Shqipëria/Aktualitet

Porti i ri në Porto Romano: 5 kompani ndërkombëtare paraqesin propozimet teknike

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ 5 kompani ndërkombëtare paraqitën sot propozimet për ndërtimin e portit të ri në zonën e Porto Romanos, në Durrës.

Ato janë kompania spanjolle “Tipsa”, kompania franceze “Altea GEO Studio”, “Royal Haskoning DHV” me seli në Holandë, konsorciumi “Technital S.p.A”, me seli në Itali; “SEED Consulting” dhe “Atelier 4” me seli në Shqipëri, si dhe bashkimi i 4 kompanive “Artelia”, Yuksel Proje”, “F&M Ingeria” dhe “Ice”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se në fazën e parë paraqitën interes 14 kompani ndërkombëtare, ndërsa u përzgjodhën 5 prej tyre.

“Këtu nuk flitet thjesht për portin e një shteti të vogël, por për një port me rëndësi të veçantë rajonale, i cili synon të ndryshojë konceptin e tregtisë detare, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Do të reflektojë zhvillimin ekonomik jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan”, deklaroi ministrja.

Industria detare, tha ministrja, ka qenë pjesë e jetës së shqiptarëve mijëra vite më parë.

“Ai është një nga portet më të vjetra në të gjithë basenin e Mesdheut. Ka referencat e tij në shkrimet antike dhe ne jemi krenarë për këtë”, deklaroi Balluku.

Me zhvillimin e madh që vendi ka patur, vijoi ministrja, sot Durrësi duhet të kthehet në destinacion evropian.

Porti aktual, theksoi Balluku, krijon problematikë për qytetin duke na mbajtur edhe ne të frenuar sa i përket mundësisë së zgjerimit të industrisë detare dhe krijimit të një zone bashkangjitur së cilës do të jetë edhe zona ekonomike e cila mungon sot.

“Ky hap u shoqërua edhe me një projekt tjetër, zhvillimin e një marine elitare edhe një balline ujore, e cila do të konkurrojë të gjitha investimet e fushës turistike dhe të ndërtimit në kryeqytete të tjera evropiane apo edhe mbarë botën”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, këto dy projekte të integruara që mbulojnë të gjithë industrinë detare, nga sektori i jahteve, terminalit të kontejnerëve, mineraleve etj., janë dy komponentë të rëndësishëm që duhet të ecin në mënyrë paralele.

“Sa më parë arrijmë e hedhim hapa për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, aq më shpejt ne i hapim rrugën ndërtimit të Porti të ri të Durrësit, të kësaj marine elitare për të kthyer Shqipërinë në një hotspot për të gjithë Mesdheun dhe Evropën”, shtoi Balluku.

Ministrja vlerësoi edhe faktin që kompani të mëdha ndërkombëtare kanë zgjedhur të punojnë edhe me kompani shqiptare.”Ne shpresojmë që këto kompani të kenë mundësi të përcjellin jo vetëm dijet por edhe atë që ne ndiejmë, krenarinë për zhvillimin aktual në vend dhe planet për Shqipërinë 2030”, tha ajo.

Kompania që do të shpallet fituese do të ketë afat kohor 6 muaj për të paraqitur projektin e detajuar dhe më pas nis një garë tjetër ndërkombëtare, ajo për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në zonën e Porto Romanos.

/j.p/r.e/

Postimet e fundit !