Vështrim/Analizë

Musa Krasniqi: SHQIPËRIA ETNIKE & MËRGATA = SHQIPËRIA ”BOTËRORE”

Serbia, Greqia, Maqedonia e Mali i Zi u krijuan mbi trojet tona, mbi masakra e gjakun e të parëve tanë, ndërsa Turqia mori miliona shqiptarë me veti.

Edhe pse ndër shekuj humbëm troje disa herë më shumë së ç’na kanë mbetur. Edhepse ndër shekuj humbëm aq shumë njerëz prapseprap jemi një komb i madh, por i ndarë territorialisht e politikisht në pjesë në Shqipërinë Etnike dhe të shpërndarë në tërë botën, në mërgim.

Jemi popull i veçantë në botë. Përveç se kufizohemi me vetëvetën, nga kufit që të tjerët na i kanë vendos brenda në Shqipërinë Etnike, Mërgata jonë përmban më shumë shqiptarë se sa vet Shqipëria Etnike. Në Turqi mendohet se janë 6-7 milion banorë me prejardhje të afërt shqiptare, por që janë afër asimilimit të plotë në turq.

Në Evropë dhe pjesën tjetër të botës, pa Turqinë, sot ka më shumë shqiptarë se sa që ka në Shqipërinë Etnike. Kjo pjesë e Mërgatës ende mund të llogaritet si shqiptare, por mund të ndryshoj nëse rrimë duarkryq.

Globalizimi Evropian dhe botëror po ndodh e do të rritet vazhdimisht. Ne me mençuri do të duhej me i parapri këtij globalizimi me integrim paqësor ndërshqiptar, në Shqipërinë Etnike para se gjithash e nga atje me Mërgatën e madhe Shqiptare. Hap pas hapi do të duhej te krijojmë lidhje të fuqishme funksionale gjithëshqiptare botërore. Në këtë mënyrë jo vetem që do të mbaheshin e ruhëshin ndjenjat e traditat kombëtare shqiptare, por ato do të rriteshin e shpërndaheshin edhe më shumë.

Teknologjia bashkëkohore na mundëson integrimin gjithëshqiptar, ruajtjen dhe ngritjen e ndjenjave kombëtare kudo. Sot, ka mundësi të mbahet gjallë, forcohet e zgjerohet shkolla e kultura shqiptare edhe nga largësia. Globalizimin duhet ta shfrytëzojmë si në aspektin kulturor dhe atë ekonomik. Na duhet plan konkret e largpamës. Kërkohet afrim e aktivizim institucional në vazhdimësi i njerëzve të mençur të kombit. Kërkohet ta kthejmë fatkeqësinë tonë historike në fatmirësi e gjallëri për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë. Kemi rastin t`i kthejmë padrejtësitë që na janë bërë në mundësi për të korrigjuar diçka e forcuar vetëvetën. Po vepruamë kështu deri diku do të ”shpaguhej” gjaku i dëshmorëve e martirëve të popullit tonë ndër shekuj. Vetëm së bashku, Autoktonia e Mërgata kemi mundësi t`ia dalim e t’i përballojmë sfidat e së ardhmes. Kemi shansin pëmes globalizimit ta ngrisim lartë Shqipërinë Etnike dhe Mërgatën që së bashku bëjnë Shqipërinë ”Botërore”…

Po e bëj një krahasim. Baza e një populli për mbijetesë është gjuha, edukimi, trualli dhe mbrojtja. Gadishulli Ilirik sot, do të kishte hartë tjetër demografike e politike po të lejohej gjuha e shkolla shqipe ndër shekuj nën Perandorinë Osmane. Të parët tanë do të dinin më mirë të bëheshin të zotët e vetit e të mbroheshin nga armiqtë, si në njerëz ashtu edhe në territore. Perandoria Osmane nga të gjithë popujt e pushtuar vetëm shqiptarëve ua ndaloi dhe mohoi gjuhën e shkollimin amëtar. Edhe sot 6 – 7 milion qytetarë me prejardhje shqiptare në Turqi janë pa shkolla e pa kulturë shqiptare, ndërsa në Kosovë rreth 3000 banor shqiptarë, të turqizuar më parë, kanë shkolla turke deri edhe në fakultet dhe e kanë gjuhën zyrtare turke! E bëra këtë krahasim, sepse me shqiptarët në Turqi kërkohet më e madhja punë. Çka mund të bëjnë sot ata 6 – 7 milion shqiptarë në Turqi dhe çka mund të bëjnë dy shtetet tona në Shqipëri (Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës) për ngritjen e tyre kombëtare. Askush nuk e ka hallin e tyre, Turqia jo se jo, por as këto dy shtetet tona shqiptare. Këtu do të duhej filluar shfrytëzimi i mundësive diplomatike e të globalizimit, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, shqiptarët e Turqisë do të duhej të inspiroheshin nga shqiptarët e turqizuar në Kosovë dhe nga arbëreshet në Itali për të fituar të drejtatë e tyre kombëtare.

Parakushtet e aktivizimit dhe mbajtjes gjallë të Shqipërisë ”Botërore”:

1 – Budallallëqet, marrëzitë e patologjitë politike të shqiptarëve e në mes shqiptarëve duhet të marrin fund. Shkaktarët e këtyre të metave nese nuk largohen vet, duhet t’i largojmë ne. Pra, parakushti themelor i mbarëvajtjes është normaliteti politik në Republikën e Shqipërisë e të Kosovës. Përndryshe punët si komb do t’i kemi shumë keq edhe në të ardhmen, si në Shqipërinë Etnike e padyshim edhe në Mërgatë.

2 – Të bëhet presion moral kombëtar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës si dhe nga Mërgata te shqiptarët në Maqedonin e Veriut, Serbi e Mal të Zi, që të kenë vetëm nga një parti politike shqiptare për të fituar numra maksimal deputetësh shqiptarë në ato tri vende me qellim përparimin e vazhduar të të drejtave kombëtare shqiptare e qytetare.

3 – Të ngriten si çështje që kërkojnë zgjidhje çështja e Çamerisë dhe e Sanxhakut.

4 – Ngritja e edukimit në baza të forta kombëtare e shkencore. Ngritja e shëndetësisë dhe ekonomisë në përgjithësi në Shqipërinë Etnike.

5 – Forcimi i ushtrive në dy shtetet shqiptare ëshë i domosdoshëm… Nuk mjafton vetëm antarësimi në NATO për sigurinë e Atdheut në vazhdimësi. Ndryshimet klimatike në të ardhmen do ta sfidojnë njerëzimin me përkeqësimin e burimeve jetësore dhe për pasojë rrreziku për luftëra lokale e rajonale do të jetë shumë i lartë. Tek e fundit secili anëtar i NATO-s e ka prioritet sigurimin e vetëvetes dhe nuk ka garanci që NATO është e përjetshme. Dihet çfarë fqinjësh kemi ne. Ata ende shpresojnë se një ditë do t`u vjen shansa për të na dhënë goditjen e fundit, të na zhdukin.

Përfundim. E gjitha duhet të fillohet nga shkollimi dhe edukimi i drejtë kombëtar. Këtu duhet të fillohet puna dhe investimi. Në qoftë se e marrim seriozisht dhe i shfrytëzojmë mundësitë e globalizimit si komb, në qoftë se e konsiderojmë Mërgatën, ashtu siç edhe ëshë, si pjesë e pandarë e kombit, do t’i plotësojmë edhe parakushtet dhe do e forcojmë Shqipërinë Etnike dhe shpëtojmë Mërgatën nga asimilimi. Kështu do ta krijojmë Shqipërinë ”botërore” funksionale dhe së bashku do të bëhemi të fuqishëm ndaj sfidave që na presin dhe do të mbijetojmë.

Po e bëmë këtë, kombi ynë do bëhet edhe më i madh, sepse do të bëhemi për lakmi. E kur të bëhemi për lakmi shumë nga të asimiluarit përmes feve në Turqi, Serbi, Greqi, Maqedoni e Mal të Zi do të lakmojnë e do të kthehen në gjirin e kombit të tyre…

27 dhjetor 2020