NË PËRVJETORIN E RËNIES SË JUSUFIT, KADRIUT DHE BARDHOSHIT
GODITJA SHUMËDIMENSIONALE
Në natën e 17 janarit 1982 u vranë me atentat nga UDB-ja jugosllave, tre udhëheqës, të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tash Heronjë të Kombit.
Në këtë natë tragjike u vranë udhëheqësit e shquar pikërisht gjatë përpjekjes për bashkim të tri organizatave patriotike: Fronti i Kuq Popullor (FKP), LNÇKVSHJ-së dhe OMLK-së.
Përjetësisht Lavdi!
Vrasja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, ishte një goditje shumëdimensionale që e kreu UDB, jo vetëm kundër veprimtarëve të cilët i vrau me plumba, por ishte goditje kundër gjithë mërgimtarëve në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Francë e gjetiu. Goditja e veçantë përveq ndaj familjeve të të rënëve, ishte edhe për Ibrahim Kelmendin sepse, ploja që u bë mbi ata me të cilët ishte në takimin e bashkimit për shkrirje dhe themelimit të organizatës së re, ra mbi të me gjithë fuqinë e propagandës së specializuar e të koordinuar mirë kundër tij për ta paralizuar, ose edhe më keq, për të krijuar hapësirë që të vritet për hakmarrje se gjoja ai i vrau shokët e tij!
NGJARJE HISTORIKE ME ZHVILLIME KULMORE
Në historinë më të re të Kosovës kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme dhe, data të ndryshme kalendarike kanë shënuar zhvillime kulmore historike si në politikë, kulturë, programe politike, legjislacion dhe dokumente historike që në fund kanë përcaktuar shtetësi.
Në këto zhvillime tona shoqërore kanë ndikuar drejpërdrejt veprimet organizative dhe luftarake të organizatave të fshehta atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ato nga vitet e 40-ta e këndej, kanë vepruar për lirinë kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë dhe viset e saja, deri te bërja e Shtetit të Kosovës me luftë çlirimtare të UÇK-së dhe bashkëpunimin e ngushtë diplomatik dhe ushtarak të NATO-s dhe SHBA-së.
Organizata e fshehtë më e sukseshme nga aspekti i veprimeve themeluese, organizative, politike, propagnadistike, vazhdimësie, jetëgjatësies; programit dhe statutit për organizime të vazhdueshëm politike e strategjike, veprimeve dhe platformës luftarake, për zgjidhjen e problemit me luftë të armatosur kundër Serbisë pushtuese, padyshim është Lëvizja Popullore e Kosovës. LPK themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe jo vetëm këtë, por edhe dy ushtritë tjera atë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (UÇPBM) si dhe atë kombëtaren për Maqedoninë (UÇK).
Themelimi i LPK-së ka zanafillën këtu e 41 vjet më parë, në natën e 17 janarit 1982 në Unetergrupenbach – ish Gjermanin Perëndimore. Nëpër vite pati disa emërtime dhe akronime pothuajse të ngjashme: Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ), Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) dhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Natyrisht, në këtë historik të gjatë, për të ardhur deri të akronimi LPK (pastaj edhe akronimet e tri ushtrive çlirimtare), ka pasur zhvillimin e vet, por asnjëherë të shkëputur, as nga aspekti organizativ, politik e propagnadistik e as nga ai luftarak.
NDRIÇIMI I THEMELIMIT TË LËVIZJES
Kanë kaluar mbi 40 vjetë nga ajo ngjarje tragjike dhe e jashtëzakonshme e 17 janarit 1982. Është largësi e mjaftueshme historike, që lejon të flitet hapur lidhur me rrethanat dhe zhvillimet e asaj kohe. Tash janë stabilizuar shumë gjëra dhe dihen dëshmi dhe fakte për organizime të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Kosova është shtet dhe populli jeton në liri. Sot, të dhënat dhe faktet që mund të zbulohen dhe dokumentohen për këtë rast, nuk e dëmtojnë Kosovën dhe shtetësinë e saj.
Me punën hulumtuese nga historiantët, është koha që të definohet se cila është data e themelimit të LPK-së: 17 janari i vitit 1982, apo 17 shkurti i vitit 1982.
Pas vrasjes, dokumentet dhe të gjitha shkrimet për çështjen e bashkimit dhe themelimit të organizatës së re, janë konfiskuar nga organet përkatëse gjermane.
Deri tash nuk kam hasur informacion se a u janë kthyer ato dokumente familjeve të të rënëve, e sëbashku me to edhe dokumentet që flasin për një bashkim dhe organizatë të re!
Dëshmitari që ka mbetur i gjallë nga ky atentat, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Ibrahim Kelmendi, përfaqësues i Frontit të Kuq Popullor (FKP), ka treguar dhe shpjeguar gjerë e gjatë publikisht, madje edhe në libra të botuar, mënyrën e takimit, punën për hartimin e dokumentit të bashkimit në natën e 17 janarit 1982.
Së fundi në dritë doli edhe një datë tjetër e themelimit: data 16 janar 1982, një ditë para atentatit mbi Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin!
Data 16 janari dhe 17 shkurti 1982, flet për bashkim të PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së (me aktin e bashkangjitjes të OMLK-së më 15 maj 1982), për bashkim të datës 17 shkurt. Në të dy variantet e këtyre bashkimeve, mungon FRK- Fronti i Kuq Popullor dhe përfaqësuesi i tij!
(Ndërsa në takimin për bashkim më 17 janarit 1982, mungonte PKMLSHJ dhe përfaqësuesi i tij).
KOHA PËR DËSHMI
Përveq tre të rënëve më 17 janar 1982, të tjerët janë gjallë dhe, me një përpjekje fisnike për të dëshmuar historinë, që të shmangen „grindjet“ për data themelimi – është koha për dëshmi!
Sa më përket mua, mund të them për bashkimin e organizatave ato që më ka thënë Ibrahim Kelmendi gjatë bisedave për tragjedinë e 17 janarit. Gjatë viteve 1984-1985, në takimet e shpeshta pune që kemi pasur në Zvicër, e kryesisht në qytetin Biel-Bienne, më ka folur për të gjitha zhvillimet dhe përpjekjet për bashkim të tri organizatave dhe ngjarjet e ndodhura më 16 e 17 janar 1982. Ato të cilat i mi ka thënë I. K., i ka publikuar në formë elektronike, kryesisht në llogarin e tij në FCB, dhe në formën e shkruar duke e botuar veprën autoriale: “Atentatet“ (roman biografiko-historik) dhe „Lëvizja – Lindje e përgjakur“ (Bedri Islami: Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin).
Në vitin 1984- 1985, kam pasur qëndrim që tema për bashkimin e 17 janarit, jo pse nuk ishte apo ishte, ashtu siç dëshmonte I.K., por nuk ishte aspak koha e përshtatshme që të bisedohej dhe debatohej për këtë problem. Ishte kohë e ndieshme dhe tema e tillë rrënonte edhe atë punë që ishte bërë dhe bëhej për organizim politik, propagandistik dhe luftarak të Lëvizjes në dobi të çlirimit të Kosovës.
Në biseda edhe me bashkëveprimtarë të tjerë, I.K., e ka parë të arsyeshme që ta hesht këtë çështje në dobi të qëllimit kryesor.
add a comment