AVNI RRUSTEMI
(1895 – 1924 )
Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre
burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që
ushqenin dhe ndihmonin përçarjen e vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin
pushtuesve tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukë e
“pushtet” nën tutelën e pushtuesve, pushtet nën pushtim!
Avni Rrustemi, lindur në Libohovë, në vitin 1895 në gjirin e një familjeje atdhetare me tradita
të lashta përparimtare. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen e tij. I etur për dituri, mësimet
i vazhdoi në normalen e Elbasanit e më pas edhe në Shën Mitër Korone, ndërkaq studimet e
larta për pedagogji i ndoqi në Universitetin e Romës.
Avniu, biri i Libohovës dhe i Shqipërisë, atdhetar dhe i patundur me orientime demokratike të
kohës, duke parë gjendjen e rëndë ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, ai „u shkri si qiriri“,
i Namit i gatshëm për të dhënë çdo gjë nga vetja e tij si shembull i brazave djaloshare të
kohës, qëllimi i të cilit ishte edukata e gjeneratës së re, e cila po rritej në një frymë krejtësisht
përparimtare për t’i dalë zot shqiptarisë.
Avniu, me kohë i kuptoi më mirë dhe më qartë nga të tjerët qëllimet grabitqare të shteteve
fqinje të cilat hapur e fshehur po synonin ri copëtimin e Shqipërisë, për fat të keq e gjitha kjo
me mbështetjen dhe qëndrimin antishqiptar të disa prej Fuqive të Mëdha, të cilat nën ndikimin
e Rusisë Cariste po mbyllnin njërin sy para invadimeve serbe, greke e bullgare në territoret
shqiptare. Në këtë mes, edhe me qëndrimin e “imzanë” e Portës së lartë, e cila për më se pesë
shekuj shqiptarëve ua kishte sjellë diellin mbi kokë! As një hap mbrapa Portës së lartë, nuk
qëndronte as politika e Evropës plakë…
Duke vërejtur e përjetuar këtë përballje me këtë gjendje të rëndë, Avniu dhe bashkëluftëtarët e
tij, nuk po rrinin duarkryq, ata kishin mobilizuar të gjitha forcat e veta dhe së bashku me
rininë djaloshare po vepronin anë e kënd atdheut të shqipeve në mënyrë, që një ditë të afërt të
ishin gati për t’i dalë atdheut zot. Avniu, ishte atdhetar, demokrat, revolucionar dhe
intelektual, i cili çështjen e atdheut e kishte vënë mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën e tij. Ai,
duke e ndier si nevojë të kohës që djemtë atdhedashës t’i mobilizojë dhe t’i ketë kurdoherë të
gatshëm, për të qenë pranë e pranë, themeloi Shoqërinë Demokratike „Bashkimi“. shumë nga
pikat e atij programi edhe sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin e tyre. Ai ishte
pjesëtar i denjë i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare mu në prag të Revolucionit
Demokratik Borgjez të Qershorit të vitit 1924. Ishte kjo Qeveria e parë Demokratike në
Ballkan e më gjerë që udhëhiqej nga bijtë më të devotshëm të shqiptarisë në krye me Fan
Nolin e madh.
Avniu, punoi si mësues në Libohovë, pastaj në Tragjas të Vlorës, në Tepelenë e në Vlorë etj.
Ai, ishte rreshtuar me kohë në mjedise atdhetarësh, që po përpiqeshin e luftonin me pushkën
krahut për të zmbrapsur lakmitë e armiqve te Shqipërisë si dhe për të penguar përçarjen e
vendit nga agallarë e bejlerë dritëshkurtër të asaj kohe, të cilët i kishte verbuar lakmia për
prona e pushtet. Qëllimet e Avniut dhe bashkëmendimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij, ishin të
prera dhe të çarta: liria dhe pavarësia e tërësisë tokësore shqiptare mbi të gjitha, qëndresë,
luftë dhe përpjekje për Shqipërinë e lirë, sovrane e demokratike, që do të jetonte në fqinjësi të
mirë me të gjitha ato shtate që do ta respektonin parimin e vlerave universale ndërkombëtare.
Në vitin 1908, braktisi bankat shkollore dhe iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit. Më 1910,
Avniu me kobure në dorë bëri përpjekje qe ta qëronte nga faqja e dheut, edhe gjeneralin
otoman, gjakpirësin Shefqet Turgut Pasha, komandant i ekspeditës turke në Shkodër. Atëbotë,
Ishte në moshë fare të re, por me veprimin tij të guximshëm, ai tregoi se si duhet të
„dekorohen“ pushtuesit e tokave shqiptare dhe tradhtarët e vendit! Ky ishte një frymëzim i
mirë për të gjithë popujt e pushtuar e në këtë kontest edhe për ne, që për liri dhe bashkim të
vendit jemi përpjekur pareshtur ndër vite deri tek ditët e sotme, ku shumë bijë të devotshëm
kanë ndjekur rrugën e Avni Rrustemit, Çerçiz Topullit, Ramadan Zaskocit, Mic Sokolit, Vasil
Laçit, Vojo Kushit, e dhjetëra bijve tanë të devotshëm, që u flijuan për atdhe! Në vitin 1914, u
radhit në radhën e forcave çlirimtare të vendit, që për pikësynim kishin çlirimin e Jugut të
Shqipërisë nga pushtuesit grekë, të cilët ishin futur në tokat tona! Më 1918, Avniu e mori
edhe një nismën për themelimin e Shoqërie atdhetare të të rinjve nga Vlora, që e pagëzoi me
emrin: „Djalëria e Vlorës“. Drejtimin e shoqërisë e mori përsipër vet, dhe pa humbur kohë së
bashku me bashkëveprimtarët e tij u vunë në një lëvizje të shpejt në mënyrë që më 28 Nëntor
1918, të organizonin një demonstratë të fuqishme kundër pushtuesit Italian, dhe këtë e arritën
me sukses. Një vit më vonë, pra më 1919, në Shën Mitër, ai themelon edhe; „Lidhjen Rinisë
Shqiptare“ e cila kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare etj.
Aktin madhor historik dhe heroik, Avniu e kreu më 13 qershor 1920, kur me atentat vrau në
Paris Esat Pasha Toptanin, krye tradhtarin e vendit, veglën e shteteve fqinje, njëkohësisht
edhe të fuqive të huaja dhe shitësin e interesave të Shqipërisë, me këtë akt trimërie Avniu
tronditi Konferencën e „Paqes“ në Paris dhe prishi planet që bëheshin për ri copëtimin e
Shqipërisë edhe ashtu të përgjysmuar! Ky akt heroik e historik i Avniut, që ekzekutoi në mes
të Parisit tradhtarin e kombit Pasha Toptanin, ishte akt atdhetarie e vendosmërie që do t’iu
binte kokës të gjithë atyre që do të guxonin të bënin pazar në dëm të tokave shqiptare!
Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre
burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që
ushqenin dhe ndihmonin përçarjen vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin pushtuesve
tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukë e “pushtet” nën
tutelën e pushtuesve! Ai, në këtë mënyrë i tregoi botës se dora e popullit do t’i arrijë tradhtarët
e kombit edhe përtej diellit!
Gjyqin e Parisit, që iu ngrit për ta dënuar atë, ai e shndërroi në një tribunë politike, ku mbrojti
me konsekuencë të drejtat shqiptare, duke fituar kështu simpatinë e qindra intelektualëve të
kohës, të cilët u solidarizuan me qëllimin e lartë të veprës së Avniut dhe me të drejtën e
popullit shqiptar për të qenë i lirë në tokat e veta. Nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë
organizoheshin tubime e manifestime në shenjë përkrahjeje për Avniun; me të vetmen
kërkesë: „LIROJENI DJALIN TONË!”- tradhtarët plumbin kanë hak!…
Avni Rrustemi dhe populli shqiptar e fituan edhe këtë gjyq. Në dhjetor të vitit 1920, Avniu
kthehet në Shqipëri. Masat popullore liridashëse e pritën me entuziazëm, e pritën si një hero të
vërtetë. Ai për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vet në shërbim të atdheut.
Ai nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike – përparimtare dhe çlirimtare,
por edhe njëri ndër ideologët më të shquar të saj. Idetë e tij të publikuara, një herësh u bënë
edhe armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike shqiptare dhe të masave të shtypura. Idetë
e tij për përparimin e vendit ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku
edhe u zgjodh deputet nga populli i ish prefekturës së Kosovës. Ai mbrojti me guxim e zjarr
traditat luftarake të popullit tonë, përpjekjet e të drejtat e tyre për t’u çliruar nga zgjedha
serbo-sllave dhe greke, për të jetuar të lirë dhe të bashkuar- ashtu siç jetojnë popujt e tjerë të
botës së lirë e përparimtare. Forcat e errëta Monarkiste, përgatitën likuidimin e Avniut, ai ra
me 22 prill, të vitit 1924, ra për të mos rënë kurrë!…
22-04-2021
Mehmet Bislimi