Shqipëria/Aktualitet

Lufta Nacionalçlirimtare dhe armiqtë e saj

Një foto e publikuar në media dhe rrjete sociale, tregon kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi me një shall të kuq rreth qafës, në krah të, deputetit Vullnet Sinaj, kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha dhe prefektit të këtij qarku, Flamur Mamaj.

“Me shallin e pionierit të Enverit”- tha deputeti i Berishës, Flamur Noka të mërkurën duke u treguar foton mediave.

Ai e akuzoi kryetarin e gjykatës së lartë për thyerje të kodit të etikës, të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Fotoja është shkrepur në 80 vjetorin e krijimit të Brigadës së Pestë antifashiste nacional-çlirimtare. Një prej themeluesve të kësaj brigade ka qenë babai i Sokol Sadushit, Maliq Sadushi.

Në reagimin e gjykatësit të lartë pas publikimit të fotos, thuhet:

“Një akt historik nuk gjykohet, duke e njësuar atë me regjimin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit. Për këtë nuk mund të akuzohen edhe çlirimtarët antifashistë, që si qëllim patën veçse çlirimin e vendit të tyre”- tha Sadushi.

Në këto rrethana sipas tij, pjesëmarrja në këtë lloj aktiviteti “nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri”.

Shalli është përdorur nga forcat partizane që mundën nazizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një analizë botuar në numrin e sotëm të gazetës DITA lidhur me këtë rast, me titullin “Lufta dhe Armiqtë e Saj”, shkruhet ndër të tjera:

“…Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është një kapitull krenar i historisë së vendit. Skota e mohuesve, përçmuesve dhe poshtëruesve të kësaj vepre popullore dhe kombëtare, gjeti strehë duke nisur nga mesi i viteve ’90 nën çadrën politike të intrigantit, demagogut dhe sharlatanit më të madh politik në historinë e Shqipërisë.

Ata që sulmojnë dëshmorët e lirisë dhe simbolet e tyre janë individë pa kurrfarë idealesh dhe pa asnjë skrupull moral. Por armiqtë e Luftës Çlirimtare ndodhen sot edhe në korridoret e pushtetit aktual, madje janë edhe drejtues qeveritarë

Nuk mund të presim që lufta dhe luftëtarët të nderohen nga tradhtarët, sharlatanët, hajdutët, kontrabandistët, shtetrrënuesit dhe baballarët e kaosit shoqëror dhe zvetënimit moral të këtyre 34 viteve…”