Lëvizja\UÇK

Organizat Dëshmorëve: Konferenca VIII e OFDA – Dega Elbasan

KONFERENCA VIII E OFDA DEGA ELBASAN
Më 13 nëntor 2021, në Sallën e Konferencave në Hotel Skampa Elbasan, zhvilluam Konferencën e Përgjithshme të organizatës sonë.
Të pranishëm në këtë konferencë, ishin Kryetari i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ dhe të Dëshmorëve të tjerë të Atdheut (OKDA), Gjergji Velo, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Prefekti i Qarkut Elbasan, z. Spiro Maliqi, Kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Bukurosh Stafa, Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, zj. Desantila Tahiraj, Sekretari i Përgjithshëm i OKDA, Dalan Buxheli, anëtari i Kryesisë së Përgjithshme, Rushit Kuçi, si dhe Kujtim Haxhiaj, Kryetarja e OFDA Dega Elbasan, Xhuljeta Graceni, anëtarë të tjerë të kësaj organizate, Kryetari i Komitetit të Veteranëve Dega Elbasan, Asim Elez, sekretari i këtij komiteti, njëherësh, anëtar i OFDA Elbasan, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Shpati, Kryetar i Organizatës së Oficerëve në Lirim në shkallë qarku, z. Gani Hida, intelektualë dhe pjesëmarrës të tjerë.
Konferenca u drejtua nga moderatorja me përvojë, dhe anëtare e organizatës sonë, studente e mjekësisë, Sara Hushi. Pasi u dëgjua Himni Kombëtar, për Dëshmorët e Atdheut, dhe për pjesëtarë të familjeve të Dëshmorëve Elbasan që janë ndarë nga jeta gjatë kësaj periudhe, të përmendur emër për emër, u mbajt një minutë heshtje.
Pas këtij homazhi, konferencën e përshëndeti Kryetari i Baskisë z. Gledian Llatja, Deputetja e partisë Socialiste, zj. Desantila Tahiraj, Prefekti, z. Spiro Maliqi, dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Bukurosh Stafa, i cili, veç të tjerave, tha se, nga Bashkia Elbasan dhe Këshilli i Qarkut, është marrë vendimi për ngritjen dhe vendosjen e bustit të Heroit të Popullit Qemal Stafa, në një vend kryesor në qytet. Ky lajm, u përcoll me duartrokitje të forta nga të gjithë të pranishmit.
Më pas konferenca vijoi me raportin e punës katër vjeçare, të cilin e mbajti Kryetarja e OFDA Elbasan, Xhuljeta Graceni.
Në këtë raport, u theksua puna e organizatës sonë, në arritjen e detyrave dhe synimeve të paracaktuara. Disa nga këto, ishin përmbushja me sukses e veprimtarive në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Elbasan, dhe me shkollat e ndryshme, ku në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, mbizotëroi nisma: Dëshmorët për Dëshmorët, nismë e cila është ndërprerë për shkak të pandemisë, por, në vazhdim do të jetë një nga përparësitë e organizatës sonë. Bashkëpunimi ynë ka qenë i ngushtë edhe me organizatat simotra të qarkut tonë, si me organizatën dhe Komitetin e Veteranëve të Mollasit, në të cilin është ngritur me shumë kujdes dhe pasion, edhe muzeu historik i zonës. Një tjetër sukses, është bashkëpunimi me organizatat në Funar, Labinot, Cërrik, Belsh apo Gjinar.
Nga këto bashkëpunime, shembulli i të rinjve në Labinot, zgjoi dhe bëri të realizojmë idenë e ngritjes së Forumit Rinor të Organizatave të Familjeve të Dëshmorëve, duke qenë organizata e parë në Shqipëri, që arrijmë të ngremë një forum të tillë. Puna sqaruese, fryma atdhetare që ne përçojmë tek kushdo, përpjekja për rritjen cilësore të veprimtarive në bashkëpunim me shkollat në qytet dhe fshatra, kanë sjellë një frymë të re dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj jetës dhe veprës së dëshmorëve, që duket qartë në pasionin dhe angazhimin e fëmijëve.
Projektet tona gjatë vitit 2019 dhe fillim-vitit 2020, me mbështetjen nga Bashkia Elbasan nën kujdesin e kryetarit të saj, z. Gledian Llatja, dhe me drejtoreshën e Zyrës Vendore Arsimore, zj. Anila Çota, ishin të ngjeshura me veprimtari të ndryshme, por dhe me rritje të numrit të anëtarësimeve. Çdo shkollë në qytet, dhe shumë shkolla në fshatra, ishin aktive në orientimet tona, bashkëpunuese, duke dhuruar cilësi dhe veçanti në çdo veprimtari. Një nga këto projekte, ishte dhe konkursi që organizuam me krijime për dëshmorët, ku synimi dhe arritja ishte në nxitjen krijuese të vetë nxënësve, këngë partizane, poezi apo këngë kushtuar luftës dhe dëshmorëve të Kosovës, vizatime apo krijime të tjera me tematikë nga LANÇ, ngjallën jo vetëm tek nxënësit, por dhe tek prindërit e tyre, afrimitet me organizatën tonë, duke vazhduar të jemi bashkë në planet e së ardhmes.
Na vjen keq, që kemi ende të pa përmbushur organizimin e takimit, me ata të cilët mbajnë emrat e dëshmorëve, dhe kjo për shkak të kufizimit nga pandemia. Në kohën më të përshtatshme, edhe ky takim domethënës, do të jetë një detyrë e përmbushur nga ana jonë.
Në konferencë, raportin e Komisionit të Revizionimit e lexoi Rolanda Suli.
Në emër të OKDA, kryetari i përgjithshëm, Gjergji Velo, përgëzoi punën e OFDA Dega Elbasan, për gjithçka ka bërë me përpjekje dhe vështirësi, për të nderuar Dëshmorët e Elbasanit, figura të shquara të kësaj lufte, por dhe personalitete të këtij qyteti, që meritojnë të vlerësohen.
Për këtë mandat të ri, OFDA Elbasan, parashtroi dhe objektivat për vazhdimësinë, ku një nga parësorët është zgjerimi i anëtarësisë me anëtarë të rinj, duke synuar që në organizatën tonë, të kemi nga çdo familje dëshmori të paktën një anëtar të saj.
Një sukses për ne, ka qenë dhe bashkëpunimi me ju, të gjithë miqtë tanë, në faqen tonë në facebook. OFDA Dega Elbasan, është e para e këtij lloji në Shqipëri, që veprimtarinë e saj, e zgjeroi duke dalë edhe përtej sallave, falë mundësive që janë sot, përmes faqeve elektronike.
Sot, organizata jonë, nëse ka anëtarësi të regjistruar me një numër të caktuar anëtarësh, përmes publikimit të veprimtarive tona, në nderim të Dëshmorëve të LANÇ, dhe të gjithë Dëshmorëve të Atdheut, në nderim të datave të ndryshme të historisë së pasur të Elbasanit, dhe jo vetëm, ka anëtarësinë më të madhe shpirtërore dhe morale në çdo vend të globit, ku banojnë dhe jetojnë shqiptarë të ndershëm, që e duan këtë vend, dhe e çmojnë me vërtetësi madhështinë e LANÇ.
Si rrjedhojë, organizatës sonë, i janë bashkuar dhe janë regjistruar si anëtarë, disa nga pasardhësit e familjeve të dëshmorëve, duke ndikuar jo vetëm në rritjen e numrit të anëtarësisë, por edhe në rritjen e cilësisë dhe të moshave të reja.
Të gjithë ju miqtë tanë të nderuar dhe besnikë ndaj idealit të Dëshmorëve të LANÇ, dhe të gjithë Dëshmorëve të Tjerë të Atdheut, të gjithë ju që keni familje apo të afërm Dëshmorë, portën tonë të bashkëpunimit, në nderim të të gjithëve, e keni dhe do ta keni përherë të hapur.
Bashkohuni me ne, për të rritur fuqinë tonë të përbashkët, për t’u treguar skeptikëve dhe atyre që me çdo mjet dhe mënyrë janë munduar dhe vazhdojnë të hedhin baltë mbi luftëtarët e lirisë, se ne jemi bashkë për një Shqipëri të drejtë, për të çuar përpara idealet e shenjta të paraardhësve tanë, luftën e drejtë të tyre, sakrificën dhe vetëmohimin e guximshëm, sepse ne jemi gjak prej tyre, gjak prej lirie dhe drejtësie, jemi me ideale të sinqerta, si vetë dëshmorët tanë.
Të nderuar miq kudo ndodheni, nga zgjedhjet e reja që zhvilluam në këtë konferencë, u formua Këshilli i Përgjithshme i OFDA, me 63 anëtarë, ku 76 % janë me arsim të lartë, dhe 40 % e anëtarëve të këshillit, janë femra. Nga ky këshill, u zgjodh kryesia e OFDA, e cila përbëhet nga 23 anëtarë, nga të cilët, 92 %, janë me arsim të lartë, me raport gjinor, 44 % femra. Kryetare e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve për Elbasanin, u zgjodh Xhuljeta Graceni, e cila me kurajo dhe këmbëngulje, i ka dhënë jetë aktive organizatës sonë. Nënkryetarë të OFDA Elbasan, u zgjodhën Bardhul Toda, Ilir Mborja dhe Marsel Ballkoçi. Sekretare u zgjodh Rolanda Suli.
Miq të nderuar, me falënderim, mirënjohje dhe nderim ndaj jush, në vazhdimësi, puna jonë, përpjekjet dhe sipërmarrjet, nuk janë vetëm detyra dhe qëllimi që kjo organizatë është ngritur, por, së pari ndaj Dëshmorëve të Atdheut, detyrimi i të gjithëve, ka qenë është dhe do të mbetet i tillë, sepse ata janë krenaria dhe pasaporta jonë kombëtare. Me këtë pasaportë fituam lirinë, me këtë pasaportë fuqitë e mëdha e përkrahën LANÇ, me këtë pasaportë kemi partnerë strategjikë për vendin, sepse ata që dinë të nderojnë heronjtë dhe dëshmorët, kanë atdhe, kanë komb!
Lavdi Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare! Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!