Vështrim/Analizë

Mehmet Bislimi: Perceptimi aktual

Dallimi mes një shoqërie ku vlerësohen vlerat, dhe një shoqërie ku përbuzën ato, është shumë i madh… Përbuzja është ndër veset më të liga!

Nëse perceptimi aktual skicon klasën politike gjithandej tokave shqiptare, atëherë është i pashmangshëm zhgënjimi i prurjeve të dëshiruara përgjatë këtyre dy decenieve e ca. Me gjithë emocionet e pajustifikueshme, kasta politike kalëruar nëpër kohë, kohë kjo e bartur mbi supet e të gjitha ngjyrimeve politike, pa përjashtim, nuk bënë ndonjë dallim për të qenë, veç përmbushjes së premtimeve, që ishin bërë para fanatikëve që jargojnë për kundërvënie, jo më shumë së kaq dhe vetëm kaq! Është për keqardhje për qëndrimin e pandreqshëm të qytetarit tanë, që ende po vuan nga varësitë naive prej militanti fanatik- politik, sa keq, ves ky që nuk u ndreq, as sot e mot!…

Që nga e kaluara e deri tek e nesërmja, në mënyrë analoge, gjatë gjithë këtij rrugëtimi sikur na ka përcjellë një psherëtimë e mëdyshjes dhe zhgënjimit të bazuar përballë operatorëve tanë politikë, opusi filozofik i të cilëve nuk ka çka të ofroj më shumë. Peshuar me kandarin e paanësisë, rruga politike, kalorësit dhe kalëruesit e saj, Kosovën e shpunë deri atje sa të krijon përshtypjen e papërgjegjësisë së shtet-bërjes, e cila nuk mund të jetë e plotë pa forcimin e ligjit, mëkëmbjes ekonomike, pacenueshmërisë territoriale, morale, politike, kombëtare, përgatitja diplomatike, strategjia për të udhëhequr dhe zhvilluar shtetin, sigurinë e qytetarit, fuqinë vendimmarrëse mbi dukuritë negative që po vrasin Kosovën dje e sot etj.

Jo, fatkeqësisht jo, shkarjet e njëpasnjëshme nuk ta forcojnë bindjen deri në atë shkallë sa qytetari ynë të mos ndihet me krenari të vrarë pa fajin e tij përderisa nënvlerësohet kontributi i tij në shërbim të atdheut, parlamentarë, po trashet fodullëku, sa nuk po e mbanë jastëku!

Përkundër vullnetit të mirë, në përditshmërinë tonë po forcohet përshtypja e një ndjesie inferioriteti përballë problemeve të shumta të cilat duan trajtim të veçantë dhe emergjent.

Ky kompleks varësie në shoqërinë tonë, sikur ka kaluar në rutinë të politikëbërjes sonë e cila nuk e vret më ndërgjegjen e bartësve të saj. Fatkeqësia qëndron në faktin se; pozitë- opozitë, shoqata, OJQ e çka jo tjetër, të gjitha këto së bashku valojnë në vorbullën e dështimeve të njëjta, që Kosovës i kanë kushtuar pafundësisht shumë, madje nuk ka fuqi e forcë premtuese që mund të zhbëj kohën dhe dëmin që pësuam, pushtetarë, po trashët fodullëku!…

Qasja nga një këndvështrim tjetër, pa dashur të përvetësoj të drejtat e rezervuara të dyshimit mbi atë që është bërë dhe mbi atë që ka mundur të bëhet, sigurisht edhe mbi këtë që aktualisht po bëhet, na shpie në evokimet afirmative të momentit të cilat nuk ofrojnë më shumë së një mundësi për të gjykuar; nëse kemi më shumë të drejt të besojmë, apo të dyshojmë- kjo është për t’u thënë: deri më tani, vetëm sa po shtohet fodullëku politik, or shok, or mik!…

E vetëkuptueshme, rendi i ri e do që „politika moderne“, të ketë edhe fërkimet e saja të cilat do të qojnë pakontestueshëm drejt finalizimit të qëllimit rikuperues të gjithë asaj, që e keni vrarë dhe po e vrisni nëpër kohë me papërgjegjësitë tuaja përballë vlerave të lirisë- a do të arrihet kjo një ditë, me sa po duket, jo, asnjëherë, urtësia filozofike e thotë aq bukur:
Nuk mund të lahesh dy herë në ujin që lëvizë, nuk mund të çlirohemi dy herë, nuk mund ta bëjmë shtetin dy herë, nuk duhet ta vrasim çlirimtarin dy herë, mjerisht këtë po e bëjmë!…
Kaq e thjeshtë:
Dallimi mes një shoqërie ku vlerësohen vlerat, dhe një shoqërie ku përbuzën ato, është shumë i madh… Përbuzja është ndër veset më të liga!


Postimet e fundit !