Histori

Mehmet Bislimi – Prekazi: Heroi Isa Boletini që luftonte për një Shqipëri të bashkuar në një shtet

Isa Boletini
(1864 – 1916)

” N’është se Evropa nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani
nuk do të ketë kurrë qetësi, dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë
përherë deri sa të çlirohemi!”…

Isa Boletini, kjo figurë markante, që zënë vend të pa diskutueshëm në historinë e popullit
shqiptarë krahas atyre që dhanë aq shumë për lirinë e atdheut si Prishtina, Curri, Gurakuqi,
Qemali, Seferi e shumë të tjerë. Isai, u rritë me armë në dorë, jetoi me te, dhe përplot një jetë
rrugëtoi me te, drejt shtigjeve të lirisë së atdheut. Lindur dhe rritur në Boletin të Mitrovicës,
në një familje atdhedashëse, gjyshi i tij Murseli dhe i ati Ademi, nuk kishin pushuar kurrë së
reshturi për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Në kushte dhe rrethana të atëhershme
shoqërore, politike, ekonomike, por edhe rrethana tjera të traditës u rrit, burrërua dhe u kalit
Isa Boletini i cili tërë jetën e vet ia përkushtoi çështjes së atdheut.
Fuqitë Evropiane me vendimet e tyre të mbrapshta, rënduan edhe më shumë pozitën e
shqiptarëve, duke mohuar të drejtën tonë për vetëvendosje, duke ndarë tokat tonë në favor të
shteteve fqinje! Mbledhja e zezë e Shën Stefanit, pasuar nga ajo e Kongresit të Berlinit (13
qershor 1878), i vunë thikat e grabitjes mbi tokat tona, megjithatë, populli ynë kurrë nuk u
pajtua me fatin tragjik të ndarjes së tokave shqiptare. Kështu, nën trysninë e këtyre rrethanave
edhe Isai, iu bashkëngjit rrugës së përpjekjeve për çlirimin e atdheut. Ai për herë të parë me
armë në dorë u ndesh kundër pushtueseve tanë në betejën e Slivovës në vitin 1881, si të
thuash, ai për herë të parë aty, ndjeu erën e barotit që e përcolli atë tërë jetën.
Isa Boletini, përkrah figurave të mëdha të kombit tonë, me armët e lirisë, goditen në shtat
lubitë e Hafëz, Mehmet, Qyrdi, Hilmi, Shemsi, Magjar e Turgut Pashave. Goditen Sulltan e
Krajl gjakatarë, ndërkaq më armën e diplomacisë, goditën Portën e lartë, Serbinë, Malin e Zi,
Rusinë… befasoi Vjenën, Selanikun, Parisin, Bukureshtin, Londrën e deri në Uashington! Isa
Boletini, luftoi pa kompromis kundër serbëve dhe malazezëve pushtues e tinëzarë, të cilët për
ta thyer Isanë e sulmuan me dhjetëra herë, duke ia djegur edhe shtëpi e katandi!…
Isa Boletini, me shërbimin e tij që i bëri atdheut, kullën e tij e shndërroi në kullë Legjendë. Së
bashku me kullën, po rritej edhe emri dhe heroizmi i tij dhe i popullit shqiptarë në përgjithësi,
që po vritej e pritej për lirinë e vet.
Përpjekjet e një pas njëshme të armiqve tanë të ndryshëm, me dhelpëri e diplomaci për ta
komprometuar Isain, duke i ofruar atij ofiqe të larta, pasuri, flori, tokë e jetë Pashai, sikur
shkuan kot, pasi që Isai kurdoherë ua priste shkurt dhe qartë, duke iu thënë:
“ Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim dhe për lirinë e
popullit tim!”…
Me gjithë presionet që i bënë Isait, duke e mbajtur pengu në Turqi, ai asnjë herë nuk hoqi dorë
nga lufta për çlirimin dhe bashkim kombëtarë. Ata provuan me joshjet e tyre, me pasuri e
dredhi, se mos Isait po ia mbushnin mendjen të qëndronte përherë në Turqi, mirëpo, jo, Isai si
gjithmonë i prerë dhe i qartë, ju thoshte:
“ Ju falëm nderit për “kujdesin” që po m’tregoni për mua, por ma i mirë ashtë për mua
Boletini im me ata gurë e kepa, se sa e tanë Stambolla!”…
Boletinin, lufta për liri të atdheut e bëri strateg dhe diplomat. Ai artin luftarak e përsosi me
pushkë në dorë, kurse artin e diplomacisë e mësoi nga tribuni Hasan Prishtina, Bajram Curri,
Imail Qemali, Luigj Gurakuqi etj. Aftësia e Isait prej luftëtari, dhe modestia e tij më se
njerëzore e bëri atë më të afërt dhe më me ndikim tek masat e gjëra popullore. Prandaj Isai,
organizonte kurdoherë dhe pa as një kundërshtim masat e gjëra popullore. Isa Boletini,
posedonte dhunti prej luftëtari, strategu e diplomati, pa dyshim dhunti prej tribuni popullor.

Isai kontribuoi fuqishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave tek populli ynë atë
kohë, me qëllim që të krijojë një unitet sa më të gjerë popullor. Këtë e kishte bërë, duke u
nisur nga shembulli i vet personal. Në një kuvend që e kishte thirrur Isai, ishin tubuar shumë
burra të asaj ane. Isai vërejti se aty po mungonte Ahmet Shtitarica dhe pyeti:
Burrani, ku është Ahmeti?. I thanë se nuk kishte pasur guximin të vinte, nga se ia kishte borxh
gjakun! Ta sillni këtu menjëherë!- urdhëroi Isai, duke shtuar:
“Gjak borxh sot na ka vetëm anmiku ynë, ne jena vëllazen e duhena me u bashkua e me
dek për liri të vatanit!”…
Isa Boletini, ndër beteja të pa rreshtuar e detyroi disa herë portën e lartë që të bëj lëshime. Ai
e pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, duke likuiduar edhe konsullin e saj Grigori
Shçerbinin të cilin e vrau luftëtari i shquar i lirisë Ibrahim (Halit) Popoci nga Gjilani.
Në pamundësi të përvetësimit të Isait, xhonturqit e vunë përpara një sërë sprovash të rënda,
madje edhe duke ia marrë të dy djemtë peng, Halitin dhe Tafilin.
Isai i palëkundur me këtë rast u përgjigj:
” Jam ba gati që të dy djemtë e mi t’i bëj kurban për atdhe, por jo edhe me ia puthun dorën
anmikut të atdheut tim!”…
Isa Boletini së bashku me Idriz Seferin, Ramadan Zaskocin, Hasan Ferrin, Dem Jusufin, Elez
Hoxhën, Hasan Hysë Budakovën e shumë trima të tjerë, morën pjesë në dhjetëra beteja për
shpëtimin e atdheut, ndër betejat më të përgjakshme ishte ajo e grykës së Carralevës. Në këtë
betejë Isai tregoi aftësitë e një strategu të vërtetë. Me 18 maj 1912, në një kuvend që u mbajt
afër Vushtrrisë, ku ishin tubuar edhe krerë nga Dibra e Shkodra, madje ishte prezent edhe vet
sekretari personal i Ismail Qemalit, Isai mbajti qëndrim të prerë:
” Asht i domosdoshmeni zgjanimi i kryengritjes sonë në tokat shqiptare, sot nuk ka me ba
sehir, të tanë duhet me luftua që të çlirohemi sa ma parë!”…
Lubitë Osmane, Isa Boletinin e rrethuan disa herë me qëllim që ta likuidonin, ndodhte që Isai
edhe plagosej në luftë, por që kurrë nuk dobësohej morali i tij luftarak. Ishte i pa thyer dhe
shokëve u jepte kurajë siç e thotë edhe kënga popullore:
Po i lidh plagët me maramë
bini shokë ta bajmë piskamë
jem shqiptarë s’dorzohna t’gjallë
pa na ra zjarmi në qafë…
Me 1912 Edit Durham shkruan:
”Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh i cili donte
pafundësisht lirinë e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk urrenin popujt e tjerë, thjeshtë,
ata dëshironin lirinë për popullin e vet!”…
… Ismail Qemali, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së cunguar, kur mori
lajmin se po vinte Isa Boletini, mori flamurin dhe i doli vet përpara, duke i thënë:
” I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për pavarësinë e Shqipërisë!”…

Në prill të vitit 1913, delegacioni ynë mbërriti në Londër, ku po zhvillohej Konferenca e
ambasadorëve. A. Herbert shkruan:
“Isa Boletini ishte figura më piktoreske e këtij delegacioni dhe e quajti atë Robin Hudi
shqiptar!”…
Në maj të atij viti, Isa Boletini u shpreh qartë edhe kundër vendimeve të kësaj konferencë
duke ju thënë:
” N’është se Evropa nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani
nuk do të ketë kurrë qetësi, dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë
përherë deri sa të çlirohemi!”…
Në kohën kur ushtria Austriake po përgatitje për të pushtuar Podgoricën, forca të mëdha
policore malaziase të ndihmuara edhe nga konsullata Franceze, tradhtisht e vranë Isa
Boletinin me 23 janar 1916 së bashku me dy të bijtë e dy nipat, si dhe me shokët e tij, si:
Hajdar e Idriz Radishevën dhe Nesim Nimanin. Vrasja e pa besë ia ndërpreu Isait jetën në
kulmin e veprimtarisë së tij luftarake dhe diplomatike. Kur u vra Isa Boletini, ishte vetëm 52
vjeçar! Ai sfidoi të gjitha kurthet që armiqtë ia kishin përgatitur, dhe me guxim vazhdoi së
marshuari drejt rrugëve të lirisë. Ai kundërshtoi fuqishëm vendimet e pa drejta të Konferencës
së Londrës për copëtimin e tokave shqiptare, në dobi të shteteve grabitqare fqinjë.
Ai thoshte:
” Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia!”…
Me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në 1962, shteti Shqiptar Isa
Boletinin e shpalli Hero të popullit!
23.01.2023
Mehmet Bislimi