Shqipëria/Aktualitet

KUKËSI – QYTETI I MIKPRITJES DHE BUJARISË

Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (LXXXVI)

Nga të gjitha qytetet, qyteti i Kukësit është qyteti më unik dhe më i veçantë i Shqipërisë. I veçantë, sepse zona e qytetit të sotëm në shek. XVII, ishte braktisur nga mortaja dhe ishte ripopulluar pas një shekulli. I veçantë, sepse është qyteti i vetëm që e ndërroi lokacionin, pa e ndërruar emrin, duke u ndërtuar si një qytet plotësisht i ri. I veçantë, sepse në vitin 1999, si asnjë qytet tjetër, priti rreth gjysmë milion shqiptarë nga Kosova, të dëbuar nga forcat serbe. I veçantë, sepse është qyteti i vetëm me një kullë përkujtuese, dhuratë nga Kosova. I veçantë, sepse është qyteti i vetëm në botë i kandiduar për Çmimin Nobel për Paqe. I veçantë, sepse është nyje lidhëse mes dy republikave tona. I veçantë, sepse ka pasuri të shumta natyrore, por mbanë vendin e parë për varfërinë e popullsisë. I veçantë, sepse është kampion për shpërnguljen e popullsisë brenda dhe jashtë shtetit. I veçantë, sepse është qyteti i vetëm në shtet, pas Tiranës, me aeroport, por që nuk funksionon. I veçantë, sepse ekzistojnë tre Kukësa: Kukësi i vjetër, që ndodhet në fundin e liqenit, Kukësi i ri, që ndodhet në bregun e liqenit dhe Kukësi i nëntokës, i ndërtuar nën qytet me qëllim të strehimit në kohë lufte. I veçantë, sepse, për nga fortifikimi, në rast lufte do të ishte qyteti më i sigurt në Evropë. Të gjitha këto veçanti e bëjnë Kukësin një qytet interesant për t’u vizituar. Kukësi apo Kukësi i Ri është qytet krejtësisht i ri, i vendosur në fushën e Lumës, në rrëzë të malit të Gjallicës (2487 m.) dhe në breg të liqenit të Fierzës, aty ku bashkohen dy Drinat. Kukësi është kryeqendër e krahinës së Lumës dhe qendër administrative e bashkisë, e rrethit dhe e qarkut, ku përfshihen edhe Hasi e Malësia e Gjakovës. Qyteti ndodhet rreth 140 km nga Tirana, 120 km nga Prishtina, 40 km nga Prizreni dhe vetëm 20 km nga vija kufitare që ndanë atdheun tonë. Mendohet se emri i vendbanimit lidhet me një familje feudale, e quajtur Kuka. Në të kaluarën e largët vendbanimi është quajtur me emrat Kokus, Kukovca, Kukufic, Kukosa, Drinabardh, Vau i Kukut. Në vitin 1962 u vendos të ndërtohet hidrocentrali i Fierzës në lumin Drin, prandaj u ndërtua diga e lartë, e cila krijoi Liqenin e Fierzës, kurse liqeni përmbyti qytetin e Kukësit (të vjetër). Atë kohë filloi ndërtimi i qytetit të ri të Kukësit. Kështu, nga viti 1965 deri në vitin 1978 ekzistonin paralelisht dy Kukësa; njëri poshtë, duke u shuar, tjetri lart, duke u ngritur. Në vitin 1978 tërë popullsia e qytetit të vjetër të Kukësit të vjetër vendoset në Kukësin e ri, duke e lënë Kukësin e vjetër në fundin e liqenit. Krijimi i liqenit, aty ku bashkohen dy Drinat, Kukësit të ri i jep formën e një siujdhese me pamje mahnitëse. Tri periudha të vështira i përjetoi Kukësi dhe rrethina e tij; në shek. XVII, kur vendi u braktis nga popullsia për gati një shekull, në vitin 1997, kur banditët sulmuan depot e armatimit të ushtrisë dhe krijuan gjakderdhje e kaos, në vitin 1999, kur rreth 450 mijë shqiptarë nga Kosova, të dëbuar nga forcat serbe, u strehuan në Kukës e rrethinë. Kukësi mbanë epitetin e “qytetit të mikpritjes dhe bujarisë” në saje të pritjes vëllazërore të shqiptarëve nga Kosova. Me këtë motiv në vitin 2000 Kukësi ishte kandiduar për Çmimin Nobel për Paqe, që paraqet kandidimin e një qyteti të vetëm në botë për këtë çmim me renome botërore. Si mirënjohjeje për pritjen e ngrohtë të refugjatëve kosovarë, Kosova i ka dhuruar Kukësit, në sheshin qendror të tij, “Kullën e Përkujtimit”.Zona e Kukësit ka qenë e banuar qysh nga neoliti, që dëshmohet me zbulimin e varreve ilire dhe të shumë gjetjeve arkeologjike. Në vitin 1571 përmendet si fshat i nahisë së Lumës me 12 shtëpi. Arqipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, në shek. XVII e gjen fshatin me rreth 50 shtëpi dhe me një garnizon turk, që quhej Coccus. Arqipeshkvi tjetër i Tivarit, Pjetër Mazreku, në vitin 1633 e përmend Vaun e Kukut. Në vitet 1912 – 1913 zona e Kukësit, përndryshe krahina e Lumës luftoi kundër forcave pushtuese serbe. Në vitin 1922, kur bënte pjesë në prefekturën e Kosovës, me qendër në Krumë, ishte fshat i vogël me vetëm një han, 28 shtëpi e rreth 200 banorë, por në vitin 1925 qendra e prefekturës bartet në Kukës dhe kështu Kukësi bëhet qendër e rëndësishme administrative e tregtare për krahinën e Lumës e më gjerë, duke u populluar me shpejtësi nga familjet e ardhura nga Gora, Shkodra, Prizereni, Gjakova e fshatrat përreth. Nëpër luginën e Drinit në lashtësi kanë kaluar rrugë të rëndësishme, që kanë lidhur qytete e krahina, kanë lidhur bregdetin me brendësinë kontinentale. Edhe sot Kukësi ka fatin e madh të lidhet me rrugë të rëndësishme kombëtare, madje me autoudhën “Rruga e Kombit” drejt Tiranës, nga njëra anë dhe drejt Prizerenit e Prishtinës, në anën tjetër. Në vitin 2004 u bë edhe me aeroport, por që ende, as pas 16 vjetëve, nuk u lëshua në përdorim. Po planifikohet dhe projektohet edhe lidhja hekurudhore mes dy republikave, që do të kalonte nëpër Kukës. Tradicionalisht banorët e Kukësit e rrethinës janë marrë me bujqësi e blegtori. Pas vitit 1925, kur Kukësi mori statusin e një qendre administrative, filluan të zhvillohen edhe tregtia e zejtaria. Pas çlirimit, deri në vitin 1990, Kukësi ishte një qytet industrial, duke pasur miniera e shkritore metalesh, shumë fabrika e ndërmarrje industriale. Mirëpo, pas vitit 1990 pothuaj tërë ndërmarrjet ekonomike e industriale u shkatërruan, duke krijuar kështu shumë probleme sociale dhe, sidomos, papunësi të madhe. Sot ekonomia e Kukësit përbëhet kryesisht nga biznesi i vogël, biznesi familjar. Gjendja e paperspektivë për mbijetesë i ka detyruar banorët e Kukësit e rrethinës ta braktisin vendin e tyre dhe të vendosen nëpër qytete të mëdha, në Tiranë, Durrës, por edhe të emigrojnë jashtë shtetit, duke shkaktuar zbrazje të zonës dhe humbje të kuadrove profesionale. Në vitin 1923, me mbështetjen e madhe të patriotëve të kohës, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Nimon Ferizi etj., në Kukës u hap shkolla e parë, me emrin simbolik “Kosova”. Por, para Kukësit shkollat ishin hapur edhe në fshatrat Kolesjan (1911) e Bicaj (1014). Sot në rrethin e Kukësit janë 56 shkolla 9-vjeçare dhe nëntë shkolla të mesme. Shoqëria e parë sportive u themelua në vitin 1930, kurse sot Kukësi paraqitet me ekipin e futbollit në arenën sportive kombëtare dhe ndërkombëtare. Qyteti ndodhet në një krahinë me folklor shumë të zhvilluar, që pasqyrohet edhe në Muzeun Etnografik. Dallohen veshjet popullore lumjane, këngët e shoqëruara me qifteli, vallet, e njohur sidomos vallja autoktone e Kukësit, të shoqëruara me lodra e zurle.“Ju flet Kukësi”! Kjo sigël e Radio-Kukësit përsëritet përditë, që nga viti 1959, në fillim përmes katër altoparlantëve të varur në pjesë të ndryshme të qytetit. Që nga atëherë Radio Kukësi ishte institucion informativ e kulturor shumë i dashur për popullsinë e zonës dhe, veçanërisht, për popullsinë e Kosovës. Radio-Kukësi ishte radio e dytë më e rëndësishme dhe me numër më të madh të dëgjuesve në Shqipëri, pas Radio Tiranës, kurse për popullsinë e Kosovës ishte një dritare e gjerë me pamje nga Atdheu. Qyteti 42-vjeçar i Kukësit, që u flijua për t’i dhënë dritë Shqipërisë, është nga vendet më të pasura me vlera e burime natyrore. Aty pushon përjetësisht Hasan Prishtina, aty e gjejmë të ngritur në piedestal Shotë Galicën dhe aty, në qendër të qytetit, na pret Skënderbeu i madh. I njohur edhe si qytet i kultivimit të luleve, si “Qytet i tulipanëve”, Kukësi po shndërrohet në një qytet turistik, i vizituar gjithnjë e më shumë nga turistë të vendit e të huaj, veçanërisht turistë nga Kosova. Në shkuarje – kthim në Shqipëri, ia vlenë të pushohet, së paku për një kafe, në Kukësin e mrekullueshëm, në Kukësin me bukuri e histori të madhe

Postimet e fundit !