TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një vendim, që saktëson metodologjinë me të cilën njësitë e qeverisjes vendore duhet të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre, mënyrën sesi ato publikohen dhe standardizohen.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se “miratuam sot në mbledhjen e dytë të qeverisë një amendim të një VKM-je ekzistuese të vitit 2015, që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mënyrën sesi menaxhohen mbetjet, që nga gjenerimi i tyre deri në pikën fundore nga njësitë e qeverisjes vendore”.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që një mirë menaxhim kërkon të dhëna të sakta dhe VKM-ja që miratuam sot është një ri-amendim i një vendimi të vitit 2015 që saktëson metodologjinë për të parën herë sot me të cilën njësitë e qeverisjes vendore duhet të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre, mënyrën sesi ato publikohen dhe standardizohen”, tha Kumbaro.
“Për hir të së vërtetës”, shtoi Kumbaro, “situata që kemi në terren, në momentin që duam të fusim instrumente menaxhimi të mirë të kontrollit të territorit, përsa i përket mbetjeve, ndeshet me burime informacioni kaotike, që vijnë qoftë nga njësitë e qeverisjes vendore, qoftë nga operatorët në terren, qoftë nga bizneset në terrene të këtyre bashkive, qoftë nga INSTAT”.
“Ka qenë një punë e gjatë e bërë nga ministria e Mjedisit në këto kohë për kryqëzimin e të gjitha këtyre të dhënave dhe sidomos propozimin me VKM-në e sotme të një metodologjie të unifikuar për të gjitha bashkitë në territorin e Republikës së Shqipërisë, që do të na japë një tablo më të qartë. Dhe jo vetëm metodologjinë e përllogaritjes, të detyrueshme për çdo bashki, por sidomos edhe detyrimin për t’i bërë publike statistikat e mbetjeve në territor”, theksoi Kumbaro.
“Është ky një instrument me të cilin do të mundësojmë një menaxhim më të mirë të mbetjeve që nga njësia bazë vendore, deri tek ndërtimi i infrastrukturave të menaxhimit të mbetjeve në territor dhe për të plotësuar kështu rolin e Ministrisë së Mjedisit, si një normues, por edhe monitorues i kësaj situate”, tha Kumbaro.
“Me angazhimin e qeverisë për të ndjekur me prioritet një ndër objektivat më kryesorë dhe pse të mos themi objektivi kryesor i kësaj periudhe që ka të bëjë me pastrimin e territorit. Nuk bëhet dot kjo, as vetëm nga bashkitë, të cilat herë nuk kanë kapacitetet, herë nuk dinë si ta përllogarisin. As vetëm nga Ministria e Infrastrukturës që ndërton infrastrukturën, as sidomos vetëm nga Ministria e Mjedisit”, nënvizoi Kumbaro.
“Kjo metodologji që miratuam sot fut në shina dhe na jep një tablo të qartë, qoftë për ju si medie apo për opinionin publik, qoftë për ne si politikbërës, qoftë edhe për administratorët në terren. Me hyrjen në fuqi kjo do të shoqërohet me një paketë trajnimesh të të gjithë njësive vendore për ta ndjekur, jo çdo muaj, por çdo javë dhe çdo ditë nga Ministria e Mjedisit situatën në terren, duke filluar nga kjo javë”, përfundoi Kumbaro. /a.a/