Prishtinë, 23 shkurt 2021
Sot, në orën 13, Këshilli organizues “Pranvera shqiptare ’81”, mbajti Mbledhjen e radhës në Shoqatën e Burgosurve Politikë, në Prishtinë. Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Këshillit, Hydajet Hyseni. Tema ose pika të rendit të ditës ishin: 1. Tryeza përkujtimore për Simbolin e qëndresës shqiptare, Bacë Ademin, në 85 – vjetorin e lindjes. Tryeza do të mbahet më 26 shkurt, në orën 13, në Institutin Albanologjik. Kryetari i Këshillit organizues paraqiti “skenarin” e Tryezës, folësit, etj.2. Shënimi i 11 Marsit – 40 vjetorit të shpërthimit të Pranverës shqiptare. Në këtë Ditë do të vendoset gurthemeli i monumentit (përmendores) që i kushtohet kësaj Pranvere (Kryengritjes Shqiptare). Leja për ngritjen e përmendores është lëshuar nga Komuna e Prishtinës. Po në këtë Ditë do të hapet edhe një ekspozitë me fotografi, shkrime e dokumente nga Arkivi i Kosovës dhe do të mbahet një Tryezë me pjesëmarrës të 11 Marsit ’81, që do ta kujtojnë Ngjarjen në menzën e studentëve, etj. 3. Ora e Madhe letrare më 26 mars. Në këtë ditë do të organizohen veprimtari letrare nga Lidhja e Shkrimtarëve e do të përurohen libra.4. Konferenca shkencore për Pranverën Shqiptare ’81. Kjo pikë mori më shumë kohë. U tha se interesimi i studjuesve për Konferencën shkencore është shumë i madh. Janë paraqitur dhjetra kumtues nga Institutet, Universitetet e studiuesit tjerë nga Tirana, Shkupi, Prishtina, etj. Prandaj, Këshilli organizues vendosi që të mbahen dy konferenca shkencore: një më 26 mars dhe një më 1 prill.5. Akademi Përkujtimore më 2 prill. Kjo Akademi u kushtohet kryesisht Dëshmorëve të Pranverës Shqiptare ’81.Këshilli bisedoi edhe për veprimtari që do të organizohen nga Mërgata, pastaj në Shkup, Tiranë, Tetovë e qytete tjera anemban Shqipërisë (gjeografisë shqiptare). Mbeti që datat dhe qytetet për veprimtaritë pas 2 prillit të vendosen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit…