Histori

Organizata e Dëshmorëve: Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Fitorja botërore mbi nazifashizmin

9 maj 1945 – 9 maj 2022.
Sot Evropa dhe mbarë bota ka ditën e shenjtë të fitores së Luftës së Dytë Botërore nga nazi-fashizmi. Sot Evropa dhe mbarë bota si çdo vit, përkujton dhe nderon të gjithë paraardhësit e tyre, që u përleshën dhëmb për dhëmbë me bishën e egër, që dhe vetë vendet ku kjo bishë lindi, e dënojnë me forcë…
Sot në këtë datë të shenjtë për mbarë njerëzimin, pas 77 vitesh, 9 maji 2022, fatkeqësisht bota është sërish në një trazirë të re, dhe kjo, tashmë nga ai shtet që dikur ishte protagonist i fitores së madhe botërore. Ndërhyrja ushtarake ruse ndaj Ukrainës, tregoi qartë se lufta ende është e gjallë në mendjet e diktatorëve, është ende mjet që na nxjerr në pah antidemokracinë dhe rrezikun ndaj saj.
Kjo datë, tashmë më shumë se çdo herë tjetër, duhet të jetë një reflektimi i plotë për të gjithë, duhet dhe është domosdoshmëri reflektuese ndaj BE, sepse në gjirin e saj, duhet të pranojë sa më shpejt një popull dinjitoz dhe të sacrifices, siç është populli shqiptar.
Sot Elbasani përkujton edhe 78 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Atdheut Thoma Kalefi, i pushkatuar para Kullës së Sindait, në qendër të qytetit, pranë kalasë së qytetit.
Thomai ose Toma, siç e thërrisnin të gjithë, lindi në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit, nga prindërit Kristo dhe Polikseni.
I rritur me dhimbjen e vuajtjes, Toma, me karakterin e tij të fortë, nisi të gjejë zgjidhjet e mbijetesës. Me mundin për të ndihmuar nënën, e cila siguronte të ardhurat nga puna e lodhshme në tezgjah, Toma u rrit para kohe.
Fillim Prilli i vitit 1939, e gjen Thoma Kalefin nxënës në vitin e III të shkollës Normale. Ishin ditët më të pasigurta dhe përjetimet më drithëruese për mbarë vendin. Fashizmi italian, tashmë e kishte marrë vendimin për të pushtuar Shqipërinë.
Në ato ditë ankthi, Thomai ishte në ballë të protestave kundër pushtimit. Ishte një ndër djemtë e Elbasanit, që u bënë një trup, kur grisën flamurin italian në ballkonin e prefekturës së qytetit, dhe një ndër organizatorët që shkuan për të marrë armë në kazermat ushtarake të Shkumbinit dhe të Krastës, në mbrojtje të popullit të pambrojtur, dhe për t’i dalë zot vendit, që në ato orë të rënda historike, mbreti kishte përgatitur arratisjen e tij nga Shqipëria, me gjithçka kishte më të shtrenjtë për veten.
Për kryengritjen dhe valën e revoltës të shfaqur tek i riu Thoma Kalefi, qeveria pushtuese e sapoardhur në fuqi, nxjerr urdhër arresti për të, por, pa mundur ta arrestojë.
Më 9 prill 1939, me disa shokë, Thomai kalon kufirin dhe shkon në trevat shqiptare në ish-Jugosllavi. Atje vazhdoi veprimtarinë antifashiste me vëllezërit kosovarë, ku një nga shokët e ngushtë, ishte edhe trimi i Gjakovës, Emin Duraku.
Lufta do trimëri, por do edhe dituri!
Ky parim e udhëhoqi Tomën përgjatë jetës. Ndaj, në Tetovë, Gostivar, Gjakovë, Mitrovicë e në çdo trevë shqiptare, ishte si djalë shtëpie kudo qëndronte… Në fillim të vitit 1943, Toma kthehet në Shqipëri.
Sipas rrëfimeve të Milto Kalefit, partizan i batalionit të Dumresë, vëllai i dëshmorit, thuhet se në burgun e Tiranës, Toma, i ndihmuar nga shokët, arritën të hapin llagëmin poshtë burgut, ku në të shumtën e rasteve kanë përdorur copa xhami, apo gastare, dhe bënë të mundur shpëtimin e shumë të arrestuarve duke i liruar ata, edhe pse vetë nuk doli nga burgu.
Pas arratisjes nga burgu, në një kohë (korrik 1943), me ndihmën e Njësitit Guerril të Tiranës, Toma shkon në Çetën e Pezës, dhe u bë emisari politik midis kësaj çete dhe qarkorit të Elbasanit…
Më 4 maj 1944, ballistët arrijnë të bien në gjurmët e Thoma Kalefit, dhe mundën ta arrestojnë atë në fshatin Kozan, pasi Toma u kthye për të mos lënë në duart e armikut, shoqen e luftës Liri Dodbiba. Si rrjedhojë arrestohen të dy.
Për pesë ditë dhe netë, Tomën e torturojnë në mënyrën më çnjerëzore, dhe me shumë këmbëngulje, atij iu kërkua të nënshkruante një deklaratë, ku të shprehej se do të hiqte dorë nga LANÇ dhe ideali i tij.
Këtë turp, Thoma Kalefi nuk e pranoi me asnjë çmim.
Të dorëzuar para qëndresës së jashtëzakonshme të Tomës, pas pesë ditë torturash fizike dhe psikologjike, pa zbardhur mirë mëngjesi i datës e 9 majit, Thoma Kalefin, xhandarët e nxjerrin duar lidhur tek Sheshi i Tabakëve, para Kullës së Sindanit, dhe aty, trimi mori përjetësinë.
Familja e tij, e nderon në çdo brez, me krenari legjitime, duke ndjekur shembullin e tij të sakrificës, atdhedashurisë, dhe detyrës ndaj atdheut. Nga kjo familje, kemi të trashëguar emrin e Dëshmorit, dhe sot, mes nesh është një tjerër Tomë dinjitoz, mjek i aftë dhe i përkushtuar ndaj detyrës misonare të shpëtimit të jetës.
Të gjithë trashëgimtarët e kësaj familje, kudo ndodhen, karakterizohen nga ndershmëria dhe pasioni për të bukurën, për vlerat e kombit, për të mirën e të gjithëve. Familja Kalefi, dhe të gjithë trashëgimtarët që kanë dale nga kjo derë e nderuar, janë krenari dhe dinjitet për Elbasanin tonë, janë vlera të faktuara, si njerëz të nderuar Brenda dhe jashtë vendit!
Lavdi të përjetshme Dëshmorit të Atdheut Thoma Kalefi! Lavdi të përjetshme, të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!