoni, të cilin gjykatësit e ndoqën pas deri në varr.
Më vjen të them, gjithashtu, që vetëm para pak orësh kryeministri izraelit Netanjahu deklaroi, se puna e parë që do bëjë pasi të përfundojë luftën me “Hamasin”, do të jetë paraqitja në gjyq për të dhënë llogari për veprimet e tij si kryeministër. Ky, pra, është profili i një politikani normal në një demokraci normale.
Tani, nga niveli “parajsë” ku jemi ngjitur me figurat e sapopërmendura, le të zbresim në nivelin “ferr” e të flasim për z. Berisha dhe racën e politikanëve tanë, pjellë e tij. Them “pjellë e tij”, sepse mendoj që me egërsinë dhe djallëzinë e tij, z. Berisha imponoi në këto 30 e më shumë vjet standardin e vet të politikanit.
Dikur, z. Fatos Nano, të cilit përfitojmë nga rasti t’i urojmë shëndet të plotë, tha diçka proverbiale: dikujt që i fliste gjerë e gjatë për “Berishën”, ia preu duke i thënë se e keqja qëndronte po aq shumë tek “berishkat”. Ky është problemi ynë sot.
Z. Berisha bën azganin dhe e trash zërin, sepse është rrethuar nga të katër anët prej “berishkave”, qofshin blu, e qofshin rozë. E këta janë politikanë e politikantë me diploma juristi, inxhinjeri, mjeku, artisti, ekonomisti, biznesmeni, filozofi, antropologu, historiani, sharlatani. “Blu” e “rozë”. Janë zgjedhja e tij. Mëkatarë, që ai, kryemëkatari, i kontrollon me dosjet e mëkateve të tyre.
Është e gjithë kjo grigjë, me në krye “demiurgun” Sali, që e ka plaçkitur, ligështuar e zhburrëruar këtë popull në këta tridhjet e kusur vjet. Janë këta, që për të mos lëshuar fronin e pushtetit, i kanë yshtur shqiptarët të urrejnë e të shqyejnë njeri tjetrin.
Sigurisht, nuk do ishte e drejtë të përfshihen të gjithë politikanët e periudhës së tranzicionit në këtë batak. Por Berisha dhe berishkat, pjellë e tij, kanë promovuar e shpërblyer të liqtë, kanë baltosur e goditur të mirët. Fatkeqësisht, të mirët e politikës sa shkon e po i harrojmë.
“Berishkat” e medias, me porosi nga lart, kanë ditur t’i zhvendosin në botën e harresës, edhe pse shumë prej tyre janë gjallë. Kurse të liqtë na i kanë kthyer në personazhe e modele, që na shoqërojnë gjithë ditën e gjithë natën. Madje po na fanepsen edhe në ëndërr.
-Ndërkohë që flasim po lexoj dikë, krahason Berishën me Xhordano Brunon. Ju jeni historian i Mesjetës. A shihni ndonjë ngjashmëri me inkuizicionin e Berishës me atë që bëhej me Xhordano Brunon?
-Berisha me Giordano Brunon? Ç’lidhje mund të shohësh mes tyre? Giordano Brunon e varën në litar Kisha me Inkuizicionin e vet, sepse u përpoq që ta humanizonte botën reale, e cila dominohej nga dogmatizmi e bigotizmi fetar. Deshi të vendosë në qendër të saj njeriun me gëzimet e hallet e tij.
Ndryshe nga Giordano Bruno, Z. Berisha dhe të tjerët që kanë ardhur pas tij, nuk i kanë punët mirë me gjyqin, flas për gjyqin e historisë, pikërisht sepse kanë vrarë njeriun, shpresën, të ardhmen.
Sot Kisha katolike i ka pranuar gjynahet e gjyqit të Inkuizicionit, ka kërkuar ndjesë për ndëshkimin e Giordano Brunos e të Galileo Galileit, të cilët, në fund të fundit, donin të ngrinin kultin e njeriut e të progresit. Me z. Berisha dhe shqytarët e tij, punët qëndrojnë ndryshe.
Me këta Gjyqi i Inkuizicionit do të kishte realizuar planin e gjithë shekullit XVI. Sepse kanë shkelur me të dyja këmbët ndërtesën morale mbi të cilën ngrihet shoqëria njerëzore prej tre mijë vjetësh dhe që mishërohet në Dhjetë Porositë e Krijuesit: mos bëj pis emrin e Zotit; ndero nënë e babë; mos vrit; mos vidh; mos jep dëshmi të rreme; mos lakmo, mos kurvëro…
Nuk do shumë imagjinatë për të gjetur ku do i kishte dërguar Inkuizicioni z. Berisha dhe shpurën e politikanëve të tij. Për fat të mirë të tyre, deri tani me ta janë marrë gjykatat anadollake e të korruptuara shqiptare. Por gjërat po ndryshojnë.
Ndërkohë, e rëndësishme është që populli ua ka taksur tashmë këtyre myteberëve gjykimin e vet moral. Rëndësi ka fakti, që modele çnjerëzore jete, kulture e morali si ato që ka servirur me shumicë politika në këto vite, të neveriten e të refuzohen nga fëmijët tanë dhe nga fëmijët e fëmijve tanë. Dhe kjo nuk është pak.
– A duhet të jemi pesimistë apo optimistë me këto që po ndodhin?
-Mendoj se kemi patur pafundësisht arsye për të qenë pesimist. Ka shumë arsye, që çdo qytetar i këtij vendi, duke filluar nga ne të dy që tani bashkëbisedojmë e gjykojmë të tjerët, të analizojmë veten, të ulim kokën, dhe të themi një “mea culpa” të ndjerë e të sinqertë.
Sepse kemi duruar, kemi heshtur, jemi tërhequr apo, akoma më keq, kemi shkuar, votuar e duartrokitur, makar edhe duke na ardhur ndot nga vetja. Pesimizmi kthehet në optimizëm vetëm mbi një bazë vetëndërgjegjësimi dhe pjesëmarrjeje aktive në revanshin demokratik.
Është një gjë tejet pozitive, që rolin e lokomotivës së trenit të shpresës e të optimizmit e ka marrë, siç i takon, sistemi i rinovuar i drejtësisë, i cili ka filluar të japë prova shpresëdhënëse.
–E fundit: Një parashikim për ndeshjen e Kombëtares me Moldavinë…
-Kuptohet se çfarë i uron Kombëtares çdo shqiptar në Shqipëri, Kosovë e në botë. Por, për të mbetur në frymën e intervistës, pyetja më jep shkas të them, se Kombëtarja jonë e futbollit ka qenë në të gjitha këto vite, sot edhe më shumë, një rreze drite e virtyti shpresëdhënës në një realitet të molepsur nga e keqja. Kombëtarja shqiptare e futbollit është bërë pjesë e rëndësishme e shërimit tonë moral.