Histori

“Kushtrim Brezash”: Tregim për Heroin Rushit Çollaku

Tregim për Reshit Çollakun, rënë në betejën e Pojskës korrik 1943….
Shkëputur nga romani ” Saga e një dinastie” -N. Buzo
Ajo kish parë, një ëndër që e kishte tronditur. I shtrenjti i saj e kishte tradhëtuar me një tjetër vajzë dhe kishte ikur nëpër natë. U zgjua e trishtuar me një ankth në shpirt, nuk mundi t’i kujtonte emrin vajzës grabitqare. Fytyra e saj e përçudnuar nuk i hiqej nga mendja. Gjithë ditën sillej rrotull pa ditur ç’të bënte. Vendosi të shkonte në Gjenova, aty takoheshin dhe kryqëzoheshin udhët e emigrantëve në veriun e Italisë. Sapo u zbardh dita, u nis pa lajmëruar njeri, me mendimin se do të kthehej shpejt në Bergamo, atje ku familja Kokoshi prej kohësh ishte e internuar. Gestapoja gjermane e arrestoi Qazim Kokoshin dhe ua dorëzoi italianëve të cilët e internuan në Bergamo të Italisë së Veriut. Më pas në vitin 1944, gestapoja gjermane arrestoi dhe Kudret Kokoshin të vëllanë e Qazimit, i cili punonte si prokuror në Prizren. E internoi në kampet e shfarosjes që kishte hapur në disa shtete të Europës. Të izoluar nga çdo aktivitet antifashist. Vajza zbrriti në Milano, pastaj me tren në Gjenova. Qyteti i madh nga më të rëndësishmit prej shekuj në Europë. Veçanërisht nga shekulli i 12-të deri në shekullin e 15-të, qyteti kishte luajtur një rol kryesor si port tregtar në perëndim. Duke u bërë një nga fuqitë më të mëdha detare të kontinentit dhe konsiderohej ndër qytetet më të pasura në botë. Ai u quajt gjithashtu, “La Superba”(ai krenar) nga Petrarka, për shkak të lavdive të tij në dete dhe monumenteve mbresëlënëse.
Myzejeni, kishte mbërritur herët, i duhej pak kohë të priste anijet dhe vaporët që vinin nga jugu. U end buzë detit pranë portit e frikësuar, duke mos i bërë shumë përshtypjë qyteti nga më të rëndësishmit të italisë. Vajza që shquhej për qetësinë dhe mençurinë e saj, dukej tepër nervoze tek hidhte hapat. Diçka kishte ndodhur mendonte. Ankthi i kish pushtuar shpirtin. Sirenat e vaporëve njoftonin mbërritjen e tyre e zemra e saj rrihte fort. U sigurua prej informacionit se me vaporin që vinte prej jugut të Italisë, udhëtonin dhe emigrantët shqiptarë. Rrugëtimi i tyre nëpër ujëra, pat qenë i gjatë dhe rraskapitës. Udhëtarët filluan të zbrisnin një nga një dhe në grupe të vogla. Tregtarë, punëtorë e familjarë me fëmijë që shpesh qanin. Kjo ia shtonte ankthin. Kujt mund t’i drejtohej, u mendua pak e hutuar. Mbase këtyre djemve të rinj, apo më të moshuarve. – Zotërinj, ju lutem, nga Shqipëria po vini? Dalloheshin emigrantët shqiptarë, sado të lodhur e të sfilitur udhëve, po kokën në të shumtën e rasteve e mbanin lart, hapat i bënin të mëdhenj dhe mënyra se si i mbanin valixhet apo trastat që kishin me vete. – Signori, per favore, da dove venite? -shqiptonte ajo sikur të thoshte përmendësh ndonjë vjershë. Sa kuptonte se ishin nga atdheu i saj, buzëqeshte dhe u drejtohej me ndrojtje– Ju lutem mos keni parë, apo dëgjuar për një djalë të ri, ish student në Modena, quhet Reshit Çollaku, një djalë i gjatë i pashëm ja…. Dikush mblidhte supet, dikush largohej pa qëndruar fare. Ndoshta treni nisej pas pak, e ajo..do të mbetej aty deri vonë. Tek tuk, dikush ndalej. – Më vjen keq signora, nuk e dimë për kë flet. –Nuk e njohim! –Jo s’kemi dëgjuar. Ajo nuk ndalej kur dikush e ngacmonte : “che bella signora!” Ikte duke mos kthyer kokën pas. Ndonjë i shkelte syrin. Ajo nuk kthente përgjigje. Vetëm ecte dhe pyeste. Me tej iu duk sikur pa një të njohur, ndoshta! – Ju nga Shqipëria vini? -Po nga Durrësi! Me falini, po një zotëri, djalë i ri, nga qyteti i Pogradecit, duhet të jetë i njohur edhe atyre anëve sepse……. -Aha, prit pak se në vapor ishin dhe disa djem nga Korça, t’i shoh nëse kanë zbritur. Dallohen korçarët, këndonin serenata, na kënaqën dhe na mallëngjyen gjithë rrugës. Djali ktheu kokën dhe vrapoi tej. …Ajo priste hutuar dhe nuk po shihte gjë askund. Vazhdonte të pyeste….të gjithë përgjigjeshin njësoj. Pas disa minutave të gjata, u duk djali më çantën e leshit me ngjyra të endur në tezgjah. Përballë tyre, një tjetër djalosh simpatik i cili mbante në krahë një burrë të plagosur në këmbë. – Ju lutem ta ndihmojmë këtë zonjushën.-u foli djali atyre. – Po, patjetër, si e keni hallin. – Një djalë i gjatë i pashëm, kështu si juve, është partizan, komandant mesa di unë, Reshit e quajnë, Reshit Çollaku.- shqiptoi duke pëshpëritur ajo. Djaloshi, pa sa andej këndej, mos dëgjoi kush pranë tyre. Në vaporë kishte edhe plot spiunë, që survejonin udhëtarët. U mendua pak në heshtje, që për vajzën zgjati shumë.- Ouuu!- bëri i moshuari i plagosur. -Djalën e Isuf Çollakut! E vranë fashistët. Djali i bëri shenjë të atit të heshte. –Shëëësht! Ajo hapi sytë fort dhe e pa si e trembur burrin e gjorë. –Si? Jo s’ka mundësi, nuk e besoj, mos e ngatërroni, ai është ushtarak shumë i zoti, njeri i ditur, nuk e besoj se…! Më kishte premtuar!–ndjeu se po i këputeshin këmbët. –Po çfarë e ke ti moj bijë? Vëlla…apo…? Ai u kujtua se komandanti i Çetës së Mokrës ishte beqar, nuk kishte fëmijë. Po moj bijë po, djalën e Isuf Çollakut, na ardhi shumë keq, të gjithëve, ishte trim i vërtetë. Ishte goxha djalë, në lulen e rinisë. -Ohhh! Mosni ju lutem, mos vazhdoni më. – Po kush je moj çupë të pyeta? –Jam e fejuara e tij! Të lutem xhaxha më thuaj të vërtetën. E di mirë apo e keni dëgjuar këtë…që po thoni? – Po, moj bijë, djalën Isuf Çollakut, njoh të atin, një zotni burrë. Dhe për të birin kemi dëgjuar shumë, flitet gjithandej, edhe në Korçë e ka namin e madh, ka ardhur disa herë në fshatrat tona me partizanë. Ka ndenjur tek im vëlla në Zvarisht. Ai s’e hiqte nga goja. Ja edhe unë partizan në një tjetër batalion kam qenë dhe u plagosa në luftë, tani do më presin këmbën, ndaj kam ardhur tek ca kushërinjtë e mi këtej, në Milano. Myzejeni e ngrirë nga sa dëgjoi, nuk tha asgjë, në fytyrë ishte zbehur e nuk i bënte zemra t’i thoshte, “grazia”, apo faleminderit. I harroi të dyja gjuhët. Çfarë mund të thuhej në këto raste. Nxori shaminë nga xhepi i pardesysë dhe fshiu ballin, pastaj syrin e djathtë, i cili flatronte sikur po i dilte prej vendi. Edhe djali që shoqëronte të atin, u hutua nga çfarë dëgjoi. –Më fal zonjushë, më vjen keq nuk mund t’ju ndihmoj më tepër, më duhet të shkoj, siç e shihni jam me babanë e sëmurë. Duhet ta shtrojmë në spital sa më parë, këmba po i bëhet gangrenë. – Më falni … Të shkuara babait! –Uli kokën dhe vazhdoi të pyeste. U fut mes turmës dhe nuk po u besonte fare fjalëve që dëgjoi. Eci drejt vaporit… –Ju lutem zotëri…..ju lutem më falni…. Mos e njihni një djalë të ri …… ja kështu…..si ty…e quajnë…është i fejuari im….. nuk kam marrë asnjë lajm prej tij. Shkoi në luftë dhe u bë komandant, … ka kohë… s’kam asnjë lajm. – Jo!-Nuk e njohim!- Nuk e kam parasysh. Vazhdonte të ecte dhe pyeste, ndërsa vapopri ishte boshatisur dhe shpresa pat humbur. –Si, ma thuaj emrin dhe njëherë! –Reshit Çollaku e quajnë, partizan, studioi këtu në itali. – Uleni zërin zonjush se ka plot që përgjojnë këtu, mos e thuaj atë fjalën partizan. Nuk të fal fashizmi edhe i kapitulluar. Ndjeu se iu këputën gjunjët dhe gati po rrëzohej! –Mund tju ndihmoj, ku do të shkoni? –Asgjëkundi do pres këtu, mbase do gjej ndokund, a dikë që e njeh mirë. – Mbase, po ne të rinjtë nga lufta kemi ikur. Barbarizma lufte, varfëri e tejskajshme, nuk merret vesh, luftojmë për Shqipërinë thonë edhe ballistët edhe komunistët. Komunist ishte ky i fejuari yt? –Jo, jo s’qe komunist, ai studioi këtu në Itali. – Fashist atëherë! –Jooo, larg qoftë! – Epo ballist? -As ballist! –Epo çfarë atëherë? –Shqiptar! Atdhetar! –Shqiptarë jemi të gjithë ne, po ku jemi nuk e dimë. –E dimë si jo, babai im dhe xhaxhai, i tërë fisi edhe Reshiti, atdhetar luftëtar është, i flaktë mandej. Të gjithë, fanolistë ishin përpara. –Eh, edhe Noli, s’na bëri gjë, nuk bëhet Shqipëria me poezi dhe idealizma, po me punë me diplomaci, me dituri dhe ekonomi. Këta filozofët tanë e bëjnë vetëm me fjalë, me premtime. Populli do të shohë gjëra konkrete dhe jo fjalë e përralla pa fund: ”Do hamë me lugë floriri.” Ja ne të rinjtë po ikim, vimë këtej në Perëndim. Lere Italinë të bëjë punën e saj, të hap punë, të ndërtojë të tregtojë. – Me fal nuk kam kohë t’ju dëgjoj, duhet të kërkoj një njeri që e njeh me të vërtetë burrin tim. Ju po flisni përçart. –Dua t’ju ndihmoj zonjë, më falni, mos më keqkuptoni, nga e keqja e kemi të gjithë. Ju thatë pak më parë se gjermanët ju dorëzuan tek italianët dhe ata ju internuan në Bergamo. Ne po vimë vetë këtej që të punojmë e të kthehemi në vendin tonë. -Atëhere gaboheni, se i fejuari im, ishte këtu me studime dhe u kthye në atdhe, të luftonte pushtuesit. Ai e dinte mirë, se çfarë do të bëhej me ne pas pushtimit. – Nga ishte burri juaj? – Nga Pogradeci, qyteti buzë liqenit të Ohrit. -Pogradeci, qytet i bukur, njerëzit nuk vdesin urie se hanë peshk dhe janë njerëz punëtorë.
–Edhe shumë trima! –nguli këmbë ajo. –Ndoshta, ndoshta, prit pak të shoh, në anije kishte dhe njërëz të arratisur nga lufta, mos gjejmë ndonjërin që është vonuar në zbritje. Le të jëtë partizan apo ballist s’ka rëndësi, mjafton që ta dijë. –Hej ju atje! A ka ndonjë nga qyteti apo fshatrat e Pogradecit, more?. – Jo, jo jemi nga Berati, nga zonat përrreth. – Partizan apo ballist? – Për çfarë ju duhet se ç’farë jam kush po ju thotë të vërtetën. Si e keni hallin?. – Mos vallë keni degjuar për një djalë të shkolluar, oficer i lartë Reshit Çollaku e quajnë. –Reshit Çollaku, kush është interesuar? – Unë, zotëri është i fejuari im! -Ah, moj vajzë e mbarë, më vjen keq, po komandant Reshiti u vra në luftën e Pojskës, afër Pogradecit, bashkë me dhjetë shokë të tjerë. Këtë e di gjithë Shqipëria. Unë ballist kam qenë, po e di mirë nga kushëriri im partizan, që u vra bashkë me të atje, kam dëgjuar shumë të flitet për të. Paska qenë edhe i fejuar, gjynah me alamet zonjushe! Po ti qenke vajzë e re, e bukur e ke jetën përpara. Ajo nuk po dëgjonte më dhe u shemb si statujë prej rëre. Djaloshi me kasketë, nxitoi ta ngrinte e ta mbështeste tek një kabinë telefonike, aty në trotuaret në të dalë të portit. Asaj s’i besohej, si mund të vritej një komandant, një trim si Reshiti. Mos ka pasur ndonjë tjetër me këtë emër? Mos e ngatërojnë me dikë që ka të njëjtin mbiemër. U kujtua se s’kishte futur asgjë në gojë prej natës së kaluar. E rimori veten sapo pa një djalosh të gjatë, flokë e vetull zi si ai. – Më falni, nga Shqipëria vini? – I ngjau me Reshitin, i fanitej shpesh portreti i tij. – Po jam nga Tirana, student në Milano. –tha shpejt duke nxituar. Më kot, atij nuk i ngjante askush,-foli me veten ajo. -Zonjush, mund tju ndihmoj, të largoheni që këtej, njerëzit u rralluan. –tha djaloshi me kasketë, me padurimin për t’u larguar, vazhdoi ta shoqëronte i trembur nga pamja e saj e shpërbërë. – Ç’farë ka zonjusha, ç’farë i ka ndodhur?-pyesnin kalimtarët më kërshëri. –Nuk e di, sapo e kam takuar. – Oh, che bella! Sa keq, qenka shumë e bukur. T’ju ndihmojmë ta shpiem në një spital këtu afër. – Zonjushë, ju lutem përmbahuni. Pak ujë, pak ujë! –Po vjen policia!-tha dikush, ikim! Ajo piu një gllënjkë dhe u përpoq të mblidhte veten. Pa rreth vetes një grumbull njerëzish. – Oh, gracia, molto gracia! Ju faleminderit, me lini të shkoj nuk kam asgjë, thjesht një marrje mendsh. Në ato kohë porti dhe gjithçka kontrollohej nga policë, ishte me rezik qëndrimi gjatë aty. – Nëse doni mund tju shoqëroj për në Bergamo, pastaj kthehem për në Milano. – Jo, faleminderit! Jam mirë. Ishte thjesht një moment humbje ekujlibri. Njerëzit u larguan nxitimthi, në punët e tyre drejt linjave urbane. – Mundem të shkoj dhe vetë, -mërmëriti ajo. Vetëm të lutem më thuaj, çfarë thanë tjetër ata djemtë korçarë? Nuk e pata fort mendjen . –Thjesht pyetën se ç’farë e kishit ju atë zotërinë. – Cilin?- – Atë luftëtarin e vrarë në fushbetejë buzë liqenit. – Vërtetë ai ishte, besoni ju se ai është vrarë?! Mos e ngatërronin me ndonjë tjetër. Çne buzë liqenit ajo betejë, pak e çuditshme. Bregut të liqenit, mendoj se takohen vetëm të dashuruarit. Betejat bëhen në male. Pastaj, si mund të vritej, një njeri i ditur, i zgjuar, ishte komandant dhe trim i fortë e s’mund të binte pre e armikut? Jam e habitur për këtë. – Ashtu thanë, ajo betejë ishte kthyer si një legjendë. – Ndoshta ashtu është se legjendat janë si përrallat, disi të trilluara të pabesueshme. Ndajnuk mund t’i besoj këto që dëgjova. –Mbase kohë lufte ngatërrohen gjërat. -Keni të ndrejtë, ka plot raste që kanë ardhur lajme të rreme, ndoshta jo me qëllim të keq, po kohë të errëta me plot ngatërresa. Luftëra të padokumentuara. Ajo nuk e kishte mendje fort te fjalët e djalit në krah të saj, sepse lutej me pëshpërima. “O Zot jo, mos qoftë e vërtetë!” -Dua t’ju ndihmoj, si motrën time, mos më keqkuptoni, sepse dhe ajo…pati… të njëjtin fat. Sapo mbaroi fjalën ai u pendua për çfarë donte të thoshte. – Si? Çfarë i ndodhi motrës tuaj?. –Ajo ishte nxënëse në kolegjin “Nëna Mbretëreshë”, u dashurua me një komunist nga ata të lëvizjes, edhe ai jashtë kishte studiuar. –E pastaj? –E zunë fashistët e burgosën e torturuan dhe pastaj e vranë. Është fat të vdesësh në luftë këto kohë, sepse gestapot janë të tmerrshme po të shtinë në dorrë… – Jo im shoq, nuk ishte komunist, babai im Qazim Kokoshi nuk do të kish pranuar që unë të martohesha me një komunist. Përkundrazi ai e donte shumë. Ai ishte vetëm një intelektual atdhetar. Ishte patriot dhe antifashist. Nuk është njësoj besoj! Po pastaj çndodhi? Nuk ishte e vërtetë? Pyetje naive kjo po… Ai heshti pak çaste… pastaj shtoi: -Ndoshta, se derisa ajo nuk e ka parë të vdekur, ende pret…ja kështu si ty. Edhe unë isha i lidhur me lëvizjen si shumë moshatarë të mi idealistë. Lashë studimet përgjysmë dhe u ktheva, po kjo historia e motrës që vazhdon e pret akoma, ma ndryshoi qëndrimin. Ja, erdha këtej të punoj ca dhe pastaj mund të vazhdoj studimet. –Po pastaj?
-Pastaj të shohim, mbase kthehem në Shqipëri si shumë të tjerë. Mbase do jetë bërë një zgjidhje. –Çfarë zgjidhje? –Po, ose do jetë çliruar, ose do jetë pushtuar…! – Nëse do t’ju dëgjonte Reshiti, do të revoltohej, ai besonte tek liria, e donte shumë atdheun. – Zonjush edhe ne e duam…por është e pamundur …ja të gjithë atdhetarët e zjarrtë, vëllezërit Frashëri, Noli, Konica, e shumë të tjerë, ikën, u larguan. Jeta është e shtrenjtë, njëherë jepet. Atdheu aty është prej shekujsh dhe sa shekuj do të rrojë s’dihet, ndoshta ashtu si thotë Himni ynë i Flamurit. Po kur unë të mos jem, ç’rëndësi ka për mua është apo s’është. – Mos mendo keq zotëri, ata që përmende ti dhe shumë të tjerë si im atë dhe i tërë fisi im, ashtu si shumë të tjerë, po bëjnë të pamundurën për atdheun. – Po, por, jashtë atdheut, jo brenda tij. Brenda tij s’të lë kush ! – Të jësh i sigurtë se një ditë, të gjithë do të kthehen, zëri i atdheut të thëret dhe thonë se toka e huaj nuk të tret. Sa shumë më ka folur Reshiti dhe im atë, gjyshërit e mi, të gjithë e duam atdheun tonë. – Atëherë përse u pikëlluat aq shumë, nëse i fejuari yt është vrarë për këtë vend? – Sepse ai ishte ndryshe nga gjithë ç’kam njohur. -Ah, po këta vriten të parët ndër luftëra! –Ai më pat premtuar! – Çfarë? Se do hamë me lugë floriri? – Jo aspak! Mos u çudit, se toka jonë ku shkelim, në çdo kënd flori, me pasuri, me histori. Këtë ma ka thënë jo vetëm Reshiti dhe babai, po kam lexuar shumë për Shqipërinë, janë libra të mëdhenj që i pati sjellë babai. Edhe këta fashistët e dinë këtë, ndaj na pushtojnë. U lodha nuk mundem të flas më! Nuk mundem të qëndroj dot në këmbë! Një taksi ju lutem! – Doni të hani diçka zonjush? – Jo, faleminderit, zotri u vonuat me mua! Pak ujë vetëm. Një taksi, deri tek treni. Ju lutem një…taksi! Pasi hipën në taksi, ra qetësia e rreme, asnjë fjlalë. Djaloshi donte të thyente heshtjen dhe të ndërronte bisedë, ndaj filloi të fliste për Gjenovën, për artin dhe portin. – Genova ishte kryeqyteti i një prej republikave më të fuqishme detare për më shumë se shtatë shekuj, nga shekulli i 11-të deri në 1797. Kjo këtu në të djathtë është Banka e Shën Gjergjit, e themeluar në 1407, është banka më e vjetër e njohur e depozitave shtetërore në botë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm… Djaloshi fliste. Ajo pothuaj nuk dëgjonte asgjë. Djaloshi si për t’i shkëputur vemendjen që zonjushja të harronte dhimbjen e saj, vazhdoi. -Historia e pasur kulturore e qytetit në art, muzikë… Është vendlindja e Guglielmo Embriaco, Christopher Columbus, Andrea Doria, Niccolò Paganini, Giuseppe Mazzini, Renzo Piano dhe Grimaldo Canella, themeluesi i Shtëpisë Grimaldi, ndër të tjera, është dhe …. –Ju lutem dhe sa duhet të mbrrijmë, se nuk ndihem mirë. –ndërpreu bisedën ajo. Ishte vajzë e ditur dhe me kulturë, po në këtë rast nuk u përfshi fare dhe s’desh tia dinte. Në tren gjithashtu, s’pati më dëshirë të fliste. I shkoi ndërmend se në shtëpi do ishin shqetësuar shumë për të dhe kjo ia shtoi ankthin. –Më falni, nga jeni ju? Ah, po nga Vlora, thatë. Nga familja Kokoshi. Eh, kam dëgjuar për këtë familje. Kanë kontribuar edhe nga anët tona. Vlonjatën janë vërtet njerëz të guximshëm dhe trima. Emrigrantët gjatë udhëtimit në bordin e anijes janë me fytyra të ngrysura, rrinë menduar. Korçarët dallohen, sidomos të rinjtë me serenatat e tyre, e nisnin me ato të kurbetit, ku nënës i linin amanetet: “Nënë moj unë po shkoj në kurbet/ vajzën dhe djalin të mi kesh amanet”, pastaj fillonin me “ Syçka si ato të tuat, nuku gjenden në dynja…”, Kur ia krisnin pastaj vlonjatët me ‘”Vlora , Vlora, Vlora, Vlora, merri armët bëja forrrra…”. Si përgjigje. Atëherë korçarët fillonin këngët e tyre patriotike “ Shkronjat tona janë të arta ne i duamë…”, “ O trima luftëtarë, jo bijtë e Skëndërbeut…” Hej, ç’vete, na e kthenin edhe ne buzëqeshjen. Vajza, dëgjonte dhe shihte tej e përhumbur. – Jam thjesht kurioz, ju nga Vlora, si u njohët me një djalë pogradecar. – Thjesht, lufta, na bashkoi ideali i familjeve tona. Dashuria për atdheun. – Kushedi sa serenata, ju ka kënduar. – Jo, jo, ai ka sy të bukur të patrembur që shohin thellë në brendësi të shpirtit, më tepër se sa jashtë. Përveçse, i pashëm, i ditur, ka një shpirt të madh, të dhimbshëm. – Po zonjush, kjo duket në shkëlqimin e syve tuaj, kur flisni për dashurinë tuaj. Ju besoj sinqerisht! Duke zbritur në stacionin e Milanos, djaloshi e pyeti për emrin. –A mund të më thoni, si e keni emrin ju lutem? Bëmë gjithë këtë bisedë bashkë, shkëmbyen mendime …nese,… nëse, nuk e keni bezdi, -shtoi ai. – Myzejen. Myzejen Kokoshi më quajnë. –Unë jam Skënder Tomorri, student në Institutin Ndërkombëtar Lorenzo de Medici! S’dihet mund të takohemi ndonjëherë rastësisht në Itali apo në Shqipëri. Ose më shkruani, nëse e morët vesh të vërtetën. – Faleminderit, do ta mbaj mend emrin tuaj, një shok i ngushtë i Reshitit quhet kështu, Skënder. –Po edhe nga Skënderbeu, -shtoi ai si me shaka.- Gjyshi ma ka vënë! Djaloshi me kasketë buzëqeshi ndërsa nxitonte të zbriste. Asaj i shkoi ndërmend se do të kthehej përsëri në port ditën tjetër, të pyeste përsëri, derisa të merrte vetsh të vërtetën. Kishte lexuar dhe parë filma, kur heronjtë ktheheshin nga luftërat, ndërsa figuronin ende ndër regjistra të vrarë apo të humbur. U mundua ta largonte mendjen prej gjithçkaje ndodhi. Treni ecte me shpejtësi dhe nuk mundi të lexonte tabelat buzë rrugëve që ta hiqte mendjen nga ato ç’ka kishte dëgjuar. Mbërriti vonë në shtëpi, vonesa ngado, kohë lufte. Merakut të familjes iu përgjigj shkurt. Ata panë në fytyrën e saj të zbehtë një trishtim të thellë. Qortimet ishin të kota. Nuk duhej të harronte se ishin të internuar dhe nuk duhet ti shkelnin rregullat për t’u kthyer sa më parë në atdheun e tyre. I ati, i kishte premtuar, se do të interesohej nëpërmjet miqve për të marrë vesh diçka nga buletinet e luftës, të cilat i kërkonte rregullisht. Po kishin kaluar shume kohë dhe asgjë. Nuk i kishte mësuar ai vallë të vërtetat e luftës, apo nuk donte t’i tregonte bijës së vetme, duke parë në sytë e saj, shpresë. Atë natë nuk fjeti asnjë çast. Përgjonte sy e veshë. Dëgjoi të atin tek bisedonte me të shoqen me zë të ulët, larg syve të së bijës. Me pak fjalë, mori vesh të vërtetën: “Vrasja e Reshitit në atë fushbetejë, është një humnerë e thellë për të ardhmen.”Trokiti në dhomën e prindërve dhe e përlotur foli me ndjesë: – Të lutem baba pse nuk më ke treguar të vërtetën? Qazim Kokoshi. burri i ditur, guximplotë, s’kishte dashur ta lëndonte të bijën. I detyruar, tregoi se kishte lexuar buletinët e luftës ku kishte mësuar për betejën, vrasjen e Reshitit dhe shokëve të tij të luftës. Kishte parandjenjën se vrasja e Reshitit, e atyre dhjetë djemve të zgjedhur, ishte paralajmërimi i një moti të errët e të zymtë për gjithë Shqipërinë. Në fjalët e të atit dhe shikimin e tij të vrenjtur, ajo pa thellë dhe ndjeu të ardhmen e saj pa dritë, të errët si nata përtej dritareve të kampit. Pabesueshmëria e vrasjes së Reshitit ishte endur, jo vetëm tek të afërmit, bashkëfshatarët dhe shokët e llogoreve që luftuan përkrah tij. Myzejeni ishte larg dhe forca e një dashurie të epërme nuk e lejonte ta besonte humbjen. Të gjithë mendonin se do të ishte një keqkuptim, një arratisje, një burgosje, apo një e fshehtë s’dihej se ku. Ndoshta ndonjë nga shokët e tij studentë italianë në betejën e Pojskës, që kishin studiuar bashkë në akademi i rrieshtuar me forcë në ushtrinë fashiste, atje në fush betejë, e kishte marrë me vete ashtu të plagosur dhe ai patjetër do të kthehej një ditë. Reshiti ishte mbështjellë me aureolën e pavdekësisë. Ndoshta edhe atë të ringjalljes prej hirit si zogu feniks. U fanitej shpesh, se ai një ditë do të shfaqej, ashtu i bukur i gjatë, me maunzerin e tij në krahë, apo mes librave duke studiuar. Shumë i dashur dhe fjalëpak, do t’u thoshte: “Djema u lodhët”! Në çdo shesh pushimi apo shesh beteje, ata do ta kujtonin komandantin e tyre, trimin me zemër të madhe me dëshirën: “Sikur të ishte me ne si dikur”, do të ishte ….një mrekulli! Reshiti nuk jetonte më, po jeta, udha, hija, vrasja dhe karma e tij ishin kthyer në legjendë. Legjenda gojë më gojë ishte kthyer në një këngë, në një sagë të pafundme.