Vështrim/Analizë

Mehmet Bislimi: Larg euforisë!

Larg euforisë!

Ngushëllime të përzemërta familjes Bunjaku, Kosovës për birin e saj, policisë së Kosovë për kolegun e tyre shembullor!

     Qeveria e Kosovës, para elektoratit dhe popullit të Kosovës, obligohet të mbrojë pacenueshmërinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovë. E obligon Kushtetuta e Kosovës dhe betimi i tyre në Parlamentin e Kosovës me rastin e marrjes së detyrës.
Në këtë aspekt, as më pak dhe as më shumë, Kryeministri, Presidenti dhe e tërë Qeveria me ministrat përkatës dhe deputetë e kanë obligim të jenë në krye të detyrës, në mbrojtje të interesave të atdheut dhe të qytetarëve të saj, të pasurisë dhe sigurisë tonë.
Populli i Kosovës është, ka qenë dhe do të jetë kurdoherë gati për t’i dalë zot atdheut!

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim të ndërtoj raporte fqinjësie të mirë me të gjithë ata që duan, respektojnë dhe kultivojnë fqinjësi të sinqertë, njëkohësisht obligohet që në mënyrë të prerë të sillet me monedhë të njëjtë përballë të gjitha shteteve fqinje që nuk i respektojnë këto rregulla dhe obligime të caktuara me konventa ndërkombëtare.
Shtetet, të cilat në mënyrë arrogante dhe me veprime terroriste shkelin, përçmojnë dhe përdhosin fqinjësinë e mirë, siç është Serbia në këtë rast, dhe kjo nuk është ndonjë risi. Serbia ishte dhe mbeti ajo e para një shekulli, që kundër fqinjëve të vet shkaktoi ploje gjaku, duke i sulmuar ata gati në çdo kohë si luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Kosovës, konflikti me Malazezët e kështu me radhë. Kjo dihet botërisht, prandaj bota progresive nuk do duhej të ishte kaq inferiore, Serbia ishte dhe mbeti agresori kryesor në Ballkan, prandaj agresorin duhet dënuar që t’i thërras mendje, dhe jo mikluar, siç po e miklon BE, Serbinë në këtë rast për vite me radhë!…

Qeveria e Kosovës, institucionet dhe politikë- bërësit, duhet të bëjnë shtetin, dhe nuk guxojmë të presim më tej. Mbi 24 vite, lojë me sovranitetin tonë, duke cenuar e përdhosur çdo gjë që ka të bëj me shtet-ndërtimin tonë, është agresori njëjtë- Serbia!, jo kjo nuk do të duhej të lejohet më, dhe nuk është dashur të lejohet deri në këtë shkallë! Kjo pozitë amorfe për 24 vite, krijon përshtypjen e një pa zotësie për të bërë shtetin sovran.
Sot, kur janë në pyetje mbrojtja e interesave të atdheut, kurrë nuk kemi qenë më të gatshëm dhe më të unifikuar se tani, Jo Qeveria e Kosovës, nuk duhet të ndalet me kaq, nuk duhet të tërhiqet, përndryshe del joserioze në vendimmarrje, dhe e lajthitur në veprime, në çdo rrethanë tjetër, tërheqja e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga vendimet e marra e bënë atë të papërgjegjshme.

Ne, duhet dhe jemi të obliguar të zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit me përpikëri, si:
Njohje të ndërsjellë të tabelave të makinave, obligimet tatimore, pagesa e faturave të rrymës në veri të vendit, shërbimet tjera komunale, njohja e pasaportave dhe dokumenteve tjera të udhëtimit, njohja e diplomave, shtrirja e sovranitetit cep me cep të Kosovës, unifikimi i plan programit arsimor, njohja e simboleve shtetërore, lëvizja e lirë e qytetarëve, të drejtat e njëjta për etnitë, si në veri ashtu edhe në lindje të Kosovës si në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc. Përmbushja e obligimit të saj për të zhdëmtuar dëmet e luftës, kthimi i dokumenteve Kadastrale, balancim në qarkullimin e mallrave, kërkim falja dhe zhdëmtimi i të dëmtuarve gjatë luftës, kthimi i të zhdukurve dhe njohja e ndërsjelle. Në këtë pikë, nuk ka dhe nuk duhet të ketë kthim mbrapa. Ne, nuk kemi më kohë të sillemi kaq komod e papërgjegjshëm; se mos po ia prishim qejfin Serbisë dhe udhëheqësve të saj politik aktual, jo dhe çdo lëshim e kthim prapa tani, do të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë të mbrojmë sovranitetit dhe territorin e Republikës së Kosovës dhe pacenueshmërinë e saj, pavarësisht kush është duke qeverisur sot e kush do të qeverisë nesër në Republikën e Kosovës. Si çdo popull në botë, që i del për zot shtetit dhe atdheut të vet, as ne nuk bëjmë ndonjë përjashtim, duam dhe do ta bëjmë shtetin tonë, respektojmë shtetet fqinje, dhe as më pak e as më shumë se kaq!

Tani shtypi i përditshëm, në veçanti disa nga këto portalet e çoroditura dhe shpifëse, analistë dhe injorantë të tërë, nuk do duhej të krekosën si kaposhët mbi pleh, dhe të këndojnë sipas motit, si:
” Ëëëë, Albini ia bëri Serbisë bllokadë, vetëm ai i përgjigjet Vuqiçit, Albini e bëri këtë dhe atë, Vjosa nuk i trembet dhe vetëm ajo ia mbledh Serbisë!” e dokrra tjera. Situata është më serioze së kaq, dhe nuk është koha për gara e lojëra fëmijësh…

Nga ana tjetër, pakurrizorët, gjithandej shkruajnë së Albini do të na fus në luftë, ka për ta zhbërë shtetin, po do që të shmang bisedimet, ka futur në rrezik veriun e Kosovës etj.

Të gjithë ne, e kemi borxh për t’i dalë atdheut zot, dje, sot e nesër, atdheun duhet ta bëjmë e mbrojmë vet. Pa hamendje, respektojmë miqtë tanë ndërkombëtar të cilët kanë gjykuar dhe po gjykojnë drejt për shtetin e Kosovës.

Diaspora, pa asnjë hamendje mbështet atdheun e vet me gjithë kapacitetin e vet që ka, si edhe në të kaluarën e gjithmonë, që nga kohët e largëta, kur Kastrioti mblodhi parinë në Lezhë e Krujë! Diaspora ka dhënë së fundmi mbi 300 dëshmorë për atdhe, gjithmonë duke qenë shembulli më i mirë, duke treguar gatishmëri dhe atdhedashuri të sinqertë.

Vetëm këtë verë, diaspora i ka dhënë atdheut mbi një milion përqafime, ka dhuruar atdheut miliona dashuri- Kosovë, zemra jonë, bijtë tuja janë përjetësisht me ty, Kosovë, shpirti ynë pushon i qetë vetëm në gjirin tënd!

Kosovë të kemi në zemër, të kemi në shpirt, na duhen vetëm 24 orë për të qenë tek vatra jonë, aty ku kemi lindur, aty ku kemi me e lënë shpirtin tonë si dhuratë shekullore për aspiratat tona shekullore- Kosovë, jemi bijtë tuaj që nuk ta kthejmë shpinën asnjëherë.

Kosovë nëna jonë zemërmadhe, Trimit Afrim Bunjaku, pusho i qetë në zemër të atdheut!