U bënë 22 vite që kur, më 16 maj të vitit 1999, autoritetet e burgut të Dubravës e nxorën nga qelia, ku po mbahej padrejtësisht, me arsyetimin e lirimit dhe që nga ajo kohë nuk dihet më asgjë për fatin personal të Ukshin Hotit. Zhdukja pa gjurmë e vëllait tonë të dashur përbën njërin nga episodet e shumta dhe më të rënda të kalvarit që ai kishte përjetuar nga shteti serb, që kur u vu në ballë të kërkesave të natyrshme dhe të drejta të shqiptarëve për barazi, republikë dhe liri. Politika zyrtare serbe, pavarësisht shtypjes dhe represionit që instaloi për një shekull, nuk arriti që ta shuante çështjen shqiptare. Pasi dështoi ta nënshtronte një popull të tërë, ajo në vitin 1999 u përcaktua për zhdukjen fizike të tij me anë të gjenocidit. Ngjashëm, pasi regjimi i Beogradit ndër vite kishte dështuar ta thyente karakterin qëndresëtar dhe besimin e patundur që Ukshin Hoti e mishëronte, atëherë u orientua për zhdukjen e tij pa asnjë gjurmë. Kjo strategji ishte e qartë që nga fillimi. Por pasi nuk ia dolën ta zhbëjnë kolektivisht një komb, atëherë qëllimi ishte që paktën të eliminoheshin ideologët dhe inspiruesit e kësaj rezistence nacionale. Ata që mbajtën gjallë forcën morale për të mos u pajtuar me gjendjen vasalit, paqen e rrejshme dhe iluzionin e lirisë. Ky fakt tregon se si historia e Ukshin Hotit dhe e popullit të tij u njëjtësuan plotësisht. U bënë identike. Synimet për zhdukjen e njërit shkonin paralelisht me eliminimin e tjetrit. Një përkitje e tillë nuk ishte diçka rastësore. Ajo derivonte nga bindja e tij se politika nuk është sferë për vegjetim, karrierë personale dhe angazhim vetëm për mirëqenie personale. Por veprimtari ku mobilizohen potencialet kolektive dhe individuale të një shoqërie në funksion të lirisë, drejtësisë dhe zhvillimit të saj. I ndikuar nga traditat e mendimit perëndimor, ai besonte se dija, morali dhe liria, duhet të formojnë një bosht të pandarë për një rend të emancipuar shoqëror. Dhe se çdo politikë që nuk e ka mision afirmimin e këtij trinomi është e destinuar të dështojë. Ngase vetëm në saje të këtij kombinimi mund të sintetizohej drejtë vetëdija jonë kombëtare me proceset globale historike. Një kusht ky i domosdoshëm për orientim të duhur politik.
Ukshin Hoti e mbronte idenë se demokracia duhet të ketë karakter autentik ndër ne. Të jetë shprehje e aspiratave spontane të popullit shqiptar dhe e orientimit të tij për t’u integruar në universin e botës perëndimore. Ngase vetëm në saje të këtij horizonti politik mund të akomodoheshin interesat e natyrshme politike të popullit shqiptar. Prandaj me të shpërthyer demonstratat e vitit ’81 ai u angazhua për qartësimin e këtij procesi të domosdoshëm historik. Jetoi dhe dha gjithçka nga vetja për këtë projekt fisnik. Republika në funksion të barazisë u bë ideali i tij. Bashkimi si qëllim. Politika një mekanizëm për realizimin e tyre. Kurse parimi: “Bëje ose vdis” një postulat doktrinar, filozofik dhe politik. Ishte kjo një jetë në shërbim të demokracisë dhe lirisë. Natyrisht ky përcaktim u bë edhe burim i dramave dhe tragjizmit të tij jetësor. Por, një sentencë e njohur thotë: “kush nuk ka bërë një jetë tragjike nuk mund të shndërrohet as në hero”. E, siç dihet nga historia, heronjtë bëhen një forcë lëvizëse e saj. Populli shqiptar me qëllim që ta mposhtë fatalitetin e imponuar e nxori nga gjiri i tij pandërprerë këtë kategori fisnike. Me moralin, guximin dhe vullnetin e tyre, ata u angazhuan dhe luftuan që historia jonë të “njihet nga të tjerët dhe jo të bëhet nga ata”. Prandaj, vetëm duke ecur rrugës që ata e trasuan ne mund “ta zbulojmë gjeninë e tyre”. Në këtë javë të veçantë jemi krenarë që të patëm i dashur vëlla por, edhe po aq të pikëlluar që nuk mundem të bëjmë më shumë për ty. Lavdi jetës dhe veprës tënde!