Shqipëria/Aktualitet

Organizata Dëshmorëve: Rrënjët tek idealizmi dhe nderimi ndaj Dëshmorëve

RRËNJËT TEK IDEALIZMI DHE NDERIMI NDAJ DËSHMORËVE
Cërriku 79 vite pas formimit të Batalionit të Dumresë. Si në çdo vit përkujtimor të 14 majit 1943, datës së formimit të Batalionit të Dumresë, ky qytet i vogël dhe i ri në moshë, mikpritjen dhe festat i organizon sikur plaku i motshëm i dyerve atdhetare të truallit të shqiptarëve.
Me një kryetar Bashkie shumë të ri në moshë, siç është z. Andis Salla, befasia dhe vlerat organizative të këtij eventi të rëndësishëm historik, të lë mbresa të jashtëzakonshme të një tradite të konsoliduar, të asaj tradite ku miku është zot shtëpie, të asaj tradite që rrënjët e fisnikërisë i ka thellë, shumë thellë në prejardhjen që na ka dhënë identitetin e pathyeshëm të shqiptarisë së vërtetë.
Qyteti i Cërrikut sot ishte i veshur krejtësisht me uniformën shekullore kuq e zi të kombit tonë. Në sheshin kryesor lapidari përkujtimor i krijimit të Batalionit të Dumresë, që mban në trup emrat e Dëshmorëve të këtij batalioni, ishte pikëqendra e ceremonisë zyrtare të veprimtarisë së sotme.
Në orën 10.00, vendi qark tij, aty ku ai ka themelet e krenarisë, u mbush me kurora lulesh në nderim të partizanëve që themeluan atë batalion, ngjarje që ky lapidar e simbolizon prej dekadash.
Kurora e parë u vendos nga Kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Andis Salla, me Kryetaren e KKV Dega Cërrik, Sheqere Isallaraj, më pas vazhduan, Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë për Cërrikun, z. Luan Duzha dhe Kryetarja e OKDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, duke pasuar nga Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja me Kryetarin e Bashkisë Peqin, z. Lorenc Tosku. Kurorën në emër të KKV Elbasan, e vendosi Kryetari i këtij komiteti, Asim Elezi dhe Xhaferr Hakani, djali i komandantit të Batalionit të Dumresë, Petrit Hakani.
Një buqetë me lulet e freskëta të majit, vendosi dhe Sekretari i KKV Dega Elbasan, Gani Hida, si dhe qytetarë të shumtë dhe banorë të trevave qark Elbasanit dhe Cërrikut, pasardhës veteranësh dhe të Familjeve të Dëshmorëve.
Tjetër dukuri e bukur që u shfaq sot, dhe duhet të jetë shembull i përqafuar dhe të kthehet në traditë, ishte vendosja e një lule karajfili nga nxënës shkollash, të pranishëm në ceremoni. Kjo nuk është thjesht një simbolikë ceremoniale, por është thelbi i ecurisë dhe i trashëgimisë ndër breza, për të njohur, prekur dhe mbrojtur historinë tonë, histori e shkruar në mure të pavdekshëm me gjakun e pampiksur të Dëshmorëve të LANÇ dhe të gjithë Dëshmorëve të Atdheut…
Batalioni i Dumresë, ishte rrjedhojë e rritjes së pjesëmarrjes në LANÇ, të popullit liridashës të këtyre trevave. Çeta e Dumresë u krijua më 22 dhjetor 1942, me komandant Mehmet Bajraktari, dhe komisar Sotir Lubonja. Në këtë çetë bënin pjesë partizanët trima si, Naun Panxhi, Beqir Bahja, Elmaz Muço, Dhimitër Beka, Koço Laro, Hamit Kila, Idriz Shahini, Preng Nushi, Josif Terziu e Ramadan Idrizi. Dalja masive e normalistëve në çetat partizane më 1 maj 1943, krijoi kushtet për formimin e batalionit partizan. Pas krijimit, në drejtimin e këtij batalioni u caktuan shokët Petrit Hakani Komandant, Fehmi Molla Komisar politik, Siri Kodra zv/komandant, dhe Spiro Gjiknuri zv/komisar.
Nuk është rastësi që nga ky batalion kemi Dëshmorë të Atdheut: Spiro Gjiknuri, Siri Kodra, Ptoleme Xhuvani, Isuf Leka, Ali Arapi, Vasil Belshi, Ilias Kosova, Jorgji Dilo, Naun Panxhi, Beqir Dardha, Sulejman Papri, Myslim Shehu, Ndriçim Shehu, Sul Jella, Ardian Kosova, Xhemali Plaka, Banush Llapushi, Elmas Zdrava, Syrja Dylgjeri, Xhaferr Skilja, Shefqet Shyti, Sabri Sinani, Mehmet Hysa, të rënë në beteja dhe përballje të ndryshme me armikun.
Ceremonia e rastit në nderim të krijimit të këtij batalioni, u mbajt në Pallatin e Kulturës së qytetit, tashmë i restauruar me shije dhe me parametra bashkëkohorë.
Veprimtarinë e hapi zj. Mesida Xhelili, Përgjegjëse e Burimeve Njerëzore në Bashkinë Cërrik. Fjalën e rastit e mbajti kryetarja e KKV Cërrik, Sheqere Isallaraj, e cila, pasi falenderoi Bashkinë Cërrik për organizimin serioz në nderim të kësaj ngjarje të veçantë në historinë e LANÇ, si pjesë që nderon historinë tonë kombëtare, vijoi me një historik të përmbledhur të rrugëtimit të këtij batalioni, deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Pas saj përshëndeti Xhaferr Hakani, i cili falenderoi në emër të familjes Hakani, duke vlerësuar lart organizimin që bën për çdo vit Bashkia Cërrik, në nderim të kësaj ngjarje që i ka rrënjët në guximin dhe atdhedashurinë e paraardhësve tanë.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Salla, falenderoi të gjithë të pranishmit si pasardhës veteranësh dhe pjesëtarë të Familjeve të Dëshmorëve, duke cituar se, edhe pse i përket një brezi në moshë shumë më të re, nga vitet e asaj kohe të zjarrtë, kur parardhësit tanë luftonin me armikun, ndjehet i nderuar që në këtë pozicion, të bëj më të mirën në këtë traditë që e meriton të nderohet me përkushtim në të gjitha periudhat historike, dhe në çdo brez që vjen pas nesh.
Në emër të OKDA Dega Elbasan, përshëndeti nënkryetari Bardhul Toda. I emocionuar, ndër të tjera ai theksoi: Sa herë që vijmë në Cërrik për të kremtuar këtë datë, gjithmonë ka diçka të bukur, diçka ndryshe. Kjo bukuri e ka burimin nga dashamirësia e këtij populli dhe Kryetarit të Bashkisë, që dinë të nderojnë me dinjitet gjakun e Dëshmorëve të këtij batalioni dhe të gjithë Dëshmorëve të Atdheut, sepse populli shqiptar rrënjët i ka tek idealizmi dhe tek ata që dinë të nderojnë me përulje të thellë këto ideale të shenjta. Është forca, kultura dhe dëshira e popullit shqiptar, që ka bërë Evropën të kthejë sytë nga ai, por, sot është koha që BE të na shtrijnë dhe dorën tjetër, për të na bërë pjesë të tyre, sikundër këto virtyte i kanë kuptuar dhe besuar SHBA, që po përpiqen aq shumë për të ardhmen e denjë të shqiptarëve! Fjala e tij që kumboi aq emocionueshëm, e ngriti sallën në ovacione. Brenda atij toni kumbues, qëndronte kritika e thellë për ata që kanë tri dekada, në përpjekje shpesh të ashpra, për të zvogëluar sado pak vlerën e lartë dhe absolute që ka LANÇ, Dëshmorët e saj, dhe përkushtimi mbarë popullor që u përfshi në luftën më të ashpër kundër nazi-fashizmit. Ishte ky një ton që kërkonte të zgjonte të përgjumurit që druhen të vlerësojnë me meritën që u takon të gjithë pjesëmarrësve në LANÇ, dhe për ata që pa turp e frikë, të nderojnë ashtu siç vërtetë Dëshmorët e LANÇ e meritojnë në çdo brez.
Në vazhdim, ceremonia zyrtare u përshëndet me një koncert të bukur me kolazh kërcimesh dhe baleti nga nxënës të shkollave, që interpretuan aq bukur, si dhe me këngë nga Ansambli i qytetit, me burim nga ngjarjet dhe historia e lavdishme e popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore.
Pas ceremonisë zyrtare, për të gjithë të pranishmit, nga organizatorët u shtrua banket, në të cilin u ndanë dy vlerësime nga KKV Cërrik, si dhe dëshmitë e pesë anëtarëve më të rinj të këtij komiteti. Këto vlerësime dhe dëshmi u dorëzuan nga Kryetari i Bashkisë, z. Andis Salla, nga deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë për Cërrikun, z. Luan Duzha, dhe nga kryetarja e këtij komiteti për Cërrikun, Sheqere Isallaraj.
Vlerësimi me dinjitet i ngjarjeve të LANÇ sot në qytetin e vogël në sipërfaqe por të madh në zemërgjerësi të Cërrikut, u mbyll aq bukur, aq sa dhe mesazhi që vjen çdo vit nga ky qytet i mrekullueshëm i vlerave kombëtare.
Lavdi luftës mes sakrificave të partizanëve të këtij batalioni! Lavdi Dëshmorëve që ky batalion i dhuroi altarit të shenjtë të lirisë së Shqipërisë! Lavdi të përjetshme luftëtarëve që shkuan në luftë për të mos u kthyer gjallë! Lavdi Dëshmorëve të LANÇ dhe të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!
OKDA Elbasan