Lëvizja\UÇK

Organizata Dëshmorëve: 5 Maji – Dita e Dëshmorëve

5 maj 2023
Dita e sotme, si çdo 5 maj, bart në vetvete një ndjesi ndryshe. Një ndjesi që sado vitet kalojnë, Dëshmorët e LANÇ dhe të gjithë Dëshmorët e Atdheut, hapin portën shpirtërore për të pritur vizitorët që dinë të nderojnë kombin, vlerat e atdhetarëve, dinë të nderojnë jetët e dhuruara atdheut dhe lirisë së tij.
Me një organizim të detajuar, OKDA Elbasan nisi që herët nderimin e të rënëve. Në orën 08.45, Kryetarja e OKDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, Sekretarja Rolanda Suli, anëtarët e kryesisë Muhamet Peshku dhe Sovjet Lamçja nipi i dëshmorit, të shoqëruar nga nxënës të Shkollës 9-vjeçare “Jeronim de-Rada” shoqëruar me mësuesin Mirjam Sulovari, vendosën buqeta tek lapidari i Dëshmorit Syrja Dylgjeri.
Më pas, në orën 09.15, ky grup i OKDA, me disa nxënës të klasës XI, të Gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” dhe mësuesen Marjana Hushi, anëtare e kryesisë së OKDA, vendosën buqeta tek lapidari i Dëshmorëve vëlla e motër, Dyli dhe Haxhire Myzyri, ku i priste Griselda Myzyri, anëtare e kryesisë së OKDA Elbasan, dhe pjesëtare e Familjes Myzyri.
Ora 10.00 nis me nderimin para bustit të ri të Heroit të Popullit Qemal Stafa, simbolit organizativ të LANÇ dhe të rinisë shqiptare antifashiste, Sekretari Politik i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare, me vendosjen e kurorave me lule të stinës së pranverës, nga OKDA Elbasan dhe KV Elbasan dhe nxënës të Shkollës 9-vjeçare “Ali Agjah” dhe shkollës “Liria” me nëndrejtorin Bajram Omeri, në prani të anëtarëve të organizatave dhe qytetarëve elbasanas. Kurorën në emër të OKDA e vendosën Xhuljeta Graceni dhe anëtari i kryesisë, Eduart Shehu. Fjalën e rastit e mbajti kryetarja e OKDA Elbasan, Xhuljeta Graceni.
Më pas, një tjetër ndalesë homazhi u bë para Kullës së Sindanit, në atë vend ku Elbasanin e kanë nderuar 4 Dëshmorë. Adem Krasniqi, Sul Misir, Janaq Kilica dhe Thoma Kalefi. Në këtë vend, veç të pranishmëve, erdhën dhe nxënës të Shkollës 9-vjeçare “Adem Krasniqi” shoqëruar nga mësuesja e historisë zj. Rudina Koçi, për të vendosur buqeta tek trimat e lirisë. Edhe në këtë vend foli për jetën dhe veprimtarinë e 4 Dëshmorëve, Xhuljeta Graceni.
Më 10.30, u vendosën kurora tek busti i Heroit të Popullit Kozma Naska, një tjetër simbol trimërie i viteve të egra të pushtimit. Kurorën në emër të OKDA Elbasan, e vendosën Kryetarja Xhuljeta Graceni dhe nënkryetari Ilir Mborja, në prani dhe të anëtarëve të Familjes Naska.
Po sot, më 5 maj, datës së nderimit të Dëshmorëve, mësues dhe nxënës të Shkollës 9-vjeçare “Xhaferr Hakani”, vendosën buqeta tek lapidari simbol i çlirimit të Elbasanit, pranë Urës së Zaranikës, ndërsa në Shkollën 9-vjeçare “Bardhyl Popa”, u organizuan veprimtari brenda shkollës.
Ceremonia në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit u zhvillua në orën 11.00, me praninë e kryesisë dhe anëtarëve të OKDA Elbasan, të KV Elbasan, të përfaqësuesve më të lartë të Pushtetit Vendor Elbasan dhe Deputetë të Partisë Socialiste për Elbasanin, banorë të shumtë të Elbasanit, nxënës nga Shkolla 9-vjeçare “Jorgji Dilo” shoqëruar nga mësuesja Enkelejda Dimo, nxënës nga shkolla “Qamil Guranjaku” dhe shkolla të tjera të qytetit, të paraprirë nga anëtarë dhe trashëgimtarë të Familjeve të Dëshmorëve. Në emër të OKDA Elbasan, kurora para pllakatit me emrat e Dëshmorëve, e vendosën Kryetarja e OKDA Xhujeta Graceni dhe nënkryetari Bardhul Toda.
Nderimi për Dëshmorët e LANÇ dhe të gjithë Dëshmorët e Atdheut, është ditë përulje të thellë ndaj tyre, dhe në të njëjtën kohë, është edhe reflektim ndërgjegjeje për të gjithë. Idealizmi dhe dashuria e pastër për Shqipërinë dhe Kombin, ardhur nga këta Dëshmorë që nderojmë, janë mesazhet më të forta për të ndarë të keqen nga e mira, për të ndarë tradhtarin nga atdhetari, për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja!
Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të LANÇ dhe të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!