Vështrim/Analizë

Mehmet Bislimi: Ç’është kjo përditshmëri sharjesh

Kjo përditshmëri sharjesh!

Për fat të keq në kohën e sotme të rendit shoqërorë me demokraci të avancuar “moderne”, sikur është ngatërruar parimi i vlerave të mirëfillta, ku ka humbur lëmshi dhe fija, ku shajnë njëri-tjetrin, mbrëmje dhe mëngjes, shajnë e nuk ngopën me të shara e të palara, shajnë sahanlëpirësit e të ligjtë, shajnë e nuk prajnë, shajnë aq ulët e aq pistë!…

Nuk e kam të qartë, nëse kjo “kulturë” sjelljeje nënkupton “rendin e ri demokratik” të shoqërisë sonë, që lejon paraqitje kaq të papërgjegjshme, madje shtrohet pyetja së cili është koeficienti i kulturës ku peshohen mirësjellja dhe harbutëria, kur në pikë ditës (përmes portaleve , në gjuhën shqipe!), shahen, fyhen, shpifen, etiketohen dhe kërcënohen intelektualë, akademikë, çlirimtarë, elitarë, ushtarë të lirisë, atdhetarë e qytetarë të denjë e të tjerë, që në rrugëtimin e tyre, të paktën janë munduar të lënë gjurmë nderi në shërbim të atdheut.

Si kundërmasë e gjithë këtij rrugëtimin, ata sot stigmatizohen nga injorantë, rrugaçë dhe kusarë të tërë. Stigmatizohen e shpifen nga portale të caktuara, me papërgjegjësitë e tyre para fjalës së thënë publike, pa e vërtetuar burimin e tyre, në stilin së kush shanë më shumë Institucionet e vendit, bartësit e tyre, akademikun, luftëtarin, çlirimtarin, atdhetarin etj, atyre edhe ju epet hapësirë më e madhe për të sharë, pra; vraponi harbutë, në garë për të sharë!…

Pyetja më e thjeshtë që mund të shtrohet në këtë rast, pasi që sharjet janë bërë racion ditor i kësaj shoqëria, që kanë kaluar në pasion e ves të të ligjve është së cilës vegël po i bie ligji aktual i Kosovës, në mos këto portale janë krijuar enkas për të sharë e shpifur kë të duan, kur të duan, si të duan dhe të mos e kruajnë fare as para ligjit as para Maliqit!…

Në një rend shoqëror (qoftë ai edhe në fazat më të vrazhdët të tranzicionit), ku injoranca dhe arroganca çmohet si virtyt,  është e rëndë për të thënë, por kemi të bëjmë me një atavizëm gjenetik mbase! Si shpjegohet gjithë ky mllef kundër vlerave çlirimtare, prej nga gjithë kjo urrejtje, prej nga gjithë kjo shthurje kur kujtojmë se edhe në kohët më të rënda të pushtimit, ne si popull, nuk kemi rënë pre e yshtjeve dhe stisjeve të pushtuesit dhe me vendosmëri e ndërgjegje, kemi mbrojtur bijtë dhe atdheun tanë, nuk i kemi sharë ata, dhe nuk kemi lejuar të na i shajnë të tjerët.

Përditësimi i sharjeve që lexon në portalet të caktuara sot, janë nga më të “larmishmet” si ato mbi baza partiake, mbi baza elitare, politike, filozofike, profesionale, idealiste, materialiste, akademike, me plotë lokalizma e barbarizma tjerë të si të kohëve Bizantine etj.
Kjo sjellje arrogante dhe e mjerë mbi baza rrugaçërie, më së paku i bënë nder kombit, shtetit dhe shoqërisë sonë. Ky është mjerim që nuk kapërdihet, po përjetojmë kohën kur një rrugaçi i epet hapësirë për të sharë një Akademik! Kjo sjellje tregon varfërinë e një mentalitetit hakmarrës të një kaste injorantesh të shoqërisë në tranzicion, nga njëra anë, dhe pasqyrën e shoqërisë që në pamundësi të veprimit të ligjit, plaga e ndërgjegjes së saj po kullon gjak!

Në asnjë mënyrë, nuk do të kisha preferuar këtë që e ka thënë pushtuesi ynë shekullor se: “Vetëm shqiptarët e vdekur janë të pranueshëm!”… A thua çka do të thoshit ju rrugaçë të pacipë, sikur të ishin gjallë Tahir e Nebih Meha, Adem, Hamëz e Shaban Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian e Mujë Krasniqi, Luan e Shkëlzen Haradinaj etj. Ngase Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti, sharjet tuaja i kanë dëgjuar për të gjallë të tyre!…

Të jetë e vërtetë vallë, se me këtë gjuhë kanë folur dikur edhe rrugaçët e asaj kohe (sikur të sotmit), kundër Abdyl Frashërit, Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Bajram Currit, Avni Rrustemit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Azem Bejtës, etj. Po, fatkeqësisht; rrugaçët e djeshëm, edhe kanë likuiduar figurat e ndritshme të kombit tonë si Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën , Avni Rrustemin e dhjetëra tjerë!…
Në fakt, rrugaçët e sotëm me fyerjet, sharjet dhe shpifjet e tyre po vrasin edhe atdhetarët e djeshëm- sa e mjerë dhe e pështirë kjo!…

CH-13-06-2022