Tiranë
Çfarë është për ju lufta e Kosovës? – Lufta e Kosovës ishte dhe mbetet luftë e drejtë çlirimtare. Ajo nisi e tillë, përfundoi e tillë dhe mbeti e tillë: luftë për t’u mbrojtur e për t’u çliruar nga pushtuesit kriminelë shekullorë serbë.
– Çfarë shënon për ty lufta e Kosovës? – Lufta çlirimtare e Kosovës shënon fitoren më të madhe në historinë e jetë e të luftës së Kosovës dhe të kombit shqiptar kundër regjimit gjakatar serb. Askush nuk duhet të harrojë se fitorja më e madhe e një populli dhe e forcës së tij të armatosur është fitorja që arrihet. Në Kosovë kjo u arrit!
– Kush e nisi, kush e organizoi dhe udhëhoqi luftën e Kosovës! – Luftën çlirimtare të Kosovës e nisën bijtë e vet trima e trimëresha, heronjtë e heroinat e saj, jo të tjerë. UÇK-ja i kishte dhe i ka rrënjët thellë në ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, në gjirin e tij, ndaj populli e mbështeti dhe e mbështet masivisht UÇK-në me ç’pati e ka dhe me gjithçka mundi e mundet. Populli është mëma e UÇK-së prej nga ajo doli. UÇK-ja ishte në luftë dhe është edhe sot krahu i armatosur i popullit, zemra e tij. Pa përkrahjen dhe mbështetjen e gjithanëshme të popullit, fitorja e UÇK-së nuk do të ngadhnjente mbi pushtuesit serbë.
– Ç’do të thoshit për ndërkombëtarizimin e luftës së Kosovës? – UÇK-ja dhe lufta heroike e popullit të Kosovës nuk zbritën nga qielli, po dolën nga dheu amëtar. Atë e nisën, e organizuan, e udhëhoqën dhe e ndërkombëtarizuan bijtë e bijat atdhetarë të Kosovës, jo bota; bota i mbështeti luftën e Kosovës dhe ushtrinë e tij, UÇK-në, sepse ishte luftë e drejtë, çlirimtare. Po të mos ishte e drejtë, çlirimtare, lufta e Kosovës do ishte shtypur dhe UÇK-ja nuk do të mbështetej. Këtë e kanë kuptuar edhe serbët e ndershëm, tjetër që druhen a kanë frikë ta thonë hapur. Kjo që po them, nuk mohon aspak rolin e faktorit ndërkombëtar në fitoren e çlirimit të Kosovës e të popullit të saj. Por, pa luftën heroike të popullit trim e atdhetar të Kosovës, pa UÇK-në e vet, lufta e saj as nuk do të ndërkombëtarizohej dhe as nuk do të fitohej. Pa asnjë dyshim e them se lufta çlirimtare e Kosovës gëzoi simpati, gjeti simpatizantë anë e mbanë botës dhe fitoi përkrahje e mbështetje ndërkombëtare, sepse bota pa me sytë e vet se lufta çlirimtare e Kosovês ishte e drejtë, ishte luftë për çlirim, ishte luftë për liri e për demokraci popullore, ishte luftë për pavarësi e një populli mbi dy milionësh, i cili kishte 100 vjet rezistencë për mbijetesë, luftonte për trojet e veta, për gjuhën e vet, për flamurin e vet kombëtar, për identitetin e vet shqiptar.
– Cili ka qenë roli i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në fitoren e luftës së Kosovës? – Unë nuk mund të flas me shumë kompetencë për këtë çeshtje, po dua të vë në dukje 3 aspekte : Së pari, populli shqiptar e ndjente dhe e jetonte gjendjen shpërthyese të Kosovës. Ndaj e mbështeti luftën e drejtë çlirimtare të saj. Pa mëdyshje them se kjo ishte vijim i atij qëndrimi që populli i Republikës së Shqipërisë kishte mbajtur para ndryshimit me dhunë borgjeze të sistemit në Shqipëri. Unë nuk po zgjatem në këtë, sepse e kam trajtuar gjërë në librin “Enver Hoxha ka bërë shumë për Kosoven”, botuar më 2019-ën në Kosovë (Ferizaj). Theksoj se shumë shqiptarë dhe ushtarakë të lartë të Republikës së Shqipërisë, ndonse jo të organizuar nga qeveria e shteti i kohës, erdhën vullnetarë me vullnetin e tyre heroik dhe luftuan përkrah vëllezërve të tyre në radhët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës shqiptare, madje disa syresh dhanë edhe jetën. Së dyti, populli i Republikës së Shqipërisë u hapi dyert rreth një milion vëllezerve të një gjaku nga Kosova, pleq, gra e fëmijë këndej kufirit të luftës. Pritej edhe ky akt, që e bëri botën të shqyente sytë e të shihte më mirë se çfarë krimi serb po ndodhte me shqiptarët e Kosovës dhe si është e mundur që një popull i vogël në Republikën e Shqipërisë të priste aq shumë njerëz. Siç thashë ky fakt ndodhi, pritej të ndodhte, ishte akt unikal në planet, që nuk mund të mos bëhej, po edhe një mësim i madh se çfarë mund të bëjnë popujt e botës për njeri – tjetrin në raste të tilla gjenocidiste! Së treti, politika shqiptare e 30 vjetëve të fundit u ka shumë borxhe Kosovës dhe shqiptarëve të kosovës. Shteti shqiptar i borgjezisë kurrë nuk duhej “të heshtëte” e të tregohej i ngathtë para genocidit serb, po duhej të ndërmerrte veprime të menduara e të organizuara mirë kundër regjimit fashist të Serbisë. Qeveria e shteti shqiptar nuk duhej t’i njihnin kufinjtë shtetrorë me ish-Jugosllavinë e Milosheviçit në situatën e krijuar! As jo e jo t’i bënte elozhe e lëshime Vuçiçit serb, siç ka ndodhur e po ndodh! Pra, duhej të bënte më shumë dhe duhet të bëj mê shumë! Së katërti, unë kam vërejtjet e mia për qeverisjen e Kosovës pas fitores së luftës. Por, kjo nuk ma lêkund bindjen që kam për UÇK-në dhe udhêheqësit politikê e ushtarakê tê saj, pêr heronjtë e heroinat e Kosovës, pêr dëshmorët e saj të lavdishëm, për ata rreth 13 mijê njerez që u vranë për Kosovën heroike! Gjyqi i Hagës kundêr drejtuesve të shtetit e të UÇK-së êshtë qartazi një gjyq i sajuar dhe i montuar politik, i inicuar nga shovinizmi serb kundër Kosovës, shtetit dhe popullit të saj! Duke qenë një gjyq i padrejtë, ai është i destinuar të dështojê. Fitimtarët e luftës për çlirimin e Kosovës nuk mund t’i gjykojë asnjë gjykatë e botës, aq më shumë një gjykatë jo e Kosovës e mê shumë akoma një gjykatë që është në mbrojtje të Serbisê agresore. Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet që, si një trup i vetëm, të ngrihen në mbrojtje të heronjve e heroinave të Kosovës, të dëshmorêve të saj, të luftës së UÇK-së, të pavarësimit të plotë nga Serbia e të popullit shqiptar të Kosovës! Nuk ka asnjë forcë në botë që të njollosë UÇK-në! Gjykata e Hagës ndodhet para një prove të madhe drejtësie! Lavdi UÇK-së! Lavdi dëshmorëve dhe heronjve e heroinave të Kosovës e të gjithë Shqipërisë! Rroftë drejtësia!
Docent Muharrem Xhafa