Shqipëria/Aktualitet

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, hapësira më e re në Vlorën e rilindur

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi mbrëmjen e djeshme Parkun e ri të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorën e Rilindur, një hapësirë e re që i është kthyer Vlorës bashkë me rikonceptimin e Sheshit të Flamurit dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me detin.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e vizitës së mbrëmshme në parkun më të ri të Vlorës së Rilindur, Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Ndërsa vizitonte ambientet e këtij parku, Rama tha se po përgatitet një seri me pllaka bronzi ku janë të gjithë emrat e atyre që kanë firmosur pavarësinë.
“Çdo pllakë ka një emër dhe emrat janë të çarë përtej pllakës. Do të vendoset ndriçimi poshtë dhe natën do të jetë e gjitha me emrat e atyre që ndriçojnë. Do të jetë si fushë me xixëllonja me të gjithë firmëtarët e pavarësisë”, tha Rama.
Në Parkun e ri të Pavarësisë janë 28 mijë bimë shumëvjeçare nga të cilat 560 pisha dhe 108 rrënjë agrume. Në total janë 980 pemë të larta me perimetër 50-60 cm.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit të Vlorës, që po bëhet përditë e më tërheqës.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë ka marrë jetë në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.

Ai lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren./m.m/j.p/