Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: 43 – vjetori i Pranverës Shqiptare ’81

Demonstratat e vitit 1981, me rastin e 43 vjetorit të tyre

Demonstratat e viti 1981, nuk ishin spontane dhe të pakoordinuara, siç pretendojnë edhe sot qarqe të caktuara, aq më pak të organizuara nga Partia e Punës së Shqipërisë, siç pretendohej atë botë nga udhëheqja politike e LKJ-së, së shqiptarët e Kosovës ishin të manipuluar nga Shqipëria Socialiste e asaj kohe.
Natyrisht, këtë linjë ndiqte edhe kasta politike e asaj kohe në Kosovë, duke u diferencuar, duke i dënuar, etiketuar, kërcënuar dhe shpallur deri armiqësore demonstrata dhe bartësit e tyre, kundër të cilëve u morën masa drastike, duke shpallur madje edhe shtetrrethim!
Ish kreu i LKJ-së, këto demonstrata i cilësoj si tejet armiqësore, irredentiste, nacionaliste dhe kundërrevolucionare, që synonin prishjen e rendit socialist të ish Jugosllavisë, dhe bashkëjetesën e popujve, thirrur në parullën më ironike të asaj kohe, siç ishte: “bashkim-vëllazërimi!”,  ku shqiptarët ishin ndër më të shtypurit dhe më të shfrytëzuarit, ku shkeleshin të drejtat e tyre më elementare, ku llogariteshin si qytetarë të rendit të dytë, ku ekonomia kishte rënë për tokë, ku filluan të mungonin artikujt ushqimor, ku punëtorëve iu epeshin rrogat me nga tre e katër muaj vonesë, ku rrezikohej shëndeti dhe jeta e qytetarit shqiptar, ku një polic, zyrtarë apo edhe mujsharë serb, vepronte krejt në mënyrë arbitrare: rrihte, dhunonte, arrestonte dhe vriste shqiptarët e Kosovës, kudo; në arat e tyre, në luadhe, në rrugë, në qytete, në shtëpitë e tyre, madje i vrisnin shqiptarët edhe nëpër burgje duar lidhur, dhe nuk jepnin as më të voglën përgjegjësi para ligji!

Ish pushtuesi jugosllav, krahas asaj që po krijonte pasiguri për shqiptarët, kastën politike të Kosovës së asaj kohe e kishte joshur që të bënte kërcënime dhe akuza të rënda kundër demonstruesve, madje duke e kthyer edhe ligjin e Kanunit në Kosovë- siç ishte Lëçitja!…
Në vazhdimësi, aparati shtetëror shtypës serbo- jugosllav, që nga viti 1981 e deri me 1993, kishte vrarë mbi 1’000 shqiptarë të pafajshëm në Kosovë, si: gra, burra, fëmijë, pleq, plaka, të rinj e të reja. Krim mbi krime ishte dhe mbeti fakti, kur Serbia, filloj t’i vras e masakroj të rinjtë shqiptarë (diku 119 djem tanë), edhe në Kazermat ushtarake, ku të rinjtë shqiptarë po bënin shërbimin ushtarak në të quajturën JNA- APJ, Armata Popullore e Jugosllavisë!
Paradoksi politik i BE-së, që nuk kuptohet e arsyetohet as sot e kësaj dite, ishte se: askush nga organet e drejtësisë së BE-së, as nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë, as denjoj të merren me hetimin e këtyre vrasjeve mizore e kriminale të ish Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë atë kohë- nga ana tjetër; Këshilli i Evropës, me vetëdije të plotë, dhe mbi bazën e shpifjeve, gjeti mundësi për të hetuar një shtëpi të verdhë, diku në një fshat të largët malor të Shqipërisë, së cilës po i pikonte çatia brenda!, e nga ana tjetër, nuk gjeti mundësinë për të hetuar vrasjen e mbi 119 të rinjve ushtarë shqiptarë nëpër Kazermat Ushtarake të ish Jugosllavisë, të cilët i masakruan, ua morën organet e trupit, dhe i kthyen në Kosovë të gozhduar nëpër arkivole, nënë sqarimin se kanë bërë vetëvrasje!…
Kjo situatë e rëndë politike reprezaljesh e gjenocidi mbi shqiptarët e Kosovës, vazhdoj deri sa u formua dhe organizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shpëtimtarja dhe çlirimtarja e atdheut.

Më saktësisht, kjo nuk duhet dhe nuk guxon të nënkuptoj se ishin reprezaljet e aparatit të dhunës serbo-jugosllave ato, që vetëdijesuan shqiptarët për të kërkuar të drejtat dhe lirinë e tyre- Jo, dhe Jo, shqiptarët ishin të vetëdijshme në të gjitha kohët së ishin të pushtuar, dhe po aq të qartë e kishin së nuk ka liri nën pushtim!, prandaj lëvizja e tyre për liri dhe shtet-bërje daton shumë herët, që para lidhjes së Prizrenit e deri tek demonstrata e vitit 1981, të cilat përfundimisht shemben themelet e një pushtuesi gjakatar që quhej Jugosllavi, e cila që nga atëherë, nuk u rimëkëmbë më!, prandaj me shumë të drejt konstatojmë së:
Demonstratat e viti 1981 në Kosovë, përfundimisht shemben nomenklaturën e RSFJ-ës, dhe LJK-ës, e cila nuk arriti të ribëhet kurrë më, natyrisht se kjo gërmadhë këtë përfundim kishte.

 

Flamurtarë të asaj pranvere!

Shqiptarët, ishin të parët, që iu treguan të gjithë popujve tjerë të ish Federatës Jugosllave, së kjo kreaturë artificiale, nuk ishte shteti i asnjë etnie- për më shumë, ishte vegël dhe aparat dhune në duart e Serbisë! … Nomenklatura serbe, duke u nisur nga tutorizmi serbomadh, në ish RSFJ, shfrytëzonte pasurinë e gjashtë Republikave dhe dy Krahinave Autonome, deri në maksimum. Padiskutueshëm, ishin demonstratat e viti 1981, që i vetëdijesuan edhe popujt tjerë të RFSJ-ës, si Sllovenët, Kroatët, Boshnjakët, Malazezët, Maqedonët dhe Vojvodinasit, se ky aparat shtypës i dhunës së organizuar shtetërore të quajtur jugosllavi, duhet shembur!
Këta popuj, që përfaqësoheshin atëbotë në ish federatën e RSFJ-ës, këtë realitet e kuptuan kush më vone e kush më herët, pas gati dhjetë vitesh më vonë, deri edhe me luftëra të përgjakshme, shpërbën këtë federatë gjakatarë që udhëhiqej kryesisht nga serbet, gati në të gjitha strukturat e saj. Nga kjo luftë e përgjakshme çlirimtare, etnitë e ish federatës, krijuan Republikat e tyre, duke jetuar të lirë dhe në harmoni me fqinjët e vet. Republika demokratike këto, që kane dhënë shembullin e mirë si; Sllovenia, Kroacia, Bosna e vonuar, Mali i zi, Maqedonia dhe Republika e Kosovës të cilat e njohin të drejtën e popujve për të jetuar të lirë e sovran në shtetet e veta, të cilat kanë lidhur paqe të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë, që janë shembull më i mirë për rajonin, Evropën e më gjerë.
Përfundimisht, pranvera shqiptare e mars-prillit të vitit 1981 në Kosovë, ishte flamurtarja dhe shkëndija e parë e lirisë, që hapi shtegun edhe për popujt e republikave tjera në ish federatën Jugosllave.

Edhe sot flitet e përflitet, se demonstratat e vitit 1981, ishin të parakohshme dhe të organizuara nga Serbia, Rusia etj. E keqja është se ne (e them kushtimisht, “ne”), më parë preferojmë, që mos gatishmërinë tonë për t’ju prirë gjërave, në një formë ta mbulojmë me trillime e gjëra tjera sajuese të stisura, dhe të paqena, se sa ta pranojmë dhe ta themi realitetin hapur e botërisht, ashtu siç e tha me vepra rinia e asaj kohë, dhe më vonë Ushtria Çlirimtar e Kosovës, se: për shqiptarët, liria e atdheut ishte dhe është mbi të gjitha!

Në vazhdim, cili është realiteti dhe guximi për ta pranuar të vërtetën e madhe:

1). Demonstratat e Kosovës i ka organizuar populli ynë, bijat dhe bijtë më të mirë, që ndër vite lanë eshtrat kazamateve serbo-jugosllave, gjaku ynë i derdhur për liri, vaji i nënave, nuseve dhe motrave tona, vaji i fëmijëve tanë, rritur jetim… kjo është e vërteta e madhe, mohimi i saj nga bukëshkelës e plëngprishës, do duhej të ishte dënuar nga kombi ynë!
Nuk kishte interes as Serbia as Rusia, që ta shembte sistemin e vet sundues mbi trevat tona, Serbia nuk ishte aq e marrë për të humbur përfitimet materiale nga Kosova, nuk kishte interes që t’i rrokte armët e të luftonte me shqiptarë, por t’i sundonte dhe t’i shfrytëzonte ata!…
Serbia ndihej më rahat, kur shfrytëzonte pasuritë e Kosovës, si: minierat, rrymën, prodhimin, me një fjalë pasurinë nën dhe mbi tokësore, Serbia ndihej më rehat, kur një dorë shqiptarësh i shërbenin me devotshmëri pushtetit të saj, se sa kur shqiptarët ia kthyen pushkët e lirisë!…

2). Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin të parakohshme, në fakt ato ishin të vonuara, ani pse të lara me gjak. Kush imagjinonte se do ndaheshim pa gjak nga pushtuesi Serb, e kishte gabim sa ishte i madhe- këtë e vërtetoi koha katërçipërisht, shih luftën e fundit në Kosovë. Po të mos jehonin demonstratat e përhershme në Kosovë, revoltat, burgosjet, grevat e minatorëve, mosbindja dhe mos dëgjueshmëria qytetare, lufta për liri dhe rëniet heroike e trimave tanë, Serbia edhe sot do të ishte këmbëkryq në Kosovë, dhe nuk do të kishte pse të largohej nga Kosova. Pra, u desh të kërciste pushka, të derdhej gjaku rreke, në mënyrë që bota ta dëgjoj zëri tonë për liri, kush mendon ndryshe, shpirti i tij prej robi ende nuk ka dalë nga gëzhoja e robërisë!…

3). Demonstrata e vitit 1981, nuk ishin spontane, ato ishin shumë mirë dhe gjatë kohë të përgatitura nga brezi i atdhetarëve të viteve të gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta, janë dhjetëra zemërluanë të kombit tonë që dhanë gjithçka, madje edhe jetën për ditët e sotme- përkulemi me shumë respekt para veprës së tyre. Ata ishin mishërimi i së madhërishmes sonë, që nga Lidhja e Prizrenit e më herët e deri me 1999, dhe falë atyre, ne kishim rrugët e trasuar, vetëm duhej të marshonim furishëm nëpër to. Ato demonstrata ishin fillimi i fundit të shembjes së gërmadhës së quajtur Jugosllavi, që ishte instaluar në Kosovë dhunshëm mbi gjakun e shqiptarëve! Vulën përfundimtare të kësaj shembje, pas vitit 1981, ia dhanë pushkët e lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dalë nga gjiri i popullit tonë.

Që nga ato kohë e deri me 1981, populli shqiptarë, kishte punuar hapur e fshehur, prirë nga qindra të përndjekur politik, në krye me Adem Demaçi, Fazli Graiqevcin, Metush Krasniqin, Ali Aliun e Preshevës, Jusuf Gërvallë, Kadi Zekën, Ramadan Shalën, Rexhep Elmazin, Azem Beqirin, Abdyl Lahun, Kadri Kusarin, Jakup Krasniqin, Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin, Nezir Myrtën, Neriman Brahën, Ukshin Hotin, Halil Alidemën, Gani Krasniqin, Ahmet Haxhiun, Rafi Halilin, Mehmet Gegën, Zaim Beqirin, Hysen Gegën, Binak Ulaj, Zeqir Gërvallën, Ahmet Qeriqin e mijëra tjerë. për të mos iu hy në hak bijve tanë, që ishin më shumë së frymëzim për popullin tonë të përvuajtur.
Demonstratat e 11 dhe 26 marsit, si dhe 1, 2 e 3 prillit të vitit 1981, deri tek 28-të nëntori i daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, gjithë këto ngjarje madhore në nivel kombëtarë, kishin burimin nga gjiri i popullit tonë liridashës, dhe jo jashtë tij.

Bijtë tanë, kishin punuar gjatë tërë kohës për një ditë si kjo, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme të vitit 1968, ku në fushën e lavdisë, kishte rënë nxënësi Murat Mehmeti e shumë më herët me përpjekjet e shqiptarëve në vazhdimësi), duke u përballur me vuajtje e persekutime, që ish pushtuesi serbo-jugosllav ushtronte dhunshëm mbi shqiptarët, si: me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me arrestime e arratisje, me vrasje e likuidime, deri edhe me spastrimet etnike e masa gjenocidi ushtruar mbi shqiptarët, që i ndiqte nga tokat e veta, nga shtëpitë e veta nga qielli dhe dielli i vet!…
Shqipëria në këtë mes, ishte çatia e vetme, ku shqiptarët fusnin kokën, dhe me të drejt edhe sot, duhet të kërkohet mbrojtja nga shteti ynë Shqipëria, ne nuk kemi shtet e strehë tjetër- veç Shqipërisë, herë do- kur, kjo do të arrihet dhe tokat shqiptare të ndara dhunshëm dhe padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, do të ribashkohen një herë e përgjithmonë!…

Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon finalizimin e vet. Me as një çmim tjetër nuk shpaguhen sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të Kosovës dhe bashkimit të tokave tona, është obligim yni kombëtar e shpirtëror që deri në përjetësimin e aspiratave tona kombëtare, s’ka dhe nuk do të ketë të ndalur!

Elita politike shqiptare, nuk ishte e gatshme të rreshtohej drejt!

Në vazhdim, kasta politike shqiptare në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë të ish pushtuesit Jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejtë, në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë nga ajo shtresë vasalësh. Pushtuesi e kishte përgatitur këtë shtresë dështakësh me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, vilat e deri tek të bërit e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thotë “ Kosova Republikë!” , të denonconte, dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2, 3 e 5 vite burg!, derisa hafijet, për këto “shërbime”, avancoheshin ne detyrë dhe pushtet. Madje, disa kokëshkretë shqiptarë të asaj kaste politike, shkuan aq larg, sa që: për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi jugosllave si: Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Xhavit Nimani, Mehmet Maliqi, Azem Vllasi, Hajredin Hoxha, Asllan Fazliu, Syria Popovci, Rrahman Morina e soj sorollopi i tyre…

Këtë klasë kokëshkretë politike, po e shfrytëzonte maksimalisht ish pushteti titist, deri sa një ditë i hodhi për tokë si një leckë të zhubrosur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet si: irredentistë, separatistë, ballistë, nacionalistë, vrimë e miut 500 grosh!- thoshte Fadil Hoxha, diferencime, lëçitje. madje duke prekur edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj kaste politike, me kohë kishte kaluar në urrejtje të papërmbajtshme dhe tejet hakmarrëse kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes ishte e mbështetur nga ndërhyrjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën politike të Kosovës së asaj kohe e kishte bindur pushtuesi në fjalë, që të lehte pa ndërprerë kundër interesave të popullit shqiptarë, respektivisht,  kundër interesave të popullit të vet!…

Pranvera e madhe!

Demonstratat e vitit 1981, parasë gjithash, çliruan shpirtin tonë luftarak nga kushtëzimi i robërisë të cilën shqiptarët e kundërshtuan me vendosmëri. Ne, në asnjë kohë nuk iu bindem iluzionit të fundosur se; durimi dhe inferioriteti përballë pushtuesit, do të ndryshojnë pozitën tonë, jo, shqiptarët e vërtetë, nuk e ndrydhën as edhe një herë përcaktimin e vet për liri, pavarësisht çmimit që duhej paguar- liria mbi të gjitha!…
Më datën 11 mars, diku nga orët e mbrëmjes, në qendër të Prishtinës, kishin dalë qindra studentë për të protestuar, duke kërkuar hapur kushte më të mira. Më vonë, kishte marrë fjalën Ali Lajçi, i cili iu kishte dhënë studentëve kurajo dhe guxim. Më pas, mbi një trafo rryme, poshtë mensës së studentëve, ishte ngjitur studenti Mehmet Bislimi, i cili nga studentët kishte kërkuar që të vazhdojnë protestën dhe të mos zmbrapsën para kërcënimeve dhe shantazheve  të ish udhëheqësve të Komitetit Krahinor dhe SPB-ës.

Në vazhdim, me 26 mars, që në orët e paradites, demonstratat kishin marrë një peshë tjetër të organizimit, madje organizatorët si: Ali Lajçi, Bajram e Musli Kosumi, Gani Koci, Murat Musliu, Bedri Deliu, Ramadan Dobra, Riza Demaj, Hamdi Hajdini, Avdulla Tahiri, Xun Çeta, Xhavit Haliti, Enver Haliti, Kadri Kryeziu. Selim Geci, Mehmet Bislimi, Nazmi Hoxha, Gani Vlahna, Bardhyl Mahmuti i cili kishte dhënë intervistë në TV Shkupi, intervistë  e cila ishte transmetuar atë kohë, si dhe dhjetëra studentë të tjerë, inkuadruar në grupe të ndryshme, për të mos iu hyrë në hak asnjërit, ngase të gjithë kanë dhënë maksimumin, kishin bërë gati dhjetëra banderola të shkruara, si: “Kosova Republikë!”,  “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”,  “Trepça punon Beogradi ndërton!”,  “Lironi shokët nga burgu!”, “Lironi Adem Demaçin!”, “Bashkim!”, “Jemi shqiptarë, s’jemi Jugosllav!” e tjera.
Më pas ishin lexuar edhe kumtesat, që i kishte përgatitur studenti Bajram Kosumi dhe vëllai i tij Musli Kosumi, me titull: “Pushteti pa krena!”, dhe “Vallja e djajve!” …

Më pas, po atë ditë, me 26 mars, studenti Mehmet Bislimi, me disa shokë, kishin bërë planin për ta rrëmbyer Stafetën e Titos, e cila kishte për të mbërritur në Prishtinë, para Teatrit, diku nga ora 16, por që nuk ia dolën. Më herët, studenti Mehmet Bislimi, ishte ngjitur shtyllës ndriçuese të elektrikut të rrugës (pranë Radio Prishtinës), dhe kishte hequr flamurin e Jugosllavisë, duke e përbaltur e përplasur atë për tokë! Jugosllavi Sinan Hasani, më vonë në një libër të tij, kishte shkruar:
– “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë përpjetë, dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!” …
– Në fakt, ai kishte të drejtë, ngase neve na duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë titiste, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani, me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’është e vërteta, studenti Bislimi e përbalti flamurin e pushtuesit jugosllav, atë flamur të cilin më vonë e vrau përfundimisht me pushkët e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- bijtë më të mirë të popullit tanë liridashës.

Milicia  serbo-jugosllave, në mesin e tyre edhe milicë shqiptarë, me 26 mars, diku në orët e vona, u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën dhunë të paparë deri në përmasat e një çmendurie, shfryer në mënyrë shtazarake mbi rinin shqiptare studentore. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, të cilës iu kishin vërsulur më shumë se katër milicë, e nuk po mundnin t’ia hiqnin flamurin nga duart- Shqiponjës trime të Kosovës!…
Mos harroni se askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen e përshtatën për hir të pakicave etnike të cilat në Kosovë përbëjnë jo më shumë se 5 %!…
Këtë sulm brutal të milicisë serbe, shfryer mbi studentët shqiptarë e kemi parë disa student, si: unë, Mehmet Bislimi, Ismet Kabashi, Muhamet Gashi, Qazim Ahmeti, Fejzë Veliu, Ali Zajmi e dhjetëra të tjerë, nga Konvikti numër 3, ku kishim mbetur të bllokuar për disa çaste. Milicia serbe, kanë bërë dhunë deri në përmasat brutale në qendrën studentore në Prishtinë.

Me 1 prill, demonstratat e radhës kanë filluar diku nga ora 10:00, nga nxënës të të gjitha shkollave të mesme, por kishin dalë edhe ata të shkollës fillore; “Emin  Duraku!”, më vonë, diku nga ora 13:00, kishin vërshuar ato gjithë popullore. Diku rreth orës 15, në një bli, para ish Komitetit Krahinor të Kosovës, me megafon në dorë, është ngjitur Hydajet Hyseni me një kapelë të zezë në kokë, si dhe me një palë mustaqe të kamufluara, shoqëruar me shokët e organizatës, i cili masës së demonstruesve u drejtohet me një fjalim të shkurtër domethënës dhe motivues, si: “Ju bijtë e Azem dhe Shote Galicës!”… që ndezi masat, dhe i dha demonstratës guximin, kahen dhe karakterin e kërkesave tona kombëtare: Kjo është e padiskutueshme, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Nezir Myrtaj, Gani Syla, Berat Luzha, Gani Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Meriman Braha, Zeqir Gërvalla, Ahmet Qeriqi e dhjetëra atdhetarë tjerë, ishin organizuesit dhe frymëzuesit e demonstratave të vitit të madh 1981. Pa përjashtim, kontributi i qindra bijve tjerë, që Kosovës i dhanë aq shumë për të arritur deri këtu ku jemi sot!…

Nga demonstrata studentore, kaluan në ato gjithë popullore!

Demonstratat e vitit 1981, populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumi; nxënës, punëtorë, intelektual, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar- që të gjithë, ato demonstrata, nuk ishin më vetëm STUDNETORE, por GJITHPOPULLORE! Vlen të ceket, dhe nuk guxon të anashkalohet: Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës, ishin të hapura për demonstruesit ditën dhe natën! Ata na pritën me bukë, kripë dhe zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, nga e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajën dhe mbështetjen, prandaj edhe sot përkulem me respekt para nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma- ta paçim borxh Prishtinë!…

Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si: “Ramiz Sadiku” etj. me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Së bashku me përkrahjen morale, ata sollën me vete  edhe mjete tjera barrikade, si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë  dhe mjete tjera. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë dhe përkrah nesh!
Me dhjetëra pronarë e punëtorë shitoresh, furrave të bukës e produkteve tjera ushqimore, po shpërndanin uji, bukë, pije tjera, artikuj ushqimor, qepë, qumësht e çka jo… ata ishin mes dhe përkrah demonstruesve, përkulje për sakrificën dhe solidaritetin e tyre, një popull i tërë në këmbë si lumi i trazuar! S’kishte diskutim më, kjo kaloj në një demonstratë gjithë popullor, ndër më të fuqishmet që nuk mbahet mend në historia e Ballkanit, deri atë pranverë!

Punëtorët e shëndetësisë, po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithë çka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe riaftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët e bukura, atdhetare dhe të guximshme, si: ME FAT PLAGËT O TRIMAT E KOSOVËS! Ky akt atdhetarie, Shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e Hipokrates sonë Sahadete!…

Me 2 prill pas dite, mbi fakultetin Ekonomik, ushtria serbe nga tanku i ushtrisë jugosllave, shtiu në turmën e demonstruesve. Shtiu armata e quajtur APJ! Nga breshëria e plumbave, u shkëput për dhe, Besa Ahmeti- nxënëse. Plagët e saj ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut  nga Polaci i Drenicës, dhe e futëm në një makinë “Reno 4”, ngjyrë hiri, Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet:
…  “Mos trego në shtëpi për plagosjen time, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit!”… dhe vërtetë emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës e Kosovës gjithandej, dhe Besën e Betimin e dhënë për liri të Kosovës!

Në demonstratën e 2 prillit, ishte vrarë edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës, edhe një lule e këputur në mesin e shumë luleve- Dëshmor të Kombit. Të nesërmen  me disa shokë, shkuam atje për t’u përkulur për të fundit herë para trupit të tij.
Si sot… në një oborr të vogël, nën një pemë të madhe, që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis mali, shtrirë në një arkivol të vjetër druri, shtrirë e me sy të hapur!… Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin sytë dot. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë e të bashkuar, dhe vetëm të lirë e të bashkuar!…

11 lulëkuqet e prillit të vitit 1981!

11 mars, 11 dëshmorë, çfarë koincidence kjo!… Në Kosovë gjatë demonstratave të 1, 2 e 3 prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave, vrau 11 demonstrues, ranë për liri: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi dhe Afrim Abazi! Ky pushtues gjakatarë, plagosi mbi 300 të tjerë. Burgosi mbi 3500 të rinj, kryesisht studentë. Përjashtoi nga shkollat, Universiteti, fabrikat, dhe institucionet tjera, diferencoi me mijëra shqiptarë. Më herët e më vonë, shumë nga të burgosurit shqiptarë, i mbyten edhe në burgjet serbe si: Fazli Graiqevcin, Xhemaili Berishen, Zija Shemsiun, Abedin Balen, Ibrahim Krasniqin, Ibrahim Kastratin,  dhe më vonë mbi 173 shqiptarë të burgosur tjerë, i vranë e masakruan në burgun e Dubravës! Në shenj respekti, vizitoni varret e tyre, në mënyrë që të kujtojmë flijimin e tyre për një Kosovë të lirë e të bashkuar!…

Me 2 prill, nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër mensës së studentëve), diku rreth orës 11 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët, diku nga ora 11, kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Dhe më vonë, diku rreth orës 16 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, njëri nga Dalibashiqët, doli prapë me pushkën M 48- të, dhe diku 20-30 metra mbi shtëpinë e tij, qëlloi një demonstrues tjetër i cili atë moment, ishte duke manovruar me një kamion për të bërë barrikadë në rrugë. Nga një largësi prej rreth 200 metrash më lartë, mbrapa një trafo-je rryme, këtë ngjarje e kemi parë me sytë tanë, tre veta: unë – Mehmet Bislimi nga Prekazi, Ismet (Milazim) Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina!
Nuk kam njohuri, nëse këta dy demonstrues të qëlluar me pushkë nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur, apo kanë shpëtuar me plagë të rënda në trup? Atë botë, Dalibashiqët për këtë krim të rëndë, u dënuan vetëm me 30 ditë burg kundërvajtjeje, drejtësi e Kosovës, mbaje mend edhe këtë!…

A ishte Shqipëria e implikuar në demonstratat e viti 1981- pyetje që shtrohet edhe sot!?

Republika Socialiste e Shqipërisë, udhëhequr nga Enver Hoxhës, atëbotë, ishte i vetmi shtet në rajon dhe Evropë që demonstratat e vitit 1981 i përkrahu moralisht e shpirtërisht, pa rezervë dhe fuqishëm, duke i vlerësuar kërkesat tona si të drejta. Shqipëria, njëkohësisht ishte i vetmi shtet që dënoi dhunën dhe reprezaljet, që ish aparati shtypës serbo-jugosllave, i kishte zbatuar kundër demonstruesve shqiptarë duarthatë të Kosovës të cilët po kërkonin të drejtat e veta në tokat dhe vendin e vet.

Ishte dhe mbeti i gjykueshëm dhe i pa dinjitet qëndrimi i BE-së, e cila atë kohë, nuk e ngriti as edhe një herë zërin kundër gjithë kësaj dhune, kundër gjithë këtyre vrasjeve, zbrazur kundër popullit duarthatë shqiptarë në Kosovë. Diçka e paprecedent kjo, ai pushtues atë pranverë, kishte vrarë 11 demonstrues, kishte plagosur mbi 300 të rinj, kishte dënuar mbi 3500 të tjerë me burg të rëndë, kishte diferencuar e larguar nga puna me qindra e mijëra tjerë, Bashkësia Evropiane, as edhe një zë, as edhe një fjalë, as edhe një reagim, as edhe një notë verbale, apo qortim!… ishte dhe mbeti e pafalshme kjo sjelle qyqare e BE-së, që ishte mësuar ta miklonte Serbin- edhe sot e kësaj dite!…

Në kuptimin e përgjithshëm bazik, kjo as nuk diskutohet; pa një shtet shqiptar- si Shqipëria (ashtu siç ishte) , shqiptarët nëpër shekuj, vështirë së do t’i përballonin agresorët Ballkanik të shteteve tona fqinje, që në vazhdimësi, kishin qëllime gllabërues ndaj tokave shqiptare.
Asnjë popull në botë, nuk mund të ekzistojë pa shtetin e vet, prandaj as ne shqiptarët nuk bëjmë përjashtim. Pa Shqipëri, nuk do të kishte shqiptarë, dhe kjo është një e vërtetë absolute, sikurse pa Angli, nuk do të kishte anglezë, pa Francë, nuk do të kishte francezë, pa Gjermani, nuk do të kishte gjerman, pa Amerikë, nuk do të kishte amerikanë dhe anasjelltas e kështu me radhë…

Pyetja që mund të shtrohet:

Se a ka bërë Shqipëria mjaftueshëm për të mbrojtur dhe ngritur popullin shqiptarë të Kosovës deri në atë shkallë që ne, të kërkojmë lirinë tonë, pa pritur të na e sjellin të tjerët në pjatë! Mendoj se po, angazhimi i Shqipërisë (që nga prishja e marrëdhënieve me ish Jugosllavinë titiste), ishte i pamohueshëm, me aq sa mund të depërtohej atë kohë, si: me literaturë, me koncerte, me artistët shqiptarë, me profesorët që ligjëronin herë pas here në Kosovë, me sportistë, me shkrimtarë e intelektual, me drama dhe filma shqiptarë, me emisione edukative, me mediat si; Televizioni dhe radiot shqiptare e kështu me radhë. Shqipëria, kishte punuar ditë e natë (në rrethanat e kohës), për të mbajtur të patundur frymën e shqiptarëve, ndarë padrejtësish nga trungu i vet. Dhe kush pretendon ta mohoj këtë, gabon rëndë. Shqipëria, asnjë herë nuk i ka mohuar shqiptarët që kanë mbetur jashtë trungut të vet natyral, pa dëshirën dhe vullnetin e tyre- as një herë!

Po, pyetja duhet të shtrohet kësisoj:

A ka qenë Shqipëria dhe kreu politik i asaj kohe në rrjedha, apo i njoftuar se atë pranverë në Kosovë, do të këtë organizim të lëvizjeve të mëdha popullore?- Jo, e them me bindje se Jo.
Pa asnjë dyshim, se një ditë do të ndodhnin lëvizje të tilla në Kosovë, por askush nuk e kishte paraparë dhe përgatitur deri në atë shkallë saktësie, se ato do ndodhnin pikërisht në mars e prill të pranverës së vitit 1981, Jo!…
Shqipëria dhe shteti shqiptarë, si të thuash, ishte zënë në befasi. Edhe reagimi i Shqipërisë zyrtare, përmes organit të saj “Zëri i Popullit” , ishte bërë tek me 8 prill- kjo fletë më së qartë.   Jo, pse ne, shqiptarët e Kosovës nuk do ta njoftonim Shqipërinë, jo pse Shqipëria nuk kishte dëshirë për informim korrekt, të saktë dhe me kohë, por së marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri- Jugosllavi, ishin shumë të tendosura, dhe mundësitë për një komunikim të rregullt dhe të sigurt nga të dyja anët e kufirit, kishte degraduar!

Personalisht, vet, kam kaluar në Shqipëri së pari herë, diku në prill të vitit 1992 (klandestin), dhe disa herë më pastaj. Kam takuar atje figura të larta politike si: Fatos Nanon, Gramoz Rucin, Sokol Pezën, Nexhmije Hoxhën, Ilir Hoxhën, Sabit Brokën, më vonë Shaban Sinanin, Koço Danajn, Mojkom Zeqon, Kastriot Islamin, Kastriot Dervishin, Paskal Milon, Ramadan Sulon, që ishte kujdestar i afërt i Haxhi Lleshit e dhjetëra figura tjera, të cilët në një formë, apo tjetër e pranojnë hapur se demonstratat shqiptare të viti 1981 në Kosovë, Shqipërinë e kishin befasuar, natyrisht për të mirë, por që shteti shqiptarë nuk kishte pasur as më të voglin sinjal se pranvera e vitit 1981, do të vërshoj në Kosovë si lumi që mori përpara llumin e ish pushtuesit gjakatar Jugosllav.

Ikja e fundit!

Së këndejmi, studenti i fundit shqiptarë (në mos gabohem), që ka emigruar nga Kosova në Shqipëri atë kohë, mbase i vetmi nga studentët demonstrues të pranverës së vitit 1981, ishte studenti i muzikës Hajredin Muji nga Zhuri. Hajredini, duke u arratisur në Shqipëri, kishte shpëtuar nga arrestimi dhe dënimi i sigurt nga pushtuesi në fjalë.
Me Hajredinin , jemi njohur atë kohë, ai ishte një djalë i vendosur- njeri ndër organizatorët e shumtë të këtyre demonstratave. E kam takuar më pastaj në Tiranë. Hajredinit, atë kohë në Shqipëri i është pranuar qëndrimi, dhe ka studiuar edhe atje për muzikë, tani ai jeton diku në Gjermani. Edhe ai më ka thënë të njëjtin qëndrim: Shqipëria, nuk kishte pasur informata apo njohuri të mjaftueshme, së atë pranverë në Kosovë do të kishte lëvizje të mëdha politike. Aq më pak, ishte e implikuar në ato lëvizje- siç pretendonin element politik të ish Jugosllavisë, duke dashur të aludojnë se shqiptarët e Kosovës nuk e kundërshtonin Jugosllavinë, por për këtë po i indoktrinonte dhe nxiste Shqipëria Socialiste e Enver Hoxhës!

Përfundimisht, demonstratat e viti 1981, ishin të organizuara nga rinia djaloshare dhe populli liridashës i Kosovës të cilat i dhanë vulën përfundimtare lirisë që po vinte së bashku me pranverën e madhe- kjo ishte pranvera e lirisë, rimuar me gjakun e bijve tanë më të mirë e cila nuk kishte kthim mbrapa, ishte pranvera e lirisë, dhe meti pranvera e madhe e vitit 1981!

Pas demonstratave, pasuan edhe pushkët e para të lirisë!

Në maj të po atij viti (13 maj), Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e barotit! Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav, dhe botës së shurdhër, se shqiptarët e mbetur përdhunisht nën pushtimin Jugosllav, një ditë, do të detyrohen të mbrohen edhe me armë! Tahiri, atë vit, vrau me pushkën e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit jugosllav, vrau namin e tyre, për më shumë, hodhi për tokë “mitin” mbi paprekshmërinë e njësiteve speciale të ish UDB-së, dhe KOS-it. Pas demonstratave të mëdha të asaj pranvere, krisma e pushkëve të lirisë së Tahir dhe Nabih Mehës, ishin lajmëtari i parë i pushkëve të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Betimi!

Në ceremoninë e varrimit të Tahir e Nebih Mehës (mes tjerësh), ishin prezent edhe Shaban, Hemëz e Adem Jashari, Ata, atë ditë, me rastin e varrimit të Tahir e Nebih Mehës, ishin betuar se luftën për liri e bashkim kombëtarë, do ta vazhdonin me konsekuencë dhe pa kompromis, dhe së gjaku i Tahir e Nebih Mehës, dhe qindra dëshmorëve tanë, do të shpaguhet shumëfish!…
Në atë varrim, isha prezent edhe vet (autori i këtij shkrimi), dhe e di saktë së kush ka qenë i pranishëm  atë ditë, në varrimin e Tahirit dhe Nebihut- heronjve tanë të lirisë.
Nga ajo ditë, deri tek rënia Legjendare e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit, kishin kaluar jo me shumë së 17 vite, aspirata e tyre u konkretizua me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- betimi i tyre shkoj në vend.

Lavdi e përjetshme atyre dhe vetëm atyre që aspiratat e popullit tonë liridashës i bënë realitet!
Çmimin e lirisë deri sot, populli shqiptarë e ka paguar shumëfish…

11 mars, 2024
Mehmet BISLIMI