Portreti/intervista

Bedri Islami: Kadare dhe Kosova shqiptare

13 vite më parë, pikërisht në 17 shkurtin e vitit 2008, pasi kisha qenë në kullat e Jasharëve, me të cilët më lidhte një miqësi e vjetër, e një natë më parë kisha bujtur në Drenas, në  shtëpinë e Fehmi Lladrocit, njerëzit që rrinin në mendimin tim si përsonifikime të lirisë së Kosovës, ecja në rrugët e Prishtinës, duke kërkuar një njeri. Ndoshta ai ishte luftëtari më i pazakontë i Kosovës, por ndërkohë ndër më të rëndësishmit. Më frymëzuesi, pa dyshim.

Njerëzit ishin në dalldinë e festës, tupanët binin në një valle të çmendur, rrugët ndjenin se nuk e përmbanin dot vërshimin njerëzor, që, sapo kishte cikur koha minutën e parë të 17 shkurtit, ishin tejmbushur, si të derdhej nëpër to llava e pandalur e furisë së një populli që kishte pritur një ëndërr, e cila, edhe pse dukej tejet e largët, befas, krejt befas, ishte bërë e afërt.

Njeriu që kërkoja ishte nga përçuesit e parë të Ëndrrës, bartës dhe ndjellës i saj; i brishtë në pamjen e tij, i vrullshëm dhe marramendës në vizionin e pafund; vullneti i tij i prirë nga mençuria dhe fjala në momentin dhe vendin e duhur, e kishte bërë atë të vetdijshëm dhe, në të njëjtën kohë kishte bërë të tjerët të vetdijësuar, me forcën e pashembullt të talentit, qartësisë dhe mendimit. Për më shumë se një gjysëm shekulli pasioni i pasioneve të tij kishte qenë Kosova; ndjeshmëria e pakufi e kishte bërë trumbetar të së vërtetës, të cilat i kishte shpallur edhe në kohra të vështira, pikërisht atëherë kur heshtja mund të dukej më e arsyeshme. Ai kishte mbetur i revoltuar deri në fund, i papërmbajtur, tronditës në dëshmitë e sakta,  gjenial në hetimin e tij të ftohtë dhe të pamëshirshëm ndaj krimit serb në Kosovë, duke shpërndarë reflekset shkëndijuese të së vërtetës.

Dita e Pavarësisë së Kosovës do të ishte e mangët pa atë, njeriun që rastësisht kishte emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail, por që jo rastësisht do të njihet në të gjithë botën si Kadare!

Kërkoja të takoja Ismail Kadarenë, dhe, si ndodh zakonisht në këto raste, përsërisja me vete gjithë fjalët që do të mund t’i thoja në çastin e shkurtër të një bisede, që, askund tjetër, më shumë se në Prishtinë, në sheshet e zhurmshme të saj, ishte në vendin e duhur. Nuk do të kisha mundur të gjeja asnjë mjedis tjetër më të përshtatshëm për të biseduar me të dhe, askush tjetër si ai, nuk kishte bërë vendin e tij në këtë ditë, që, e pritur prej qindra viteve, e shumë dëshiruar, fundi i një ankthi të vjetër ballkanik, përmbysje e një kohe dhe fillesë e një kohe tjetër, e kishte pasur kaq të domosdoshme, do të thoja jetike, fjalën e këtij njeriu jugor, që ishte po aq drenicak e prizrenali, sa ishte edhe gjirokastrit e parisien.

Nëse bota shqiptare po kthehej përfundimisht drejt ëndrrës rilindase, Perëndimit, pikërisht në thyerjen e natës së 16 shkurtit, duke ardhur e shtatëmbëdhjeta, Kadare kishte qenë përçuesi më i madh i saj, Mjeshtri, duke e ditur se barrë të tilla të mëdha mund të bartin vetëm poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj epikë.

Në mëngjesin e 17 shkurtit të vitit 2008 kërkoja Ismail Kadarenë dhe, në të njëjtën kohë shihja sheshet e Prishtinës dhe mendoja se në cilin prej tyre, një ditë të ardhshme, do të jetë edhe monumenti i shkrimtarit Kadare.

Isha dhe jam i bindur se një ditë do të jetë aty, mund të gabohem për vendin, ama e përfytyroj që tani dhe askush tjetër nga bota e madhe e letrave shqipe, nuk e meriton më shumë se sa ai.

Sepse mes Kosovës dhe Kadaresë është një lidhje e gjatë, më e gjata në historinë e botës së letrave shqipe dhe, në të njëjtën kohë, më e përkushtuara.

x  x   x

Në tetorin e vitit 1972, Ismail Kadare do të ishte për herë të parë në Kosovë.

Më herët e kishte parë peisazhin e saj nga lart, të ndarë në copra, që dukej edhe më tej gjysmëtar nga krahët e avionit. Gjithë Rrafshi i Dukagjinit, zbuluar menjëherë pasi avioni kishte kaluar Bjeshkët e Namuna, ishte i pafund, i përthyer, i afërt për secilin bashkëkombas, e njëkohësisht më i largët se viset përtejoqeanike; i njohur dhe njëkohësisht enigmë. Ishte viti 1966. Ende gjithçka ishte e ngrirë mes dy shteteve dhe dukej se, që nga përmbytja ballkanike, ky vend, mes reve të rënda, gjëmimeve, në të cilin vetëtimat dukeshin si përshendetje, që dukej dhe zhdukej i zymtë mes gri-së së rëndë të reve, ishte e do të mbetej edhe më tej molla e sherrit mes dy vendeve.

Kishte pasur një periudhë të dyfishtë qetësie, por, si gjithçka tjetër mes dy kombeve të rënë në mëri shekullore, kishte qenë një paqe e rremë, megjithëse herën e parë gjithçka ishte shfaqur si njëri ndër aktet më të lashta të tragjedive epike, e më pas, si një butafori vrasëse. Herën e parë kur, “ Kosova ishte bërë Shqipëri” e herën e dytë, “ Kur Shqipëria desh bëhej Jugosllavi”.

Të dyja periudhat kishin qenë të shkurtëra, nga katër vite, jo më shumë, por dallimi kishte qenë ndoshta nga më epokalët. Herën e parë, përmes shkollave, herën e dytë përmes emisarëve politikë. Ndërsa Shqipëria e vjetër kishte dërguar mësuesit e saj më të mirë, prirë, po ashtu, nga një poet i shquar, të cilit rasoja fashiste nuk ia kishte hequr enigmën dhe një brerore të habitshme, Koliqi; herën e dytë gjithçka kishte ardhur përmes emisarëve, që kishin gjithëfarë “ iç- ësh” pas vetes, por më shumë kamat e dalura që në zanafillën e saj nga ajo që njihej si, Fusha e Mëllenjave nga serbët, dhe Kosovë, nga shqiptarët.

Në këtë fushë do të rrinte Kadare në tetorin e vitit 1972, dhe ajo, fusha e dikurshme e përgjakur, tashmë e heshtur, me pak mjegull anash, e ftohtë, si gjithçka në pragun e dimrit, ishte në të njëjtën kohë edhe fillesa e mashtrimit, ngritjes së një historie ndryshe, e që për çudi, monumenti i ngritur në mesin e saj nuk është për fitimtarët, por për të mundurit.

Mes dy popujve kishte pasur gjithnjë ashpërsim, asnjëherë zbutje. Do të jetë vendi ku, edhe një poet i shquar si Azem Shkreli do të thonte se “ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave ne jemi të tepërt”.

Një kumt i ardhur nga larg, ndoshta nga humbëtira e stepave të boshta, kishte sjellë me vete diçka tronditëse, dhe, si duket, këtu kishte nisur e Keqja.

Pagjumësia e Shqipërisë ishte në atë Fushë! Imazhet e shenjta të një kombi të lashtë ishin po aty.

Shqiptarët, asnjëherë hakmarrës, i quajnë fqinjë komshitë e tyre serbë. Asnjëherë nuk e kanë ndjenjën e hakmarrjes; miti i tyre nuk është ngritur mbi heronj të rremë e as mbi mbretër të vetshpallur. Çka, janë, po ashtu, të rremë. Nuk e kanë në gjenin e tyre mëkatin e pafalshëm të gënjeshtrës, mashtrimit; dëshmues të së vërtetës, ata nxjerrin nga jugu i vendit të tyre një dëshmues të madh, që është në të njëjtën kohë edhe Luftëtar i Madh, prijës i shqiptarëve drejt Perëndimit përmes fjalës.

Nëse Pjetër Bogdani, një ndër dijetarët më të mëdhenj të kombit, udhëheq kryengritjen e shqiptarëve në shekullin e XVII, Ismail Kadare është lideri i fjalës së dëshmisë së, një komb që i takon perëndimit, duhet të jetë përsëri aty, dhe se , “Zoti Kryetar, populli shqiptar nuk ka bërë asnjë krim ndaj askujt, për t’u trajtuar ndryshe nga çdo popull tjetër. Edhe në qoftë se bashkimi i tij paraqet vështërsi, tani për tani për Europën, askush nuk ka të drejtë që, në mëyrë cinike e provokative, t’i deklarojë atij se nuk ka të drejtë asnjëherë, as në perspektivë, të gëzojë atë që nuk i mohohet asnjë populli në botë: jetën e lirë, bashkërisht. Aq më pak, askush nuk ka të drejtë, që lirinë e tij imediate, ta quajë të rrezikshme”. ( Ismail Kadare, letër drejtuar Kryetarit të Francës, Zhak Shirak, Paris, 26 gusht 1998)

Për mendësinë serbe, e jo vetëm për atë, Kosova është diçka tjetër. “Kosova është fjala më e shtrenjtë”, thotë shkrimtari Matija Beqkoviç, ndërsa Vuk Drashkoviçi, në një letër të gjatë, drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare, do të shkuajë se “ Kjo fushë për shqiptarët është gjeografi, kurse për serbët gurra e kulturës së tyre, epi dhe Feja, Alfa dhe Omega e ekzistencës së tyre”.

12 vite pas letrës së Drashkoviçit, në Kosovë ka ndodhur mrekullia. E ndërsa shqiptarët pajtohen në vete për të qenë njerëzorët ndaj të mundurve, në anën tjetër gjithçka ndodh ndryshe.

Dhe të mundurit, ashtu si në vitin 1389, edhe disa shekuj më pas, pas humbjes, kishin nxituar të shkruanin një histori tjetër, veçse kësaj radhe nuk kishin pasur përballë turmat çallmë laramane të osmanëve, por një strukturë ushtarake, më të fuqishmen e kohës, që, për herë të parë ishin ngritur për të mbrojtur një popull që ishte drejt asgjësimit dhe që do të provonte gjenocidin.

Nëse nuk u bë masakra e dëshiruar, kjo ka të bëjë me zgjimin e ndërgjegjes së botës, ringritjen e dëshmisë së ndëshkimit të së keqes, rikthimin në kahun e së mbarës të 28 qershorit të vitit 1389, dhe ndodhi mrekullia, “ Mbi Fushën e Mëllenjave është ngritur Flamuri i Evropës!”

x   x   x

Plini plak, në të famshmen “ Naturalis Historiae”, sjell dëshminë për një burrë të zakonshëm, Straboni, që posedonte një aftësi të jashtëzakonshme.

Ky njeri u bë i famshëm, sepse duke qëndruar mbi Kepin Limbeu të Sicilisë arrinte të shikonte brigjet e Kartagjenës, rreth 200 kilemetra larg dhe sinjalizonte saktësisht lëvizjet e anijeve luftarake që dilnin nga portet kartagjenase për të sulmuar flotën romake.

Të gjithë krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, ndoshta edhe krahasimi im është i mangët, pasi Kadare nuk është një burrë i zakonshëm, por njëri nga shkrimtarët më të shquar të shekujve ku jetoi, por, si Straboni i Plinit plak, që në gjenezën e saj dalloi krimin serb mbi Kosovë. E bëri këtë si askush tjetër dhe në lartësi ku nuk mund të shkonin të tjerët, ose fjala e tyre nuk kishte të njëjtën mençuri  dhe mirëbesim.

Në korrikun e vitit 1989, i ftuar në Elize, për mëngjes, nga Kryetari francez F. Miterani, ndoshta njëri nga kujtimet e çmuara të shkrimtarit, Kadare, pa asnjë ngurrim, është i bindur se duhet thënë e vërteta dhe ky është vendi i duhur, pasi përballë tij është një nga mendjet më iluministe të kohës, europian i shquar dhe një njeri i ndërgjegjes dhe kulturës botërore, por edhe përfaqëuesi i një kombi që shpesh herë ka mbyllur sytë ndaj krimit serb në gadishullin e vjetër ballkanik.

Është e vështirë të gjesh hapësirën në një bisedë ku, krijimi si dhunti dhe përpjekje, është ftesa e menduar si e tillë dhe, në vend të tyre, të sjellësh çështjet e vështira nacionale, me ndërlikime të papritura, të cilat mund të prishin, apo të supozohet se mund të prishin, harmoninë e arritur me aq vështërsi, e megjithatë, kjo duhet bërë. Nuk ka asnjë njeri tjetër kombi që mund ta bëjë këtë. Në Shqipërinë londineze, ku shteti është në rrokupujë, pak vetë e kanë mendjen te Kosova, që duket e largët, e beftë dhe përtej mjegullave. Në Kosovë, viti 1989 është ende nën rëndesën e zakonshme të krimit shtetëror serb, që tani bëhet edhe më i rëndë e mizor, pasi është piku i kohës së Milosheviçit dhe lëvizjet e mëdha të shqiptarëve, të filluara që nga viti 1988, do të kenë kulmin e tyre, të cilat  do të ndodhnin disa muaj më vonë, nëntorin e vitit 1989.

Njëri nga të vrarët në Kodrën e Diellit, në 2 nëntor 1989, do të jetë drejtuesi kryesor i lëvizjes çlirimtare. Quhej Afrim Zhitia. Një djalë i hequr në fytyrë, me syze, organizator i shkëlqyer, lexues i madh.

Në lëvizjen ilegale ka marrë një emër të dytë. Quhet Ismail. Frymëzuar nga Ismail Kadare, do të bartë emrin e tij të luftës deri në ditërënien e tij. Nipit do i vërë emrin Dritëro.

Kadare, që nuk besoj ta ketë ditur këtë fakt real, ndoshta deri ditën që në një bisedë të gjatë në Tiranë i fola për Afrim Zhitinë, është ndoshta nga të vetmit, emrin e të cilit në luftë e kishte njëri ndër heronjtë më të shquar të saj.

Është njeriu i vetëm që, i adhuruar në kombin e tij, është po aq i adhuruar edhe në Francë; i lexuar nga të gjithë, që nga të burgosurit politikë, që presin vajtjen e tij mes tyre, deri tek Kryetari i mençur francez. Kombi i heshtur ka ndërgjegjen e tij, kjo ndërgjegje nxjerr një zë, i cili ka, në të njëjtën kohë edhe vështrimin e mprehtë. Kush bart këtë vështrim, sheh të vërtetën, atij i nënshtrohet e drejta për ta shpallur atë.

Sado që një gjë e tillë tingëllon mesjetare dhe e kapërcyer nga koha, më besoni Zoti Kryetar, se në gadishullin ballkanik, mesjeta është ende e pranishme. Unë ju lutem që ta vlerësoni këtë paralajmërim, këtë klithmë për ndihmë, përpara se tragjedia të ndodhë dhe përpara se të jetë vonë.

Dhjetë vite më vonë tragjedia ndodh. Ajo do të kishte qenë më katastrofike, nëse nuk do të kishte qenë zëri i një njeriu që, shumë kohë më përpara, ka guximin dhe burrrinë, jo vetëm të hulumtojë, por edhe të shpallë atë që botës i dukej e largët, e mistershme dhe e pabesueshme.

Është viti 1989. I nëjti kur, me mikun e tij, laureatin e çmimit Nobel të Paqes, Elia Weisel, i shkruan Kryetarit amerikan, Gjorjg Bushit, kur diktatura ishte ende në këmbë dhe, dihej nga të gjithë se, binaja e madhe në të shembur e ka rrezikun dhe ai vetë, nëse do të dihej ky letërshkrim, do të ishte nën pluhurin e gërmadhës, apo edhe më tej, i dënuar me vdekje. Ai e ndjen për detyrë t’i shkruajë Kryetarit të shtetit më të fuqishëm të botës, përsëri në shtatorin e vitit 1991, duke bërë paralajmërimin tragjik.

“Dhurata që iu bë terroristëve serbë…, duke iu dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë”.

x  x  x

I pamatë është pasioni i Kadaresë për Kosovën. Ai e ka dashur atë në të gjitha stinët e jetës së tij, shumë më tepër nga çka mund të merret me mend. Është një dashuri pasionante mes poetit numër Një të kombit dhe Vuajtjes më të madhe të tij. Rrallë herë është ndeshur një përkushtim i tillë, deri në vetëvuajtje: në çështjen e Kosovës ai është më vizionar se të gjithë artistët, të gjithë njerëzit e politikës, në të gjithë trojet shqipfolëse; ai e ndjen deri thellë në veten e tij vuajtjen e saj, e përkdhel atë, e rrok , e dëshmon, përgjërohet, ndjen ngashërim, rri i pagjumë, shkruan, dërgon mesazhet e tij kudo ku mund të jetë i pranishëm dhe është i pranishëm kudo; shqetësohet për krenarinë e boshtë shqiptare, por edhe përcakton saktësisht atë çfarë po ndodh në Kosovë; ai saktëson ngjarjet e vitit 1981 më qartë se secili prej nesh, i sjell  tronditshëm në dy romanet e tij; njëri nga të cilët “ Krushqit janë të ngrirë” tronditi të gjithë piramidën e shtetit ku jetonte, edhe më përtej saj, tërmetoi , nëse kjo është fjala e duhur, një botë tjetër, atë të shtypjes, nxori nga kafazet e pista gjëmën e kolegëve shkrimtarë, të cilët e akuzuan rreptë, duke e ndjerë më shumë se kushdo tjetër se ai, pikërisht ai, shkrimtari i namun, si Bjeshkët e Veriut, do të ishte në të njëjtën kohë gjëma e tyre, piskama e krimit që kishte ndodhur dhe po ndodhte.

Kadare është hapësirë e krijuar për Kosovën. Hapësirë, vende – vende si rrafshultat e saj dhe më së shumti si rrafshlartat e Kosovës. Tek ai njeriu gjen fushën e Dukagjinit dhe bjeshkët e Sharrit, përdëllimin e ndjenjës ndaj asaj pjese të kombit, në skajintjetër, që vuan, përpëlitet, gjakoset, shtypet, ngrihet pësëri, trazohet shpreson, ëndërron, ndjen se si i përgjaket ëndrra dhe kërkon një dishepull të lirisë, ama një dishepull të madh dhe e gjen këtë tek Kadare.

Ai i përkdhel plagët kur duhet, por edhe i zbulon ato, me qartëpamësi të habitshme, që vjen nga një thirrje e brendshme e furishme, e paepur, dhe, duke qenë më i përkryeri nga rrëfimtarët tanë dhe njëri nga më të mrekullueshmit e botës, ai është edhe më reali.

Kur një herë, në një ndenjë në Tiranë, po i tregoja se sa me ankth dhe, në të njëjtën kohë me ngazëllim priteshin deklaratat e tij në ditët e luftës në Kosovë dhe se, asgjë tjetër, asnjë deklaratë zyrtarësh, politikanësh, qeveritarësh të lartë nuk pritej dhe nuk kishte ndikim si fjala e tij, ai më tha se askush nuk i kishte thënë se duhej të vepronte ashtu, gjithçka i kishte ardhur nga brenda, kishte qenë shtysa e tij, vetëdija, bindja, rruga që kishte zgjedhur, meraku i madh dhe dëshira për të qenë sa më i pranishëm.

Ai, për Kosovën, ka ngritur një konstruksion të mahnitshëm me gjërësi dhe gjithanshëmëri të pazakontë; për këtë ai nuk ka thirrur në ndihmë asgjë tjetër, veçse përjetimit të tij, njohjes së thellë të shpirtit të popullit të tij dhe dëshmitë e brezave ballkanikë: është i paanshëm, ndaj i besuar; frymëdhënës, ndaj jetësor; i shpejtë, do të thotë në kohën e duhur; i përpiktë, sepse është gjenial; tokësor, sepse e ndjen dhimbjen; i pazakontë, pasi përcaktimet e tij i takojnë së ardhmes.

Në kohën kur i gjithë arsenali medial e politik i shtetit serb e quan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës një aksiomë terroriste me theks islamik, dhe jo rrallë gjen vend edhe në median e Kosovës, e shtrydhur nga shitja; dhe kur media në Shqipëri, më tepër ironizon se sa e kupton luftën, ai, Kadare, bën dy përcaktime të sakta, frymëdhënëse dhe ushtuese edhe përtej shtetit shqiptar .

“Kur një popull ndodhet në gjendjen e një grigje të pambrojtur përball ujkut, ëndrra e tij më sublime është shfaqja e një shpëtimtari, e një dalzotësi. Kur populli i Kosovës u gjend kështu, grigjë e pambrojtur përpara kasapit serb, UÇK-ja u bë dalzotëse e saj….Askush s’mund t’ia heqë dot kurrë asaj emrin e madh dalzotës”.

Vetëm ata që kanë qenë pjesë e luftës e dinë se sa përcaktuese ishin prononcimet e Kadaresë në një kohë të tillë dhe, njëkohësisht, sa frymëzuese.

Pikërisht ato ditë, përcaktimi i Kadaresë ishte më i vyer se qindra deklarata politike të selive në Tiranë a Kosovë.

Kadare merr mbi vete rolin dhe misionin e artistëve të mëdhenj të kombeve që synonin lirinë, si të Shilerit, Gëtes, Bernsit; ai vringëllon me nervin e tij të furishëm në shkrimet e tij si Dostojevski; bën analizën e milimetruar të ngjarjeve dhe përsonazheve si Balzaku; zbret në ferrin e krimit terrorist serb si Dante; ai është në luftë pa qenë në front, ngjall kuptimin e lirisë si Pëtef, sjell tragjeditë si në skenat shekspiriane; pra është njëri nga sivllezërit e tij, pararendës të lirisë.

Ai ndërton për Kosovën kufijtë e artit të tij, që nuk janë arritur deri më tani nga askush tjetër nga përsosmëria e shprehjes, tragjizmi i jetuar, dhe, nëse ka një njeri që nuk tronditet nga vrasja e Gërvalljave, paraqitur  madhërishëm në romanin e tij kronikë, atëherë ai nuk do të mund të kuptojë kurrë të vërtetën e asaj që ka ndodhur.

Prania e Kadaresë ngjall alarm në shtetin serb, në piramidën e tij, në të gjithë atë sistem zingjiror strukturash ku krimi projektohet të paraqitet si mirësi, ku gjaku nuk ka ngjyrën e kuqe, dhe shteti i thërret në ndihmë të gjithë kundër Kadaresë.

Kadare është memorja – kjo memorie duhet zhdukur!

Kadare është dëshmia e besueshme – kjo dëshmi duhet djegur!

Kadare është e vërteta dhe e bukura- këto duhen nxirë!

Vuk Drashkoviq, më i njohuri prej tyre, shkrimtar e politikan, dy në një, do i shkrunate Ismail Kadaresë me 18 qershor 1987, se “ Ju shpesh deklaroni, se ngjyra e kuqe e flamurit shqiptar simbolizon gjakun që pandreprerë duhet të derdhet për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, kurse ngjyra e zezë shënon zinë për heronjtë, të cilët do të flijojnë jetën për këtë qëllim të shenjtë”.

Interesant është se edhe një studjues shqiptar, Sabri Hamiti, megjithëse e di krejt mirë se shkrimtari Kadare ka botuar më shumë se 1.000 faqe për Kosovën, në disa gjuhë të botës, se romani i tij “krushqit janë të ngrirë” është tronditës për qeverinë serbe, sa që detyrohet të nxjerrë Drashkoviqin e të dërgojë letra e artikuj kudo për të denigruar të vërtetën, ai, Hamiti, bashkohet me këtë zë të Vuk-ës dhe e cilëson “ një roman pa vlerë”.

E pabesueshme për filozofët, shkrimtarët dhe politikanët serbë, por Kadare nuk është nacionalist. Asnjë dell nacionalizmi nuk ka në veprën e tij. Asnjëherë ai nuk merr pozën e një nacionalisti dhe nuk kërkon shtizë për flamurin e tij të urtësisë.

Kadare është një njeri i letrave, për të cilin nuk janë të panjohura raportet e tmerreve të rrokshme me ato të përfytyrimit; tek i cili ndjenja për kombin e tij nuk kalon nëpër gardhet e prishur të kombeve të tjerë; adhurues i gjuhës së tij, ai bën vend për lartësimin e vlerave njerëzore; e keqja e trondit, por nuk e zpraps; nuk ndjell kore fantazmash, por si në tregjeditë e lashta greke e vrteta ka zënë vendin e korit dëshmues; thelbi i fjalës së tij është Kosova në hallet e saj dhe pamundësinë e njerëzores nga një shtet çnjerëzor, por kurrë denigrimi i atij tjetrit, kushdo të jetë; mbrojtës i vlerave sipërore, ai nuk bie në batakun e përbuzjes dhe të urrejtjes, ndaj është më i besuar në kancelaritë e larta të botës më shumë se kolegët e tij serbë; ai nuk blen mashtrimin dhe nuk e shet të vërtetën – kjo përbën rrënjën e një shkrimtari serioz, hijerëndë, qartësisht largpamës.

Viti 1980 do të jetë në Kosovë viti i Kadaresë. Sapo është botuar korpusi i Veprave të tij në dhjetë vëllime dhe, i ftuar nga Azem Shkreli, poeti i shquar, që i kishte kushtuar Kadaresë poezinë e tij magjike “Përshendetje me miq”,

Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës,

Kudo e ngado është juaja, pos mohit, por orës së prapë,

Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se

Të ju zbukuroj në Baladë, o mik, me se, o dega ime e epërt e Fisit….

……..

Ju falem që jeni, o të mirë, ju falem që jeni, ju falem,

Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës.

Pak muaj më pas ndodh njëra nga ngjarjet përcaktuese të historisë së kombit, demonstratat e marsit dhe të prillit 1981, të cilat, që në fillimin e herës do të përcaktoheshin nga shkrimtari Kadare, ashtu si nuk ishin cilësuar ende nga institucionet e shtetit “kryengritje”.

Në memorien e shkrimtarit ka mbetur gjithçka që ka lidhje me Kosovën dhe, pas shumë viteve, pra që atëherë, kur “bota lis kishte ndërruar”, ndodh në Shqipëri ajo që kishte qenë e zakonshme dikur: Ajo nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike apo reservat i disa poetëve nga Kosova, ku shquhen Agim Gjakova dhe Adem Istrefi, por realitet, diçka që duhet takuar, edhe në letërsi.

Koha e “Poemit kosovar” të Kutelit ishte e largët dhe, befasisht do të bëhet e huaj për sistemin, e po ashtu, heshtja ndaj Lasgushit përmbyll edhe mallin dhe veneracionin e tij për Kosovën.

Befas flitet se Kadare ka shkruar dhe dërguar për botim një roman të tjetërllojshëm: ai ka në themelin e tij ngjarjet e vitit 1981, të cilat sapo kanë ikur, e, si ndodh në historitë që ende janë përvëluese si llavat vullkanore është edhe tabu.

Si gjithnjë, pararendëse është një poezi. “Terrori në Kosovë”. Ende nuk janë numëruar të vrarët dhe nuk dihet fati i të burgosurve politikë. Viti 1981 është në vjeshtën e tij. Kosova është nën ankthin e të nesërmes dhe të gjakut të derdhur. Mijëra e mijëra rreshta gazetash janë shkruar, denoncime, deklarata politike, apele intelektualësh, mbledhje të zgjatura në shtetin amë, dhe mes tyre një poezi tetëstrofëshe, 32 rrjeshta, pikërisht kur gjithçka ishte nën mjegullën e të nesërmes, kur ende enigma ishte mbi kryengritjen dhe korbët silleshin nën mantele prokurorësh, gjykatësish, denoncuesish, hetues të panumërt, kjo poezi.

Gjithçka që ka ndodhur është aty, terrori, dënimet e gjata, burgjet e rënda, njerëz me pranga, mesjeta e rikthyer në pragun e ndërrimit të një shekulli dhe mijëvjeçari, fantazmat e dalura nga koha e Dushanëve, tanket në rrugë, nata e Prishtinës e kthyer në një natë Shën Bartolomeu, masakra e planifikuar deri në detaje, mallkimet e një trupe politike dhe mes tyre, britmë dhe shpresë, ata, që viganë dhe fisnikë, me korrektesë dhe madhështi, ngrihen për të bërë Republikën e tyre dhe që, mjerisht grihen si në mesjetën e monarkëve mizorë. Ka nisur filli i një historie ndryshe, që ka zanafillë, por edhe që do i vlerësojë kryengritësit, të cilët, pasi u ngritën si monument, prekën historinë dhe u bënë vetë pjesë e saj.

Përcaktimi i fundit, bërë në vjeshtën e vitit 1981, është më i sakti që mund të jetë bërë. Ndjenja e furishme dhe e ngultë e shkrimtarit e ka dërguar drejt këtij përcaktimi, që i qëndroi kohës.

Por, nëse poezia ishte “pëllumbi” i parë i Noas – duhej një dëshmi tjetër, më solide, më e gjërë, pakrahasimisht më epokale, dhe vjen romani i njohur.

“Krushqit janë të ngrirë”, është titulli i romanit më të ri dhe gjithçka është thënë në këtë titull. Ashtu si stalaktikat në shpellat e Kosovës, të ngrira, të heshtura dhe misterioze, ashtu janë edhe ndërlidhjet, mëria dhe hutimi mes dy popujve, njëri nga të cilët, sipas Agim Gjakovës “ flen e nuk e di a do të zgjohet, zgjohet dhe nuk e di në do të flerë”, apo, sipas Azem Shkrelit “Sa herë i vumë vetes, nekrolog mbi krye”.

Ndërsa tjetri, tashmë kur fjalët janë mundur, nxjerr një Ristiç, për dreq edhe Dushan, çka të kujton dashkeqësin e Shqipërisë, Dushan Mugoshën, që, vrullshëm, rrëmbyeshëm deklaron se “Kurrëfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”.

Kadare ka prekur gjithçka me dorën e tij: jo kryengritjen, por atë përkatësi të habitshme që ndjell ndodhitë e mëpasme; ai është pjesë e asaj elite kulturore shqiptare, e cila, si shkruan Vuk Drashkoviçi, në polemikën me Kadarenë “Flamujt tuaj kanë vërshuar nëpër Kosovë”, dhe se, në fakt, më shumë se gjithçka është edhe një përballje mes territ, nga njëra anë, dhe kërkimit të dritës, nga ana tjetër, e cila, edhe pse e largët e më pas, e furishme, mund të jetë e vetmja mundësi për të qenë vetëdija e kombit.

Kur e kam rilexuar romanin, gjithnjë me mendimin se tashmë edhe rileximi, veç dëshirës së kahmotshme, nuk do të mund të shtonte diçka tjetër, përsëri jam ndjerë i befasuar, mes të tjerave edhe për një rastësi të veçantë.

Në romanin e Kadaresë personazhi kryesor është Teuta Shkreli dhe bashkëshorti i saj shkrimtar, Martin Shkreli. Në memorien e shkrimtarit, në fakt të jetësuar, janë dy miq të tij, mjekja kirurge Sahadete dhe poeti Esat Mekuli.

Në vorbullën e pafund të ngjarjeve të vitit 1981, të cilat do të përsëriten edhe në vitet e mëpasme, sidomos 1988 dhe 1989, me 21 të vrarë nga policia serbe, të parathëna në romanin e Kadaresë, pra, ata ecejaket e netëve të fundmarsit dhe fillim prillit, burgosjet, ditët e netët e diferencimit, të cilat për një komb të lidhur me Fisin dhe Familjen janë të ububushme, pyetjet që sëmbojnë jo vetëm shpirtin, por krijojnë klimën e ndarjes, të gjitha janë aty, të detajuara, solide, përçuese, si në një kor antik të tragjedive të vjetra, apo, si gjëmë e bjeshkëve të Veriut.

Më pas, kur jam njohur nga afër me pranveruesit e vitit 1981 dhe dëgjoja rrëfimet e tyre, besimin që kishin pasur se shteti amë nuk do i braktiste kurrë, sido që të ishte ai, monarki apo republikë, më trokisnin te unë vargjet e Kadaresë, për ata që kërkuan republikë dhe u vranë si në monarki, pasi hijet e knjazëve dhe kralëve ishin ende në vetëdijen e një populli që, edhe pse shpesh herë i mundur, nuk kishte ditur të mësonte nga historia dhe që, padija e madhe do i kthehej në fundin e shekullit, në tragjedi.

Njeriu që ua kishte thënë këtë, jo me mburrjen tipike ballkanase, por mjeshtrisht dhe herë – herë duke vuajtur shpirtërisht për moskuptimin e madh që kishte derdhur gjak të parrëfyeshëm, do të jetë shkrimtari Kadare, i cili nga shqiptarët thuajse ishte shenjtëruar, ndërsa nga serbët pasi ishte krahasuar me Hitlerin – cilën armatë kishte nën urdhërat e tij Kadare-, pasi ishte kërkuar linçimi i tij, më parë se i Enver Hoxhës, pasi ishte akuzuar zyrtarisht dhe kudo që kishin mundur të depërtonin, si nacionalist i çartur, ëndërrues i „Shqipërisë së Madhe“, se nuk ishte asgjë tjetër, veçse përçuesi fantast i një populli që kishte qenë mbrojtësi më i madh i sundimit osman, pra, pasi e kishin nëmur në të gjitha format e mënyrat, që nga disfata e qershorit 1389 e deri tek bombardimet e Natos, pra, kur po mendonin se i kishin larë hesapet me të, pikërisht asaj kohe e kishin kuptuar se ishte e pamundur të vritej e vërteta, duke sulmuar lajmësin e saj.

Mjafton vetëm të kthehesh te romani “Krushqit janë të ngrirë”  dhe të vendosësh përballë vetes si në përballimet e mëdha, qetësinë dhe dinjitetin e mjekes Teuta Shkreli, përballë një lukunie që etshëm, zvarritshëm dhe dhunisht në të njëjtën kohë, kërkojnë e kërkojnë të zhbëjnë një popull, tashmë jo vetëm përmes burgosjeve, megjithëse në katër dekada e gjysmë rreth 400 mijë vetë do të jenë të burgosur politik e do të hapen më shumë se 45 mijë varre të reja plumbi, torture apo mbytje në mesnatë, por edhe përmes linçimit tjetër, ndarjes brenda vetes, spiunimit masiv, krijimit të psikozës vrasëse se, ja, pas gardhit do të jetë fqinji yt, do të vijë pas darkës një mik apo një djalë i fisit dhe ai, mos o Zot!, është i lidhur me pushtetin. Kamat e dikurshme janë rimarrë nga arkivat dhe tanket kanë zaptuar rrugët, e përsëri, një kirurge, bijë, grua, nënë dhe motër rrezaton qetësinë dhe e gjithë kjo është fat për së mbari të njërit popull ndaj një mizorie pa kuptim, urrejte të tërbuar dhe të verbër, që ka zënë vend deri te akademikët e njohur serbë, të cilët, edhe pse ditën quhen humanistë dhe evropianë, natën përgatitin planet makabre për zhdukjen e shqiptarëve, të cilët përbuzshëm i quajnë „shiftari“.

Dhe, kur të gjitha këto nuk i mjaftojnë, pra, pasi e kanë krahasuar me gjithçka të mbrapshtë që ka ndodhur, me socialnacionalistë gjermanë, pasi e kanë shpallur si bartës i idesë së „Shqipërisë së madhe“ dhe përçues të urrejtjes, fantast, nacionalist dhe irredentist, pasi ia kanë përmendur “fiset shqiptare”, si përfaqësues i një populli primitiv, pra, pasi kanë namun e mallkuar gjithçka, kudo që kanë mundur, që nga fletushkat e panjohura dhe deri tek “Le Mond diplomatic”, pasi kanë vënë në lëvizje një brezni shkrimtarësh, disa shkretanë e ndonjë i njohur, dhe e kanë parë se asgjë nuk ka ndryshuar, jo vetëm tek pikëpamjet e autorit për ngjarjet dhe të vërtetën ndaj tyre, por nuk ka ndryshuar as qëndrimi i Perëndimit ndaj shkrimtarit, çka i tremb vazhdimisht, bëjnë gjetjen e fundit dhe e hedhin në pazarin e medias dhe të politikës, duke e quajtur Kadarenë si „oborrtar i sistemit tiranik“ në Shqipëri, e pra, edhe i pabesueshëm. Mendojnë se shashka e fundit ngjiz më shumë në Perëndim, në rrethet politike e botën letrare të tij, duke pritur me padurim që perëndimi ta bëjë “hasha”, ta linçojë, ta  nxjerrë jashtë gardhit , ose, ta gardhëzojë krijimtarinë e tij, ta heshtojë atë. Dhe dihet që mosbesimi i parë nis nga enigma e së të kaluarës.

Çuditërisht, por jo rastësisht, me këtë kor të dirigjuar shtriganësh, që edhe Gjergj Kastriotin e sllavizojnë dhe e quajnë Gjuro, pra me nënë serbe, që nxisin dhe financojnë botues kosovarë “modernë” të shkruajnë e botojnë libra kundër Skënderbeut dhe thurin Epikën e popullit serb, pra, me këto shtriganë, përballë të cilëve vetmia e shtrigave makbethiane duket e varfër dhe pa imagjinatë fatthënëse, bashkohet edhe një krijues shqiptar.

Askush nuk e di pse ka gjithë këtë mllef ndaj sivëllait të tij, që, po ashtu si shkrimtarët nacionalistë serbë, e quan “oborrtar” dhe mobilizon një zyrë shtypi për të shkruar kundër shkrimtarit të njohur. Nuk e zgjodha rastësisht fjalën “mobilizon”, sepse gjithçka e ngritur prej tij i ngjan një kazerme ushtarake.

Askush nuk e di pse Sabri Hamiti ngjesh shpatën kundër shkrimtarit të shquar, pikërisht në kulmin e debatit, për më tepër në një kohë kur dhjetra fantastë serbë, grumbulluar rreth një Instituti, duan të thyejnë domosdo mitin Kadare të lidhur me Kosovën.

I njohur më shumë si kritik letrar, ai që tani është gjysëm i harruar nga grigja e përbashkët krijuese dhe, po të mos kishte qenë njeri i politikës dhe i lidhur me Rugovën, përmes krushqisë, do të ishte edhe më tej i harruar.

Ai nuk e sjell ndër mend se shkrimtari që sulmon, njëjtë si miqtë e tij në shtetin serb, është pikërisht ai që ka ndërhyrë në njerën nga shtëpitë botuese më serioze të Francës për të bërë përkthimin e botimin dinjitoz të Veprës së Rugovës mbi Bogdanin, e, për më tepër, ka bërë edhe parathënien e librit me intervista të doktor Rugovës, ku shpalos virtytet e një populli që, përmes Buzukut, Budit e Bogdanit u bë Populli i Librit!

Është i natyrshëm revoltimi i Kadaresë, pasi nuk është prekur aftësia e tij si krijues; për këtë nuk ka pasur kurrë merak, por është synuar të shkelet Ëndrra e tij për Kosovën e mosvarme dhe të lirë. Ai vetë, Kadare, është një shkrimtar, i cili bën çmos për të mbrojtur Kosovën dhe çështjen e saj, kur befasisht sulmohet nga një klan dhe një zyrë e Kosovës. Çfarë është ky sulm përvers, pyet shkrimtari? Nga cili shkak vjen?

“Unë jam qënie njerëzore dhe është normale të revoltohem nga e keqja. Ata që nuk e kanë këtë cilësi, mendoj se janë të gjymtë. Mosrevoltimi nga e keqja, pranimi i fyerjes, i robërimit bëjnë pjesë në psiqikën e skllavit.”

Le të kthehemi te “Krushqit janë të ngrirë”, përkthimi i të cilit tejet mjeshtërisht nga Robert Elsie, në Shtetet e Bashkuara, në gjuhën angleze, sipas origjinalit të parë, është ndër më të arrirët.

Teuta Shkreli, për shumë kohë ka qenë tek unë, e jo vetëm tek unë, përfytyrimi i njeriut të ditur, të lidhur fort me Kosovën, me qetësinë karakteristike të grave shqiptare në Kosovë dhe virtytin e heshtjes.

Kur filloi Lufta e Kosovës unë njoha një mjeke tjetër, kirurge edhe ajo, e furishme dhe pjesë e lëvizjes çlirimtare, e burgosur politike dhe nga një familje e njohur gjakovare.

Quhet Teuta Hadri. Mbesa e historianit të shquar Ali Hadrit.

Teuta Hadri ka shkruar një libër të mrekullueshëm, në dy vëllime “Krimi që pashë me sytë e mi”, ditari i saj i luftës, që nga dita e parë dhe deri në çastin e fundit të saj. Është një libër i mrekullueshëm. Si kam shkruar, sëbashku me librin monumental “Mashtrimi i Madh” të politologut të shquar Bardhyl Mahmuti, janë ndër dëshmitë më autentike të krimit, para, gjatë e pas luftës.

Kur Teuta Hadri u arrestua për herë të parë dhe milicët serbë vajtën në shtëpinë e saj, mes të tjerave atë e akuzuan edhe se, në shtëpinë e saj, kishin gjetur librat e Kadaresë, botuar në Tiranë. Është në akuzën e saj zyrtare dhe e pyesin gjatë për të. Një inkuzicion i pamatshëm për librat e një shkrimtari, i cili edhe pse një vit më parë është botuar zyrtarisht në Prishtinë dhe vetë autori ka patur takime në institucionet e Krahinës, përsëri vazhdon të mbetet i rrezikshëm.

Dëshmitë në librin e Teuta Hadrit do të jenë tronditëse. Shpesh herë, kur lexoja librin e saj, më vërvitej në memorie personazhi kaderian, Shpend Brezftohti, studenti që synoi të shkrinte krushqit e ngrirë, pastaj toka e lagësht, më saktë, nëntoka dhe dherat mbi shtatin e tij, ku hëna, sado e bardhë të ishte, nuk arrinte dot;  pastaj ajo rrëkezë e nëndheshme, që ia shtrinte një pjesë të flokëve përpara, në drejtim të rrjedhës së vet, sikur dora e nënës ia përkdhelte dhe ia krihte vazhdimisht, ndërsa rrëzë maleve të Sharrit, aty ku dëbora e paktë e fundprillit mbi shkëmbinjtë dukej vërtet si krushqit e ngrirë. Teuta Hadri do i përjetonte nga afër skenat e krimit që nga mbyllja e syve të grave, fëmijve dhe burrave të familjes Jashari, deri tek të afërmit e saj.

Do të ishte njëra nga gratë intelektuale, poete njëkohësisht, mjeke e shquar, që do të dënohej edhe për adhurimin e saj ndaj një poeti të shquar të kombit.

Kadare në Kosovë nuk është trajtuar kurrë veçse si një shkrimtar i madh; mbi të gjitha ai është parë, ashtu si ishte, një atdhetar i madh.

Pak vite më vonë Kadare do të shkruajë përsëri për një ngjarje reale, vrasjen e poetit militant, Jusuf Gërvalla, i cili në mesnatën e 17 janarit 1982, do të vritej nga shërbimi sekret serb, së bashku me mikun e tij, gazetarin Kadri Zeka dhe të vëllain, Bardhoshin.

Romani, me titullin më të mirë të mundshëm që do i përshtatej Jusuf Gërvallës “Baladë për J.G.” është në fakt vazhdimi i denoncimit të krimit që ka ndodhur në Kosovë.

Jusuf Gërvalla ishte poet, gazetar, muzikant, njëri ndër njerëzit më shpirt hapur dhe botëformues, prania jetësore e të cilit po bëhej përherë e më e rrezikshme. Për të gjitha shtetet totalitare një shkrimtar i madh është edhe një i rrezikshëm i madh.

Stendal ka shkruar se “Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që është interesante dhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”.

Mirëpo, ndodh edhe ndryshe. Jo gjithnjë dhe jo nga të gjithë. Ndodh që shkrimtarët e mëdhenj gjejnë forcën për të skalitur atë pjesë historie që mund të jetë e denjë si e tillë. Bëhen pararendës të saj. Përçues. Lajmës. Skalitës, më në fund.

Mjeshtrat e vërtetë nuk kanë nevojë që historia të ngurtësohet përfundimisht, pra, kur ajo të jetë e ftohtë, e pandryshueshme dhe solide. Ata, me subkoshiencën e tyre, nganjëherë verbuese, risjellin atë që është më qëndruese në jetën e një kombi: njerëzoren, të vyeshmen, si është në këtë roman portreti i Jusuf Gërvallës; ku shpirti ka dalur mbi uniformat, flamujt e egërsisë, ngërçet e vdekjes, shtrëngimin e dhëmbëve, çmendurinë e përgjithshme. Ai është njerëzor deri në çastin e fundit, i vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur me të dhe, në një mënyrë a në një tjetër, mund të quhej edhe ai Shpend Brezftohti, ripërsëritje, i rivrarë, përsëri në një kohë të ngrirë, jo vetëm se është mesi i janarit; për më tepër në një dhe të huaj, ku do të rrijë shumë e shumë vite, deri në rikthimin e tij në Kosovë.

Për të shkruar një roman të tillë nuk është e mjaftueshme të jesh shkrimtar i madh, si është Kadare ndër më të mëdhenjtë. Të gjitha do të ishin të mangëta, të shprishura, do të ishte gjithçka si në ato çastet e qeta të historisë, kur ajo është ngurtësuar; e bukur, por pa atë ndjenjën e mirëbesimit, pjesë e një statuje me sy të ftohtë, nëse nuk ke në vete atë ndjenjën e veçantë të mirëkuptimit të aktit sublim të një njeriu–poet e luftëtar, që, edhe pse e di se erdhi çasti i ikjes, nuk do të lërë sherr pas vetes, nuk do të jetë pjesë e diferencimit, ndarjes, mërisë, egërsisë dhe, belbëzon si fjalët e fundit të një jete të urtësishme, se, nëqoftë se dorasit janë shqiptarë, kurrë mos u zbulofshin. E vrasësi dihet, i dyfishtë, i kundërti i Teuta Shkrelit, mjekes kirurge që mjekon plagët e kujtdo. Një mjek praktikant serb, në fakt më shumë ushtar se njeri human, do të jetë pjesë e vrasjes së poetit. Pjesa e dytë e vrasjes së tij.

Më parë se në letër, Jusuf Gërvalla është në zemër, është simbioza e poetit, vëllai i tij, e ndoshta edhe fati i tij.

Duhet të jesh edhe guximtar për të thënë një të vërtetë nga e cila, mund të kthehesh në orakull i vetvetes.

Shpesh herë kam menduar se sa vite përmbahen në një të vetëm: vitin 1981.

Jo të gjithë e kuptuan menjëherë atë. Disa, edhe sot, ende nuk e kanë kuptuar se sa i madhërishëm ishte ai.

Kadare ishte ndër të parët që, jo vetëm e kuptoi, por edhe e rroku atë. Në fakt, të gjitha momentet madhore të historisë së Kosovës, pra vitet e shndërrimeve të saj, ai , jo vetëm i kuptoi, por me qetësinë shpirtërore të pazakontë, u bë pjesë e tyre, e shpesh herë pararendës.

Nga secili krijim i tij që lidhet me këto periudha të veçanta, sidomos në trekëndëshin 1981 – 1989 – 1998, pra pranverën e madhe të vitit 1981, lëvizjet e mëdha për republikën dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zbulohet një galeri personazhesh, përmes të cilëve mund të kuptohet realisht ajo që ka ndodhur në Kosovë, e jo vetëm aq, e fuqishme në hapësirën e krijuar, e pamatshme nga vizioni, afërsi njerëzore dhe njëkohësisht ndjesi përkushtimi – vetëm përmes tyre mund të konceptohet hapësira e Kadaresë e krijuar nga vetë ai dhe e përqafuar nga njerëzit.

Asnjë shkrimtar tjetër nuk ka qenë më i lidhur me Kosovën, se sa vetë ai; askush nuk është kuptuar më qartësisht dhe nuk është dashur, nganjëherë çmendurisht. Kjo vepër bëhet gjithnjë e më e pamatshme, sa herë që synojmë të depërtojmë në të, si në ato galeritë që të shpien drejt thelbit, dhe që, në këtë rast, është e pambarueshme.

Në Kosovë ai ishte gjithnjë i paprituri që pritej me ankth, në të gjitha kohërat. Ai ishte ngjarje. Ai mbetet ngjarje. Kjo nuk ka të bëjë me dëshirën njerëzore. Është ngurtësuar tani.

 x  x  x

 Ka patur gjithnjë një moskuptim të madh mes çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe Perëndimit. Ka pasur pikëpyetje, hatërmbetje, mallkime, belbëzime, furtuna të ngritura e të përfunduara pa rënë asnjë pikë shi i bereqetshëm, përçarje, rendja drejt vendeve të lindjes, komunizëm; përsëri mallkime dhe vetmi, një vetmi e gjatë, e prapshtë dhe mizore. Perëndimi më shumë është shfaqur si fantazmë , Lindja komuniste si galaktikë diellzuese. Në fakt kishte qenë e kundërta.

Zemërimi me Perëndimin kishte qenë më shumë me pamundësinë për t‘iu afruar, e më tej, për ta kuptuar. Thënia e Naim Frashrit se “dielli lind andej nga perëndon”, nuk kishte qenë veçse poetike, por joshje, thirrje, brengë, mesazh dhe shpresë. Në shumë vite vetmi, kur kishte ardhur mundësia e hapjes, të ngutshëm si shpesh herë dhe inatçorë të krisur, te shqiptarët kishte pasur ndjellje të fatalizmit dhe pesimizmit.

Kadare, njohës i shkëlqyer i shpirtit të një populli që ishte ende i hutuar dhe rruga i kishte humbur disa herë në oborrin e shtëpisë së tij, do të përhapte idenë e saktë se, të jepesh pas fatalizmit është si të ngresh duart e të dorëzohesh. Fati i shqiptarëve në Kosovë nuk është aq i zymtë sa duan ta bëjnë disa. Ai bën thirrje njerëzve as të mos zemërohen, as të mos mallkojnë, madje të shajnë dhe të leçitin, si propozuan “kokat e nxehta”, apo një rrymë “moderne” , e cila, duke mohuar gjithçka mendonte se mund të afrohej dhe të bëhej më e besueshme.

Si mund të ngrihemi e të zemërohemi me Perëndimin, bën thirrje ai, si mundemi madje ta shajmë dhe ta mallkojmë? Evropa dhe SHBA janë synimi ynë, horizonti, shpresa jonë. “ Ndryshe, drejt ç’yllnaje tjetër do të orientohemi”?

Kombi kishte dashur gjithnjë një përfaqësues të tij, ndoshta të pashpallur zyrtarisht, por të njohur si të tillë vetvetiu, i cili të kishte në vete aftësinë për të bartur një mision të tillë, të ishte i besuar, aureola rreth tij të ishte e natyrshme dhe fjala të kishte peshën e duhur.

Kadare bëhet, pa e ditur askush, ambasadori i parë i madh i çështjes së Kosovës. Ai është i njohur, shkrimtar i madh; natyra e tij e qetë, por edhe zemërimi tipik gjirokastrit e bëjnë më të vyerin në këtë fushëbetejë që sapo ka nisur.

Letërkëmbimi i tij me personalitetet më të mëdha botërore është thelbësisht për Kosovën, sidomos pas vitit 1991.

Në bindjen e tij është prioriteti i kombit çështja e Kosovës. Mirë a keq, Shqipëria londineze ka hyrë në një rrugëtim, duan apo nuk duan liderët, gjërat mund të zgjaten, por do të bëhen, ndërsa në Kosovë ky është momenti i fundit.

Ai i drejtohet Georg Bushit, presidentit francez Miteran, presidentit çek, shkrimtarit të njohur Havel, Papës së shenjtë Gjon Pali i Dytë, Presidentit Shirak, Ministrisë së Jashtme franceze, delegacionit shqiptar në Rambuje, takon statura të shquara të botës diplomatike, shfrytëzon të gjitha tribunat ku është i ftuar a  i nderuar, pa rreshtje, të flasë për Kosovën, të shkruajë; një cikël librash të shquar bëhen pjesë e jetës së përditshme njerëzore dhe fitojnë qytetarinë më shpejt nga sa janë përhapur dhe, ata, librat, janë plot dritë, ngazëllim, shpresë, brengë, përplasje, zemërim, vuajtje, shend, mallkim për kokëkrisjen shqiptare, dhe gjithçka, ose thujase gjithçka që vërvitet rreth fatit të Kosovës, atij i intereson furishëm.

Ditari vetjak i Kadaresë, mbajtur gjatë ditëve të Konferencës së Rambujesë, dëshmon për ankthin e tij, mërinë ndaj ngrehalucëve, zemërim për dokrrat që dëgjon, ankth për çfarë do të ndodhë dhe, në një çast pagjumësie e zemërimi, shpërthen “Kosova për disa është tmerr, për disa është dhimbje, kurse për disa vazhdon të jetë biznes.”

“Kosova ndërkaq e lënë në mëshirën e fatit mezi mbahet në këmbë. Bisha serbe e ka zënë për gryke dhe po e mbyt”.

Dhe pastaj, shënimi i shkruar pas mesnatës së 22 shkurtit: “Ndonëse kam rënë të fle në një e gjysëm, në tre të natës më del gjumi. Kam një parandjenjë të keqe. Kam bindjen se gjithçka po merr rrokullimën. Shqiptarët nuk dalin dot nga kurthi ku janë futur. Kosova po merr fund.

Ç’mund të bëhet ende? Koha që ka mbetur është shumë e shtërnguar. Duhet diçka e ngutshme.”

Kadare bën dy gjëra. Ideja e Letrës drejtuar Delegacionit shqiptar në Rambuje i vjen natyrshëm. Është e vetmja zgjidhje. Një letër që t’i zgjojë nga gjumi. Që t’u kujtojë se ç’janë duke bërë. Që t’i detyrojë të harrojnë rapsodin e katundit…

Në orën katër letra është gati. Më në fund mund të bjerë të flerë.

Nuk është e mjaftueshme vetëm kjo. Përmes mikut të tij të vjetër, Ekrem Bardha, takohet me Kris Hill, Një darkë e përbashkët. Thuajse familjare. Diplomati amerikan, njohës i shkëlqyer i Kosovës, shkon me vonesë dhe ankthi se mos diçka e prapshtë ka ndodhur në atë kështjellë të vjetër, rritet. Më në fund Hill është aty, sëbashku me gruan. Amabsadori i njohur është i lumtur që takohet me shkrimtarin e shquar, Kadare është në ankth për të ardhmen. Dhe befas gjithçka lehtësohet. Kris Hill u thotë në afërsi, çka ende nuk mund të thuhet në publik, se, jo larg, makineria serbe do të bombardohet nga strukturat e NATO-s. Është ndër të parët që merr vesh një gjë të ëndërruar dhe për të cilën, për herë të parë i kishte shkruar Presidenti francez, Zhak Shirak. Ndjenja e të pamundshmes është larguar. Perëndimi, përfundimisht, do jetë pjesë e Ëndrrës.

 x   x   x

 Pak vetë e dinë, ndoshta edhe vetë Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës, nuk e di se lirimi i tij nga burgjet serbe ka lidhje edhe me angazhimin e Ismail Kadaresë.

Disa ditë para se Kryetari francez Zhak Shirak do të vizitojë Beogradin, dy vite pas përfundimit të luftës, Ismail Kadare i shkruan mbi fatin e të burgosurëve shqiptarë në burgjet serbe. Lufta ka mbaruar, por qindra, ndoshta mijëra shqiptarë janë ende të burgosur, nën dhunën e përditshme dhe drojën e eleminimit.

Shkak për ringritjen e çështjes është bërë një letër e të burgosurit politik Besim Zymberi, i cili, askush nuk e di se si e ka nxjerrë nga burgu, i drejton Kadaresë. Askujt tjetër, asnjë istitucioni shqiptar, kudo qoftë ai. Vetëm Kadaresë. Letra është nënshkruar edhe nga qindra të burgosur të tjerë politikë. Besim Zymberi i ka kërkuar publikisht këtë dëshmim, si shkrimtar, duke kërkuar t’ia bëjë të ditur opinionit evropian dhe atij botëror.

Nuk është hera e parë që Kadare ka ngritur çështjen e të burgosurëve politikë shqiptarë. Në vitin 1997 ai i është drejtuar Ministrisë së Jashtme franceze, e cila, me 21 maj 1997, i përgjigjet se “Zotëri i dashur, Letra juaj lidhur me çështjen e z.Ukshin Hoti ka angazhuar gjithë vëmendjen tonë…”.

Dy nga presidentët më të shquar francez, Miteran dhe Zhak Shirak, janë ndër mikëpritësit e tij, me të cilët ka zhvilluar një dialog të gjat dhe shkëmbime letrash. E di se Franca, vendi i lirive dhe i të drejtave qytetare, nuk do të mund të heshtë ndaj asaj që po përgatitet apo që ndodh në Kosovë.

Është krejt e mundshme që, mendja e shkrimtarit, që njeh e rrok krejt mirë historinë, të jetë përpjekur të zgjojë pikërisht ndergjegjen e një kombi, që në histori, shpeshherë, ka qenë i lidhur me shtetin serb, si një kumbar i tij.

Me 26 gusht 1998, në ankthin e asaj që do të ndodhë në Kosovë, por edhe i vetdijshëm se Kosova nuk mund të zgjidhë e vetme tragjizmin që po i përgatitet dhe gjenocidin që po ndodh, Kadare do të marrë përsipër një rol që, nga pozita e tij institucionale është tej limitit të tij, por nga institucioni që ai vetë ka ngritur e që i përket emrit të tij, është i përligjur.

Mes të tjerave ai i shkruan Presidentit francez Zhak Shirak.

„ Unë ju drejtohem juve, zoti President, duke i bërë thirrje ndergjegjes suaj njerëzore, në tagrin që ju jep detyra e lartë e drejtimit të këtij vendi të madh, që është edhe atdheu im i dytë, që të bëni diçka të ngutshme dhe energjike, për të ndaluar këtë krim. Kur viktima thërret për ndihmë, asnj arsye shtetërore, asnjë konventë, asnjë shkak tjetër, asnjë moral nuk mund të justifikojë mëdyshjen. Populli shqiptar i Kosovës është sot viktima që e ka thikën në fyt. Në emër të tij, unë ju drejtohem, me shpresë dhe besim se do të më kuptoni.“

Përgjigja e Presidentit francez është e menjëhershme.

„I dashur Mjeshtër“, i shkruan Presidenti francez.

„Koncepti juaj, lidhur për detyrimet e Francës, përputhet me imazhin që kam unë për vendin tim. Idetë e lirisë dhe të tolerancës, që frymëzojnë këtë vend, i japin zërit të tij një jehonë universale në mbarë botën…“

Dhe befas, mes rreshtave është një premtim i Presidentit francez, krejt i hapur, i drejtëpërdrejtë, që nuk ishte ndeshur më parë në letërkëmbmet e tjera me burrështetas.

Është folur shpesh se kur e ku nisi ideja e përdorimit të armëve, e ngritjes së strukturave të NATO-s për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, shkatërrimin e një populli fisnik, cili ishte njeriu që dha i pari këtë mendim? Në cilin forum të NATO-s, në cilin takim të burrështetasve evro-atllantikë, cili ishte shkaku madhor, ishte gjendje emocionale e çastit apo gjithçka ishte rrjedhojë e mendimit të pjekur politik që më herët në disa kancelari ndërkombëtare?

Kjo enigmë, që më pas u bë gjithnjë e më e qartë, ka patur një fillesë.

Në Letrën e Presidentit francez Zhak Shirak, drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare, për herë të parë, krejtësisht hapur, do të jetë premtimi se:

Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për të bërë armët të heshtin. Atëherë, franca do t’i kërkonte Këshillit të Sigurimit t’i jepte të drejtë NATO-s, për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme“.

Është fillimshtatori i vitit 1998, shtatë muaj më pas, premtimi i Presidentit dhënë shkrimtarit, do të jetë realitet.

Zhak Shirak i drejtohet në letërkëmbimin e tij me Kadarenë, “i dashur mjeshtër” dhe kjo ndjenjë e përbashkët respekti, i ka hapur rrugën Kadaresë për të ngulmuar.

Dhe me 12 dhjetor 2001, ai i shkuan:

“Zoti President, siç e dini, kjo nuk është hera e parë që unë përpiqem të tërheq vëmendjen tuaj ndaj çështjes së të burgosurëve politikë shqiptarë të Kosovës.

E di që gjatë vizitës suaj në Beograd, u lirua vetëm një i burgosur, Albin Kurti. Por, sa të tjerë, numri i të cilëve nuk dihet, mbeten ende? Sa kanë vdekur? Kohë pas kohe, i zhvendosin nga një kamp në tjetrin, lirojnë një a dy vetë… Mes tyre mund të gjendet Ukshin Hoti, lider i rëndësishëm…”.

Kadare dhe Ukshin Hoti

Mbrëmë, deri pas mesnatës, po lexoja librin “Bisedë mes hekurash”, dialogu i dy figurave të shquara të kombit tonë, Ismail Kadare dhe Ukshin Hotit, njëri ndër të cilët vazhdonte të ishte ende i burgosur politik në burgjet serbe, për më tepër, si cilëson Kadare, i burgosuri politik më i rëndësishëm i kohës në trevat euroatllantike.

Natyrisht, është një dialog viganësh të mendimit dhe të shëmbëlltyrës së kombit, në të dy anët e kufirit shqiptar, në të cilin përshkëndijon madhërishëm vetëdija kombëtare, e shkuara dhe e nesërmja, gjithnjë nën dritësimin e mendimit politik.

Ajo që më befasoi më tej është jo vetëm kujdesi i shkrimtarit tonë të shquar, Kadare, për zhvillimin e një bisede të pazakontë, por fillesa e këtij libri, që përbën edhe qëllimin kryesor të dialogut. “Ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit”, kështu shkruan Kadare në rreshtin e parë të fillesës dialogiane.

Kjo ndodhte pasi Kadare kishte dërguar një seri letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve kryesore perëndimore, dhe pastaj, vjen ky dialog në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe anglisht, për të qenë më efikas dhe për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.

Këtë e ka bërë një njeri i vetëm, të cilin kur e pyeta tre javë më parë, më tha se gjithçka ishte nisur nga instinkti i shkrimtarit, i kolegut, i nderimit dhe i përqasjes së një kombi ndaj një personaliteti të shquar.

Kur e mbylla faqen e fundit të këtij libri – dialog, mendova dhe ndjeva keqardhje:

Një njeri i vetëm, ndonëse i përmasave të njohura në të gjithë botën, ka bërë aq sa ka mundur për fatin e mendimtarit filozof më të shquar të kombit. Ka bërë atë që i ka lejuar fusha e tij, njohjet, emri. Po të tjerët çfarë kanë bërë dhe çfarë kemi bërë për Ukshin Hotin?

Pak, ose aspak. Nga mungesa e njohurisë, nga hallet, nga smira, nga mendimi se ai do të vijë dhe do të përmbysë një elitë të kërrusur, të mjerë, amorfe?

Ku ishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës, qeveria e shtetit shqiptar londinez, “liderët presidencialë dhe qeveritarë të Kosovës”, që kishin shpallur veten president e kryeministër? Ku mbetën ata? Po apelet e tyre ku janë?

Përse në Rambuje nuk vendosëm kusht që Ukshin Hoti të ishte pjesëtar i bisedimeve në trupën përfaqësuese të Kosovës apo kishim frikë nga mendja e tij brilante?

Një shkrimtar i shquar ka bërë i vetëm më shumë se gjithë ne të tjerët… më shumë se institucionet e luftës dhe të paqes, më shumë se akademitë dhe universitetet, më shumë se qeveritë dhe liderët…

Ukshin Hotin e vrau regjimi policor serb. Ai qëlloi mbi të.

Heshtja jonë nuk shfajëson askënd.

Dialogu i dy titanëve dëshmon se çfarë i mungon sot Kosovës me mungesën e njërit prej tyre.

Të atij që ishte në burg.

Që bëri burg për lirinë e Kosovës.

x   x   x

 Nuk dua të shkruaj sot për zemërimet e Kadaresë me figura të njohura të Kosovës, të politikës apo të artit. Në një rrugëtim kaq të gjatë është e natyrshme të ketë ndodhi të tilla. Në librin tim, që do të botohet jo shumë larg, me titullin e tanishëm, të përkohshëm, “Kadare, i oborrit apo i lirisë” jam ndalur më gjatë në ndërlidhjen mes tij dhe Kosovës, ashtu si edhe në raportet e shkrimtarit me shtetin, diktaturën, qenësinë e veprës së tij dhe kohën që e ka shoqëruar.

Gjithmonë te Kadare, përshtypja e parë, kur është fjala për Kosovën, vjen nga tejshkimi i jashtëzakonshëm i ngjarjeve dhe e dyta, nga madhështia.