Shqipëria/Aktualitet

Pas seancës dëgjimore publike, GJKK shumë shpjet me vendim për rastin Arifi

Flakronë Rexhepi

Prishtinë, 2  dhjetor 2020 – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot ka mbajtur seancën dëgjimore publike, në të cilën  u diskutua  për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi nga radhët e Partisë së Ashkalive për Integrim i dënuar për korrupsion.

Pas diskutimit dhe prezantimit të argumenteve nga ana e palëve,  gjatë kësaj seance, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë shtruar pyetje për secilin pjesëmarrës prezentë për të marr argumente shtesë lidhur me çështjen e ngritur, duke precizuar kështu qëndrimet e të gjithëve.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi në përmbyllje të seancës ua ka bërë me dije palëve se kanë afat deri më 7 dhjetor  që të dërgojnë argumentet tjera shtesë, përgjigje plotësuese në lidhje me çështjen.

“Palët kanë mundësi që argumentet e sotme mund t’i dorëzojnë pranë gjykatës edhe me shkrim, deri më 7 dhjetor. Këto argumente, apo plotësuese që janë adresuar. Ne sot kemi pranuar një shkresë nga avokati Berisha ku ka dërguar një përmbledhje që të jemi të qartë, pra argumente të përmbledhjes së sotme. I falënderoj pjesëmarrësit për bashkëpunimin me Kushtetuesen, edhe pse kjo ishte seanca e parë online e Kushtetueses, besoj që të gjitha palët patën mundësinë të argumentojnë”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Rama – Hajrizi theksoi se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese brenda afatit kohor do të mblidhet për të votuar për vendimin në lidhje me çështjen e ngritur. “Porsa gjykata të marrë vendim, do të njoftohen palët. Kur të bëhet vendimi i shkruar u dërgohet të gjithëve. Palët do të njoftohen me kohë”, tha në mbyllje të kësaj seance kryetarja Rama Hajrizi.

Pas shkarkimit të Qeverisë Kurti, ishin 61 deputet që votuan për zgjedhjen e Qeverise Hoti, ndër ta edhe vota e deputetit Arifi. Për Lëvizjen VETVENDOSJE! vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.