Gjokë Dabaj
Më erdhi mirë që do të fillojë të dalë një gazetë (elektronike) e re me emrin “Lëvizja”. Dhe pikërisht në një datë të shënuar, datë, pa të cilën sot shqiptarët do të ishin shumë më keq se kurdët. Mbase edhe gati në shuarje.
Urimi im është, që kjo gazetë të jetë E MIRË, në kuptimin shumë kompleks të kësaj fjale. S’është lehtë të jesh i mirë as si njeri, le më si një medium, i cili duhet të ketë synim t’i bëjë të mirë të gjithë lexuesit e vet.
Them kështu, sepse publicistika jonë e sotme është plot me gazeta, por cili është roli i tyre në popullin tonë?!
Dalin aq gazeta në gjuhën shqipe, sa s’kanë dalë kurrë më parë. Kjo, më një anë sjell kënaqësi, sidomos nëse kujtojmë kohët kur s’kishim asnjë gazetë ose kur i kishim aq të pakëta, sa shqiptarët mezi siguronin nga një më të rrallë, për ta lexuar vetë, por edhe për t’ua lexuar të tjerëve. Sjell kënaqësi më një anë, por në anë tjetër, një shumicë e tyre janë të atilla që lexohen pak ose aspak.
Janë aq të ngarkuara, sa, për t’i lexuar krejt, njeriut i duhet të lërë çdo punë dhe, në fund, ç’ka përfituar? Aq sa, tashmë askujt s’i levërdis të merret me lexim të rregullt gazetash. Dëgjojmë në televizion titujt e faqevet të para dhe, me aq, shkëputemi dhe merremi me punë të tjera.
Një sëmundje tjetër e gazetavet tona të sotme është, se ato pothuaj të gjitha janë gazeta lokale. Nuk kemi asnjë gazetë që të merret me jetën e krejt kombit shqiptar.
Në këtë mënyrë, për tërësinë e shtypit tonë të sotëm, do të mund të përdorej shprehja shumë e për lumë.
Po shpresoj shumë që gazeta “Lëvizja” të mos jetë e tillë. I njoh dhe i kam miq nismëtarët dhe prandaj po shpresoj që kjo gazetë të jetë ndryshe, që do të thotë, po shpresoj që “Lëvizja” të bëhet me kohë gazeta më e lexuar në krejt kombin tonë.
Kushti i parë është, që kjo gazetë të jetë gjithkombëtare. Ndoshta e vetmja deri tani, në kohën tonë, që të sjellë lajme nga krejt atdheu, dmth nga krejt Shqipëria. Kjo nuk do të jetë punë e lehtë. Kryeredaktorit do t’i duhet të mbajë të afishuar në zyrën ose, në mos pastë zyrë, në dhomën e tij, emrat e qytetevet të Shqipërisë sipas alfabetit. Për shembull: Artë, Bajram-Curr, Berat, Bujanoc, Bulqizë, Cërrik, Dimal, Drenas, Elbasan, Ferizaj, Fier, Filat, Gostivar, Gjilan, Janinë, Klinë, Malishevë, Margëlliç, Paramithi, Pejë, Plavë, Preshevë, Tepelenë, Tetovë, Tuz, Therandë, Ulqin, Vlorë… Emrat, jo të qytetevet, se është e pamundur, por të paktën të shteteve të botës. Për shembull: Angli, Australi, Francë, Greqi, Gjermani, Itali, SHBA, Turqi, Zvicër. Prej të gjithë qytetevet të Shqipërisë dhe prej krejt mërgatës sonë në të gjitha shtetet e botës, duhet të sigurohen korrespondenca të rregullta dhe ritmike. Kryeredaktori duhet t’i shënojë rregullisht, pranë secilit emër të afishuar në mur, datat e korrespondencavet përkatëse të botuara. Në mur, jo në kompjuter! Në këtë mënyrë do të mund të shikohet, nga cili qytet i Shqipërisë dhe nga cili shtet, ku jetojnë shqiptarë të mërguar, nuk kemi marrë njoftime dhe ashtu të ndërhyhet për të siguruar lajme prej krejt kombit tonë. Vetëm kështu, kjo gazetë, do të mund ta quajë veten “Lëvizja”.
Kushte të tjerë:
Gazeta të mos ketë shumë rubrika dhe shumica e shkrimevet të jenë të skurtër. Të jenë aq lakonikë, sa të mos përtojë askush për t’i lexuar. Më i gjatë mund të jetë, në çdo numër, vetëm një shkrim me temë të rëndësishme, ose e shumta dy me gjatësi mesatare.
Fotografitë, mendoj unë, duhet të jenë sa më të kursyera. Janë të nevojshme fotot që lidhen me të kaluarën tonë, me personalitetet historikë, me pamje të atdheut tonë, ndonjë foto me ngjarje aktuale dhe kaq. Që të gjitha, të vogla dhe të qarta, të punuara bukur. Fotot e autorëve të shkrimeve nuk ka arsye të botohen, sa herë që dikush shkruan diçka. Mjafton emri i autorit.
Edhe reklamat të jenë sa më koncize. Ndërsa pamjet pornografike apo gjysmëpornografike mendoj se nuk ka ç’i duhen një gazete serioze. Në qoftë se shitja e një gazete varet nga fotoja e një femre lakuriq, kurrë mos u shittë ajo gazetë! Të gjitha veset, gabimet, si dhe dhe prirjet për të bërë krime, apo vetë krimet, duhet të luftohen pa kurrfarë lëshimi, në rubrika të veçanta. Natyrisht, pa rënë në pozitat e një moralizuesi llafazan dhe të zbrazët.
Historia jonë kombëtare duhet të ketë rubrikat e veta të rregullta dhe të mjaftueshme. Mënyra më e përshtatshme, për ta pasqyruar historinë në një gazetë thuajse të përditshme, është kalendari historik. Vetëkuptohet, kur ngjarja ka qenë shumë e rëndësishme, ose kur personaliteti, për të cilin shkruhet, ka peshë të dallueshme në historinë tonë, shkrimi do të jetë më i zgjeruar.
Një herë në javë, ndoshta të shtunën, një ose dy faqe mund t’u kushtohen letërsisë, me krijime të zgjedhura me kujdes, si dhe arteve të tjerë: pikturës, muzikës, teatrit, filmit. Të hënën ndoshta duhet shkruar për sportet.
Gazeta nuk është, që të mbushet me byk!
Tërheqja e rinisë, qoftë si autorë shkrimesh e korrespondencash, qoftë si lexuesë, duhet të mbetet një preokupim i përhershëm i krejt redaksisë së kësaj gazete.
Lufta politike mendoj se duhet të zërë sa më pak vend në një gazetë kombëtare. Sidomos polemikat: Kush je ti e kush jam unë ?… Dihet që, sidomos në kohën tonë, edhe tradhtari më surratndotur, do të shitet si patriot! Të tillë tipave u duhen prerë drurët sa më skurt. Ose, lëri le të gërrvishtin njëri-tjetrin nëpër gazetat e tyre!
Atje ku është për t’i dalë zot kombit, në raport me të huajtë, atje të flitet me të madhe, me forcë, me argumente të parrëzueshëm dhe me fjalë të zgjedhura me kujdes.
Puna më e rëndësishme e një gazete, siç e përfytyroj unë gazetën “Lëvizja”, është që, njerëzit tanë, të rinj e të moshuar, të pashkollë e të shkolluar, jopolitikanë dhe politikanë, t’i udhëzojë, t’i mësojë dhe t’i edukojë, drejtpërsëdrejti, por edhe induktivisht, me frymën e përkushtimit ndaj kombit tonë, pa i hyrë në hak asnjë kombi tjetër dhe pa pasur frikë prej askujt.
Një barrë e madhe, barrë që deri më sot s’e ka marrë askush përsipër, mendoj se do t’i bjerë pikërisht gazetës “Lëvizja” për ta mbajtur mbi kurriz: T’i mësojë shqiptarët ta shprehin edhe gjuhësisht, ku gjendet Shqipëria dhe cila është Shqipëria.
Është një turp, të cilin s’e kam hasur në asnjë komb tjetër!
Sado që në subkoshiencë mund ta dinë, në përdorimin e përditshëm, në të folur e në të shkruar, shqiptarët nuk e dinë ku është Shqipëria! Shqiptarët, për turpin tonë të pagëlltitshëm, nuk dinë ku gjendet Shqipëria! Ata ngatërrojnë konceptin shtet(ose shtete) me konceptin, gjeografik dhe të përjetshëm: Atdhe! Përdorin emrin Shqipëri vetëm për atë pjesë të Shqipërisë që na e ka lënë një konferencë e largët, mbajtur në Londër para më shumë se njëqind vjetësh. Në vend që, këtë copë Shqipëri, ta quajnë Republika e Shqipërisë, ata e quajnë, thjeshtë dhe abuzivisht, Shqipëri. Po pjesët e tjera ç’janë?! A nuk janë Shqipëri pjesët e tjera?!
Si rrjedhojë e një të këtillë konceptimi, mirëfilli idiot, vijnë pastaj një varg handikapesh të tjerë. Nuk po i numëroj këtu, sepse shkon gjatë. Por, përfundimisht po dua të them: Në arriftë t’i mësojë akademikët, profesorët, mësuesit e shkollave, gazetarët, krejt popullin, ta përdorë saktë emrin SHQIPËRI, bashkë me të gjitha fjalët që lidhen me këtë emër, gazeta “Lëvizja” duhet ta quajë misionin e vet të realizuar.
Tiranë, Nëntor 2020