Vështrim/Analizë

NGJARJET E JAVËS PARË ME SYRIN E NJË MËRGIMTARI

Ibish Neziri

I

Çuditë shqiptare nuk kanë fund. Ajo që ndodhi më 28 Nëntor me «Gazeta Lëvizja» më ktheu prapa në vitet 1998-1999.

Atë kohë isha redaktor përgjegjës i emisionit në gjuhën shqipe të Radio Kanalit K në Aarau të Zvicrës.

Shpesh më thërriste në bisedë drejtuesja e radios G.R. për t’më „çortuar“ për shkak të „kepërdorimit të valëve“ nga se përmes valëve të kësaj radioje, si thonte ajo, „po e përkrah luftën dhe po bënë thirrje për ta ndihmuar atë“. Kur unë filloja të sqarohesha dhe natyrisht ta mbroja politikën redaktuese të emisionit në gjuhën shqipe, më ndërpriste duke më thënë: „Ibish, asnjë fjalë të vetme në gjuhën shqipe nuk e di. Vendasit tuaj po raportojnë!“ 

Po tani çfarë ndodhi vallë, kush raportoi të pavërteta të Facebook-i që e pamundësoi shpërndarjen përmes tij të gazetës Lëvizja „ende pa dalur mirë nga furra“?

Edhe pse nuk kishte asgjë që mund të binte ndesh me asnjë rregull, pas çdo përpjekje për ta plasuar në Fb, vinte përgjigja: „Gabim, mesazhi i juaj nuk mund të dërgohet sepse ka përmbajtje që njerëzit tjerë në Facebook e kanë raportuar si abuzive“.

Edhe përmes mesengerit nuk mund të dërgohej.

Këtë e kuptova, por nuk e kuptova cila qe përmbajtja abuzive e gazetës!?

II

Çfarë mund të thuhet për dy dhuratat që iu bënë prizrenasve në ditën e flamurit dhe festave tjera të 28 Nëntorit?

Para bukur do vjetëve, valltari i njohur Besim Zekthi ndër të tjera tha: „Na erdhi një shkresë nga vet Enver Hoxha përmes së cilës udhëzoheshim të kishim  kujdes se kujt ç’rol i japim, në mënyrë që të mos i shpërfytyrojmë heronjtë!“

Thënë me një fjalë prizrenasit morën dhuratë për festat e Nëntorit dy shpërfytyrime të pakërkundshoqe të dy prej figurave nga më emblematiket e historisë sonë të vjetër e të re, shpërfytyrimin e Gjergjit dhe Ademit dhe pastaj edhe porosinë që të mos shqetësohemi se „askush nuk ia ka prerë kërthizën Gjergjit për ta ditur se si është dukur.“ 

III

Java e parë e dhjetorit filloi me të njëtat tema ashtu si përfundoi ajo e fundit e nëntorit. Paketa për rimëkëmbjen, e cila pas zvarritjeve nëpër parlament për muaj të tërë, arriti më në fund pas ku me ditë se çfarë pazaresh të kontrabandohet dhe votohet dhe  çështja e zgjedhjes së presidentit, qoftë edhe me vota hua, veresie apo ndoshta edhe me lekë në dorë. Me rëndësi të mos mbetemi pa president, por më e mira e të gjitha të mirave e për hatër të vendit,  do të ishte që presidenti t’i kthehet popullit, të zgjedhet nga populli e jo përmes pazareve politike joparimore e votave hua apo veresie!

Për çështjen e nderit që iu bë Haxhi Shalës për votën pro qeverisë Hoti, është e tepërt të diskutohet. Ambasadat dhe konsullatat i kanë mbushur vëllezërit e motrat, baxhanakët e baxhanakeshat kunetërit e kunatat e parlamentarëve dhe pushtetarëve. Edhe kjo çështje votash hua.

IV

Duket se ndër më të lodhurit e qeverisë së lodhur Hoti është zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. Ai nuk është lodhur nga puna, për të cilën aq shumë vendi ka nevojë dhe aq shtrenjt e paguan, por është lodhur nga ankesat e familjarëve të të pagjeturve, të cilët madje edhe i fyu rëndë, ndonëse dje a pardje i bëri një kërkimfalje të lodhtë Saranda Bogujevcit, të mbijetuarës së njërës prej masakrave të shumta që ndodhën në Kosovë, masakrës së 28 marsit të vitit 1999 në Besjanë. 

Dhe kjo fyerje nuk kishte të bënte vetëm me Sarandën. Ajo prekte secilen e secilin që i mungon djali apo vajza, vëllai apo motra, nëna apo babai, shoku apo miku. Na fyu të gjithëve dhe mbetja e tij në qeveri nuk mund të jetë tjetër pos shpërblim për fyerjen që na e bëri.

Ai do të duhej dorëhequr por atij i mungon guximi për një akt të till, i mungon ndjenja dhe dinjiteti njerëzor, pa dyshim, po ku është morali i partisë që nuk e ndërron, ku është morali i kryeministrit që nuk e shkarkon?

Po heshtja jonë?

V

Heroi i javës po na del të jetë Bajram Gashi. Ai ndryshoi deklaratën para Gjykatës duke thënë se Etem Arifi është i pafajshëm dhe se më herët ka gënjyer për të.

Kjo ndodhi në kohën kur Kushtetuesja filloi shqyrtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e vlefshmërisë së votës së Etem Arifit në zgjedhjen e qeverisë Hoti.

Duket se qeveria Hoti do të shpëtoj, ndërkaq dënimin do ta marrë Bajram Gashi. Se ç’çmim do t’i paguhet për këtë heroizëm Bajram Gashit, vështirë të qëllohet, por se  24 orëshi i tij, nëse shkon në burg, me siguri se do të paguhet shumë më shumë se 17 euroshi për ish – të burgosurit politikë shqiptarë.

VI

241 të vrarë e masakruar në Krushë në fundmarsin e vitit 1999 nga ushtria e milicia serbe. Darko Tasiqit, i dënuar me 22 vjetë burg për këtë masakër, dënimi iu përgjysmua.

Krushjanët shkuan në Prishtinë për të protestuar para Gjykatës së Apelit për shkak të zbutjes së këtij dënimi. Gjyqtari Hasan Shala doli dhe i ftoi nja 10 veta që të futen brendë për të biseduar, por krushjanët me të drejtë e refuzuan duke i kërkuar që të bisedojnë jashtë: “Jo brenda. Me popull bisedo jashtë. A e ke ftohtë a?- i thanë”. 

„Jo unë s’e kam ftohtë hiç, për atë dola jashtë. Nëse doni në këtë mënyrë me bisedu me mua, atëherë unë vetëm ju përshëndes. Qetash brenda një ore ka me u publiku aktgjykimi…. Asnjë gjë s’ka me qenë jotransparente”, tha kryetari i Apelit, ndërkohë që një protestues tha se në protestën e radhës do ta djegin gjykatën.

Se a i del flaka apo jo Gjykatës së Apelit nuk ka asnjë rëndësi. Ajo tani më u dogj, jo nga krushjanët, por nga vetë kryetari Hasan Shala.