Lëvizja\UÇK

Njeriu që jetoi, mendoi, veproi, luftoi dhe u varros shqip e shqiptar në tokën e Shqipërisë

Biri i madh i Sallagrazhdës dhe i gjithë Shqipërisë, Hysen Gega, u varros sot në varrezat e vendlindjes së tij nga bashkëmendimtarë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë dhe nga familja e farefisi i tij. Në orën 15, në mjediset e Bibliotekës së Therandës u mbajt Akademi komemorative. Në orën 16 nisën homazhet në sheshin e fshatit, “Sheshi i Lirisë”, kurse në orën 17 u bë varrimi me nderime të mëdha në varrezat ku është varrosur edhe Heroi i Lëvizjes dhe i Shqipërisë, Fadil Vata. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin tonë kuq e zi dhe e bartnin ushtarët e FSK – së në supet e tyre.

Vdekja e zezë e mori edhe një  luftëtar lirie, edhe një shqiptar që ia kishte kushtuar jetën çlirimit të tokave të pushtuara të Shqipërisë. Por, vdekja nuk e trembi dhe nuk e hutoi familjen e Hysen Gegës dhe shokët e tij të afërm. Varrimi i birit të madh të Kosovës shqiptare dhe gjithë Shqipërisë u bë shqiptarisht… Kjo është e kuptueshme për secilin prej nesh. Familjet me ndërgjegjie të formuar kombëtare nuk mund të lejojnë që njeriu i tyre të  varroset me ceremoni dhe gjuhë të huaj për shqiptarin dhe traditën e tij. Kjo edhe për arsye se kleri akoma nuk e ka mësuar gjuhën e Perëndisë, SHQIPEN tonë të ëmbël, të bukur dhe me mundësi e aftësi të jashtëzakonshme shprehëse!

Kështu Hysen Gega u bë shembull, siç ishte gjatë gjithë jetës, edhe me vdekjen dhe varrimin e Tij prej shqiptari e shqiptarie.

Ardhja e Hysen Gegës në jetë ishte në vitet e vështira të persekutimit, terrorit, arrestimeve, ekzekutimeve, represaljeve e dëbimeve të popullit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte viti 1950, kur shqiptarët përpiqeshin me shpirt ndër dhëmbë t’i mbijetonin terrorit shtetëror të Jugoserbisë titiste. Buka e familjes Hysenin e degdisi larg vendlindjes, deri në Gjermani, ku u njoh me atdhetarët dhe ideologët e LËVIZJES së ardhshme politike e kombëtare: Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Ibrahim Kelmendin. Me Ta nisi veprimtarinë e organizuar politike e patriotike kundër Jugoserbisë pushtuese. I armatosur me fjalën e Tyre dhe me ideologjinë çlirimtare, Hysen Gega u kthye në Atdhe për ta zgjeruar dhe rritur veprimtarinë e organizuar antipushtuese. Mirëpo, larot e pushtuesit po e ndiqnin këmba – këmbës veprimtarinë e Tij jashtë e brenda… Prandaj, kur e pyetën Hysen Gegën gazetarët, pas daljes nga burgu, se ku dhe kur e kishte njohur Jusuf Buxhovin, ishte përgjigjur prerë: “Herën e parë e kam takuar në zyrat e UDB – së, kurse herën e dytë në zyrat e LDK – së”. Ishte kallëpi dhe soji i këtyre buxhovëve që e kishin denoncuar Hysen Gegën te organet e pushtuesit që e kishin arrestuar më 31 janar 1980 dhe, pas hetimeve e torturave intensive, e kishin nxjerr në gjykatë dhe e kishin dënuar me 12 vite burg.

Grupe e shqiptarë të shumtë ishin dënuar edhe para Tij nga gjykatat e pushtuesit. Ndër ta edhe Simboli i Qëndresës Shqiptare, Adem Demaçi, emri dhe veprimtaria e të cilit e frymëzonte, i jepte forcë dhe e bënte të pathyeshëm edhe Hysen Gegën, i cili, me qëndrueshmërinë, burrërinë, guximin dhe qartësinë e tij kombëtare e politike po e sfidonte shtetin pushtues dhe aparatin e tij represiv. Veprimtaria e Metush Krsaniqit, Adem Demaçit, Mehmet Hajrizit e Hydajet Hysenit, etj., me organizatat e tyre, e Hysen Gegës dhe e shumë shqiptarëve janë dëshmia më e mirë se edhe Pranvera Shqiptare ’81 (demonstratat) ishte vepër e kësaj Lëvizjeje Kombëtare të organizuar dhe konsistente e jo vepër e një pakënaqësie çasti të disa studentëve…

Vitet e gjata në burg Hysen Gegën dhe brezin e Tij e përgatitën për luftën me armë në dorë kundër Jugoserbisë okupatore. Me qëndrimin dhe angazhimin në burgjet jugoserbe, Hysen Gega, ishte bër legjendë e kryengritësit dhe guximtarit prej shqiptari atdhetar e revolucionar. Arrestimi i Tij i dytë ishte bër në natën e dasmës së djalit të tij. Armiku kishte zgjedhur këtë ditë, duke menduar ta thyente shpirtërisht Hysen Gegën… Por, sa mund të tundeshin malet e Atdheut tonë aq mund të tundej biri i Shqipërisë, Hysen Gega. Ai ishte tashmë i organizuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila po bënte përgatitjet e fundit për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare dhe organizimin e Luftës së Armatosur Antipushtuese Çlirimtare. Ishte Hysen Gega ndër të parët që veshi rrobat e Ushtarit të Lirisë dhe luftoi kundër forcave të armikut përkrah bashkëluftëtarëve e në ballë të tyre kundër forcave armike.

Pas çlirimit të Kosovës shqiptare (pa vise), Hysen Gega, me angazhim dhe përkushtim të madh u angazhua dhe jetoi me punën e Tij, duke dhënë shembullin, por edhe porosinë që secili duhet të jetojë nga puna e tij dhe jo në kurriz e në dëm të shoqërisë a të vendit. Sigurisht që në një shkrim si ky nuk mund të thuhen të gjitha për atdhetarin, luftëtarin dhe revolucionarin e paepur, Hysen Gega… Por, mund të them me plotë gojën dhe me bindje të thellë se ATDHETARË si Hysen Gega meritojnë të varrosen me ceremoni shtetërore dhe në varreza të shqiptarëve të shquar (varreza që nuk i ka akoma Kosova e Shqipërisë!…). Jo vetëm që meritojnë, por shteti dhe shoqëria do të duhej të obligoheshin me ligje të posaçme e jo të na ndodhin varrime si ai i Bacë Ademit, si ky i Hysen Gegës, etj.

Kemi parë edhe këto vite lirie të organizohen e të bëhen varrime me tam – tame shtetërore të ndonjë politikani që, për fatin e tij të keq, ishte në anën e gabuar të historisë! Ose, të organizohen varrime e ceremoni varrimesh me nderime të larta shtetërore të ndonjë artisteje (këngëtareje) me vlera të mirëfillta muzikore, por edhe të tilla me vlera të dyshimta artistike e muzikore, pastaj ndonjë futbollisti, etj. Sigurisht që jam edhe për nderimin e këtyre figurave të artit muzikor, të sportit, shkencës, kulturës e të fushave tjera. Por, asnjëherë nuk duhet harruar (nëse nuk duam të na përsëritet historia) që kryearti i një vendi të pushtuar është ARTI i përpjekjeve dhe i luftës për liri, kurse kryeartistët dhe kryefigurat, ikonat e një kombi janë veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë. Jo për ta denigruar ndonjë artist a artiste, ndonjë sportist a sportiste, ndonjë krijues a krijuese, etj., por për ta qartësuar se në kohën kur luheshin aktet e dramës për jetë a vdekje (përballja me organet e shtetit pushtues dhe me forcën vrastare të tyre para (në burgje, etj.) dhe gjatë luftës së armatosur kishte nga këto artistet që luanin dhe zbaviteshin në skenat dhe prapaskenat e pushtuesit, duke e zbavitur publikun e tij të zgjedhur (në Beograd, Valevë, Nish, e qytete tjera)! Njësoj edhe disa politikanë kolaboracionistë, sportistë, krijues, etj., të cilët angazhoheshin ta përjetësonin Jugoserbinë dhe pushtimin e tokave të Shqipërisë prej saj!?

Lamtumirë biri i Shqipërisë, Hysen Gega! Të qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore! Kujtimi dhe nderimi për Ty do të rrojnë sa të rrojë Shqipëria jote!

(Xhevat Gjini)